“Rrno për me tregue”, është detyrë! – nga Ermira Xhomaqi – Godo

Gazeta

Ermira Xhomaqi – Godo, në kapërcim të adoleshencës…
Ermira Xhomaqi – Godo, në kapërcim të adoleshencës…
“Rrno për me tregue”, është detyrë!
nga Ermira Xhomaqi – Godo

Që atëherë e kisha kuptuar se ne i përkisnim atyre fëmijëve me të cilët prindërit nuk mbanin “sekrete”, nuk na largonin kur flisnin për politikë. Ata diskutonin dhe ne ishim aty pranë sobës së druve, me ndonjë libër në dorë dhe i dëgjonim të gjitha… Nuk di si do të kisha vepruar në vend të tyre, por jam e sigurt për diçka: kjo nuk ishte një rastësi, kjo ishte një zgjedhje e prindërve tanë.
Ata mendonin se të kuptuarit e atyre që ndodhnin rreth nesh, do të na sillnin ndoshta më shumë vuajtje, por kjo do të na hapte sytë për të kuptuar më mirë epokën dhe kohën në të cilën jetonim.
Kohën e “kulakëve” dhe të “familjeve të prekura”, kohën e “njollës” në biografi dhe të “luftës së klasave”, kohën e burgjeve, të pushkatimeve, të kampeve të internimit dhe të dëbimit, të demaskimeve në mes të qytetit… kohën e “pushtetit popullor”, të kongreseve të partisë dhe të planeve 5-vjeçare, kohën e kolektivizimit dhe të reformës agrare…
Kohën e shkrimtarëve dhe të letërsisë revolucionare(!)
Kohën e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve 99.99% në votime dhe të pankartave: “Ç’do populli bën Partia dhe ç’thotë Partia bën populli(!!!)”
Kohën kur në atë laborator të izoluar të socializmit u krijua “Njeriu i Ri”, një nga arritjet më të mëdha të atyre viteve!!
Prindërit tanë donin që ne të kuptonim mirë kohën e çmëndurisë marramëndëse, kur nuk besohej më në fé, por në marrëzi, kur shumë njerëz humbën arsyen në tmerrin e torturave të hetuesisë dhe pavionet e psikiatrisë u mbushën me djalosharët “e rrezikshëm” të cilët duheshin zhdukur pa hezitim!
Kohën kur nuk kishte kufi midis luftës dhe paqes… Ne ishim gjithmonë në luftë kundër armikut “të brendshëm dhe të jashtëm…” krimi ishte kthyer në normalitet dhe vrasja quhej “fitore”…
Fitore ndaj kujt?! Fitore kundër kujt?!
Prindërit tanë donin që ne ta kuptonim mirë atë kohë kur në shkolla nuk na mësonin çfarë ishte liria, por na thonin se duhej të vdisnim për të.(!)
Kohën kur mësuesit tanë kishin frikë të na jepnin fletë lavdërimi – edhe pse ishim gjithë 10-ta, të na vinin foton në tabelën e nderit, të dërgonin në konkurse dhe olimpiada kombëtare dhe shpesh nguronin të na vinin notën e merituar.
Kohën kur as që e mendonim se mund të hapeshin një ditë për ne dyert e Universiteteve edhe pse në parim, për të merituarit, “shkollimi ishte e drejtë e të gjithëve”.
Prindërit tanë mendonin se ne duhej të kuptonim mirë atë kohë kur ne të heshtur lexonim gazetat, dëgjonim lajmet dhe nuk flisnim dot, nuk thonim dot asgjë, sepse nuk e dinim ç’mendonte miku që kishim në krahë dhe ruheshim nga njëri-tjetrin sikur të ishim gardianë.
Prindërit tanë donin që ne të kuptonim mirë kohën e frikës, atë kohë kur ne grisnim ditaret dhe donim të arratiseshim nga ai vend, pa ditur ku mund të shkonim…
Të kuptonim njëherë e mirë kur duhet të dashuronim vetëm sipas direktivave të partisë, ose më mirë të them s’mund të dashuronim dot fare…
Prindërit tanë donin që ne të kuptonim mirë atë epokë… epokën që vrau dhe shkatërroi përfundimisht një pjesë të jetës sonë!

Realizime të dy veprave të Gjyshit të saj... Abdulla Rami
Realizime të dy veprave të Gjyshit të saj… Abdulla Rami

***
Ne të gjithë të asaj epoke, e njohim shumë mirë njëri – tjetrin, edhe pse sot jetojmë në vende të tjera dhe flasim gjuhë të huaja, sepse ne jemi, por edhe nuk jemi si gjithë të tjerët. Ne kemi “gjuhën tonë të përbashkët”, fjalorin tonë të veçantë që i duket aq i çuditshëm dhe i pakuptueshëm një perëndimori.
NE – të rriturit në totalitarizëm – e ruajmë në mënyrë të pathjeshtueshme raportin me ato vite dhe nuk çuditemi aspak kur shohim se megjithatë dhe fatkeqësisht, nostalgjia madje edhe dashuria për atë epokë jeton ende sot.
Ndaj të tregosh një histori të atyre netëve skëterrë sot, nuk është e lehtë… të duhen padyshim përjetimet por edhe fakte, dokumenta, ngjarje, emra dhe dëshmitarë, dosje, mbushur me proçes verbale, data, deklarata dhe shkresa pafund… sepse historia fillon dhe ri-fillon gjithmonë me një dëshmitar të ri, me një ngjarje të re…
Ndaj duhet të tregojmë! “Rrno për me tregue”, është detyrë!

Paris, 2016 – Shkëputur nga libri “Përtej harrimit”
Botimet ISKK, Tiranë 2017

Ermira Xhomaqi - Godo, duke folur për Përkthimin e Shekspirit të Hygoit
Ermira Xhomaqi – Godo, duke folur për Përkthimin e Shekspirit të Hygoit

Godo, (Xhomaqi) Ermira (1971). Autore, studiuese dhe përkthyese, e diplomuar në Universitetin Paris XII. Ka botuar artikuj të ndryshëm dhe librin monografik “Përtej Harrimit” (Tiranë 2018), kushtuar juristit dhe intelektualit Abdulla Rami (1908-1973). Me këtë libër, Ermira u vlerësua me Çmimin “Për vepër të veçantë” në Panairin e 20-të të Librit në Prishtinë (2018). Botimi i fundit i saj është përkthimi i veprës së Viktor Hygosë kushtuar Shekspirit, i cili u ngjiz në vitet ‘60, gjatë viteve të internimit të gjyshit të saj Abdulla Rami.
Ermira Godo (Xhomaqi) lindi më 13 maj 1971, në Tiranë dhe pas internimit të familjes së saj për arsye politike, ciklin e ulët shkollor e vazhdoi në fermë të Cërrikut. Studimet e mesme i përfundoi me rezultate të shkëlqyera në gjimnazin “Dhaskal Todri” në qytetin e Elbasanit. Pas rënies së regjimit filloi studimet e larta për fizikë dhe u diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin Shtetëror të Tiranës (1990-1994).
Pas diplomimit punon si mësuese e fizikës në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Dhaskal Todri” në Elbasan (1994-1997).
Në vitin 1997, emigron në Greqi dhe në vitin 2000, vendoset përfundimisht në Francë, ku vazhdon studimet e larta universitare në Universitetin Paris XII (2008-2013). Diplomohet me rezultate shumë të mira në fakultetin Administrim e Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe më pas vijon aktivitetin e saj në administratën e Laboratorit të Shkencave Politike të Universitetit Paris Est Créteil, si edhe në Polin e Orientimit të studentëve, në Fakultetin e Administrimit dhe Shkëmbimeve Ndërkombëtare, Paris XII.
Prej vitit 2015, Ermira jep kontributin e saj të veçantë pranë Delegacionit Shqiptar në UNESCO në Paris dhe si përkthyese e legalizuar në Gjykatën e Lartë të Departamentit Val De Marne-Francë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit