
Shkolla Letrare e Kosovës – përbën një realitet krejt të veçantë
nga Kasëm Trebeshina
Shpallja në mediat më të varura se të varura se Isuf Vrioni është përkthyesi i madh i Letërsisë Shqipe nuk është gjë tjetër veçse një kodër pas bregu… Ose, thënë më thjesht, është një përçartje neokomuniste…! Shumë-shumë, për të mund të thuhet se ka vënë ndyrësira në një pjatë argjendi! Kaq është më se mjaftueshëm.
Për këtë ai nuk mund të fajësohet… Qoftë edhe moralisht…! Se në Shqipërinë e Enver Hoxhës nuk e kishte të lehtë të jetonte një njeri i dalë nga burgu… Dhe aq më tepër një Vrionas…!
Ndryshe qëndrojë punët me kritikën e ashtuquajtur serioze, të teksteve gjoja mësimore! Përçartja e tyre e kalon çdo përçartje dhe del më përtej se vetë ligësia.
Ata shpallnin, me seriozitet shkencor, se unë qëndroj në mes të traditës kuteliane dhe surrealizmit, me qëllim që unë të mbetem në një vend të papërcaktuar, dikur nga mesi i shekullit!…
Dhe më tej?!…
Më tej, punën e shtyjnë të zgjedhurit e tyre që janë gjithçka…! Që përfaqësojnë jo vetëm gjysmën e dytë të Shekullit të Njëzetë, por të gjithë shekullin…! Jo vetëm të gjithë shekullin, por të gjithë Letërsinë Shqipe…!
Më ngadalë, o gjysmagjelë të dështuar… A nuk e kuptoni se me përçartjet tuaja të nxitura nga paranoja me psikopati ju bëheni vazhduesit e denjë dhe më të denjë të bindjes social-komuniste, të fillimit të çdo gjëje me ju?!
Viti zero i komunizmit marksist-leninist dështoi përfundimisht në praktikë dhe në teori.
Por, a ka diçka të vërtetë në ato shkrimet tuaja?
Ka një të vërtetë gjysmake që vlen, aq sa vlejnë të gjitha të vërtetat gjysmake dhe ajo e vërtetë gjysmake vjen nga vlerësimi që i bëhet realizmit socialist.
Si në të gjitha etapat historike të njerëzimit, në realizmin socialist në fillim dominoi poezia me poemat agjitative, të Shevqet Musarajt dhe Aleks Çaçit… dhe të disa të tjerëve… Më pas erdhi drama me primitivizmin e Kolë Jakovës… Dhe më tej letërsia e realizmit socialist u shty me prozën e arnuar të Dhimitër S. Shuteriqit… E këmbyer pak më vonë me prozën e Petro Markos që, falë përvojës spanjolle dhe një gazetarizmi të shkathët, sillte për herë të parë në prozën e realizmit socialist shqiptar diçka të marrë hua nga letërsia bashkëkohore e huaj.
Është më se e vërtetë që realizmi socialist u përtëri dukshëm në vitet gjashtëdhjetë, në të mirë dhe në të keq të Letërsisë Shqipe. U bë më i shkathët, por duke qenë një rrymë letrare zyrtare dhe pasi u mbufat me spiunë të shumtë, u bë një rrymë letrare shumë agresive. Në të gjitha rastet luftoheshin egërsisht dhe pa dallim kundërshtarët politikë dhe ata artistikë! Dhe jo vetëm kaq, por luftoheshin edhe kolegët e së njëjtës rrymë!…
Veprat e shkrimtarëve të realizmit socialist të Viteve Gjashtëdhjetë, edhe pse të krijuara me teknika të vjedhura nga letërsia bashkëkohore moderne, veprim në të cilin kishte paraprirë Petro Markua, i ruanin tiparet e partishmërisë dhe të luftës së klasave, gjë që ka penguar në krijimin normal të personazheve dhe ka ulur ndjeshëm nivelin real të cilësisë së tyre. Por ju, zotërinj kritikë dhe studiues, duke u shtirë se nuk dini gjë për shkrimtarët e tjerë, një dëshirë të zjarrtë për të mbrojtur atë që ju e quani “epokë”, absolutizoni realizmin socialist, duke e quajtur, jo të tërin të tërë, si të vetmin përfaqësues real në Shqipëri…! Me një fjalë, kërkoni të ndani elitën nga shkrimtarët shoferë!
E vërteta nuk ju lejon që ta bëni një gjë të tillë.
Në Kosovë realizmi socialist u anashkalua, së bashku me popujt tjerë në Jugosllavinë e Titos dhe, më vonë, u arnua, provincialisht, me modernizmin bashkëkohor. Tashti, shkolla letrare e Kosovës përbën një realitet krejt të veçantë.
Martin Camaj është gjithashtu një shfaqje më vete, një shfaqje që nuk mund të futet në rrethin e realizmit socialist shqiptar. Gjithashtu, edhe vepra ime nis një rrugë krejt të veçantë dhe ndryshe nga realizmi socialist. Është e vërtetë që ajo mbështetet te tradita dhe e ardhshmja, por nuk qëndron në mes të traditës kuteliane dhe surrealizmit.
Populli shqiptar ka përralla të bukura, por nuk janë më pak të bukura edhe përrallat e popujve të tjerë…! Bie fjala, Një mijë e një netët! Kush mund të thotë se ai libër nuk është një nga krijimet më të çuditshme të fantazisë së njeriut?! Prandaj, nuk mund të thuhet se fantastiken e ka shpikur dhe e zotëron vetëm Mitrush Kuteli…! Pastaj, kur ju kujtoni maunet tuaja, mos harroni se maunet e mia nuk kanë të numëruar…!
Në veprën e Kutelit miti ngrihet me respekt dhe adhurim… Si në të gjitha veprat e autorëve tuaj…! Kurse në veprën time asgjësohet përmes ironisë! Merrni vetëm dhe shikoni “Fshatin mbi shtatë kodrina”, se e keni edhe të botuar! Aty merret me të qeshur krijimi përrallor i të gjithë qyteteve, që nga Kartagjena dhe Roma dhe gjer te të gjithë qytetet e tjera!
Edhe shumëkohësinë, të përcaktuar si të tashme të përjetshme, nuk e kanë autorët tuaj! Dhe atë nuk e shpika unë! E gjeta te autorët klasikë… E kishte Shekspiri, por në mënyrë akoma më të qartë, Dantja! Edhe Dantja e kishte marrë nga Homeri, përmes Virgjilit! Por, te unë shumëkohësia kalon përmes shfaqjesh nga më të ndryshmet! Që nga truri i përmbysur i një personazhi dhe gjer te nata në një muze! Që nga kthimi në jetë i një të vdekuri dhe gjer te ëndrra për Vajzën e trëndafilit të bardhë…! Kuteli ka të tijat, unë kam të miat dhe i kam me një shumëllojshmëri marramendëse.
Nuk mund të ma merrni atë që është e imja.
Marrë nga Muri i FB i Agron Gashi, 5 dhjetor 2025