
Samiti i IV i Diasporës, një gënjeshtër kolosale, një profkë gjigante…*
nga Arjan Melonashi
Si shtysë të këtij postimit tim, janë fjalët e Presidentit Begaj: “Diaspora shqiptare duhet të jetë pjesë e mënyrës se si mendojmë për shtetin e për të ardhmen.” Automatikisht m’u shfaq si frazë paralele thënia Enver Hoxhës: “Cilido pa frikë e me shkronja të mëdha të thotë çfarë mendon, për punën dhe për njerëzit…” Dua të them: Takimi i Katërt me Diasporën në rrjedhën e tre takimeve të mëparshme e duke u shtyrë më tej në kohë, janë mjaft të ngjashëm me Kongreset e Partisë së Punës. Qeveritarët e Tiranës, vini re, vetëm qeveritarët jo opozitarët, qeveritarët pra, më lanë përshtypjen se i thërrasin njerëzit nga ana e anës jo për t’i dëgjuar, jo për të mësuar prej përvojës së tyre, prej djersës së tyre, prej ndershmërisë a ndjeshmërisë së tyre, as për t’i kërkuar këshilla në bashkëpunim, po thjesht për t’i bërë të dëgjojnë bëmat, e veprat e “Belul Gjeraqinës”, e për t’i pyetur nëse e duan akoma për Belulin e sipërpërmendur!!
U dëgjua nga krerët e shtetit se diaspora nuk qenkërka në periferi të jetës së Shqipërisë, por në qendrën e saj!!! Ja qetësisht ua them: është gënjeshtër kolosale! U dëgjua më tej se Shqipëria na qenkërka një kantieri i madh, që e fton diasporën në investime, inovacion dhe në jetën akademike. Sërish ua them: një profkë gjigante e mbështjellë me një tulumbace të hollë hipokrizie që fluturon kuturu e që shpohet e shfryhet posa e prek!!
Diaspora në të vërtetë mbahet larg nga drejtimi në ekonomi e në administrimin dhe i fshihet si djalli nga temjani.
Me vetkënaqësi të dukshme, u tha se një entitet politik na paskërkish bërë të mundur që diaspora më së fundi të ketë të drejtën e votës, e tingëlloi si sadaka, si detyrim mirënjohjeje për realizuesin. E unë them se Diasporës e drejta e votës iu vonua në mënyrë kriminale për 30 e kusur vite! Kjo është e vërteta, e jo tjetër. Përmbledhtas, kaq kolosale hipokrizia e tymnaja trullosëse dhe turbullira e lëshuar nga Pushteti mbi Diasporën, sa për herë të parë shpërthyen edhe kundërshtitë sheshit. Individë të ditur, individë të pavarur nga shteti shqiptar, të pafrikë përballë makinës së shtetit, të pakompleksuar e të pakompromentuar, i thanë të vërtetat si janë, pra të lakuriqta… e për më tepër, të shëmtuara.
Në takim u tha edhe diçka tjetër! U tha që diaspora nuk ka një adresë ku pushteti të drejtohet në rast nevoje. U them, se ka qenë pikërisht e kundërta, diaspora është mjelë, është shtrydhur ekonomikisht e së fundmi edhe politikisht, sipas nevojës, e më pas flakur si pece këmbësh ushtarësh, prej ditësh në llogore.
Ka qenë një libër me vjeshra për fëmijë që titullohej: “Çil çil trëndafil”. Një poezi e kushtuar ullirit që nga mbjellja, ujitja, vitet e rritjes, vjelja… dhe mbyllej me këto vargje: “Do të shtrydh edhe pastaj/ do bëj petulla me vaj.” E vaji është valuta, është monedha që diaspora ka dërguar paprerë. Petullat i mbrujnë i skuqin njerëzit e thjeshtë, si në vend ashtu edhe në emigracion, me punën e tyre të përditshme, qeveria bën vetëm shpërndarje, rrjedhimisht e di mirë se kush janë.
Marrë nga Statusi i Arjan Melonashit, 18 prill 2026
*Titulli në origjinal… Tymnajë mbi Diasporën