back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Rrjedha e një manifestimi kulturor – letrar – shkencor – Monografi nga Isak Ahmeti

Gazeta

Isak Ahmeti
Isak Ahmeti

Rrjedha e një manifestimi kulturor – letrar – shkencor
Monografi nga Isak Ahmeti

Takimet e dom Mikelit (1990-2024) (me rastin 35 vjetorit)

I. Historiku i Takimeve
Që në fillim të këtij libri monografik është me shumë rëndësi të theksohet për hir të së vërtetës se pas konsultimit me Imzot Nikë Prelën, që me rezidencë ishte në Ferizaj, unë, Dom Lush Gjergji dhe Dom Rrok Gjonlleshaj, atëherë famullitar i ri i sapo emëruar në Stubëll (20. 09.1989), kemi shkuar në Prishtinë (ishte dita e helmimeve të nxënësve dhe studentëve!) dhe fillimisht jemi takuar dhe konsultuar me Dr. Ibrahim Rugovën, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të cilin e kisha shok dhe mik që nga koha e studimeve (1969-1973). Pas takimit, këshillimit dhe përkrahjes të Dr. Rugovës në lidhje me idenë tonë për të organizuar manifestimin kulturor, letrar dhe shkencor në shenjë kujtimi dhe nderimi të Dom Mikelit, kemi shkuar në Institutin Albanologjik ku unë, por jo edhe dy shoqëruesit e mi, kisha shumë miq dhe bashkëpunëtorë dhe aty kemi biseduar gjerë e gjatë për idenë dhe mënyrën e organizimit të Takimeve të Dom Mikelit. Më pas, sipas idesë dhe propozimit të Dr. Rugovës, që atëherë ishte lideri në lindje i shqiptarëve të Kosovës, unë dhe Dom Rroku, me golfin tim që e kisha atëbotë, kemi shkuar në Prelepnicë të Gjilanit, te Sami Shabani, skulptor, me të cilin po atë ditë jemi marrë vesh për ta bërë bustin e Dom Mikelit, që tashmë, vepër e përkryer, gjendet në oborrin e Kishës së Vjetër në Stubëll, ku ka funksionuar Shkolla Shqipe e Dom Mikelit (1905), legalizuar nga Austro-hungaria falë angazhimit dhe intervenimit të Dom Mikelit, famullitar dhe mësues…

II.Manifestim jo vetëm kombëtar
Pas suprimimit dhe okupimit me dhunë dhe tanke të autonomisë së Kosovës nga serbosllavia, në Stubëll të Vitisë, më 22 shtator të vitit 1990, është mbajtur manifestimi më i madh kulturor, letrar dhe shkencor në Kosovë, ku që nga fillimi e deri më sot, kanë marrë pjesë mijëra njerëz të shtresave, kategorive dhe profileve të ndryshme nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia (e Veriut), Austria, Sllovenia, Kroacia, SHBA, etj.
Vlen të theksohet së nën përkujdesjen dhe angazhimin e përkushtuar të anëtarëve të KOTDM, kush më pak e kush më shumë, përkundër mospajtimeve, diskutimeve dhe polemikave që kemi pasë herë pas here,* ka kontribuar që ky manifestim, megjithëkëtë, të jetë, vazhdimisht, shprehje e dijes, moralit, urtësisë e kujtesës nacionale dhe rezistencës kundër okupimit serbosllav. Madje, jo rastësisht në njërin nga Takimet e Dom Mikelit, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku pat marrë pjesë edhe ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Kosovë, Islam Llauka ka thënë se këtu, në Takimet e Dom Mikelit, në Stubëll, është proklamuar publikisht Republika e Kosovës.
Manifestimi i parë, siç dihet tashme, është hapur me poezinë: Shkollës së Parë Shqipe të Isak Ahmetit, të cilën e ka deklamuar, me një intonacion solemn, Zef Ahmeti, të
cilën po e japim këtu në tërësi.

*P.sh. rasti, për mua më i pakuptimt dhe i panevojshëm mes Dom Rrokut dhe Prof. Engjëll Sedajt.

Takimet e Dom Mikelit - Stubëll (1990-2024)
Takimet e Dom Mikelit – Stubëll (1990-2024)

Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë
(Në Stubëll, 22 shtator 1990)

Imzot Pashk Trokshi me dorë Dekretin shkroi
Dom Mikelin në Stubëll e caktoi famullitar,
E Trimi Meshën çoi, Ungjillin shqip lexoi,
Popullin për liri e nxiti – doli fitimtar.

Nga Letnica në famullinë këtu, pra, erdhi,
I urti prift-pishtar arsimi-trim me fletë.
Dije e djersë n’këtë tokë martire ai derdhi.
Çetën e Martirëve t’Karadakut këtu ka gjetë.

Këtu, n’këtë Kishë të Shën Gjergjit, meshtari
Hapi Shkollën Shqipe. S’e ndali as litari.
Ja këtu rilindën Shkronjat, zëshëm ato shqiptoi
E burgosën, por gjuhën e të Parëve s’e harroi.

E burgosën, e munduan, mizorisht e masakruan.
Udhën e Shkronjave trimi s’e lëshoi.
Burrat e urtë të Karadakut fort e çmuan.
Me “Çetën e profetëve” brezat frymëzoi.

Thonë edhe Idriz Seferin e kishte mik,
Oso Kukën e Dedë Gjo Lulin frymëzim,
Burra t’zgjedhur t’k’saj ane pat nisë n’Kaçanik
Për t’luftuar për Liri – për Popull – për Ngadhnjim.

E pra, Fjala e Drita me vrull këtu shpërtheu,
U valëvit rrufeshëm Famuri, ngadhënjimtar.
Lirinë e gjeta këtu – pat thënë Skënderbeu-
E ju djem e vasha, shkoni, shkoni Rrugës së parë!

Shkëputur nga libri në fjalë (fq. 8-12)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.