back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Sheuqet Muka, personalitet i shquar i arsimit kombëtar, që përhapte dritën e diturisë edhe në qelitë e errëta – nga Pertefe Leka

Gazeta

Adnan Muka - Sheuqet Muka - Shkodrani
Adnan Muka – Sheuqet Muka – Shkodrani – tetor 2019
Jozef,
po ju dërgoj një shkrim për një mësuesin erudit Sheuqet Muka, Shkodrani,
me një kontribut të vyer në fushën e arsimit,
i njohur nga bashkëvuajtësit e tij si mësues i burgjeve komuniste.
Uroj çdo të mirë Pertefe Leka
.

Sheuqet Muka, personalitet i shquar i arsimit kombëtar,

që përhapte dritën e diturisë edhe në qelitë e errëta

nga Pertefe Leka

“Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve, Zotni Sheuqet Muka…
Këta ishin mësuesit tanë, Etërit tanë, të cilët menduan e punuan aq shumë për ne… u jemi borxhli shpirtmadhësisë së tyre që më aq durim e kënaqësi prindi na falën dritën e mendjes e pastërtinë e tyre shpirtërore. Na plotësuan atë çka shteti monist na e mohoi… por mësuesi ynë gjithmonë mbetej nxënës i të tjerëve… shkruan z. Sheuqet Kraja, nxënës bashkëvuajtës në shkollën e burgjeve marrë nga libri “Sheuqet Muka, Shkodrani “f. 104-114 botuar Tetor 2019)
Është mirë për brezat që vijnë të njohin vlerat e njerëzve të shquar, të njohin konkretisht punën e tyre vetëmohuese, trashigimisë që kanë lënë ata. Të njohin aktivitetin frymëzues, këshillat e vyera, qendresën burrërore për mbrojtjen e parimeve të drejta. Të njohin humanizmin e thellë dhe vizionin e qartë që kishin për të ardhmen e popullit e të atdheut.
Një personalitet i tillë i këtyre përmasave është Sheuqet Muka me pseudonimin, Shkodrani.
Ai jetoi në ngjarjet më kulmore të vendit tonë në vitet, 1912-1939. Ecja e tij në këto tri dekada njeh vetëm punë intensive, duke dhënë një kontribut të madh në fushën e arsimit dhe si aktivist shoqëror e politik. Ai ka qenë prezent në të gjitha ngjarjet historike e politike të kohës nga ku u bë i njohur si mendimtar modern. Historigrafia shqiptare i ka borxh një vend nderi këtij luftetari të lirisë: Një institucion bamirësie, një shkollë, një bibliotekë do të krenoheshin po të mbanin emrin e tij.
Profesioni i tij si mësues nuk e ndaloi që të bëhej një forcë e pathyeshme në mbrojtje të të drejtave njerëzore dhe kombëtare.
Karrierën arsimore e filloi me 1910, si mësues në Mejtep, por shpejt po me atë klasë bëhet nismëtar për të kaluar në shkollën e Parrucës, e cila u hap me 1913. Atje punoi si mësues e më vonë si drejtor për 20 vjet rrjesht, ku u dallua për një punë të çmuar organizative, edukative e kulturore. Etja për dije dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja i dhanë mundësinë të njihte nga afër literaturën e pasur botërore në fushën e pedagogjisë dhe mendimit përparimtar bashkëkohor.
Gjënë e parë që bëri në këtë shkollë ishte krijimi i bibliotekës për nxënësit dhe mësuesit. Motoja e tij ishte “Me i pajisë bijtë e shqipes me flatrat e diturisë që janë stolitë ma të çmueshme të kësaj jete.” Në këte shkollën që nismëtar i krijimit të orkestrës me vegla frymore e quajtur “Trupi muzikuer, Shkolla e Parrucës” ku pati përkrahjen dhe ndihmën e dy mësueve shumë të njohur shkodranë, Shuajp Domnori dhe Ragip Gjylbegu. Kjo shkollë mbahej ndër më të mirat në Shqipëri. Shumë mësues të vjetër që kishin punuar me a. Sh. Muka e mbanin në gojë përvojën e mirë të kësaj shkolle dhe meritat ia jepnin drejtorit ekzigjent dhe organizator. Ai vuri në jetë mendimin pedagogjik më të përparuar të kohës.
Si ithtar i Herbartit dhe Pestalocit, nuk kurseu asgjë nga vetja për t’i dhënë shkollës një frymë të re. Ishte mësues autodidakt dhe s’pushoi së shkruari, artikuj pedagogjikë, tekste shkollore, poezi patriotike e përkthime për pjesë leximi. Duke pasë këtë formim ai ndikoi për një arsim masiv të djemve dhe të vajzave të Shkodrës, luftoi kundër analfabetizmit, hapi kurse për mësimin e gjuhës amtare sepse thoshte: “Ka vorfnue mija djelmoca dhe duhet me u shti ne zemër dashninë për gjuhën shqipe!” Për këte nuk ngurroi të ngrejë zërin e të bëhet një luftëtar i zjarrtë për arsimimin e vajzave dhe edukimin e tyre përmes shkollës. Në fjalën përshëndetëse, që mbajti ditën e inaugurimit të shkollës së vajzave në vitin 1917, e cilësoi këtë eveniment si ngjarje shumë të rëndësishme sepse vajzat nesër do të bëhen nëna dhe fëmijët e ardhshëm prej tyre do të marrin edukatën.
.
Trupi Muzikuer shkolla e Parrucës themeluar nga Sheuqet Muka
Trupi Muzikuer shkolla e Parrucës themeluar nga Sheuqet Muka
Duke theksuar edukimin patriotik nëpërmjet kësaj shkolle ai mburret se: “Vajzat përveç mësimeve që do të marrin nuk do të harrojnë nesër t’u këndojnë fëmijëve “U rritsh bir, o loçka eme, dëshmitar për Atdhe tand!”
I entuziazmuar nga fillimet e mbara për hapjen e shkollave të para në gjithë vendin, lufton po me atë vrull për emancipimin kulturor të rinisë shkodrane. Me 10 Mars 1919, së bashku me një grup patriotësh themelojnë Shoqërinë patriotike, kulturore e sportive “Vllaznia” që bëri emër në shumë aktivitete. Përpjekjen më të madhe e bëri për të hapur në Shkodër një gjimnaz shtetëror. Në shumë artikuj e ligjerata, letra e peticione dërguar autoriteve vendore dhe shtetërore “…për nji shkollë të mesme d.m.th. për nji Gjymnaz Zyrtar Kombëtar me profesor krejt të mirë që fëmija të kenë ku të ndjekin mësimet e mesme, që kështu të mos bjerret shpresa e re e Atdheut tue lanë pa e pajisur me nji kulturë për të cilën ka nevojë.”
Kjo shkollë do të vlente sipas tij edhe për bashkim dhe mirëkuptim fetar. Në këto kushte ai thekson se pjesa katolike i kishte shkollat përkatëse, atë të Françeskanëve dhe të Jezuitëve, ndërsa pjesa myslimane nuk i dërgonte fëmijët në këto shkolla për arsye fetare. “Ne duhet të luftojmë që myslimanët e Shqipnisë duhet të jenë ma të zhvilluemit e të gjithë myslimanëve të botës për arsye se janë të Europës”. Në përpjekje e sipër ai e realizoi qëllimin e shumë kërkuar. Gjimnazi i shtetit u hap me 1922. Ky institucion u bë shpejt një qendër e bashkimit kombëtar e fetar. Shkolla e re u mbush me nxënës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Çamëria me nxënës te besimeve të ndryshme. Tani ai afirmohet si organizator i arsimit Kombëtar. Në Maj të vitit 1922, Ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica i dërgon një njoftim me programin e Kongresit që do të mbahej së shpejti.
.
Nxënësit e shtëpisë së fëmijës Tiranë 1937
Nxënësit e shtëpisë së fëmijës Tiranë 1937
Nga pikëpamja fetare ishte mysliman i betuar, ai bashkëpunonte me klerikët më të kulturuar islam si H. Ibrahim Repishti, H. Abaz Golemi, H. Ali Tari, H. Kaduku, H. Sabri Bushati etj. Ai solli të reja në mësimin e fesë ashtu siç bëri Noli me përkthimet e psalmeve në gjuhën shqipe. Në përkthimet e librave fetare ai vet shkruan: “Me botime librash e përkthimesh në gjuhën e dashtun tonën, ka me pasë rasë zogu i shqiptarit mysliman m’e mësuem e me njoftë fenë e vertetë të veten e, tue mësuem urdhnat e ndalimet e fesë, ka me qenë vërtetë nji gjymtyrë e shëndoshe për bashkëfetarët e bashkatdhetarët e vet e për gjithë shoqnin njerzore mbarë”.
Nga ana tjetër ishte shumë i lidhur edhe me klerikët katolikë me të cilët diskutonte dhe bashkëpunonte për çështje kombëtare, si Pater Gjergj Fishta, Pater Anton Arapi, Pjetër Meshkalla, për këtë të fundit u jepte porosi fëmijëve të vet nga burgu: “Meshkallës, mos harroni me i shkue për Pashkë, të m’i sillni urimet përshëndetjet e falenderimet e mija”.
Si përkrahës i ideve te Fishtës, Ai mbajti Kumtesën “Gjergj Fishta për zgjimin Kombëtar” në ceremoninë e organizuar me rastin e 60-vjetorit të lindjes. Në atë eveniment, Ai u radhit me personalitetet më të shquara të elitës shkodrane.
Idenë e tolerancës fetare në Shqipëri e mbron me një ligjëratë të mbajtur me rastin e festës së Pavarësisë: “Hala s’paskan marrë vesh armiqtë e tradhëtaret e kombit tonë se në Shqypni nuk ka turk e kaurr?! S’ka jo, turk e kaurr ka vetëm shqiptar me besim mysliman, katolik e ortodoks.”
Për merita të veçanta në edukimin e brezit te ri në vitin 1933, e emërojne drejtor në shkollën modelore të Tiranës “Hoxha Tahsin” në të cilën qëndron pak vite, por jep një ndihmesë të madhe në planin pedagogjik e shoqëror. Pas tre vjetesh, emërohet drejtor i “Strehës Vorfnore” të Tiranës.
Atje vë të gjitha energjitë fizike e mendore në shërbim të këtij institucioni shkollë-familje, këte punë të dyfishtë si prind dhe si mësues e bën me shumë dashuri për t’ju dhëne fëmijëve jetimë gjithçka që u mungonte. Edhe pse kishte një afeksion të madh për fëmijët, nuk bënte lëshime në drejtim të rregullit e të disiplinës, pastërtisë dhe punës sistematike. Meqë shkolla financohesh nga Kryqi Kuq Shiptar, ai mundohej që këto fonde t’i ekonomizonte sa më mirë në dobi të shëndetit të fëmijëve për të cilët kishte krijuar kushtet më të volitshme për jetë të kulturuar. I prirur nga mësimet e Xhon Djuit, pragmatisti i njohur amerikan, i cili i jepte rëndësi praktikës mësimore, hapi reparte pune si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Organizoi orkestrën me vegla frymore, zhvilloi veprimtari sportive e kulturore të larmishme. Një punë frytdhënëse dukej në repartet e zdrukthtarisë, rrobaqepësisë, tezgjahut, qëndisisë, këpucarisë dhe gjithashtu në parcelat ku bëhej puna bujqësore në rrethinat e Tiranës. I aftësonte fëmijët të ishin në aktivitet të vazhdueshëm ku njëherësh mësonin dhe nxirnin shumicën e shpenzimeve të veta. I kënaqur nga puna dhe sukseset që kishte arritur me fëmijët e strehës i shkruante mikut të tij, Jahja Domnorit, me të cilin mbante korrespondencë të rregullt, po citojmë fjalët që i shkruante mbrapa kartolinës në të cilën dukeshin fëmijët të rreshtuar bukur dhe të veshur me uniformë. “Kjo fotografi vllai im, asht estetikë në vetvete. Për ditë më shkon mendja ma ba nga nji gja të re. Më knaqet shpirti kur i shoh në rregull. Detyra jonë asht gjithmonë përpara.” (fotografitë janë marrë nga arkivi i familjes së Jahja Domnorit )
Në kulmin e veprimtarisë së tij, pushtimi fashist ia ndërpret këtë punë pasionante prej misionari të devotshëm. E arrestojnë dhe e internojnë si njeri i padëshiruar për rregjimin fashist. Po nga italianët ishte arrestuar dhe internuar si person i rrezikshëm në vitin 1919, kur ai ishte në Vlorë me detyra të rëndësishme.
Patrioti i flaktë që i kushtoi gjithë jetën përparimit të kombit, dënimin më të madh e mori nga diktatura komuniste. Burgu i gjatë, peripecitë, torturat nuk e mposhtën, edhe atje në qelitë e errëta përhapte dritë duke mësuar të rinjtë për gjithçka dinte nga eksperienca e gjatë si mësues. Bashkëvuajtësi i tij, Sheuqet Kraja në shkrimin “Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve” ndër te tjera shkruante: “Ndonëse kalova një kohë të gjatë me mësuesin tim kam të veshtirë të vë në pah të veçantën, me çka ngadhnjeu disa herë ky luftëtar në fushat e përpjekjeve e të përleshjeve më rrënqethëse që pau me dhimbje Historia jonë Kombëtare. Për vite të tëra, përballë, pranë e pas tij, nuk arrita të zbuloj heroiken që e bëri të fitojë respektin e vendnderin krah burrave më të rrallë të Shqipërisë!”
.
Orkestra me nxënëse te Strehës Vorfnore
Orkestra me nxënëse te Strehës Vorfnore (1937)
Në të njëjtën kohë ai vazhdonte edukimin e fëmijëve të vet me letra nga burgu. Dëshmi për këte janë 200 letrat që edhe sot ruhen në arkivin e familjes Muka, 103 prej letrave u botuan në librin “Sheuqet Muka Shkodrani” Tetor 2019. Në të gjitha letrat u shkruante familjarëve me fjalë te urta e këshilla që t’i shërbenin ardhmërisë së tyre dhe për secilin fëmijë shkruante në mënyrë të veçantë, ndërsa këshilla e përgjithshme për to ishte “Të jeni gjithmonë nxanës të mirë”.
Djali i tij, Adnan Muka, në një letër falenderimi që ia drejtonte auditorit në një konferencë kushtuar z. Sheuqet Muka, pas 1990, shkruan: “Ne, 5 fëmijët e tij, fati na privoi të drejtën e ligjshme natyrore për t’u rritur e edukuar direkt prej tij. Po megjithatë ai me mjeshtëri artisti nëpërmjet letrave nga burgjet na ka dhenë leksione të mirëfillta edukative, shumë të çmueshme e të dashura. Na mësoi dhe na formoi me edukatë qytetare. I jemi pakufi mirënjohës!”
Mesazhi i vlefshëm që ka lënë për të gjithë ne, i cili do të transmetohet ndër breza është: “Sa ma të ditun që të jemi, aq ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe, përnjiherë edhe vetë do të jemi ma të lumtun.”
Veprimtaria Kombëtare e z. Sheuqet Muka, pavarësisht nga nëpërkëmbja, ishte e njohur. Shkodra ziente përbrenda nga këto padrejtësi që i bëheshin intelektualëve patriotë. Kjo u duk qartë në ditën e ceremonisë mortore ku pjesëmarrja masive pa dallim klase e feje ishte një sfidë për regjimin e egër. Ai vdiq dy vjet pasi kishte dalë nga burgu. Ishte viti 1967, kur lufta e klasave ishte acaruar së tepërmi, por shkodranët si gjithmonë pa marrë parasysh se çfarë mund t’u ndodhte e manifestuan paqësisht urrejtjen për të lartësuar respektin ndaj atyre që u sakrifikuan për Kombin. Ky tubim ishte i papritur për autoritetet vendore. Ata nuk munden ta ndalnin atë lum njerëzish, atë nderim të veçantë që i bënë bashkëqytetarët, Martirit te Demokracisë. Më pas u morën disa masa, por s’mund të dënonin gjithë qytetin.
Studiues të ndryshëm të aktivitetit të tij e kanë vlerësuar me krenari trashëgiminë e vyer kulturore, edukative dhe politiko-shoqërore:
Studiusi i mirënjohur shkodran, Mentor Quku, i bënte këtë vlerësim: “Ndriçimi i kësaj maje olimpike të qytetit tonë, do të shtojë një gur tjetër në tempullin, ku brezat do të vijnë të mësojnë si të punojnë për vendin e vet”
“Sheuqet Muka, intelektuali dhe atdhetari i njohur, nacionalisti i shquar dhe antikomunisti i vendosur, luftëtari i unitetit kombëtar dhe misionari i dijes, i arsimit, i kulturës dhe fesë. Njeriu që aq shumë e deshi, lirinë e shkollën shqipe, por që aq shumë u ndoq dhe u persekutua!”. shkruante Dr. Vehbi Hoti
“Sheuqet Mukës: Burrë si burrat e motit, shoq i paharrueshem i burgimit komunist, këtë ligjeratë teologjike mbi të Shenjtën Trini, shkrue sipas dishirit e nxitjeve të shpeshta të tij, autori në shenjë miqësie e çmimit me kënaqësi të vërtetë ja kushton. Nga vepra e Patër Mark Harapi
“Ai është shembull tipik i Mësuesit të Popullit.” Nga studiusi i shquar i arsimit kombëtar, Islam Dizdari.
‘Hallall’ kjoftë e Shqipnisë buka./Xhemal Naipi e Sheuqet Muka /Patriotë fetarë e atdhetarë/ Egër i shtypi diktatura “ Nga rapsodi popullor Dedë Shyti
“Ne vargun e krijimtarisë së Sh. Mukës është për t’u shënuar angazhimi i tij si ligjërues që shquhej për thellësinë e përmbajtjes, qartësine e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent prej oratori.” Nga studiusi Dr. Faik Luli.
.
Nxënëse te Strehës Vorfnore
Nxënëse te Strehës Vorfnore
Për të njohur aktivitetin politik të Sheuqet Mukës po shënojmë disa pjesë të shkëputura nga proces-verbali i hetuesisë ku ai pohon me kurajo çdo veprimtari që ka kryer.
A ke pasë ndonje nëpunësi në kohën e Turqisë? – Në vjetin 1910, kam mbaruar shkollën ushtarake,
A të pëlqente okupacioni turk? Në vendin tonë ka pasë elemente që punonin për t’u çliruar nga kjo zgjedhë nji nga këta jam edhe unë.
A ke qenë antiitalian apo e ke simpatizuar? – Forcat italiane më kanë arrestuar dhe më internuan si antiitalian…
Ç’punë keni bërë në regjimin e Zogut e ke dashur këte regjim apo ke qenë kundra tij? – Gjatë regjimit te Zogut kam punuar si arsimtar… Regjimi i Zogut ka pasë statut ku sigurohej demokracia, ka pasë liri shtypi, ka pasë Parlament dhe senat, pra i ka pasë të gjitha elementet e demokracisë. Në parlamentin e Zogut ishin shqiptarë, regjimi i Zogut si çdo regjim që krijohet në nji shtet te ri ka edhe të meta, nuk mund të kërkohet menjëherë shtet ideal. Për t’u bërë shtet ideal do kohë dhe mua me pëlqen zhvillimi i gjërave me evolucion. Unë jam ithtar i evolucionit.
A të pëlqeu okupacioni Italian? – Fashizmi nuk më pëlqeu. Jam arrestuar nga fashistët në datën 5 qershor 1939… Unë jam internuar si antifashist dhe jo si zogist.
A i quaje gjermanët: okupatore? – Gjermanët i konsiderova si një okupator më të rëndë se italianet.
A merreshit me politikë? – Në fillim të vitit 1944 u formua në Shkodër “Besa Shqiptare”. Inisiatorët e kësaj organizate qenë: Ndoc Çoba, Tef Gera, Hysen Lohja, Hys Draçini, Xhemal Naipi dhe unë Sheuqet Muka.
Mbledhjen e parë për të organizuar këte organizatë e kemi bërë në shtëpinë e Ndoc Çobës .
Si pikë kryesore kishim bashkimin e popullit dhe me qenë gati me çlirimin e Atdheut, largimi nga vëllavrasja dhe pajtim gjaqesh.
Na trego për lidhjen e Shkodrës – …është bërë një marrëveshje ndërmjet këtyre organizatave: “Besa Shqiptare”, “Grupi Nacional Indipendent”, dhe “Balli Kombëtar” Marrëveshja ka qenë në këto pika: Me i qëndrue larg vëllavrasjes dhe e dyta bashkim në rast mësymje nga jugosllavët. Në mbarim të luftës organizatat do të jenë të lira të tregojnë aktivitetin e tyre…
A kishit marrëveshje me Lidhjen e Prizrenit? – Ndër të tjera pohon: “Tendenca e kësaj besëlidhje ka qenë Çlirimi i Kosovës nga jugosllavët dhe me u bashkue me Shqipërinë.
A ke qenë në mbledhjen e Zall-Herrit kur u bë Kongresi i Legalitetit? – Organizata “Besa Shqiptare”u ftua në këte kongres si organizatë më vete. Ndoc Çoba mbajti një fjalim me rastin e hapjes së Kongresit. Ai foli mbi mënyrën e bashkimit të anëtarëve të Legalitetit. Në këtë mbledhje u vendos që të bashkohen dhe të përgatiten forcat për të luftuar okupatorin…
Zotëri të pushtetit, veprimtarinë time nuk e quaj tradhëti, pse s’kam ba tradhëti, që të pendohem e të dënohem. “Besa Shqiptare” s’ka qenë tradhëtare, as “Lidhja e Shkodrës”.
Materiali i plotë në dosjen me numër arkivor 1162/a dhe në shkrimin e Astrit Jusuf Jegenit
‘Sheuqet Muka në personalitetin e tij politik e historik.
.
Libri i botuar “Sheuqet Muka” – Shkodrani –
.
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.