back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Shen Nënë Tereza në Përvjetore – nga Lutfi Alia

Gazeta

Nënë Tereza e Kalkutës - Pashk Përvathi
Nënë Tereza e Kalkutës – Pashk Përvathi

Shen Nënë Tereza në Pervjetore

26 gusht 1910-19 tetor 2018

nga Lutfi Alia

Shën Nënë Tereza shqiptare e Kalkutës, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup.
90 vite të shkuara, më 26 shtator 1928, rinushja Agnes Gonxhe Bojaxhiu, nisi rrugëtimin e rregulltares dhe pa u ndalur vazhdoi e përkushtuar me vetmohim në misionet ungjillore dhe humanitare.
Përgjigja hyjnore ndaj thirrjes sё Jezu Krishtit “Eja, bëhu drita ime”, e bёnё Gonxhen motёr katolike tё devotshme, misionare tё bamirёsisё, nёnёn e tё varfёrve, dëshmitaren e dashurisё sё Zotit për tё gjithë njerёzit pa dallime fetare, etnike, kulture dhe niveli social-ekonomik.
“Ubi fides, ibi robur – ku ёshtё besimi, aty ёshtё forca”, kësisoj ishte Shen Nёnё Tereza. Besimi te feja katolike i dha forca tё veproi me dashuri nё shёrbim tё viktimave tё varfёrisё, duke krijuar moralin dhe humanizmin terezian, qё nё ditёt e sotme, janё modele sociale pёrgjithёsuese pёr tё gjithё popujt e botёs.
Pёr kontributet e shquara shpirtёrore dhe humanitare, Shën Nënë Tereza, Nëna e Dashurisё, Shenjëtorja e të varfërve, ёshtё vlerësuar ndёr personat mё tё shquara tё shekullit XX, madje shumё shtete dhe institucione e kanё dekoruar me 35 urdhёra e medalje, e kane nderuar me shumё çmime prestigjioze, ndёrsa nё vitin 1979, i akorduan çmimin Nobel pёr paqen, pёr veprat e shquara nё aktivitetet e saj humanitare dhe nё inspirimin shpirtëror. Atё ditё, kur iu dha çmimi Nobel, Nënë Tereza bёri deklaratёn lapidare: “Me origjinë dhe me gjak jam shqiptare…”, njё thënie e fuqishme, qё përcjell kumtin e krenarisё tё përkatësisë së saj, por dhe nderin pёr tё gjithё ne shqiptarёt, qё i gёzohemi dhe e admirojmë bashkatdhetaren e madhe me famё botёrore. Nënë Tereza e pranoi çmimin Nobel në emër të të varfërve ndër të varfrit, tё cilёve iu dedikua me vetëmohim, duke vënë në qendër dy shtyllat themelore: Zotin dhe Njeriun – Zot.
Tё rikujtosh Shen Nënë Terezen në pervjetoret kulmore të jetës dhe veprës së saj, mbushesh me krenari dhe emocione, sepse të gjithё ne shohim vegimin e saj hyjnor, peshёn e mundimeve nё shёrbimet pёr tё ndihmuar të varfёrit; prekim kontributet e saj shpirtërore si shërbëtore e Kishës, shtegёtimet e saj nёpёr botё si apostulla e Jezusit dhe Samaritane e Mirё, perkushtimet e saj për të pёrhapur dashurinё, njohim guximin e saj profetik në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut të thjeshtë.
Madhështia e Saj qëndronte në aftësinë për të dhënë pa kushte, për të dhënë “deri kur ndjen dhimbje”. Jeta e Saj ishte një jetesë radikale dhe një proklamim i guximshëm i Ungjillit. Shen Nёnё Tereza ёshtё Ungjilli i pestё. Ndonёse dihen cilёt janë katёr Ungjijtë e tjerё, shumё tё krishterё dhe jo tё krishterё nuk e dinё cilёt janё ungjillorёt, por e dinё mirё, e njohin dhe e pranuan unanimisht Nënë Terezën si Ungjilli i pestё.
Thirrja e Krishtit në kryq: “Kam etje!”, që shpreh dashurinë e thellë të Zotit për njeriun, depërtoi në shpritin e Gonxhes, ku gjeti një terren të begatshëm në zemrën e Saj. “Shuarja e etjes të dashurisë në shpirtin e Jezusit”, u bashkua me Marien, Nënën e Jezusit, kështu u bënë i vetmi qëllim dhe forca e brendëshme e Shen Nënë Terezës, që ndikuan të kapërcente vetvehten dhe të “nxitonte” nga një anë në anën tjetët të botës, duke punuar për shpëtimin dhe shënjtërimin e më të varfërve ndër të varfërit.
.
Nёnё Tereza nё lutje
Nёnё Tereza nё lutje
Dёshira e Agnes Gonxhe Bojaxhiut – Shen Nënë Tereza, për t’iu përkushtuar veprës sё Jezu Krishtit, e ka zanafillën në zemër të vendlindjes arbërore, e cila në fillimet e shekullit XX, ishte e copëtuar dhe nё mjerim. Jetesa mes të varfërve të Shkupit, nё shpirtin e brishtë dhe të ndjeshëm të Gonxhes së vogël, ideoi ndjenjat humanitare të përkrahjes, ndihmës dhe respektit për të nëpërkëmburit nga fati i mbrapshtë, nga shtypja dhe padrejtësitë shoqërore, andaj iu përkushtua atyre me dhembshuri dhe dashuri e kësisoj i parandolli vetes një mision kryqi, misionin e bamirëses dhe të shenjëtores.
Rruga e rregulltarisë që ajo zgjodhi, nuk i erdhi nga ndonjë kompleks, nuk ia sugjeroi dhe nuk e urdheroi askush, përkundrazi ishte frymëzim i brendshëm, i ndjerë shpirterisht për të hyrë në shërbim të kishës si motër katolike. Katolicizmi i lindi natyrshëm në shpirtin e saj të ndjeshëm e për këtë përkushtim të veçantë tregon: “Isha e ulur në gjunjë para Zonjës së Letnicës, në Santuarin pranë Shkupit, kur dëgjova thirrjen hyjnore. E kujtoj shumë mirë atë mbrëmje të festës së Zonjёs e Ngjitur në Qiell. Po lutesha e këndoja e mbushur me gëzim tё brendshëm, kur e dëgjova zёrin e Zotit, që më ftoi t’i përkushtohem, të konsakrohem në shërbim të njerëzve”.
Gonxhja vendosi t’u shërbente njerëzve në emër të Zotit dhe jo të mbyllej si murgeshë në një kuvend, për t’i kaluar ditët me lutje, prandaj ajo mori dorën e Jezu Krishtin dhe iu përkushtua atij në shërbim të njerëzve. Duke ndjekur këtë rrugё, Zoti e ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi tokë, andaj zgjodhi Gonxhen e vogel, për barazi dhe si dëshmi për një jetë si motër misionare në shërbim të njerëzve.
Kush ka lexuar për jetën dhe veprën e Shen Nënë Terezës, ka njohur dhe nderuar rolin e familjes Bojaxhiu nё edukimin e fёmijёve, qё i arsimuan dhe i mbrujtёn me vlera dhe virtyte, për t’u bërë të vlefshëm për familjen dhe shoqërinë, i mësuan të bëjnë tё mira çdo ditë, jo me fjalë, por me fakte dhe me vepra konkrete.
Vendimin për t’u dorëzuar motër katolike, vashëza trup imёt dhe e ndrojtur, ia tregoi nënëlokes sё saj tё dashur dhe këtë çast e përshkruan me dhimbje dhe mall: “E shenjtë ishte nёna ime, por nuk donte tё mё humbte. U mbyll nё dhomёn e saj tёrё ditёn dhe nё mbrëmjen tjetёr mё tha: Po ta jap lejen, shko, vene dorёn tande nё dorёn e Jezusit e vёshtro pёrpara e kurrё mos shih pas.”
Nё gusht tё vitit 1928, Gonxhja mori vendimin: “…Mё nё fund vendosa para Zonjёs Sonё, do shkoj nё mision e do t’i përkushtohem tёrёsisht Zotit dhe shpëtimit tё shpirtrave”.
Kësisoj Gonxhia nisi jetën e motrës katolike, të misionares, të lajmëtares sё Ungjillit, të motrёs sё dashurisë dhe të bamirësisë pa kushte, e nisi dhe e kurorëzoi jetën e shenjëtores.
Letrёs, qё Gonxhja i dërgoi drejtuesve tё misionit “Motrat e Loretos”, ata iu përgjigjën shpejt, duke e njoftuar se e kishin miratuar kёrkesёn e saj.
Para se të nisej në shtegtimin e gjatë ungjillor, Gonxhia i takoi të afërmit, shoqet e shokët e shkolles, të cilët i informoi për vendimin që kishte marrë, ndërsa ata që nuk mundi t’i takoi, iu dërgoi letra dhe kartolina. Në veçanti iu konfidua kushëririt të saj Lorenc Gjon Antonit, të cilin e informoi për vendimin për t’u dorëzuar motër katolike. Si tregonte Nënë Tereza, askush nuk e kundërshtoi për këtë vendim, madje e miratuan e uruan dhe i dhanë bekimin për rrugën e rregulltarisë që ajo zgjodhi.
Një kartolinë me fotografinë e Kishës Katolike “Zemra e Shenjte e Krishtit” në Shkup, ku ishte pagëzuar dhe kunguar, ku kishte marrë mesimet e para fetare, Gonxhia ia dërgoi kushërirës së saj Sus, e cila ishte martuar me Prenk Çuperjanin në Prizren.
Kjo kartolinë është ndër dokumentat e pakta dhe me vlera, e shkruar në gjuhën shqipe nga vetë Gonxhia.
Kartolinen, Gonxhia e kishte derguar në adresen e banimit te Filipit, të vellait të Sus-ës.
 
Zotni Philip Toniç, “Kralja Petro”, 21 Prizren
Shkup 17.09.1928
E dashtuna tezja Sus!
Me 26 t’kti mujit, po nisem prej Shkupit.
Po muj me ju shkrue dy tri rreshta tu ju da prej jush. Lamtumirë;
Ju dëshiroj që Zoti ju nep shka iu dëshiron zemra.
Pritni te falat me të përzemerta.
Gonxhja.
Kartolina, e Çuperjanit nga Gonxhe Bojaxhiu, 17 shtator 1928
Kartolina, e Çuperjanit nga Gonxhe Bojaxhiu, 17 shtator 1928
Mё 26 shtator 1928, Gonxhja nisi udhëtimin dhe nga kjo ditё vazhdoi pelegrine tёrё jetën.
Ndalesёn e parё e bёri nё Zagreb, nga ku mori trenin pёr nё Paris. Drejtuesit e misionit nё Paris, e dёrguan
Gonxhen nё Urdhrin e Motrave tё Loretos nё Dublin të Irlandёs, ku qëndroi pak kohё pёr tё marrё mёsimet e anglishtes dhe ku mori velin e motrёs nё rishtari.
Nё zbatim tё rregullave tё Urdhrit tё Motrave tё Loretos, Gonxhe Bojaxhiu zgjodhi emrin Maria Tereza e Jesu Krishtit Fёmijё, ashtu si Shёn Tereza e Lisieux. Nga ajo ditё tё gjithё e thërrisnin Motёr Tereza. Pёr kёtё zgjedhje ajo tregon: “Mora emrin e Terezёs, por jo tё Terezёs sё madhe tё Avila, zgjodha emrin e tё voglёs, tё Terezёs sё Lisieux”.
Duke marrë emrin e Terezёs sё vogël, Gonxhja bёri njё zgjedhje tё veçantё, qё i lindi si thirrje e brendshme, si e tregon ajo vetё: “Tereza e Liseiux bёri gjëra tё vogla me dashuri tё madhe; gjëra tё zakonshme me dashuri tё jashtëzakonshme; ja pse u bё e Shenjtё dhe unё besoj, se ne mund ta përdorim kёtё shembull nё jetёt tona, duke bёrё gjёra tё vogla me dashuri tё madhe”. Emrin e Terezёs sё Lisieux e mori në nderim të Terezinёs së vogël franceze, por emrin e shkroi si Shën Teresa e Avilas, pasi emrin nё variantin francez Thérèse e mori njё motёr tjetёr misionare, andaj pёr t’u dalluar nga ajo, Gonxhja e shkroi nё formёn spanjolle Teresa.
Preferoi emrin Tereza, sepse ndjehej si rimishërim i tё dyjave, me Terezёn e Lisieux ngjante nga shtati i pakёt dhe inspirimin pёr tё bёrё gjёra tё vogla, me dashuri tё madhe, ndёrsa me shenjtoren Tereza e Avilas e lidhte dashuria pakufi ndaj Krijuesit, deri në vetëflijimin absolut.
Besimi nё fenё katolike dhe shёrbimi me dashuri pёr viktimat e varfёrisё, pёr njerёzit qё kishin nevojë për ndihmë, për përkrahje, pёr njё fjalё tё mirё, e kanё zanafillёn nё edukimin qё mori nё familje, nё shkollё, nё famullinё e Shkupit dhe nga kultura e shoqёrisë shqiptare të kohёs.
Pёr vitet e fёmijёrisё Nёnё Tereza tregon: “Dhe pse ndiqja shkollёn laike, para sё gjithash familja ime dhe famullia Zemra e Krishtit, mё kanë dhanё edukim tё mirё e tё shёndoshё”.
Agnes Gonxhe Bojaxhiu u rrit nё njё mjedis shqiptar, ku vepronte Kodi Zakonor, me norma dhe ligje tё trashëguara ndër shekuj, qё shprehnin dhe kulturёn e ndihmës ndaj çdo personi qё vuante, ndaj tё varfёrve, pёr ata qё kishin nevojё pёr mbështetje, pёr mbrojtje, pёr t’u kujdesur për tё moshuarit, për tё sёmurёt e me aftёsi tё kufizuara, por pa e cënuar dinjitetin e tyre, duke u ofruar përkujdesje, dashuri dhe respekt tё njerёzishёm.
Familja Bojaxhiu njihej nё Shkup pёr ndihmёn ndaj tё vobektёve dhe nevojtarёve, tё cilёt e kishin ndjerё nga afёr dhembshurinë dhe dorёn e ngrohtё dhe tё Gonxhes, qё u rrinte pranё e i ndihmonte, andaj ditёn kur u largua nga Shkupi, plaka Markoni, me pikëllim tё madh tha: “O Zot, pse po na e merr engjëllin e ngushëllimit”!
Nё Kanunin e Lekё Dukagjinit dhe nё kanunet e tjera shqiptare, janë të sanksionuara kultura, rregullat, normat morale dhe etike, qё edukonin respekt e dashuri ndaj prindërve, tё varfërve, tё sёmurёve, njerёzve që jetonin në vёshtirёsi duke theksuar:
-S’munden me e qitun prindin nё rrugё tё madhe, pse asht plakë jetёs!
-Me ndihmu nё martesёn e vajzave tё vorfna.
-Buka, krypa e zemra, zjarrmi e trungu dhe do fier pёr shtroje, gjinden gadi pёr mikun, nё çdo kohё
tё natёs dhe tё ditës!
-Shtёpia ёshtё e Zotit dhe e mikut!
Ndёr shqiptarёt ёshtё kulturё dhe edukatё, qё nёnat, motrat, nuset dhe vajzat, t’u qёndrojnё pranё dhe t’u shёrbejnё pjesëtarëve tё familjes, tё afërmve dhe atyre qё kanё nevojё pёr ndihmё dhe pёr kujdes. Nё kёtё periudhё, femra shqiptare ishte e shtypur dhe pa tё drejta shoqërore, ndërsa Gonxhja e vogël dilte mbi keto kufizime, qё diktonte mentaliteti patriarkal i kohёs.
Lazёr Bojaxhiu, i vёllai tregon: “Gonxhja ishte vajzё normale dhe ndoshta pak e mbyllur. Nё shkollё shquhej nё mёsime, ishte e para e klasёs dhe e gatshme pёr tё ndihmuar tё tjerёt. Ishte shumё e lidhur me kishёn, aq sa nganjёherё pata përshtypjen, se nana e jonё dhe motrat banonin nё kishё, ishin shumё tё pёrkushtuara. Pёr sa kohё babai ishte gjallё, nё shtëpinё tonё flitej pёr politikёn dhe pas vdekjes sё tij, ne jetonim me fenё”.
Kёto janё tiparet e kulturёs humanitare, fetare, të edukatës dhe tё fisnikёrisё tё familjes Bojaxhiu, qё iu bashkangjiten ndikimit të shkollёs shqipe, të shoqёrisё shqiptare dhe tё famullisë sё Shkupit, ku u rrit dhe u edukua Agnes Gonxhe Bojaxhiu.
Nga nёnlokja Drane dhe babai Nikolla, Gonxhja e vogël mori virtytet dhe vlerat më të mira, që çdo fëmijё dëshiron t’i trashëgoi nga prindërit e vet.
Babai, Nikolla Bojaxhiu, u shqua për aktivitete patriotike nё mbrojtje tё të drejtave tё shqiptarëve dhe tё pavarёsisё sё trojeve shqiptare. Ai ishte kundёr politikёs antishqiptare tё Mbretёrisё Serbe, pёr çka serbёt e shihnin si person tё rrezikshёm, andaj në vitin 1919 e helmuan nё Beograd, nё njё pritje, ku kishte shkuar sё bashku me konsullin italian nё Shkup.
Vdekja e parakohëshme dhe tragjike e Nikollës, e tronditi familjen Bojaxhiu, duke i shkaktuar vuajtje “sugares” Gonxhe, që ishte nëntë vjeçe e në këtë moshë kishte shumë nevojë për praninë, për këshillat, pёr përkëdheljet dhe pёr dashurinë e baba Kolës. Nё kёto rrethana tё vёshtira, nanlokja Drane mori drejtimin e shtёpisё dhe iu përkushtua mё shumё edukimit tё fёmijёve. Dhimbjen e madhe tё humbjes sё bashkëshortit e përballoi duke krijuar njё lidhje afektive mё tё fortё me Lazrin, me Agen dhe sidomos me Gonxhen e vogёl. Kjo ngjarje e dhimbshme dhe përkujdesja me dashuri e nënlokes Drane, ndikuan qё Gonxhja, tё rritej e tё piqej me personalitet dhe me karakter tё fortё, qё i dhanё kurajë, tё ecte nё jetё nё mёnyrё tё pavarur.
.
Familja Bojaxhiu - Lazer, Age, Drane dhe Gonxhe
Familja Bojaxhiu – Lazer, Age, Drane dhe Gonxhe
Vuajtja në familjen Bojaxhiu u shtua me largimin e Lazrit që shkoi për studime në akademinë ushtarake në Grac të Austrisë, por me shumë u rënduan pas 26 shtatorit të vitit 1928, kur u largua dhe Gonxhja.
Jetesa në vetmi e nënës Drane dhe e motrës Age në Shkup ato vite, ishte tejet e rëndë dhe e përmallshme. Familja ishte e ndarë në tre pjesë dhe të gjithë ndjenin mall dhe nevojën e bashkimit. Në këto rrethana, nëna Drane dhe Agia, u largua nga Shkupi dhe shkuan në Tiranë, ku u bashkuan me Lazrin, i cili shërbente oficer në ushtrinë e Mbretërisë Shqiptare, ndërsa Nënë Tereza shërbente motër misionare në Hindinë e largët.
Në rrethanat tronditëse politike, që kaloi kombi shqiptar në vitet pas Luftёs sё Dytё Botёrore, ndikuan që dhe familja Bojaxhiu të shpërbëhet, kësisoj u detyruan përsëri të jetonin të ndarë e kësaj radhe përgjithmonë. Lazri mbeti në Itali, nëna Drane me Agen në Tiranë, Nënë Tereza vazhdonte aktivitetin misionar në Hindi, ndërsa trupi i Nikolla Bojaxhiut, mbeti në nёntokёn e ftohët të Shkupit.
Familja Bojaxhiu pati njё fat tё pamerituar dhe tё dhimbshёm, pasi u detyrua tё jetonte e ndarё, jetoi si nё njё balladë tragjike shqiptare, ku tё gjallët dhe tё vdekurit kërkonin njёri-tjetrin, duke iu përgjigjur thirrjes sё gjakut, mallit përvëlues dhe tё dashurisё sё familjes. Pjesëtarët e familjes Bojaxhiu qëndronin larg njёri-tjetrit. Tё gjallёt nuk mund tё shiheshin, nuk mund tё takoheshin dhe as nuk mund tё rrinin sё bashku, por kёtё ndarje e mbante lidhur dashuria e madhe mes tyre. Këtë kalvar të familjes, Nënë Tereza e përjetoi me shumë dhimbje, si shprehet në letrat, që i dërgonte nënës Drane, motrës Age dhe të vëllait Lazёr. Mallin dhe vuajtje shpirtërore, Ajo e përballoi me përkushtim duke ndihmuar të tjerët që vuanin.
Gonxhja ishte 18 vjeçe kur hyri nё jetёn e murgeshës katolike e tё misionares dhe nё kёtё shtegtim tё gjatё, mbajti nё thellësi të qenies sё saj forcën dhe dashurinë e nёnёs Drane, qё e edukoi me virtyte tё larta, ruajti krenarinë dhe shpirtin patriotik tё baba Nikollёs, kishte mbështetjen e përhershme tё vëllait Lazёr dhe tё motrës Age, por ndjente dhe jehonën e Rozafës, flijimin e nёnёs Rozafa, gruas mitike të murosur në përjetësi, qё e frymëzoi me sakrificën sublime pёr tё bёrё mirësi; nё shpirtin e saj ndjente madhёshtinё e mbretёreshёs Teuta dhe tё princeshës Andronika, bamirësinë e Shen Nënë Angjelina Arianitit, mençurinë dhe fisnikёrinё e Dora D’Istrias, forcёn e fjalës edukuese tё Parashqevi Qirjazit, trimёrinё e Shote Galicёs dhe uratën e qindramijёra nёnave, grave dhe vajzave shqiptare. Kjo botё shqiptare, qё gjallonte nё shpirtin e Gonxhes, u lidh dhe me njё tjetёr botё tё dashurisё, qё Ajo e gjeti nё fenë katolike, tё cilat arriti t’i bashkojё nё njё tё vetme e kёsisoj, e plotësoi universin e përkushtimit nё katolicizëm, nё bamirësi, nё dashurinë pёr njeriun dhe pёr jetën.
Kёto vlera te shenjta shqiptare, Nёnё Tereza i ka shprehur me veprat e shumta fetare dhe humanitare, por dhe nё shkrimet e nё letrat e shumta, nё uratat, nё esetë dhe poezitë e saj tё bukura plot ndjenja, me këshillat profetike, me veprën apostolike, me predikimet, me sentencat ungjillore, nё takimet e nё bisedat me njerëzit e thjeshtë dhe nё marrёdhёniet me qytetarët dhe zyrtarët.
Ta njohësh mirëfilli punën e saj të bërë në Kalkutë të Indisë dhe në 136 vende tё tjera të botës, tё njohësh besimin e palëkundur të saj për Jezu Krishtin dhe Shёn Marinё, të njohësh shërbimin dhe dashurinë e saj për njerëzit në vuajtje, per të semuret, te braktisurit, per jetimet, do të thotë ta njohësh Nёnё Terezёn, tё njohёsh shpirtin e saj, mundësitë e pakufishme pёr të bërë mirësi në jetë dhe si flijohej për te tjerët, çka nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur, më i mirë, më i dobishëm për njerëzit dhe për botën që i përket, ashtu si u shenjtërua jeta dhe vepra e saj sublime.
Pasi pak muaj nё Dublin, nё dhjetor 1928, rishtarja Tereza udhëtoi pёr në Hindi. Mё 6 janar 1929, mbrriti nё Kalkuta. Ishte njё udhёtim i gjatё e i lodhshëm dhe kësisoj vazhdoi pelegrinazhin tёrё jetёn, me impenjimin shembullor nё misionin e saj fetar dhe humanitar, derisa e “pushtoi” tërë botën, si misionare e dashurisë.
Qё nё kontaktin e parё me jetën hindiane, Motra Tereza u ballafaqua me kontrastet mes tё pasurve dhe varfërisë së tejskajshme tё banorëve nё lagjet e varfra tё Kalkutёs, njohu tё varfrit, tё braktisurit nga familjet, nga shoqëria, nga shteti dhe iu përkushtua atyre, që nuk prekeshin me dorë.
Nё janar tё vitit 1929, e dёrguan nё kuvendin e Darjeelingut, rrёzё maleve Himalaja, pёr tё plotësuar rishtarinё dhe pёr t’u kompletuar nё formimin si murgeshë. Nё njё nga ditёt e lira, bёri një fotografi dhe shkroi një letër, qё ia nisi Lizës, hallës së saj në Shkup:
“Jam mirë me shëndet.
Po ju çoj këtë fotografi nga dita ime më e bukur e jetës, kur iu përkushtova për tanë jetën Krishtit.
Lutuni për mua. Të fala Gonxhja e juaj,
Tereza e Vogël e Jezusit Fëmijë”.
Darjeeling, 23 maj 1929.
Madre Tereza - Profesore dhe drejtoreshë shkolle - Kalkutë 1946
Madre Tereza – Profesore dhe drejtoreshë shkolle – Kalkutë 1946
Nё kuvendin e Darjeeling, perfeksionoi anglishten dhe mësoi gjuhën vendase bengali. Ishte mësuese nё shkollën e kuvendit, por zhvillonte dhe aktivitete si operatore shёndetёsore dhe shoqërore, çka e ndihmoi tё vihej nё kontakt me tё sëmurët dhe tё njihej me realitetin ku jetonin banorët e periferisë.
Mё 24 maj 1931, pasi mori përkushtimin e murgeshës, u rikthye pёrsёri nё Kalkuta, nё kolegjin katolik tё Saint Mary’s High School, nё periferi tё Entally, ku jetoi e punoi 17 vjet. Nё kolegj, Motra Tereza jepte mёsime nё lёndёt e historisё dhe tё gjeografisë. Gjatё kёsaj kohe mësoi dhe gjuhën vendase hindu.
Rregullat e rendit “Motrat e Loretos”, nuk i lejonin murgeshat tё dilnin jashtë mureve tё kuvendit, por Motra Tereza duke përfituar nga veprimtaritë shoqërore vullnetare, qё organizonin nxёnёset e saj, dilte duke i shoqёruar nёpёr Kalkutё, kështu njohu kushtet e rënda ku jetonte populli nё lagjet e varfra e aty preku mjerimin, njohu të semurët, të varfërit, të braktisurit, jetimët, të pastrehët. Kёto realitete, i përjetoi me shumё dhimbje dhe kjo vuajtje nxiti thirrjen e brendëshme pёr t’i ndihmuar kёta banorё.
Pasi mori përkushtimin e motrës sё përhershme, u rikthye nё Kalkuta, ku e ngarkuan drejtuese nё Kuvendin e Motrave tё Loretos, ndёrsa nё vitin 1944 u emërua drejtore e kolegjit katolik tё Shёn Marisё nё Entally.
Nё vitin 1945, populli indian u ngrit nё luftё pёr pavarësi nga Anglia. Vitet e luftës, i lanё mbresa tё forta Nёnё Terezёs, sidomos kur shihte shkatërrimet, vrasjet dhe varfёrinё e rёndё tё popullit. Nё ditёt kur Kalkuta u pёrfshi nga luftimet, Ajo i aktivizoi motrat dhe nxёnёset e kolegjit, tё mjekonin tё plagosurit, tё ndihmonin nё trajtimin e jetimёve dhe tё fёmijёve tё braktisur dhe nё shpërndarjen e ushqimeve banorёve tё izoluar të Kalkutёs. Ndёrsa ecte nё rrugёt e Kalkutёs shihte shkatërrimet dhe masakrat, që e tronditën dhe ndikuan, qё krahas dhimbjes munduese, nё shpirtin e saj tё ndjeshëm tё lindë një reflektim i brendshëm dhe revolta shpirtërore ndaj padrejtësive, qё e udhёhoqёn drejt marrjes sё njё vendimi tё rёndёsishёm nё jetën e saj.
Mё 10 shtator 1946, Nёnё Tereza shkoi përsëri nё Kuvendin e Darjeeling, tё kalonte 10 ditё me ushtrime shpirtërore. Gjatё meditimeve, ndёrsa kalonte nё kujtesё ngjarjet e Kalkutёs, luftёn, shkatërrimet, djegiet, tё vrarët, tё plagosurit e shumtё, kushtet e rënda tё varfёrisё, dhimbjen dhe vuajtjet e njerëzve tё thjeshtё, nё ndёrgjegjien e saj shpërtheu “thirrja e thirrjeve shpirtërore”. Pёr kёtё reflektim, Nёnё Tereza tregon: “Atё natё hapa sytё dhe pashё vuajtjen e njerëzve dhe ndjeva mungesën e përkushtimit tim. Dëgjova Zotin, qё kёrkoi nga unё tё braktisja jetёn e qetё, atё brenda mureve të kongregacionit fetar dhe tё dilja nё rrugё, pёr t’u shёrbyer tё varfёrve, të pamundurve, tё sёmurёve, tё plagosurve. Ky ishte urdhër, nuk ishte sugjerim, as kёshillё, as propozim”.
Motra Tereza, pas këtij reflektimi dhe e udhëhequr nga thirrja e Krishtit nё kryq: “Kam etje”, vendosi tё largohet nga Kongregacioni i Motrave tё Loretos dhe t’i dedikohej me dashuri bamirёsisё, mbështetjes, ndihmës materiale dhe shpirtërore pёr tё varfrit, qё shoqëria e kohёs dhe kastat indiane i kishin braktisur dhe i konsideronin me neveri, “tё paprekshëm”.
Pёr kёtё vendim, i kërkoi Ipeshkvit tё Kalkutës dhe Selisё sё Shenjtё, ta lejonin tё shërbente si motër aktive pranë njerëzve qё vuanin, t’u shërbente tё varfërve ndёr mё tё varfrit, ashtu si e kishte ndjerë thirrjen e Jezusit.
Ipeshkёvi i Kalkutës dhe bashkёmotrat e kongregacionit, u pёrpoqёn ta bindënin tё ndërronte mendimin. Format e presionit ishin tё ndryshme, madje pёr njё periudhë tё shkurtër kohe, e transferuan nё qytetin Asansol. Të gjithë e këshillonin për eksklaustrim, ose dalje të përkohshme nga kuvendi, por me kusht të mbetej e lidhur me Rregullin e saj dhe me Ipeshkvin e Kalkutës. Këto sugjerime i krijonin kufizime, për të kryer misionin, por Ajo vendos ta linte bashkësinë e Motrave të Loretos, për të themeluar Rregullin e ri, ashtu si ia këshilloj Jezusi. Nё bazё tё teologjisë moderne, Nёnё Tereza preferoi shekullarizimin, kësisoj u largua nga kuvendi dhe e zbriti besimin fetar në masën e popullit, duke modifikuar skemat dhe rregullat tradicionale te kishes, duke i ndryshuar pozicionet dogmatike dhe apriori të besimit fetar katolik.
Më 15 gusht 1948, në festën e “Zonja e Ngjitur nё Qiell”, Nënë Tereza e hoqi vellon e zezë të Motrave të Loretos, veshi sarin e bardhë indian dhe filloi jetën si motër e lirë dhe aktive. Në vazhdim, brenda pak vitesh, themeloi Misionin e Dashurisë (Karità), urdhërin e ri katolik (Missionarie della carità – Congregatio Sororum Missionarium Caritatis, Missionaries of Charity or Sisters of Mother Teresa).
Nё rendin Missionarie della Carità – Misionaret e Dashurisё, përfshihen tё gjitha kongregacionet, familjet fetare katolike dhe shoqatat e themeluara nga Nёnё Tereza, pra janё shumë institute, qё kanё tё pёrbashkёt tё njёjtat parime, tё njёjtat rregulla, tё njёjtat funksione dhe tё njёjtat qëllime: tё ndodhen pranё tё varfërve ndёr mё tё varfrit, tё ndihmojnё tё sёmurёt, t’u gjenden pranë tё braktisurve dhe jetimëve, t’u përkushtohen atyre nё shërbim dhe ndihmё me dashuri tё pakushtëzuar.
Misionaret e dashurisё sё Nёnё Terezёs, janë organizuar nё katër kongregacione katolike:
1.Misionaret e Dashurisë (Congregatio Sororum Missionarium Caritatis),
Kongregacioni Femёror Ndёrkombёtar, me degën aktive të themeluar nё vitin 1950 dhe me degën kontemplative, të themeluar nё vitin 1976.
2.Vёllezёrit misionarë tё dashurisë, me degën e jetës aktive, e themeluar nё vitin 1963.
3.Vёllezёrit misionarё tё dashurisё, me degёn e jetёs kontemplative i themeluar nё vitin 1979.
4.Etёrit misionarë tё bamirёsisё, i themeluar nё vitin 1984.
Kёtё kuadёr tё kongregacioneve, Nёnё Tereza e pasuroi nё vazhdim me themelimin dhe tё dy lëvizjeve:
-Bashkëpunëtorët e Nёnё Terezёs.
-Bashkёpunёtorёt pёr tё Sёmurёt dhe tё Vuajturit.
Me kёto lëvizje, Nënë Tereza i afroi nё misionet e saj dhe klerikёt e urdhërave tё tjerё, laikët dhe personat e besimeve tё tjera fetare dhe nga tё gjitha kombet, me tё cilёt e bashkёndau shpirtin e lutjes, thjeshtёsinё, sakrificat dhe apostolatin e saj pёr tё kryer vepra me dashuri, në ndihmë të njerëzve nevojtarë, duke theksuar pёrherё: “Veprat me dashuri, janё vepra pёr paqe dhe frut i shërbimit ёshtё paqja”.
Me kёtё shpirt dashurie dhe shërbimi pёr njerëzit nё vuajtje, Nёnё Tereza themeloi dhe dy misione tё tjera:
-Laikёt misionarë tё dashurisë (laikët beqarё dhe tё martuar).
-Lёvizja Trupi i Krishtit i priftërinjve, i themeluar në vitin 1991, ku u përfshinë priftërinjtë shekullarë.
Siç shihet, rendi i Misionareve tё Dashurisë, krahas degëve aktive, u zgjerua me degёt kontemplative (me aktivitet në kuvende), me organizata laike dhe me shoqata, në këtë mënyrë Nёnё Tereza afroi nё misionin e saj laikёt dhe persona të besimeve të tjera fetare, kёsisoj, vuri nё jetё natyrën jokonfesionale tё kёtyre nismave.
Në dhjetë vitet e para të misionit, Nënë Tereza veproi vetëm në Kalkuta, ku iu shërbeu miliona banorëve.
Në vitin 1959, bёri hapin e parë për zgjerimin e aktivitetit, hapi Misionin e Dashurisë dhe në rajonin e Ranchi, të shtetit indian të Jharkhand e më pas u shtri dhe në rajone të tjera.
Në shkurt të vitit 1965, Papa Pali VI, duke vlerësuar arritjet e rendit Missionarie della Carità, i dha titullin “Congregazione di diritto pontificio – Bashkësi e të drejtës pontifike” dhe i njohu të drejtat të shtrijë aktivitetet misionare dhe jashtë Indisë.
Në vitin 1965, Nënë Tereza nisi udhëtimet dhe jetën pelegrine jashtë Hindisë, duke hap shtёpitё e Misionit
të Dashurisë nëpër botë. Më 26 korrik 1965, shkoi në Venezuela, ku hapi Shtëpinë e Misionit në Kokorote (Cocorote), kryeqyteti i shtetit Yaracuy, i pari kongregacion jashtë kufijve të Hindisë.
Më 8 dhjetor 1967, hapi Misionin në Kolombo të Sri Lankës, dhe në vazhdim në Itali, Belgjikë, Francë, Tanzani, Sudan, Egjipt dhe në shumë vende të Afrikës, të Azisë, të Amerikës, Europës dhe në Australi.
Në vitet 1980-1990, Misionet e Dashurisë u shtrinë dhe në vendet ish-komuniste, si Rusi, Poloni, Kubë, Kinë, etj., dhe së fundi në Shqipëri.
Ndërkombëtarizimi i Misionit të Dashurisë, është vepër dhe meritë e Nënë Terezës, e njohur dhe e nderuar në të gjitha vendet e botës. Nënë Tereza iu përkushtua me dashuri njerëzve jo brenda mureve të kishave, manastireve dhe tempujve, por veproi jashtë tyre, në hapësirën e gjerë aty ku jetonte masa e madhe e njerëzve të thjeshtë e të varfër, ata që vuanin dhe që kishin nevojë për ndihmë edhe për qetësi shpirtërore.
Duke vepruar në këtë mënyrë, Nënë Tereza e zbriti kishën nё popull, krijoi kishёn e hapur për shoqërinë e me këtë vepër novatore, bëri një revolucion në kishën katolike të shekullit XX.
Kushdo që e takonte Nënë Terezën, nga njerëzit e zakonshëm e deri te burrat e shteteve, Papёt e kardinalët, artistët, shkrimtarët, shkencёtarёt, me miliona varfanjakë, lypsët, gazetarët, mbretërit e mbretëreshat, princat e princeshat, kryeministrat e ministrat, diktatorët, burra e gra, nёpunёsit e zyrave, kudo në rrugë dhe nё shtёpitё e misionit, të gjithë pa përjashtim, për ta përshëndetur dhe përqafuar, ishin tё detyruar të përkuleshin para shtatit të saj të paktë dhe kjo s’ishte thjesht përkulje fizike, por metaforë e adhurimit dhe e magjepsjes, që u impononte madhështia e saj.
Nёnё Tereza ёshtё ikona e kohëve moderne, shenjtorja e të varfërve, shenjëtorja e dashurisë.
.
Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza në Tiranë, në vitin 1993
Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza në Tiranë, në vitin 1993
Nënë Tereza, Nëna e Dashurisё dhe e Bamirësisë, Shenjtorja e të varfërve, nuk u ndal për asnjë çast në veprimtaritë shpirtërore dhe humanitare, nuk e pengonin as mosha, as sëmundjet.
Pesha e viteve, i kishte lёnё gjurmёt e veta, ndёrsa mundimet qё kishte bartur nё jetё, ia kishin kërrusur paksa trupin e saj shtatvogël, por nuk e kishin thyer dinamizmin dhe forcёn e kёsaj gruaje të madhe.
Nёnё Tereza i shërbeu njerëzve me vetëmohim duke e shndërruar dashurinё nё mision dhe nё profesion, nё ndihmё tё viktimave tё varfёrisё. Tё gjithё kemi parasyve Nënë Terezën shqiptare, Shenjëtoren e Kalkutës dhe e lidhim me fytyrën fisnike, tё skalitur me rrudha dhe tё ndriçuar me buzëqeshjen e ёmbёl e hyjnore, një vështrim i ngrohtë, i qeshur e plot dashuri për një botë të mjerë. Kështu shfaqet Nënë Tereza, përtej kufijve të kishës katolike dhe ftohtёsisё zyrtare tё pushteteve.
Nuk ishte rastësi, qё nga gjiri i popullit tё vuajtur shqiptar, Zoti zgjodhi Nënë Terezën, që e pёrdytёsoi me Jezu Krishtin, kësisoj ajo u ngjit nё lartёsitё e shenjtёrisё universale, u bё simbol i pastёrtisë, i besimit me devotshmёri, i përkushtimit me dashuri nё misionin si motёr katolike dhe si misionare e bamirësisë; i shёrbeu të gjithë njerёzve pa dallime fetare, sociale dhe ekonomike, ndihmoi tё varfrit, tё sёmurёt, tё braktisurit, jetimёt dhe me kёto vepra u bё modeli i pёrsosur i humanizmit.
E madhja Nёnё Tereza shqiptare e Kalkutёs, Apostola e Dashurisë, Ungjilli i gjallё, Engjёlli mëshirëmadh i tё varfërve, Shenjtorja e Dashurisë, Nёna e tё varfërve, Nёna e botёs, u nda nga jeta mё 5 shtator 1997, nё shtratin e thjeshtё dhe tё bardhё, nё dhomёn e saj tё vogël e te thjeshtë nё “Shtёpinё e Nёnёs” nё Kalkuta.
Atë ditë, pёr herë tё parë pas 87 vitesh, trupi i saj i vogël qëndronte i palëvizur përtej jetës dhe vdekjes, e mbuluar me lule dhe e rrethuar nga motrat e dashurisë, tё mbytura nga dënesat dhe lotët, pёrsёrisnin lutjet-uratat e Nёnё Terezёs. Nё atё ditё vjeshte, ra nё amshim trupi i vogёl i tё madhes Nёnё Tereza, qё tёrё jetёn punoi pa ndërprerje, duke ndihmuar viktimat e varfёrisё, tё sёmurёt, tё paaftit, jetimët dhe tё braktisurit, andaj nuk mund harrohet, është e pranishme mes nesh, kujtohet çdo ditë, e përjetësuar ndёr shekuj nё mendjet dhe nё zemrat e miliona njerëzve.
Qeveria hindiane organizoi funeral shtetëror dhe shpalli tre ditё zi kombëtare. Nё funeral morën pjesё mbi njё milionë njerëz si dhe shumё personalitete shtetërore e fetare tё botës. Ceremonia e varrimit vazhdoi 6 orë dhe u transmetua direkt nga kanalet televizive të 160 vendeve të botës, duke shënuar një rekord historik.
Qyteti i Kalkutës ndaloi për ta nderuar motrën katolike, Ma-n e tyre të dashur, e cila e kishte mbushur me dashuri dhe me praninë e Zotit qytetin e tyre, gjithë Hindinë dhe mbarë botën.
Të fuqishmit e botës, të pranishëm në funeral, u gjunjëzuan para Nënë Terezës shqiptare të Kalkutës.
Bota nuk kishte parë ceremoni funebre me pjesmarrje kaq masive. Mbi një milion banorë të gjitha etnive e të gjitha besimeve fetare, e përcollën Nënën e tyre të dashur në udhëtimin e fundit në amëshim.
Trupi i Nёnё Terezёs prehet nё Shtёpinё e Nёnёs sё Misionareve tё Dashurisë nё adresën: 54 A Lower Circular Road nё Kalkuta. Varri i saj i thjeshtё nё bardhësi, ёshtё bёrё vendi i pelegrinazheve dhe i lutjeve nga miliona njerëz. Vizitohet nga tё varfërit e tё pasurit, nga njerёz tё thjeshtë, intelektualë, fshatarë, qytetarë, nga anonimë e personalitete tё botës, nga klerikë të krishterë dhe të besimeve të tjera fetare dhe tё gjithё përulen me nderim para veprёs madhështore tё motrёs katolike shtatvogël e zemërmadhe.
Të gjitha gazetat e përditëshme të Kalkutës dhe të Hindisë, ndarjen nga jeta të Nënë Terezës e njoftuan me titull të madh “Nëna u Shndërrua në Zot”.
Ashtu si populli e “kanonizoi” Papën Gjoni XXIII, shumë më përpara se të hynte zyrtarisht në katalogun e fatlumëve dhe lumturimi “i posaçëm” dhe i shpejtë i Nënë Terezës shqiptare, nuk shkaktoi kurrfarë dyshimi, as protesta, përkundrazi, nxiti kërkesën e përgjithshme tё shpallej menjёherё shenjtore, andaj populli, ashtu si dikur e quajti Nënën e Dashurisë, pa hezitim e “kanonizoi” dhe mbarё bota e quante Shen Nёnё Tereza.
Vepra madhështore si motër katolike dhe misionare humanitare e Nënë Terezes, i hapi rrugën Lumturimit pa i mbushur 5 vjet nga dita kur u nda nga jeta, një vendim i rrallë në historinë e kishës katolike.
Më 12 dhjetor 1998, Papa Gjon Pali II, i dha lejen Kongregatës të Çështjes të Shenjtorëve të hapte procesin dioqezan për proçedurën e Lumturimit, që sipas rregullave të kishës katolike, duhej të fillonte pas shtatorit të vitit 2002.
Më 26 korrik 1999 në Kalkutë u hap faza dioqezane e procesit të lumturimit, ku u prezantuan 15 kërkesa gjyqësore dhe në vazhdim u dëgjuan 113 dëshmitarë.
Më 15 gusht 2001, në Kishën e Shën Marisë në Kalkutë përfundoi proçesi dioqezan dhe u depozituan 80 vëllime me 35.000 faqe dokumenta dhe dëshmi për aktivitetin fetar dhe veprat heroike të Nënë Terezës.
Në nëntor 2001, Imzot Jose Luis Gutierrez u emërua relator i prezantimit të çështjes para Kongregatës të Kardinaleve.
Më 26 prill 2002, At Kolodiejchuk MC, postulatori i çështjes, dorëzoi në Selinë e Shënjtë katër vëllimet, që njihen si “positio”, me propozimin për shpalljen tё Lumturueme tё Nënë Terezës.
Më 24 shtator dhe 1 tetor 2002, Kolegji i Kardinalëve dhe i Ipeshkëve të Kongregacionit për Çështjen e Shenjëtorëve, i miratoi raportet e hartuara nga teologët dhe nga komisioni i mjekëve dhe sanksionoi virtytin heroik të Nënë Terezës, mrekullinë në shërimin e disa qytetareve me ndërhyrjen shpirtërore të Nënë Terezës.
Më 19 dhjetor 2002, Papa Gjon Pali II, e aprovoi dekretin e virtyteve heroike të Nënë Terezës dhe vlefshmërine e proçesit të Lumturimit.
Më 20 dhjetor 2002, në Sallën Klementine, në Vatikan, Kongregata për Çështjet e Shenjëtorëve aprovoi lumturimin e Nënë Terezës dhe pritej vetëm ceremonia liturgjike, për shpalljen publikisht.
Mё 19 tetor 2003, ditën botërore të Misionareve, me homelinë nё Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të mbi 350.000 njerëzve, mes tyre shumë shqiptarë, Papa Gjon Pali II, shpalli kultin e Lumturimit tё Nënë Terezës, ceremoni që u festua masivisht, por popujt kërkonin shpalljen Shenjetrore, madje te gjithe dhe shtypi botëror e quante Shen Nënë Tereza e Kalkutës.
Ne vitin 2005, Arçidioçeza e Kalkutës hapi proçesin e kanonizimit Shenjetore të Lumturumes Nënë Tereza.
Kolegji i Kardinalëve dhe i Ipeshkëve të Kongregacionit për Çështjen e Shenjëtorëve, i miratoi raportet e hartuara nga postulatorët, nga relatori, nga teologët e nga komisioni i mjekëve. Me këtë akt u sanksionuan virtytet heroike të Lumturumes Nënë Tereza, u aprovuan mrekullitë në shërimin e disa qytetareve nëpërmjet ndërhyrjeve shpirtërore të Nënë Terezës.
Papa Françesko, më 21 shtator 2014, duke përshëndetur popullin nё sheshin Nёnё Tereza nё Tiranë
Papa Françesko, më 21 shtator 2014,
duke përshëndetur popullin nё sheshin Nёnё Tereza nё Tiranë
Me 17 dhjetor 2015, Papa Françesko, shpalli dekretin e mrekullive dedikuar të Lumturumes Nënë Tereza, aprovoi ndërhyrjen e saj shpirtërore në kurimin e disa të semureve dhe dekretoi propozimin e Kongregates për Çështjet e Shenjëtorëve, për shpalljen Shenjëtore të Lumturumes Nënë Tereza.
Në Konçistorin e Kardinalёve me 15 mars 2016 firmosi dekretin e kanonizimit shenjetore dhe pritej vetëm ceremonia liturgjike, për shpalljen publikisht.
Me 4 shtator 2016, me homelinë nё Sheshin e Shën Pjetrit, në prani të qindramijera njerëzve, mes tyre dhe të shumë shqiptareve, Papa Françesko, shpalli kultin e Shenjtërimit tё Lumturumes Nënë Tereza.
Ashtu si shenjtorët e tjerë dhe Shёn Nёnё Tereza shqiptare e Kalkutёs, ёshtё kudo e pranishme dhe frymëzuese, pasi Ajo ka lёnё testamentin e besimit katolik tё pastёr e tё ndjerё shpirtërisht, ka lёnё optimizmin, guximin, shpresёn gjithmonё fitimtare, thjeshtёsinё e admirueshme, dashurinё hyjnore pёr njeriun, forcёn vepruese, dhembshurinë dhe përkushtimin pёr tё ndihmuar tё varfrit, lypsët, lebrozёt, jetimёt, tё sёmurёt me SIDA dhe me tuberkuloz, sakatët, tё gjithё ata qё shoqёria i braktiste dhe i konsideronte tё “paprekshmit”.
Shёn Nёnё Tereza ka dhёnё njё kontribut tё shquar nё ndёrkombёtarizimin e humanizmit dhe nё krijimin e kulturёs sё shёrbimit pёr njerёzit nё nevojё dhe pavarësisht nga pёrkatёsia fetare, etnike, kulturore dhe social-ekonomike, kesisoj Ajo bё protagoniste e ekumenizmit tё kohёve postmoderne.
Shёn Nёnё Tereza mbetet Nёna e përjetëshme, Apostola e Dashurisë, Shenjtorja e të varfërve, Shenjtorja e Dashurisë.
 
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.