
Shën Nënë Angjelina Shpirti i Shenjtë Arbëror (3-4)
nga Lutfi Alia (Siena – Itali)
Familjet fisnike arbërore Arianiti, Muzaka, Kastrioti, Gropa, Bua, Matrenga, Zenevishti etj., ishin të besimit ortodoks dhe një ndër pjestarët e këtyre familjeve ishte i shugruar prift, ose murg, që shërbenin në kishat dhe manastiret ortodokse në trojet e principatave të tyre, madje ndër ata ishin dhe ipeshkëvë e Patriarkë Ekumenik të Kostantinopojës. Jo vetëm burrat, por dhe gratë fisnike arbërore u shquan në ruajtjen e besimit ortodoks, si Mamica Kastrioti, e cila rindërtoi kishën e Shën Antonio në Kepin e Rodonit, ku kaloi vitet e fundit të jetës, si dhe ndërtoi manastirin e Shën Kiaras, i vetmi manastir me murgesha në trojet Arbërore. Edhe Andronika Kastrioti kontribuoi me ndihma për kishat ortodokse, sidomos në kishën e Shën Mëhillit, të cilën e frekuentonte shpesh me dhurata. Andronika kishte në pronësi ikonën bizantine Zonja e Jonë e Strehës të Mëkatarëve, të cilën e mbante në dhomën e saj, madje e mori me vehte kur shkoi në Pulja, në Napoli dhe në Valencia. Kjo ikonë e famëshme ruhet në kriptën e Sant’Angeli në manastirin e Trinitetit të Shenjtë të Valencias. Edhe princesha Irena Dushmani, pasi i vranë të fejuarin Lek Zakaria, me ndihmën e françeskanëve të Shkodrës, iku në Sardenja ku u shugrua murgeshë.
Ndër gratë fisnike arbërore, në veçanti u shqua Angjelina Arianiti, e shuguruar murgeshë dhe e shpallur shenjëtore nga kisha ortodokse bizantine: Shen Nënë Angjelina, admirohet dhe nderohet nga besimtarët hungarezë, vllahë, sllovenë, serbë, boshnjakë, rumunë, austriakë, italianë, grekë, kosovarë dhe shqiptarë.
Shen Nënë Angjelina, shpirti i shenjtë arbëror.
Shugurimi murgeshë ortodokse e Angjelinës nuk ishte rastësi, por një vokacion shpirtëror me zanafillë në vitet e fëmijërisë. Nëna e Angjelinës, Maria Muzaka Arianiti shkonte shpesh në kishat në trojet e dinastisë Arianiti dhe gjithmonë merrte Angjelinën e vogël, të cilës i kishte mësuar lutjet dhe pjesë nga ungjilli. Këtë edukim fetar, Angjelina e rrëfen në kujtimet e saj: “Nëna na mbronte me besim në fe dhe me forcë në jetë. Gjithmonë më mbante pranë, më mësonte sekretet e jetës, më merrte në kishën e Shën Marisë në Sopot, ku faleshin para ikonës të Zonjës së Papërlyeme, ndërsa në Kaninë frekuentonin Qishë-Bardhën, ku ishte celebruar martesa e motrës time Andronika me Gjergj Kastriotin. Së bashku luteshim, merrnim pjesë në liturgjitë hyjnore dhe në meshat që organizoheshin në këto kisha”.
Në vitet 1456-1462 Angjelina jetoi në Durrës. Në vitin 1461, u martua me Stefanin III Brankoviç.
Dasma u zhvillua në Durrës dhe martesa u konsakrua në kishën ortodokse Shën Maria të Durrësit. Në mars të vitit 1463, Stefani III, Angjelina me djalin Gjergji që ishte lindur në vitin 1462, në Durrës, emigruan në Venecia, me shpresë se Serenissima do t’i ndihmonte, sepse Stefani III, ishte patric venecian dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të Gjergj Arianitit me Dozhën Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Në Venecia, fillimisht bujtën në kuvendin Shën Françesku i Dezertos, ku me porosi të Selisë së Shenjtë, i vizitoi Ipeshkëvi i Modena Jakopo Antonio della Terra. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovič. Enciclopedia dell’Impero Ottomano. Neë York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 -94].
Në Venecia, Stefani dhe Angjelina nuk gjetën përkrahjen që shpresonin. Në këto rrethana, u detyruan të shpërngulen në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit në jug-perëndim të Udine, në periferi të qytetit Varmo pranë lumit Taliamento, kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina, ia kishin blerë kontit Leonardo i Gorizia. [Aleksandar Fotic. Despina Mara Brankovič and Chilandar: Between the Desired and the Possible. Beograd 2000, pp. 91-96]
Në kështjellën e Belgradit u lindën tre fëmijë: vajza Milica (1464-1554; u martua me Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë); djali Jovani (1465-1502; u martua me Jelena Jakšič) dhe vajza Maria (u lind më 1466, u martua me baronin Bonifaci III i Monferrato. Maria vdiq më 27 gusht 1495). [Biandrate di San Giorgio, Ragionamento familiare f. 473r-v; Goria 1971; Fasolio 2023, p. 519 sgg].
Djali i madh Gjergj Brankoviči, ishte lindur në Durrës në vitin 1462. Në vitin 1487, u martua me Isabella del Balzo, e bija e Angilberto del Balzo Orsini, duka i Nardò, konti i Ugento dhe Presiçe. Nëna e Isabellës ishte arbëreshia Jelisaveta Milica Spani. Isabella vdiq në vitin 1498. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje kjo ishte arsyeja që e nxiti të dorëzohet murg me emrin Maksim dhe t’i dedikohet jetës manastiriale bashkë me nënën Angjelina. Murgu Maksim ishte dhe metropoliti i Beogradit. Maksimi vdiq më 18 janar 1516 dhe pak vite më pas kisha ortodokse e shpalli shenjëtor. [Franca Petrucci. Angilberto del Balzo: Dizionario biografico degli Italiani. Volume 36, 1988].
Angjelina me fëmijët jetoi 12 vite në kështjellën e Belgradit. Me gjithë premtimet, Republika Oligarkike Veneta nuk e ndihmoi familjen Brankovič, e cila po kalonte situata të vështira ekonomike. Në një dokument të Arkivit të Shtetit të Venecia, përshkruhet skena kur Stefani III Brankoviç u prezantua para dozhës për t’i kërkuar ndihma: “Il 15 maggio 1472, nella magnifica sala del palazzo ducale di Venezia, il doge si apprestava a concludere la mattina delle udienze e fece cenno al valletto affinché introducesse l’ultimo dei postulanti. Si stagliò, nel riquadro della porta altissima la figura di un vecchio ossuto le cui mani, tese in avanti, denotavano il procedere di un cieco. Con voce querula, propria dei vecchi, egli rammentò di essere fin dal 1453 (30 dicembre) “patrizio veneto” ed inginocchiandosi davanti al doge chiese aiuto e sussidio per la propria famiglia. Si seppe poi che il principe veneto aveva dato disposizioni affinché fossero erogati 25 ducati all’anno al cieco ed alla sua famiglia”. “Më 15 maj 1472, në sallën Madhështore të Pallatit Dukal në Venecia, Dozha vendosi ta mbylli udiencën e mëngjezit dhe i bëri shenjë shërbyesit, të ftonte personin e fundit që kishte bërë kërkesë për takim. Në portën e lartë të sallës spikati figura e një të moshuari trupmadh, me duart e shtrira përpara, si vepron një person i verbër. Me zërin rënkues si i të moshuarve, rikujtoi se nga fundi i vitit 1453 (30 dhjetor) ishte Patric Venecian dhe duke u ulur në gjunjë para Dozhës i kërkoi ndihmë dhe mbështetje financiare për familjen e tij. Më pas u konfirmua se princi venecian i akordoi 25 dukate në vit për të verbërin dhe familjen e tij”. Në vitin 1475, Stefani III, përsëri i kërkoi ndihmë dhe Venediku i dha 20 dukate nga arka e Udines, por më pas Serenissima ia ndërpreu ndihmat. [Archivio di stato di Venezia, Fondo archivistico del Luogotenente della Patria del Friuli, busta 271, registro F, c. 81 t.]
Më 9 tetor 1476, vdiq dhespoti Stefani III Brankoviç. E varrosën provizorisht në kapellën e Shën Marias, në kështjellën e Belgrado në Udine. Angjelina, së bashku me fëmijët qëndroi dhe dy vite në kështjellën e Belgradit, por krahas vështirësive ekonomike, iu desh të përballet dhe me armiqësinë e fqinjëve. Rreth kësaj kështjelle banonin grupe etnie të ndryshme si italianë, gjermanë, sllovenë dhe arbërorë. Në veçanti, banorët italianë kishin krijuar raporte konfliktuale me Angjelinën, sidomos shqetësimet u shtuan pas vdekjes të Stefanit. Herë pas here ata kryenin veprime provokuese dhe me gjithë lutjet e Angjelinës, ata vazhdonin ta bezdisnin. Për të shuar këtë konflikt të nxitur nga banorët italianë, konti Leonardo i Goricia i kërkoi Vendikut, të ndërhynte që këta banorë agresivë të ndërprisnin provokimet ndaj fisnikes Angjelina, sepse ata nuk po e kuptonin se po shqetësonin një simbol të dy kombësive, që ishin pushtuar dhe po masakroheshin nga egërsia e ushtrisë të Perandorisë Osmane. [Mario Giovanni Battista Altan. Stefano Brancovic, Despota Di Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli (Sec. XVI), Venezia 1981, pp. 15-28].
Pas vdekjes të Stefanit III, gjendja ekonomike e familjes u përkeqësua. E informuar për këtë situatë, Serenissima urdhëroi luogotenencën e Friulit, t’i dorëzoi Angjelinës dhe katër fëmijëve 10 dukate të artë në vit, për tre vite në vazhdim. [Milko Kos, I Brancovic di Serbia e i conti di Gorizia. “Casopis za slovenski jezik, knjizevnost in zgodovino”, Izdala “Matica Slovenska” v Ljubijani, 1920, pg. 92 e segg.]
Duke parë se ndihmat e Serenissima ishin të pamjaftushme dhe të përkohëshme, Angjelina dhe kunata e saj Katarina Brankoviç vendosën ta shesin kështjellën e Belgradit. Së pari i kërkuan kontit Leonardo i Goricia ta riblente, por ai refuzoi. Në këto rrethana u detyruan ta hypotekojnë kështjellën fisnikut bizantin Matteo Spaduxhino, kavalier dhe kont palatin, burri i Endokia, kushërira e Katarinës. Konti Spadaxhino ishte në shërbim të perandorit të Austrisë Frederiko III i Habsburgëve. Problemet me këtë kështjellë vazhduan dhe në vitet e më pasme, kështu rezulton se Teodori, i biri i Spadoxhinos hoqi dorë nga pronësia, situatë që e shfrytëzoi konti Leonardo i Goricia, i cili në vitin 1494, e shiti kështjellën për 3000 dukate të artë, por në një dokument tjetër të më vonshëm rezulton se e ribleu. [Miotti T. Castelli del Friuli, voI. n°, (Il castello di) Belgrado, Castelli del Friul/~ Gastaldie e giurisdizioni del Friuli centrale, Ed: Del Bianco, Udine, 1979, pg. 54 e sgg]. [Franz Babinger, Le vicende del castello friulano di Belgrado sul finire del medioevo, Atti dell’Accademia di Udine, serie VII”, voI. Ilo (1957-1960), pgg. 247-248].
Në vitin 1478, Angjelina i dërgoi letër dhe i kërkoi ndihmë Perandorit të Austrisë Frederikut III, i cili e ftoi dhe i dhuroi një kështjellë në Dukatin e Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe me Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi rreth 10 vite në Stiria, me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III. Në Stiria, mori dhe arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III Brankovič. Në vitin 1485, Perandori Frederiku III Habsburg, ndërmjetësoi te Angjelina për martesën e vajzës Maria, me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur. Bonifacio III ishte 61 vjeç, ndërsa Maria 19 vjeçe. Nga kjo martesë, lindën dy djem. Maria jetoi në mirëqenie. Pas vdekjes të Bonifacit III më 1494, bashkë me dajën e vet, Kostantin Arianitin administruan pronat në Monferrato që trashëgoi, por pas dy vite, gjendja shëndetësore e Maries u keqësua dhe në vitin 1496 vdiq. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni: Issue.com, Mars 2014].
Në Stiria, Angjelina frekuentonte rregullisht kishën Shën Maria e Abacisë Benedektine Admont, aty kreu noviciatin dhe në vitin 1480 u shugurua murgeshë. Në vitin 1485, rezulton një letërkëmbim i murgeshës Angjelina me Hirësinë e tij Nikolla Nefoni II, Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës, i cili e kishte të atin arbërore. Angjelina i lutej Patriarkut Nifon, ta ndihmonte për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike. Nefoni II, ndikoi te princi i pasur i Vllahisë Vlad Kalugarul, të mbështeste me ndihma financiare murgeshën Angjelina. Ndihmat e princit, Angjelina i përdori për të hapur disa manastire në Stiria.
Nefoni II vdiq në vitin 1508, dhe kisha ortodokse e shpalli shenjëtor në vitin 1517. [Historia politica et patriarchica Costantinopoles, Capitolo X: Patriarca Nipho, (trans. Martin Crusius), 1564, pp. 12].
Në janar të vitit 1486, Angjelina mori një letër nga mbreti i Hungarisë, Mattia Korvino, i cili e ftonte të jetonte në Hungari, por me kusht që të merrnin trashëgimin dinastike dhe djali Gjergji të pranonte dinjitetin e dhespotit të Serbisë, ani se Serbia ende ishte pushtuar nga Perandoria Osmane, por në këtë mënyrë të nxitej populli për të luftuar kundër pushtuesve. Angjelina pranoi ftesën dhe së bashku me dy djemtë, me arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III, nga Stiria shkoi në Vjenë dhe nga aty me anije lundruan në Danub për në Buda dhe vazhduan lundrimin për në distretin e Srem-it në Vojvodina, asi kohe në zotërim të mbretërisë Hungareze. Në shkurt të vitit 1486, u sistemuan në kështjellën e qytezës Kupin (aktualisht Kupinovo), kështjellë që ndodhej në një ishull të lumit Sava. Në Kupinovo Angjelina, tashmë murgeshë, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllahë, serbë, sllovenë e boshnjakë.
Një vit më pas ndërtoi manastirin e Obed dhe manastirin në Sretenje ku shërbeu murgeshë. Pranë kishës të Shen Luka, Angjelina ndërtoi një kishë të vogël, të cilën banorët vendas e quajnë Kisha e Shën Angjelinës, e cila u rikonstruktua në vitin 1858, kishë që funksionoi deri në vitin 1930. Edhe në komunën Zakuti (Gruža) është një kishë tjetër e dedikuar Shën Nënë Angjelinës. [Slobodan Mileusnić, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].
Në Srem, në vitin 1498 vdiq Isabella. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje abdikoi titullin e dhespotit dhe atë vit u shugurua murg, sipas rregullave manastiriale mori emrin Maksim dhe shërbeu fillimisht krah nënës Angjelina. Murgu Gjergj Brankoviçi, nga viti 1508 deri në vitin 1516, ishte Metropolitan i kishës ortodokse Hungaro-Vllahe dhe më pas Metropolitan i Beogradit. Në vendin e Gjergjit, titulli dhespot i Serbisë i kaloi Johanit, djalit të dytë. Në një kronikë të Bosnjës, dëshmohet një betejë e madhe e kryengritësve hungarezë, bosnjakë, vllah dhe serbë kundër forcave të Perandorisë Osmane, betejë e udhëhequr nga djali i Angjelinës, dhespoti Johan, i cili në këtë kronikë theksohet si ushtarak i aftë dhe strateg lufte. [Momčilo Spremič. 2004. La famille serbe des Brankovič, considerations et hèraldiques. Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. 41; pp. 441-452]
Më 10 dhjetor 1502, dhespoti Johan vdiq dhe e varrosën në kishën e Shën Luka pranë të atit Stefani III. Pas vdekjes të djali Johani, titullin dhespot e mori Ivani, nga familja kroate Berislavić. Në këtë situatë, Angjelina dhe murgu Maksim humbën të drejtat e pronësisë, që i ishin njohur me kusht nga mbreti Mattia Korvino, andaj u detyruan të braktisin Hungarinë dhe shkuan në Vllahi, të ftuar nga e bija Milica dhe dhëndri Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë. Në Vllahi, qëndruan 7 vite, ku Angjelina u impenjua në organizimin e kishës ortodokse vllahe, ku ndërtoi disa kisha dhe manastire.
Duke parë se ajo vetë nuk ishte në gjendje të mbante të gjithë manastiret, i shkruan një letër prekëse Princit Vasili III Ivanovič – Grand Duka i të gjitha Rusive, të cilit i kërkoi të ndihmonte për mbarëvajtjen e këtyre manastireve. Në këtë letër Angjelina i shkruan: “Pushtetit tonë po i vjen fundi, ndërsa i tëndi sa vjen e rritet, prandaj ju kërkoj të marrësh përsipër detyrën, për t’u kujdesur e për të ndihmuar kishat dhe manastiret e shenjta, të ngritura prej të parëve tuaj të përshpirtshëm dhe nga të parët e mi”. Natyrisht Vasili III Ivanoviç e mirëpriti kërkesën e murgeshës Angjelina dhe i dërgoi ndihma, që i garantuan mbarëvajtjen dhe aktivitetet e kishave dhe të manastireve, që ajo kishte ngritur në Vojvodina dhe në Vllahi, si dhe më pas i përdori në ndërtimin e Lavrës të Krušedolit. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovič. Enciclopedia dell’Impero Ottomano. Neë York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93-94].
Në vitin 1509, me ndihmën e nipit Jakšič Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia në malin Fruška Gora të Vojvodinës, ku në Krušcedol ndërtuan manastirin e murgeshave. Në vitin 1512, në kishën e këtij manastiri u varrosën lipsanet e Stefanit III dhe të Johanit, të cilët ishin kanonizuar shenjëtorë nga kisha ortodokse. Katër vite më pas, në këtë manastir u varros dhe djali Maksim -mitropoliti i Beogradit, i cili vdiq më 8 janar 1516, dhe ai u shpall shenjëtor nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol është santuar i rëndësishëm dedikuar Virgjëreshës Maria. Manastiri quhet dhe “Fari shpirtëror” i ortodoksisë. [Momčilo Spremič, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4].
Litografi e Manastirit në Krušedol, realizuar në vitin 1775 nga Zaharija Orfelin.
Fotografi aktuale e Manastirit me kishën në qendër, ku janë vendosur lipsanet e Shën Angjelinës, të Shën Stefanit, të Shën Johanit dhe të Shën Maksimit.
Në manastirin e Krušedol, Nëna Angjelinë hapi një mencë dhe ndërtoi një fjetore për pelegrinët e shumtë që vizitonin dhe luteshin në kishën e Manastirit. Aty krijoi një bibliotekë të pasur me libra. Në një dokument dioqezian, Ipeshkëvi i Dioqezës të Srem-it, thekson: “Angjelina, nga prindërit kishte marrë edukim arsimor të shkëlqyer, çka e shprehte me dashuri për librat dhe me bibliotekën e pasur që kishte krijuar në Manastirin e Krušedol. Angjelina ishte grua e bukur, e mençur, kurajoze dhe me dashuri të madhe për librat”.
Një ndër veprimtaritë e veçanta të Nënë Angjelinës ishte mbledhja e bimëve mjekësore dhe përgatitja e çajrave të shumtë, që i përdorte për kurimin e të sëmurëve, që frekuentonin manastirin dhe të banorëve të kësaj zone. Me boçet e trëndafilave të egër, të pasura me vitamina C, Angjelina përgatiste një çaj që ua jipte fëmijëve dhe pelegrinëve të sëmurë, ndërsa me gjethet e trëndafilave përgatiste shurupin aromatik dhe të shijshëm, që murgeshat, banorët dhe pelegrinët e quanin “Shurupi i Nënë Angjelinës”. Çdo vit në manastirin e Oreškovica, në nderim të Shen Nënë Angjelinës, tradicionalisht prodhojnë shurup trëndafili dhe çajra të ndryshëm me bimë mjekësore, ndërsa me frutin e trëndafilave (boçia e kuqe) përgatisin marmallata, shurupe, çaj dhe likò me emrin e Shen Nënë Angjlinës. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8-14].
Krahas rolit si Badessa -kryemurgesha në organizimin e aktiviteteve në manastire, për lutje, liturgjitë ungjillore dhe meshat me murgeshat, Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje besimtarët vendas dhe pelegrinët që vinin nga trevat e tjera, insistonin ta takonin të merrnin bekimin nga kryemurgesha. Si murgeshat dhe besimtarët që vizitonin manastiret e saj i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e përkushtuar.
Në një dorëshkrim të një murg anonim që shërbente në manastirin e Krushedol në shekullin XVI, për krymurgeshën Nënë Angjelina thekson: “Në shërbimet e të adhuruarës Angjelina shpreheshin virtytet e krishtera të jetës së saj askete, mëshirmadhësia, durimi dhe mençuria, përkushtimi i saj si bashkëshorte dhe sakrificat e Nënës, sepse ajo i ishte e përkushtuar tërësisht Zotit”. Në një paragraf tjetër, murgu anonim shkruan: “Nënë Angjelina ishte burrneshë, trime, këmbëngulëse, e papërkulur para vëshirësive, e përkushtuar besimtarëve që e takonin, e lidhur shpirtërisht më pjestarët e familjes, andaj i mori me vete lipsanet e bashkëshortit Stefani III dhe të djalit Johani dhe i vendosi bashkë në manastirin Krušcedol, ashtu si dikur vepronin rreth Testamentit të Vjetër, me bindjen se lipsanet e tyre do të ndihmonin në shërimin e të sëmurëve, kësisoj do të bënin mrekulli”. [Franz Babinger, Das Ende der Arianiten, Miinchen, bei CB. Beck (Accademia di Scienze lettere e arti di Monaco di Baviera), Wien Verlag 1960 pg. 15].
Gjatë viteve të shërbimit të devotshëm si murgeshë, vetëm rreth Fruška Gora, Nënë Angjelina ngriti 35 manastire, të cilët shtrihen në një territor 50 km të gjatë e 10 km të gjërë. Në shekujt XV-XVII në këto manastire strehoheshin klerikët dhe banorët e përndjekur nga pushtuesit osmanë. Ndër 10 manastiret në luginën dhe në malin Ovčar, me i preferuari nga besimtarët ishte manastiri i Trinitetit të Shenjtë dhe Anuncionit në Sretenje, sepse aty Nënë Angjelina organizonte festën e ditës të Purifikimit të Virgjëreshës dhe të takimit të Jezu Krishtit me Simonin.
Manastiri i Trinitetit të Shenjtë në malin Ovčar, ku u varros fillimisht kryemurgesha Nënë Angjelina.
Mosha dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion nga murgeshat.
Më 30 korrik 1520, e adhuruara dhe shumë e dashura Nënë Angjelina ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat, murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina. Një vit më pas, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krushedol, i vendosën krah varrit të Stefanit, Johani dhe Maksimit. Një vit më pas, Kisha Ortodokse e shpalli shenjëtore Shën Nënë Angjelina.
Kryemurgesha Nënë Angjelina ushtroi aktivitetin ekleziastik në provincat e Vojvodinës të mbretërisë Hungareze dhe të Vllahisë, që ishte vasale e Hungarisë, madje quhej dhe Hungaro-Valakia; dy provinca, të cilat nuk ishin pushtuar nga Perandoria Osmane. Vllahia u bë vasale tributare e Perandorisë Osmane, por ruajti autonominë, ndërsa Serbia u pushtua nga turqit.
Në janar të vitit 1486, me ftesë të mbretit të Hungarisë Mattia Korvino, Nënë Angjelina së bashku me dy djemtë dhe arkmortin me lipsanet e Stefani III, u vendosën në distretin e Srem-it në Vojvodina, në kështjellën e qytezës Kupin (Kupinovo), ku Angjelina, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, sllovenë, boshnjakë dhe serbë. Një vit më pas, në Srem ndërtoi manastiret e Obed dhe manastirin në Sretenje, ku Nënë Angjelina shërbeu murgeshë. [Slobodan Mileusnić, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].
Në vitet 1507 – 1508, rezulton një letërkëmbim i murgeshës Angjelina me Hirësinë e tij Nikolla Nefoni II, ipeshkëvi i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, i cili e kishte të atin arvanitas. Angjelina i lutej Patriarkut Nifon, ta ndihmonte për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike dhe për mirëmbëjtjen e manastireve, që kishte ngritur në Vojvodinë dhe në Vllahi. Nefoni II, ndikoi te princi i pasur i Vllahisë Vlad Kalugarul, i cili e mbështeti me ndihma financiare murgeshën Angjelina. Ndihmat e princit, i përdori dhe për të hapur disa manastire në distretin e Srem-it. Në këtë periudhë Nënë Angjelina porositi dhe i prodhuan një medaljon me portretin e saj në njërën faqe dhe protretet e djemëve Johanit dhe Maksimit në faqen tjetër, medaljon që iu a dhuronte klerikëve dhe besimtarëve të devotshëm, që frekuentonin manastriret e shumtë që Ajo kishte themeluar. [Historia politica et patriarchica Costantinopoles, Capitolo X: Patriarca Nipho, (trans. Martin Crusius), 1564, pp. 12].
Në vitin 1509, me ndihmën e nipit Jakšič Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia në malin Fruška Gora të Vojvodinës, ku në Krušcedol ndërtuan manastirin e famshëm të murgeshave. Në vitin 1512, në kishën e këtij manastiri varrosi lipsanet e Stefanit III dhe të Johanit, të cilët ishin kanonizuar shenjëtorë nga kisha ortodokse. Katër vite më pas, në këtë manastir u varros dhe djali Maksim – mitropoliti i Beogradit, i cili vdiq më 8 janar 1516, dhe dy vite më pas u shpall shenjëtor nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol është santuar i rëndësishëm dedikuar Virgjëreshës Maria. Manastiri quhet dhe “Fari shpirtëror” i ortodoksisë. Krahas rolit kryemurgeshë në manastirin e Krušcedol, drejtonte dhe manastiret e shumtë, organizonte liturgjitë dhe meshat me murgeshat dhe besimtarët. Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje besimtarët vendas dhe pelegrinët, që vinin nga trevat e tjera, i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj mëshirmadh si murgeshë e përkushtuar. [Momčilo Spremič, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4].
Në një dorëshkrim të një murg anonim, që shërbente në manastirin e Krušcedol në shekullin XVI, për krymurgeshën Nënë Angjelina shkruan: “Në shërbimet e të adhuruarës Angjelina shpreheshin virtytet e krishtera të jetës së saj askete, mëshirmadhësia, durimi dhe mençuria, përkushtimi i saj si bashkëshorte dhe
sakrificat e Nënës, sepse ajo i ishte e përkushtuar tërësisht Zotit”. Në një paragraf tjetër, murgu anonim shkruan: “Nënë Angjelina arbërore ishte burrneshë kurajoze, këmbëngulëse, e papërkulur para vëshirësive, e përkushtuar besimtarëve që e takonin, e lidhur shpirtërisht më pjestarët e familjes, andaj i mori me vete lipsanet e bashkëshortit Stefani III, të djemëve Johani e Maksimi dhe i vendosi në manastirin e Krušcedol, ashtu si dikur vepronin me Testamentin e Vjetër, me bindjen se lipsanet e tyre do të ndihmonin në shërimin e të sëmurëve, kësisoj do të bënin mrekulli”. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 -14].
Gjatë viteve të shërbimit të devotshëm si murgeshë, vetëm në trojet rreth Fruška Gora, Nënë Angjelina themeloi 35 manastire, të shtrirë në një territor 50 km të gjatë e 10 km të gjerë, me përjashtim të manastireve Fenek, i cili ndodhet në Eparkinë e Srem-it dhe të manastirit të Trinitetit të Shenjtë në Sretenja, që e kishte ngritur në majën e malit Ovçar. Në manastirin e Trinitetit të Shenjtë dhe Anuncionit në Sretenja, Nënë Angjelina organizonte festimet e “Dita e Purifikimit të Virgjëreshës dhe takimi i Jezu Krishtit me Simonin”.
Nënë Angjelina arbërore prezantohet me hire bukurie, zonjë e mençur, e matur, plot mirësi dhe ndershmëri, me urtësi të admirushme dhe me përkushtim shembullor në fenë ortodokse. Rrugëtimi i jetës së saj i ngjan një legjende të lashtë, ku na shfaqet pelegrine duke u endur nga një shtet në tjetrin, duke mbartur me vete jo vetëm dhimbjen, mundimet, varfërinë, por dhe arkëmorte me lipsanet, fillimisht të burrit, pastaj të djalit Johanit, më pas vuajti dhe humbjen e vajzës. Në këtë kalvar të vazhdushëm, Nënë Angjelina arbërore nuk u mposht, nuk u perkul, nuk u dorëzua para fatit të mbrapsht, por veshi tunikën e murgeshës dhe iu dedikua shërbimit të vuajturëve, të varfërve, të sëmurëve, besimtarëve të shumtë, u shndërrua në ikonë e mirësisë, e fjalës së mirë, e dorës së ngrohtë, andaj të gjithë e adhuronin e nderonin, e shihnin si engjëlli që përhapte besim dhe shpresa ndër besimtarët. Në ato vite emri i kryemurgeshës Nënë Angjelina ishte i njohur, sepse ishte shndërruar në model përkushtimi në fenë ortodokse, admirohej e nderohej edhe nga besimtarët katolikë në trevat e Sllovenisë Kroacisë dhe Bosnjës fqinje me Vojvodinën.
Fama e saj vlerësohej nga Patriarkana Ekumenike e Kostantinopojës. Për koincidencë asokohe, Patriarkana u drejtua nga dy ipeshkëv arbërorë Nifoni II (Niphone II) dhe Teolepto I (Theoleptos I). Në vitin 1513, Patriarku i Pakomio I, e vlerësonte në veçanti murgun Teolepto, andaj e emëroi Metropolit i Janinës.
Teolepto ishte nga Epiri, i lindur në familje arbërore. Kur Pakomio I vdiq i helmuar, Teolepto u transferua në Adrianopoli, ku gjeti mbështetjen e Sulltan Selimit I. Pasi i pagoi taksat sulltanit, në vitin 1513 Selimi I e emëroi Teolepto, Patriark Ekumenik i Kostantinopojës dhe u transferua në selinë e Patriarkanës në Kostantinopojë. Një ndër vendimet e rëndësishme të tij ishte organizimi i dioqezave të Adrianopolit, Samos e të Vllahisë (Valacchia), ku Teolepto njohu aktivitetin ekleziastik dhe mrekullitë e Nënë Angjelinës.
[Demetrius Kiminas, The Ecumenical Patrarchate. Wildside. Press LLC 2009, pp 38 – 41]
Mosha, vuajtjet dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje të Vojvodinës, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion dhe përkushtim nga murgeshat.
Më 30 korrik 1520, e adhuruara dhe shumë e dashura kryemurgesha Nënë Angjelina arbërore ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpirtëror për murgeshat, murgjit, priftërinjtë dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina arbërore. Në vitin 1521, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krušcedol, ku i vendosën krah varrit të Stefanit, të Johani dhe të Maksimit. Në korrik të vitit 1522 Teolepto I, ipeshkëvi i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, bazuar në virtytet e krishtera, në mrekullitë dedikuar Nënë Angjelinës dhe për kontributin e saj në ngritjen dhe organizimin e manastireve dhe kishave ortodokse, për adhurimin dhe nderimin nga besimtarët e shumtë, e kanonizoi shenjëtore, e shpalli Shën Nënë Angjelina. Dita e Shën Nënë Angjelinës celebrohet më 30 korrik, e Stefanit III më 11 tetor, e Johanit më 10 dhjetor, e Maksimit më 18 janar. Prej shekujsh Manastiri i Krušcedol është qendër peligrinazhi, lutjesh dhe përshpirtjesh për Shën Angjelinën dhe për tre pjestarët e familjes dhe ata shenjëtorë. [Historia politica et patriarchica Costantinopoleos, in Corpus scritorum historiae byzantinae. P. Theoleptus, Vol. 49, Bonnn B.G. Niebuher, I bekker 1849 (1584), pp. 135-150].
Shën Nënë Angjelina shpalosi vlera të rralla si fisnike arbërore, si bashkëshorte, si nënë shembullore në kujdesin për fëmijët, si murgeshë e përkushtuar dhe si humaniste në shërbim dhe në ndihmë të varfërve, të shtypurve dhe të përbuzurve nga pushtuesit otomanë. Ajo ishte modeli i klerikes dhe i gruas së shquar, e cila falë virtyteve, guximit, krenarisë arbërore, përballimit të vëshirësive gjatë gjithë jetës, si murgeshë e përkushtuar, krijoi imazhin e shenjëtores, e vlerësuar dhe e nderuar nga popujt hungarezë, vllahë, austriakë, rumunë, kroatë, serbë, rusë, italianë, kosovarë, arbërorë, francezë, nga shqiptarët në USA dhe nga grekët, të cilët e nderojnë, e adhurojë dhe luten të gjunjëzuar para Shenjtërisë së saj.
Në manastirin e Krušedolit, është ikonostasi me në qendër Jezu Krishtin, i rrethuar nga apostujt dhe nga shenjëtorët e kishës ortodokse, mes tyre ndodhet ikona e Shën Nënë Angjelinës dhe një ikonë ku janë të katër së bashku, Shën Nënë Angjelina, Shen Stefani, Shen Johani dhe Shen Maksimi. Gjithashtu është dhe një mozaik i Shën Nënë Angjelinës, me kryqin në dorën e djathtë. Në pulpitin e kishës të Manastirit, nga drejtohej mesha dhe liturgjia, gjithmonë vendoset ikona e Shen Nënë Angjelinës.
Ikonostasi i manastirit të Krušedolit, me në qendër Jezu Krishtin, i rrethuar me ikonat e apostujve dhe të shenjëtorëve të kishës ortodokse, mes tyre ndodhet ikona e Shen Nënë Angjelinës dhe ikona me të katër së bashku, Shen Nënë Angjelina, Shen Stefanit, Shen Johanit dhe Shen Maksimit.
Mozaik i Shen Nënë Angjelina në Manastirin e Krušedolit.
Afresku në manastirin e Krušcedol me Shen Maksimi, Shen Nënë Angjelina (veshur me tunikën e zezë të murgeshës dhe me kryqin në dorën e djathtë), Shen Johani dhe Shen Stefani III Branković.
Një ndër aktivitet e kishës ortodokse është hymnografia, hartimi i tekstit që shpreh tipare të veçanta për çdo shenjëtor dhe shenjëtore, mbi bazën e të cilit kompozohet melodia dhe këto hymne këndohen gjatë liturgjisë dhe në meshat dedikuar shenjtorëve. Si për të gjithë shenjtorët dhe për Shen Nënë Angjelinën, kisha ortodokse i ka dedikuar një hymn litugjik i tipit Mineo, por me veçori, se nuk është kompozuar një melodi e veçantë, por duke marrë në konsideratë jetën e vështirë dhe martorizimin si murgesha ortodokse, murgu autor i këtij hymni ka huazuar melodinë e hymnit të Shën Teodorës, një askete e krishterë e shekullit V pas K. Në tekstin e hymnografit dedikuar Shen Nënë Angjelinës theksohet:
Ejani në Izraelin e ri,
Në të gjitha vendet dhe qytetet për rreth,
Bashkohuni në kor,
Në kujtim të nderuarës Shen Nënë Angjelina,
Ta përqafojmë me shpirt dhe me zemër varrin e saj hyjnor,
Me gëzim të marrim prej saj mirësitë e shërimit.
[Sima Ćirković (1982). “Српска властела у борби за обнову Деспотовине” [Serbian nobility in the struggle for the restoration of the Despotate]. Историја српског народа [History of the Serbian people – Vol. 2. Београд: Српска књижевна задруга. pp. 373-389]
Shpallja shenjëtore e Nënë Angjelinës arbërore u shoqërua me krijimin e ikonave të shumta, të afreskeve dhe mozaikëve të stilit Bizantin, që mbushën manastiret dhe kishat, që Ajo kishte ngritur, madje kishës në Manastirin e Krušedol i dhanë emrin e Shen Nënë Angjelina. Aktualisht ikonët dhe afresket në manastir janë kopjuar sipas orgjinalit të stilit bizantin mesjetar dhe disa të stilit barok. Ikonostasi përmbanë ikona të periudhave te ndryshme nga ato të shekullit XVI, ndër ato ikona e Shen Nënë Angjelina e vitit 1545, si dhe ikona të më vonëshme të viteve 1745-1757, të realizuara nga piktorët Jov Vasiljeviç dhe Stefan Tenecki dhe ndonjë ikonë e rrallë e stilit Barok. Në manastire dhe kisha të ndryshme janë qindra ikona, që e prezantojnë Shën Nënë Angjelinën me imazhin e manastirit në dorën e majtë, çka shpreh kontributin e saj në themelimin e manastireve dhe kishave.
Shen Nënë Angjelina, është modeli i përkryer i murgeshës ortodokse, e cila falë edukatës nga prindërit arbëror, virtyteve të krishtera, guximit, krenarisë, përballimit të vëshirësive të shumta gjatë gjithë jetës dhe të mrekullive dedikuar asaj si murgeshë e përkushtuar, adhurohej dhe vazhdon të adhurohet e të nderohet nga popujt hungarezë, vllahë, austriakë, sllovakë, rumunë, sllovenë, kroatë, serbë, rusë, ukrainas, italianë, francezë, grekë, nga shqiptarët e Kosovës dhe nga shqiptarët e emigruar në USA, të cilët e nderojnë, e adhurojë dhe luten të gjunjëzuar para Shenjtërisë së saj. Disa nga ikonat e Shen Nënë Angjelina, e prezantuar me imazhin e manastirit në dorën e majtë.
Të shumtë janë dhe afresket dhe mozaikët dedikuar Shen Nënë Angjelinës, sidomos në Vojvodinë dhe Vllahi, por dhe në Slloveni, Kroaci e më pas në Serbi, ashtu si dhe në vende të tjera. Afreske ka në manastiret dhe kishat e dioqezës të Srem-it si në manastirin e Krušcedol, në Rivac, në Neredin (fshat ne komunen Irig te distretit Srem), në manastirin “Triniteti i Shenjtë” dhe në kishën Shen Nikolla në Srtenje, në Bukovac (fraksion suburban në Novi Sad, kryeqendra e Vojvodinës), në Golubinci (banojnë kroatë, hungarezë dhe serbë), në ikonostatin e kishës në Karlovac është ikona e Shen Angjelinës vepër e vitit 1776 e Jakov Orfelin, si dhe një mozaik i Shen Nënë Angjelinës. Ikona e Shen Nënë Angjelinës ndodhet dhe në kishat e Kulpin, Stari Bečej, Čurug. Gjithashtu është prezantuar në afreske në manastiret dhe në kishat në Ulmja, Jasenovo, Rumenka , Kać. Në distretin e Sirmia është mozaiku në kapellën e kishës Katedrale të Šabac, në manastiret dhe kishat në Klisuri, në kishën e Maradik, ku ritet, liturgjia dhe meshat zhvilloheshin në gjuhë hungareze (magjare), etj. Në ikonat, në afreske dhe në mozaikët, në pjesën e sipërme të sfondit, autorët shkruajnë me germa të arta, Shen Nënë Angjelina.
Afreske të Shen Angjelinës, janë dhe në shumë manastire dhe kisha në vende të tjera si në Serbi në kishën katedrale të Beogradit, në kishën e Shen Stefanit në manastirin e Deçanit në Pejë – Kosovë, në kishën e manastirit të Hillanderit në Malin Athos – Greqi, në manastirin e Eparkisë të Pakrac në Kroaci, ashtu edhe në manastire dhe kisha në Moskë – Rusi, në Ukrainë, në Mali Bečkerek dhe Arad në Rumani, në kishën e Shën Gjergjit në Boston të USA etj.
Në veçanti manastiri i Krušedol ishte bërë i famshëm dhe me reputacion për fenë ortodokse, madje ishte qendra e Dioqezës të Sremit, ndërsa gjatë migrimit të madh të klerikëve dhe popullatës serbe në vitin 1699, Manastiri i Krušedol dhe manastiret e shumtë të themeluar nga Shen Angjelina, pritën dhe strehuan masën e madhe të ikanakëve. Manastiri i Krušedol i Lajmëtares të Shenjtë Theotokos, në ato vite ishte dhe selia e Patriarkut dhe Metropolia e Krušedolit. Pas vdekjes të Patriarkut Arsenije Čarnojević, Asambletë e Kishës Ortodokse Serbe në vitet 1708, 1710 dhe 1713 u mbajtën në manastirin e Krušedolit, madje ky manastir dy herë u vizitua nga hirësia e tij Paisios, Patriarku i Jeruzalemit. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković, Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8-14].
Gjatë shekujve XVIII – XXI, të gjithë manastiret dhe kishat ekzistuese dhe ato të ndërtuara në dy shekujt e fundit në këto treva janë pasuruar me afreske, me mozaikë dhe me ikona të Shen Nënë Angjelinës, shumica kopje të ikonave të stilit Bizantin, por dhe me ikona të stilit Barok dhe më ikona të realizmit akademik. Në vitin 2012, u ndërtua kisha e Shën Nënë Angjelinës në Metropolitanën e Dabro Bosnia në Tilava, komuna e Istočno Novo Sarajevo në Bosnje. Kisha është e pajisur me ikonë dhe afresk të Shën Nënë Angjelinës.
Në morinë e ikonave të stilit Bizantin, përjashtim bënë ikona me autor piktorin Paja Jovanoviç (1859-1957), njohës i historisë dhe i kulturës arbërore, autor i dhjetra tabllove me piktura nga jeta dhe veprimtaritë patriotike të arbërorëve. Ikona e Shën Nënë Angjelinës (punim në vaj në telajo), është realizuar në stilin e realizmit akademik. Piktori Paja Jovanoviç e prezanton shenjëtoren arbërore në plan ballor, me velin ngjyrë të zezë e mbajtur në kokë me kurorë me zbukurime, me gjerdanin me dy rradhë perlash, me varsen e artë me kryqin ortodoks të zbukuruar me gurë të çmuar dhe me tre perla në skajin e poshtëm, që shprehin Trinitetin e Shenjtë. Kryqi në këtë ikonë është krejt ndryshe nga kryqet në të gjitha ikonat e tjera. Ky aspekt i veçantë i kësaj ikone nuk është i rastësishëm, por imitim i varëses në portretin e princeshës Andronika Kastrioti, e realizuar në ksilografi në vitin 1596 nga piktori, gdhendësi në dru dhe tipografi belg Johann Theodor Bry (1561 – 1623). Si kuptohet Paja Jovanoviç e njihte ksilografinë e J. Th. Bry dhe duke pikturuar të njejtin kryq, kësisoj shprehu përkatësinë arbërore të Shën Angjelinës, si motra e vogël e Andronika Arianiti Kastriotit.
Ikona e Shen Nënë Angjelina, Princesha Andronika Kastrioti, ksilografi vepër e Paja Jovanoviç (1882). e Johann Theodor Bry (1596).
Ikona origjinale e Shën Angjelinës, realizuar nga Paja Jovanoviç, aktualisht ndodhet në muzeun e kishës katedrale në Vršac të Vojvodinës, ndërsa shumë kopje të saj janë vendosur në manastire në kapella dhe kisha të ndryshme.
Historianë të shumtë dhe kritikë të artit kishtar ortodoks, theksojnë pa ekuivoke përkatësinë arbërore të Shen Nënë Angjelinës, duke theksuar: “e bija e fisnikut Gjergj Arianiti”, “Nënë Angjelina me origjinë nga dinastia arbërore e Arianitëve”, madje dhe në vitet 2023 – 2025 ka historianë serbë si Viktor Velikoviç, që konfirmojnë origjinën arbërore të Shen Nënë Angjelinës. Në këtë aspekt, duhet të njohim një rrethanë historike. Në shekullin XVIII, kisha ortodokse serbe, duke parë reputacionin e Shën Nënë Angjelinës në popull, adhurimin dhe nderimin që i bënin besimtarët e shumë etnive, menjëherë e përvehtësuan dhe filluan ta popullarizonin si Shën Nënë Angjelina Serbe, një vendim arbitrar, prepotent dhe i pajustifikuar, sepse Nënë Angjelina nuk është serbe, nuk ka vepruar në Serbi, por me shpirtin e saj mëshirmadh dhe ekumenike, i ndihmoi klerikët dhe banorët serbë kur braktisën trojet e veta për t’i shpëtuar përndjekjeve, persekutimeve dhe masakrave të hordhive turke kur pushtuan Serbinë dhe i pranoi, i strehoi në manastiret dhe Kishat e Vojvodinës dhe të Vllahisë.
Sado që kisha serbe tenton ta mbulojë përkatësinë arbërore të Shen Nënë Angjelinës, besimtarët e shumtë në të gjitha vendet, shumë klerikë dhe historianë të kishës ortodokse, e theksojnë qartësisht origjinën arbërore të Shen Nënë Angjelinës, sepse Ajo arbërore, është Shpirti i Shenjtë Arbëror. [Ljiljana Habjanovič Đurovič. Le confessioni dell’anima. Secop Edizione 2012] [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 – 14]
Vijon në numërin e ardhshëm.