back to top
12.9 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Shefqet Ndroqi – Një shembull i rrallë i formimit të intelektualëve të vërtetë – marrë nga kolana Tirana Personalitete

Gazeta

Shefqet Ndroqi (1912-2001)
Shefqet Ndroqi (1912-2001)
Shefqet Ndroqi – Një shembull i rrallë i formimit të intelektualëve të vërtetë
marrë nga kolana Tirana Personalitete
Shefqet Ismail Ndroqi (1912-2001)
-Unversiteti “Sorbonë” Francë –
-Fakulteti Mjeksisë –
Ky bir i një personaliteti të shquar tiranas nga formimi i të cilit trashëgoi dhe vetë ai, është i vetmi protagonist i pranishëm në të librat tonë që bëjnë pjesë në serialin Tirana Personalitete. Me emrin e Shefqet Ndroqit, që do të bëhej një shkencëtar i madh i mjekësisë, madje për të gjithë Shqipërinë, Tirana ka dhënë një ndër shembujt e rrallë të formimit të gjithanshëm të intelektualëve të vërtetë. Aktiviteti i tij pasqyrohet më së miri edhe në librin autobiografik Një jetë për jetën”, me 220 faqe, dhe të cilin në vitin 2000 ai vetë e përktheu në frengjisht.
Shefqet Ndroqi kishte gradën shkencore “doktor” dhe titullin shkencor “Profesor.”
Lindi në Tiranë në 21mars1912, po këtu kreu dhe arsimin fillor e të mesëm. Krahas rezultateve shumë të mira në mësime, ai ishte aktiv në problemet organizative të shkollës e në aktivitete të tjera. Në një takim me ministrin e kohës për arsimin, ai kundërshtoi me argumente bindëse mendimin për pakësimin e gjimnazeve dhe shtimin e shkollave profesionale. Merrte pjesë në grupet artistike dhe në ato sportive e sidomos të futbollit.
Në përbërje të ekipit në Sport Klub “Tirana”, atij klubi që te ne do të bëhej më i suksesshmi dhe më i lavdishmi, çastin më kulmor e arriti më 22 qershor 1930, kur në fushën e atëhershme të Shallvares ai festonte fitoren e kampionatit të parë të Shqipërisë. Kampionatin e dytë nuk arriti ta përfundonte sepse u dëmtua rëndë në gjurin e djathtë. Me një kuptim më të gjerë se sa sportiv, ai përsëriste fjalën e urtë latine: “Mens sana in corpore sana” (Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë), që u bë moto në jetën e tij. Ai kombinoi gjithë punën intelektuale me regjimin e rregullt, aktivitetet fizike, luftën kundër alkoolit, duhanit etj. Skuadrën e tij të Tiranës e ndoqi deri në vitin 1965. Gjithnjë kujtonte me nostalgji dy çaste, atë kur më 1960, goditi topin e parë të kampionatit dhe atë kur më 1985 në moshën 73 vjeçare, luajti si pjesë e ekipit të veteranëve, madje si kapiten i skuadrës, në ndeshjen përkujtimore me rastin e 65 vjetorit të klubit.
Me mbështetjen financiare të familjes, më 1933, shkoi për studime të larta në Francë. Në Paris, ku regjistrohet në fakultetin e mjeksisë, në Universitetin e mirnjohur të Sorbonës. Derdhi shumë mund e djersë për t’u pregatitur sa më mirë si mjek, detyrë që e konsideronte njëherësh personale dhe atdhetare. Miqësi të veçantë kishte me studentin Hiqmet Dibra, pa e menduar se një ditë fëmijët e tyre do të lidheshin me njëri-tjetrin.
Nga gazetat, informohesh për problemet politike. Lajmet për planet e Italisë fashiste mbi pushtimin e Shqipërisë e tronditën së tepërmi. Bindjet e tij antifashiste i demonstroi edhe atje. Ngjarjeve që deri më 7 prill 1939, precipituan aq shpejt ai bashkë me mbi 30 studentë shqiptarë të atjeshëm, iu përgjigjën se ishin të gatshëm të luftonin për mbrojtjen e atdheut. Po kështu në mitingun e madh të 9 prillit në sallën Wagram të Parisit ata protestuan dhe ndaj qeverive të Francës e të Anglisë. Për Shefqetin, ky ishte viti kur ai u diplomua. Dy vjet më vonë, (1941) duke punuar si intern në spitalin e Fonteneblosë dhe në atë “Laenek” të Parisit, mbrojti doktoraturën me temë “Granulacionet patologjike të neutrofileve në tyberkoloz te njeriu dhe në eksperiment”.
Po gjatë kësaj periudhe të luftës, me dy autobusë në dispozicion, ai realizoi me sukses shpërnguljen nga Parisi për në Perigë të 45 fëmijëve të sëmurë dhe 25 grave shtatzëna, duke u ndihmuar vetëm nga një mami dhe dy infermiere. Konfuzionit të krijuar nga bombardimet gjermane, falë përdorimit të një harte, ai ju përgjegj me ndryshimin e itinerarit. Po në këtë aksion, kur si i huaj u pa me dyshim, ai foli me zë të lartë se ishte shqiptar.
Me këto pikëpamje antifashiste, ai veproi edhe në Shqipëri kur u kthye më 1941 dhe u punësua në spitalin e Tiranës me detyrën e ftiziatrit. Duke u shquar për nivelin dhe përkushtimin e tij, organizoi këshillin e mjekëve të rinj për ndihmë të lëvizjes çlirimtare. Kundër forcave pushtuese (1943), ai mbajti detyrën e mjekut në brigadën XVIII, në të cilën punoi edhe në spitalin e Peshkopisë etj, dhe po ashtu si dëgjues mori pjesë në Konferencën e Mukjes.
Në zonat e verilindjes u angazhua edhe për diagnostikimin e popullsisë dhe luftën kundër tifos ekzantemike.
Pas çlirimit të vendit, me gradën kapiten i dytë, punon pak kohë në Spitalin Ushtarak dhe më pas i kushtohet përfundimisht luftës kundër tuberkulozit, sëmundje mjaft e përhapur në atë kohë. Me kontributin e tij, ishte i pranishëm në të gjitha në të gjitha objektet përkatëse që ishte hapur apo u hapën, si në repartet e ftiziatrisë në Tiranë e në Voskopojë, dispanceritë antituberkolare në Tiranë e në Durrës; Sanatoriumi në Tiranë, institucion në të cilin prej vitit 1948, kishte edhe drejtimin e tij. Në kushtet e mungesës së kuadrit, ai angazhohet njëherësh me detyra të tjera, madje deri në atë të kirurgut. Në vitin 1953 e lirojnë nga detyra e drejtorit, duke qenë vetëm shef i repartit të ftiziatrisë dhe të kirurgjisë torakale. Kontributi i doktor Shefqet Ndroqit në organizimin e luftës kundër tuberkulozit, prej profilaksisë e deri në mjekim, ishte sa shkencor aq edhe origjinal për kushtet e vendit tonë. Strategjia dhe taktikat e përdorura me dokumentacionin e plotë e të nevojshëm. Këto forma të suksesshme, që u përdoren për 45 vjet me radhë (deri më 1990), kishin rezultate të dukshme, të vlerësuara dhe nga specialistë të huaj, italiane e franceze. Për 100.000 banorë mortaliteti u ul ndjeshëm, nga 145 raste (1950) vetëm në 4 raste në (1991); ndërsa incidenca nga 535 raste (1960), në 17.1 (1991). Prej pasluftës e deri në vitet e fundit të aktivitetit të tij, kur doli në pension (1989), ai ishte konsulent në Ministrinë e Shëndetsisë.
Si specialist i përkryer për sëmundjet e tuberkulozit, ai ka kontribut të veçantë edhe në një plan të dytë, në atë të përgatitjes së mjekëve të rinj.
Më 1955, bëhet i pari pedagog i lëndës së tuberkulozit në arsimin e lartë. Me këmbënguljen e tij, në fakultetin e mjeksisë të USHT, u hap klinika e tuberkulozit, me të cilën në fushën e ftiziatrisë, ai organizoi procesin mësimor me studentët dhe specializimin pasuniversitar me mjekët e diplomuar. Nivelin e tij të lartë e tregoi dhe me botimet e shumta, që arrin deri në 5000 faqe, ndër të cilat veçohen librat “Tuberkulozi”, 1956; “Tuberkulozi”1970 (për mjekët); “Tuberkulozi” – 1978 (për studentët); “Sëmundjet e mushkërive”,1988 (me bashkautor),1988 etj; apo artikuj problemore e shkencore mjaft të shumta. Ai ka lënë gjithashtu mjaft punime ende të pabotuara. Në detyrën e pedagogut, u shqua dhe në kërkimin shkencor. Duke punuar deri në zonat më të vështira si në Tropojë (1970), Peshkopi (1961), Mat, Mirditë, Pogradec e Malësi e Tiranës (1970) dhe duke kryer qindra mijëra depistime aktive fluorografike e vizita klinike, te ai spikaste shpirti observues e këmbëngulës. Prej tyre ai seleksiononte dhe trajtonte rastet e dyshimtë. Në fund të viteve ’80, dhe në fillim të atyre ‘90, duke konstatuar vlerësimin ndaj profilaksisë, ngriti tezën “Të mos harrojmë tuberkulozin” çështje mbi të cilën më 1989 me të njëjtin titull, botoi dhe një libër me 91 faqe. Në përshtatje me situatën e krijuar, ai propozoi një organizim të ri të punës. Më vonë në vitet ‘90-93, shtroj dhe problemin e e SIDA-s, të drogës e të prostitucionit, si rreziqe që qëndrojnë në gjendjen e tuberkulozit.
Si familjar dhe prind i shkëlqyer, ai rriti e edukoj dhe fëmijët; prej të cilëve mjekësinë e ndoqi Zamiri, mjek i mirënjohur, doktor i shkencave dhe shef i repartit të reanimacionit të neurologjisë në QSUT “Nënë Tereza”. Madje edhe nipi Adriani, po në profesionin e gjyshit të vet. Dy fëmijët e tjerë të Shefqet Ndroqit, Petriti dhe Majlinda kanë kryer studimet për kiminë industriale në fakultetin e Shkencave Natyrore.
Për këtë figurë me virtyte të larta shkencore e njerëzore e që la pas vetes veprën e tij të shquar, mund të tregohet dhe një episod. Kur në vitin 1991, një delegacion i Komunitetit Mysliman, në përbërje të të cilit ishte dhe ai, i kërkoi lirinë e fesë presidentit të kohës Ramiz Alia, ky e pyeti me habi: “E dija se je profesor dhe doktor i mirë për tuberkulozin dhe jo për fenë”. Ai u përgjegj: “Unë i tillë kam qenë dhe jam, por u bëra aktivist i ringjalljes së fesë, sepse ajo është bazë e shëndoshë për moralin e një populli, por që fatkeqësisht ka rënë poshtë”. Ish-presidenti pranoi, “Po ke të drejtë, për fenë kemi bërë gabim!”.
Ky personalitet, që për disa kohë ishte dhe kryetar i Shoqatës “Tirana”, vdiq më 23 shkurt 2001, në qytetin e tij të lindjes. I vlerësuar për aktivitetin e gjerë, si dhe për dashurinë që kishte si për njerëzit e për të sëmurët. U varros me nderim nga populli i Tiranës. Spitali Universitar i sëmundjeve të mushkërive, ku ka dhënë kontributin e vet të padiskutueshëm, ka emrin “Shefqet Ndroqi”, në mjediset të të cilit është vendosur edhe busti i tij. Është dekoruar me dy “Urdhra të Punës”, me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, dhe me urdhrin “Flamuri i Kuq” i klasit të parë. Ai është ndëruar dhe me titujt e lartë “Mësues i Popullit”e “Qytetar Nderi i Tiranës”. I është akorduar medalja “Kalorës i Urdhrit të “Palmës Akademike” të Francës”.

 

 

 

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.