
“Shkodra Elektronike” – “Zjerm” – Kangë që na përfaqëson denjësisht
nga Robert Prennushi
Eurosong 2025 ka në këte edicion nji kangë dinjitoze nga vendi ynë – ‘Shkodra Elektronike’. Kët herë kangën e kemi shqiptare edhe në melos, ritëm e madje edhe me tekst. Asht fat që ne, si popull, nuk i kemi shfrytëzue ende motivet tona të pasuna, e kështu ata tingllojnë ende të freskëta sidomos për ndigjuesin e huej. Kjo kangë asht bashkëkohore si formë, në llojin e vet, pra në muzikën e lehtë; por shqip. Asaj nuk i mungon moderniteti e as i “rri ngusht”. Ai gati Rep – pra ma shumë se nji recitim i ritmuem – me të cilën fillon solistja mbas tingllimit të çiftelisë, aspak i mërzitshëm asht, sepse thyhet vazhdimisht, rrëfen nji përmabajtje aq poetike, sa të lashtë, mitike e shpresëdhanëse: “mbas shiut, ylber të duket bota… pa arroganca e ambulanca… pa ushtarë, pa jetima, me naftë era jargavan, në nji vend ku lirinë e fjalës ta mëson shkolla…” (Çfarë figurash e koncentrat mendimesh!). E mandej fillon melodia e pastër, pa ritme, por tue bashkëjetue me nji si re melodie të gjanë që sillet nalt ‘për hesapë të vet’ (controcanto do të më sugjeronte ndokush), ku solistja ndjehet me nji zemër të pastër, ku nata e saj bahet me dritë. E shpërthen në nji gëzim që bahet i përgjithshëm e me nji ritëm shqiptar, (nji rrahje e përbashkët zemre), ku ‘minuti vazhdon’. Çfarë figure! Ndalet koha. Minuti vazhdon. Pse asht gëzim. E ajo thirrje me atë tingllim onomatopeik “shndrit”, “shndrit” që vazhdon të ndjehet së bashku në atë orkestracion si re që sillet për hesapë të vet.

E mandej nji heshtje që imponohet nga krisma e nji tik-takut të nji sahati te stërmadh që të përgaditë për nji të papritun muzikore.
Si i dalë thellë nga guvat, si za orakulli, bas-baritoni shpërndanë zjarrin e Prometeut ndër vallet tribale, tek njerëzit e dlirë, ku flen deti e yjet s’i shohim se yjet na i shkel kamba… por jemi t’untë (kemi uri) për flakë e dritë n’ket’ terr që s’pranë tuej shndritë…
E mandej fillon solistja, që mbinë si lule me dritë nga ai ambient mitik që na la tregimtari. E prap ai shpërthimi si gëzim popullor, që përfundon me atë “shndrit”, “shndrit” që duket se vazhdon në pafundësi, jo vetëm në orkestracion.
Thjeshtësia e paraqitjes, solist e tregimtar, nuk asht vorfni. Asht gjetje artistike e rrallë. E kjo se kanga ka brumë si mendim e muzikë që shkrihen.
Kjo asht muzika jonë, këta janë muzikantët tanë që na nderojnë.
Pra, kjo asht muzika jonë që bahet vetëm nji orë në javë ndër shkolla. “O tempora o mores”, do të thonin latinistët.