
Sa për kështu, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu – më mirë të mos “shkojë” në Ulqin!
nga Frank Shkreli
Portali Ulqinionline njofton lajmin e shumëpritur se më në fund, shpalli dje rezultatet e konkursit ndërkombëtar për realizimin e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin, duke njoftuar përzgjedhjen e tri veprave më të mira nga 17 punimet e paraqitura. Monumenti fitues, vepër e artistit Sabri Behramaj, u vlerësua më së larti nga juria profesionale duke zenë vendin e parë, thuhet më tej në lajmin e Ulqinionline. -Kontestime dhe reagime për Monumentin e Skënderbeut në Ulqin – Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia – Në njoftimin e saj për këtë projekt, Komuna e Ulqinit falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre krijues dhe profesional në këtë proces të rëndësishëm për identitetin kulturor dhe historik të qytetit tonë.

Por a është, vërtetë, kjo përzgjedhje ideore e monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, siç e cilëson Komuna e Ulqinit?! A mund të thuhet se vepra e përzgjedhur si e “para”, në atë proces, vërtetë, përfaqëson identitetin kulturor dhe historik të qytetit tonë”?
Unë nuk jam artist as skulptor, as kritik arti, as moumentesh. Por një njeri i thjesht, që si shumica e shqiptarëve kudo, e kam mirëpritur vendosjen e monumenteve të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare, nga Tirana, Shkupi e Prishtina e deri në Malësi të Madhe e në Ulqin, por edhe anë e mbanë botës, në Evropë e deri në Amerikën e largët. Monumenti i përzgjedhur me këtë rast, i shumëpritur për t’u vendosur në Ulqin, mua ma vret syrin dhe ma “këputë zemrën”.
Skulptura në fjalë më duket si e pa dinjetet, gati si një tallje satirike, një karikaturë e turpshme. Për mua dhe për të gjithë ata që dinë sadopak, diçka për historinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbe, nuk mund ta lidhin këtë skulpturë me veprat madhore të Gjergj Kastriotit tonë: kësaj Embleme të virtyteve dhe vlerave kombëtare të shqiptarëve kudo. Një pyetje për të gjithë pjesëmarrsit në këtë proces:
Në mendimin tuaj, vërtetë, kjo skulpturë, e përzgjedhur si “e para”, lartëson emrin
e Atdheut, të Përgjithmonshmit të Kombit dhe Mbrojtësit të qytetërimit perëndimor?
Unë i kam dyshimet e mia se edhe kjo vepër – në sipërfaqe, gjoja si diçka pozitive
– prapaskena e saj mund të jetë pjesë e provokimve dhe manovrimeve historike për të mohuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve, qoftë edhe me përpjekjet për të tjetërsuar ose për t’u tallur me vet identitetin e shqiptarëve. A po mos vallë, dikujt në Ulqin dhe më gjerë, i pengon statuja dinjitoze e Gjergj Kastriotit-Skënderbe në atë qytet dhe në vend të saj të vendoset një karikaturë që shtrembëron dhe mohon figurën historike të Skënderbeut dhe identitetin e shqiptarëve atje? Nuk do të ishte hera e parë që të huajt – serbo malazezët, turqë e grekë – nga koha në kohë të hedhin pretendime djallëzore duke provokuar me qëllim për të turbulluar ujërat ballkanike, në përpjekjet e tyre shekullore për të hedhur dyshime, me qëllim zbehjen e historisë dhe të identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës të shqiptarëve në trojet e veta. Në të kaluarën, shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, na ndryshonin emrat duke i sllavizuar/ grekizuar/ e turqizuar ata, e ku ta dij unë. Përveç ndryshimit të emrave shqiptarë dhe të mohimit të gjuhës, kulturës dhe historisë shekullore të tyre në ato troje, vazhdojnë përpjekjet edhe sot për të mohuar figurat më të njohura, botërisht, të historisë së shqiptarëve, përfshi Gjergj Kastriotin- Skënderbeun dhe Nënë Terezën. Mos reagimet nga Tirana dhe Prishtina zyrtare ndaj këtyre dukurive – që në sipërfaqe dhe në thelb kanë qenë dhe janë antishqiptare – janë mbytëse. Është detyrim moral dhe kombëtar i dy shteteve shqiptare mbrojtja e historisë, identitetit, gjuhës, kulturës dhe figurave historike kombëtare – si Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, anë e mbanë trojeve shekullore arbëror-shqiptare.
Sado që ky vendim – përzgjedhja pra e kësaj karikature të shëmtuar të Krye-Prijsit shekullor të shqiptarëve për t’u vendosur në Ulqin – mund të jetë marrë edhe me ndonjë qëllim të mirë ose i shtyrë nga mungesa e mjeteve financiare – prapseprap është një vendim që duhet të anullohet menjëherë dhe procesi të rifillohet na 0.
Nëse shqiptarët nuk do ta kishin Gjergjin si Heroin e tyre, ata do duhej ta çpiknin një të tillë. Për fat të mirë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me jetën dhe veprat e tij anë e mbanë botës vazhdon të pasqyrojë meritat dhe vlerat e Kombit shqiptar gjatë shekujve. Por për fat të keq, kjo përzgjedhje e kësaj karikature të shëmtuar e Gjergj Kastrioti – Skenderbeut për t’u vendosur në Ulqinin e lashtë iliro-arbëror-shqiptar – jo vetëm që nuk reflekton meritat dhe vlerat e Kryeheroit të shqiptarëve, por pasqyron, ndër të tjera, edhe mjerimin e gjendjes së shqiptarëve në atë zonë dhe keqtrajtimin e kulturës, mohimit ose shtrembërimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve në ato anë, por jo vetëm. Vaj medet!
Frank Shkreli

Ps. Ndonëse skulpturës që është votuar në vendin e parë i mungon edhe mbishkrimi
për të identifikuar se kë përfaqëson kjo figurë – unë do sugjeroja mbishkrimin (në
një përmendore tjetër, natyrisht, nëse ua merr mendja ta ndryshoni) sa vijon, ashtu
siç reflektohet edhe në mbishkrimet e disa monumenteve të tjera kushtuar: Gjergj Kastrioti-Skenderbe 1405-1468 – Heroit Kombëtar, Prijsit të Madh, Mbrojtësit të Atdheut dhe të Qytetërimit Evropian”. Ashtuqë ta dijë bota se çfarë përfaqson Skënderbeu jo vetëm për botën shqiptare, por edhe për Evropën dhe botën mbarë!

Njoftimi i Plotë i Komunës Komuna e Ulqinit/ Opština Ulcinj /
Municipality of Ulcinj – 21h shpallen fituesit e konkursit ndërkombëtar për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në Ulqin. Komuna e Ulqinit ka përmbyllur me sukses konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e zgjidhjes ideore të monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 17 punime nga autorë të ndryshëm, të cilat kanë përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara në shpalljen e konkursit. Të gjitha punimet janë shqyrtuar dhe vlerësuar me përkushtim nga një komision profesional vlerësues në përbërje:
-Prof. Gazmend Leka, piktor
-Prof. Adem Rusinovci, skulptor
-Prof. Dejan Durakoviç, skulptor
-Prof. Muhamet Mala, historian
–Gazmir Pulti, arkitekt
Në bazë të kritereve të përcaktuara në detyrën projektuese, komisioni ka shpallur punimet fituese si më poshtë:
Vendi i parë: Shifra 2030 – autor Sabri Behramaj
Vendi i dytë: Shifra 54 – autor Vasil Rakaj
Vendi i tretë: Shifra PHOENIX – autor Agron Ujkashi
Komuna e Ulqinit falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre krijues dhe profesional në këtë proces të rëndësishëm për identitetin kulturor dhe historik të qytetit tonë.
Gjykoni vet të nderuar lexues!