back to top
31.8 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026

Shën Edisoni i Tavolinave!! – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Edison Ypi - Nuk...
Edison Ypi – Nuk…

Shën Edisoni i Tavolinave!!
nga Rezart Palluqi

Edison, ju spiun? Ç’ishte kjo hata në pleqëri? Hata, thashë? Aspak! Ti ke qenë dhe mbetesh busulla ime morale! S’mund të shpërbëhet kaq lehtë beteja jote gjashtëdhjetëvjeçare! Jo, jo, Edison! Do të ishte padrejtësi ta lejonim një gjë të tillë!
Njeriu, kur plaket, bëhet i brishtë, Edison. Zemra e gjorë, e rrëgjuar dhe e lodhur nga pesha e viteve, s’i përballon dot marazet e rënda. Ndaj, unë jam gati të sakrifikoj për ty! Do t’ia pres rrugën tankut të lig, si Vojo Kushi dikur! S’ka gjë që më dëshpërove dikur me atë vrull kamikazi ndaj gjeniut të letrave tona – pasha Zotin, ta kam falur atë lajthitje. Sepse miku yt i ngushtë, “Gjeniu”, na la një amanet të madh: “Një komb vdes nëse s’mbron figurat e tij të ndritura”.
Dhe ju, Edison, jeni pikërisht një figurë e tillë – një figurë që duheni mbrojtur me çdo kusht… Aq më tepër që jeni edhe farefis i së famshmes Lea Ypi, letërsia e së cilës u fry me brumin e petullave të Partisë aq bukur, sa brenda pak vitesh mbushi tigane gjuhësore nëpër botë. Petullat letrare, kur ngjizen me histori partie të thartuar mirë, fryhen më shpejt se e vërteta që lulëzon midis thepave të shkëmbinjve.
Penda jote, e pajisur me dylbi snajperi, ngulet si gjilpërë në bebezat e syve të “diversantëve” që guxonin ta shihnin botën me më shumë se dy ngjyra. Nuancat janë të rrezikshme – të verbojnë: ty dhe Partinë. Ylberi yt ka vetëm dy ngjyra dhe ti i ke mbrojtur me heroizëm stoik.

Kallzimtari Edison Ypi
Kallzimtari Edison Ypi

Prandaj ti jo vetëm që s’duhesh lënduar, por duhesh nderuar. Me medalje… dhe jo dosido – po me ato më të lartat!
Ta pret mendja O Edison! Që të të jap medaljen e duhur, më duhet një sqarim i vogël. Fare i vogël.
Unë i ziu, as kam kallëzuar, as kam spiunuar ndonjëherë. Ves naivësh, e di. Gjithsesi nga kureshtja, Edison, spiunët i kam vrojtuar gjithë jetën. Ata janë krijesa bardhezi: ose e ngrenë balonën e propagandës në qiell (edhe kur është aq e hollë sa e shpon thoi i një karkaleci), ose e fundosin kundërshtarin dymijë metra nën tokë, derisa ai shpërthen një ditë mbi sipërfaqe si shatërvan nafte të zezë.
Edison, o djalë azgan!
Të paskan akuzuar se ke kallëzuar bisedat e tavolinës në vitet ’80. Tani më sqaro pak të lutem: ç’dallim ka midis “raportit” dhe “kallëzimit”? Janë rrëfime si ato te prifti – për të lehtësuar shpirtin – apo kallëzime si ato në prokurori – për ta lehtësuar dosjen?
Nëse janë rrëfime, puna ndryshon krejt. Atëherë unë vetë do të propozoja kanonizimin: “Shën Edisoni i Tavolinave”. Dhe historia jonë do të pasurohej me një kapitull të ri shpirtëror. Por nëse kanë një nuancë penale… atëherë sharra kërcet ndryshe, siç thotë populli.
Ma thuaj, Edison: ku qëndron dallimi midis spiunit enverist anonim dhe kallëzuesit enverist me emër e mbiemër? Kush është grada më e lartë në këtë akademi morale? Apo janë thjesht dy profile të së njëjtës medalje – njëra me kordon, tjetra pa kordon?
Unë dua të besoj – me gjithë zemër – se ajo që kam lexuar është thjesht një rrëfim emocional. Një përçim ndjenjash patriotike nga tavolina drejt institucioneve kompetente. Ndoshta ke menduar se ata, pasi u arratisën nga “atdheu më i bukur në botë”, mund të degjeneroheshin nën qiellin e lig kapitalist. Ndoshta ke dashur t’i shpëtosh. Patriotizmi merr forma të ndryshme, sidomos në procesverbale.
Përndryshe, figura juaj, Edison, del në një dritë paksa… problematike. Spiuni anonim fshihet pas mjegullës së historisë. Kallëzuesi me emër, përkundrazi, rri në dritë si statujë pa çati.
Por meritat nuk ndërtohen mbi hamendësime. Aq më pak kur kemi përpara male sakrificash dhe mijëra pamflete morale që na ke dhuruar pas vitit 1991 – për jetën, njeriun, Partinë, lumturinë, lulet, gjembat, letërsinë, të lexuarit, analfabetët, gjeniun dhe dështakët.
Një enciklopedi morale ambulante!!
Të gjitha këto duhet peshuar në kandarin atdhetar. Me kujdes. Me durim. Me peshore të kalibruar mirë. Ndaj të përgjërohem, o Edison: më shkruaj! Ma hiq këtë ankth akademik.
Kush është më lart në hierarki – kallëzuesi apo spiuni? Çfarë dekorimi meriton hirësia juaj? Atë të shenjtorit? Të të shpallim “Baba Tereza Ypi”, ndërkohë që Lea Ypi na del si një Nënë Terezë e re e tregut global? Apo atë të heroit të Partisë – dekoratë që, siç dihet, nuk u jepej çdokujt, por vetëm operativëve të dalluar?

Urdhër-Arresti i Eduart Ypit
Urdhër-Arresti i Eduart Ypit

Nxito, Edison! Pleqëria është e shkurtër – më e shkurtër se bishti i maces. Rrëfehu! Është gjynah që mundi yt të shkojë dëm, sepse Ti, ashtu si Gjeniu, sa qe gjallë i mbrojti figurat e ndritura kombëtare:
-duke mallkuar Gjergj Fishtën e duke endur parathënie për poezitë e Shefqet Peçit;
-duke denigruar Arshi Pipën e duke i përndritur në parathënie “Heronjtë e Heshtur” të Sigurimit të Shtetit;
-duke masakruar Trebeshinën e Xhaferrin e duke thurur lavde për Faslli Halitin;
-duke marrë nëpër këmbë Mitrush Kutelin e duke ngritur në qiell Ervin Hatibin katërmbëdhjetëvjeçar;
-duke rrënuar Lidhjen e Shkrimtarëve e duke u bërë anëtar i G99 të Erion Veliajt;
-duke mos thënë kurrë një fjalë nderimi për Musine Kokalarin e duke mbajtur si këshilltare shpirtërore, Alda Bardhylin.
Nëne o nëne! Tani më thuaj vetëm një gjë, Edison:
Ku dreqin e shkele në kallo “atdheun”, që dokumenti të doli pikërisht tani, në epilog të jetës? Hapma zemrën sinqeritet, nëse e kë gjëkundi në ndonjë qoshe, Edison! Përndryshe, siç thotë populli: “Ka Çeçua biçak!”
Rezart Palluqi
Holandë, mars 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.