back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Rrëfimi tronditës i Alida Hiskut dhe kultura shqiptare e mosndëshkimit nga Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci dhe piktura e Gerome-s ne Met
Ilir Seci dhe piktura e Gerome-s ne Met

Rrëfimi tronditës i Alida Hiskut  

dhe kultura shqiptare e mosndëshkimit

nga Ilir Seci

Ditët e fundit faqet online të shtypit si dhe rrjetet sociale gëlonin
me diskutime rreth intervistës së këngëtares Alida Hisku,
këngëtare e njohur në vitet e diktaturës e cila për fatin e saj të keq
ka qënë dënuar për “veprimtari armiqsore”,
siç formuloheshin rëndom akuzat në atë sistem…

Kengetarja Alida Hisku
Kengetarja Alida Hisku

“Rrëfimi tronditës i Alida Hiskut!”
“Alida Hisku rrëfen tmerret e burgut!” ishin disa nga titujt e shtypit shqiptar, ku publikohej dhe ripublikohej intervista e këngëtares Alida Hisku, e cila sot jeton në Gjermani…
Së pari Alida Hisku duhet përgezuar për faktin që ka folur lidhur me tmerret e asaj diktaturë monstruoze duke sjellë dëshmi të përdhunimeve që kryheshin nga punonjësit e sigurimit të shtetit të Enver Hoxhës! Më e mira do ishte sikur Alida Hisku të kishte dhënë edhe emrat e torturuesve që njeh dhe ti kishte denoncuar ata persona që kanë kryer ato krime, për hir të drejtësisë, për veten e saj dhe viktimat e tjera që ndoshta nuk e kanë atë kurajo të flasin as sot e kësaj dite! Në kulturën jetësore shqiptare temat e përdhunimeve e abuzimeve me femrat janë tabu dhe viktimat gjithmonë kanë gjetur zgjidhje heshtjen, për fat të keq! Këngëtarja thotë se e denoncuan “tre persona nga Vlora”, persona të cilët ajo i ka falur! Nuk mund ta gjykojmë këngëtaren në këtë pikë, pse i ka falur, është zgjedhja e saj, por për hir të moralit të paktën duhej t’i thoshte publikut një gjë; vallë a kanë kërkuar ndonjëherë falje ata të tre nga Vlora që e degdisen atë në honin e tmerreve të qelive të Sigurimit?!
Alida Hisku mund të ketë gjetur komfort shpirtëror në religjion e mbase fal si Krishti, por falja vjen gjithmonë mbasi kërkohet falje! Jo të gjithë njerëzit njohin dhe respektojnë institucionin e Faljes, jo të gjithë njerëzit kanë ndërgjegje që i vret dhe i bën të vuajnë! Për të tillët, që s’kanë ndërgjegje bota demokratike ka nxjerrë ligje dhe u jep dënimin që meritojnë! Por prap e theksojmë është drejta e saj të falë!
E pyetur pse nuk denoncon sigurimsat dhe gardianët që bënë ato mynxyra, këngëtarja Alida Hisku thotë se “nuk mund të flas sot konkretisht, pasi ai sigurim që ka qenë atëherë është edhe sot. Atëherë ishte një sigurim që shfrytëzohej nga pushteti, sot shfrytëzohet prej lekut”
Afërmendsh kjo, ata kriminelë sigurisht janë sot në poste drejtuese të shtetit demokratik, sepse nuk u ndëshkuan asnjëherë! Dhe në këtë pikë edhe Alida Hisku ka fajin e saj! Ka fajin sepse duke mos përmendur emra ka ndihmuar në krijimin e një kulturë shumë negative që lulëzoi në Shqipërinë e mbas vitit 1991

Kulturën e Mosndëshkimit…
Kriminelët e diktaturës komuniste nuk u dënuan asnjëherë… Sepse asnjëherë, asnjë nga forcat e ashtëquajtura demokratike, nuk shfaqi vullnet për të dënuar krimet e asaj diktaturë! Me slloganin manipulativ:
“Të gjithë bashkëfajtore e të gjithë bashkëvuajtes”, Sali Berisha lideri i opozitës në fushatën e vitit 1992, i vendosi gurin e varrit drejtësisë së epokës post-komuniste!U sajuan ca gjyqe qesharake për bllokmenë që kishin abuzuar me kafe dhe limonata dhe me aq u harruan 47 vite dhunë e represion, 47 vite terror, burgje e internim për qindra-mijra shqiptare që u vranë, burgosen e internuan nëpër kampe pune… Kjo gjë pritej nga të ashtëquajturat forca demokratike, nuk pritet nga bijtë e bijat e bllokmëneve, nipërit dhe mbesat e tyre!
Kur njeriu lexon ato dëshmi rrënqethëse të Alida Hiskut sigurisht tronditet! Por ato dëshmi nuk janë të vetmet! Nuk janë vetëm dëshmitë e saj, janë dëshmitë e të nderuares Rukije Rama, të cilës ju shkatërrua jeta nga një sigurims, janë dëshmitë e sa e sa grave dhe vajzave që ju nxi jeta në atë kohë! Janë dëshmitë për gratë shtatzëna që janë pushkatuar! Të gjitha lënë në harresën e këtyre viteve të ashtuquajtura demokraci… Një gjë duhet të mbajmë parasysh kur lexojmë ato rradhë nga Alida Hisku apo Rukije Rama…
“Si ka mundësi që një sigurims shqiptar e bir shqiptari, të kryejë ato makabritete në qeli e mbas punë të shkojë i qetë në shtëpi, të ulet e të hajë darkën përballë së emës ose së motrës nëse ka qënë beqar!? Si kanë mundur të sillen normal!? Si ka mundësi që ata sigurimsa që ishin vetë bij nënash, që kishin vetë gra e vajza, të bënin ato makabritete e pas pune të dilnin të qetë në xhiron e mbrëmjes me gruan dhe vajzën e vet!? Çfarë soj monstrash paskan qenë këta njerëz!? Nga mbinë këto përbindesha në mesin tonë? Çfarë mallikimi kishte rene mbi ne shqiptaret qe te kishim të tillë bashkëkombas në mesin tonë!? Shqiptarë që kryenin këto krime ndaj grave dhe vajzave shqiptarë!? Ato ndodhën e sot është e kotë të mendojmë pse e tek!
Por që nuk u ndëshkuan asnjëherë, kjo nuk falet! Ato përbindësha duhej të ishin ndëshkuar që në vitet e para të demokracisë! Dhe duhej të ishin dënuar me ligjet e sistemi të diktaturës! Sepse sistemi diktatorial ka pasur një seri ligjesh që vërtetë shpërfillnin çdo të drejtë të njeriut por askund dhe asnjëherë nuk ishte shkruar me ligj që të përdhunohej një person nën akuze! Kjo vepër është abuzim që deri edhe me ligjet e asaj diktaturë ishte e dënuëshme! Ligji u kërkonte sigurimsave të merrnin në pyetje personin e ndaluar por jo ta përdhunonin! Këtë monstruozitet sigurimsat e kane kryer nga Devotshmëri!… Nuk e kanë kryer nga Zbatimi i Ligjit!
Eshtë e vërtetë që ashtu ishte koha, është e vërtetë që dikush do i kryente ato krime, por në nuk duhej të kërkonim që të dënoheshin ata që zbatuan ligjet e Kushtetutës komuniste të RPSSH-së… Jo, ne duhej të kërkojmë të dënohen ata që tejkaluan ato ligje dhe u treguan të devotshëm! Nuk mund të dënoheshin për zbatimin e ligjit, por duhej të dënoheshin për shkeljen e atyre ligjeve, për Devotshmërinë e treguar! Për shëmbull ligji i asaj kohe parashikonte që kur të arrestohej një njeri, i duhej thënë “Në emër të popullit je i arrestuar!” dhe ti viheshin prangat, por asnjë ligj i asaj kohe nuk kërkonte që personi që arrestohej të rrihej e poshtërohej në sy të Bashkëshortes, Fëmijeve, Nënës, Motrës! Asnjë ligj nuk parashikonte që i arrestuari të merrej zvarrë shkallëve të pallatit, si e si që të ngjallej terror të gjithë lagjen! Pastaj vinte qelia, tmerri i torturave, burgu, internimi i familjes dhe të gjithë këto kanë përgjegjës! Përgjegjës që asnjëherë, në asnjë rrethanë nuk u ndëshkuan!
Mosndëshkimi u bë pastaj praktike jetësore në Shqipërinë e mbas viteve ’90… Dhe kjo praktikë është burimi i të gjithë të këqijave të sotme! Sepse problemi është se kur nuk ndëshkohet e keqja atëhere të duhet të jetosh me të! Gjithë ato kriminelë që nuk u ndëshkuan asnjëherë nuk ikën gjëkundi… Të gjithë janë në mesin e shoqërisë shqiptare! Ata janë aty, të pandëshkuar, të papenduar ndonjëherë për çfarë bënë! As nga aspekti ligjor dhe as nga aspekti fetar, ata asnjëherë nuk njohen ndëshkim! Në aspektin ligjor duke u dënuar për Devotshmërinë e nga aspekti religjoz nuk u Penduan, sikur ta zemë se kanë ndërgjegje… Shoqëria shqiptare zgjodhi të bashkëjetojë me këtë të keqe në mesin e saj, nuk u distancua ndonjëherë prej saj! Të parët ish-anetarët e thjeshtë të PPSH-së, ata anëtarë që gjithë jetën nuk njohën asnjë privilegj nga qënia anëtar i asaj partie por që në vitin 1991, morën mbi shpinë përgjegjësitë e diktaturës! Ata vetë duhej të kishin dalë të parët dhe të kishin thënë: “Ne që nuk ndamë asnjë privilegj me ju drejtuesit e PPSH-së, ju që rrethuat Bllokun me gardh telash, nuk kemi pse të ndajmë sot përgjegjësitë e bëmave tuaja kriminale!” Por nuk e bënë këtë dhe zgjodhën të jetonin me të keqen!
Kur një shoqëri nuk e ndëshkon të keqen atëherë ajo shoqëri është e dënuar të bashkëjetojë me të! Pajtimi më të keqen bëhet preçedent dhe sjell edhe me shumë të këqija… Dhe saktësisht, kjo është ajo që u ka ndodhur shqiptarëve në këto 25 vite të ashtuquajtura demokraci! E keqja nuk shkoi askund, ajo është aty, aktive, si një virus aktiv, i paluftuar që gjallon sot në trupin e kryeministrave, ministrave, deputetëve! Virus që dita-ditës po ja merr frymën atij vendi! Eshtë i njejti virius që ka pësuar mutacion gjenetik dhe është shndërruar në: Korrupsion!
Mos u habitni… Korrupsioni i sotëm është vazhdimësi e atij degradimi moral të djeshëm që ka nxjerrë krye sot në kushte e rrethana tjera! Por është i njëjti!
Post Scriptum: Për këto ngjarje mund të flasë më hollsisht deputeti i “Demokracisë” së sotme, Gramoz Ruçi, si Drejtor madhor e në fund edhe Ministër i Brendshëm në Ministrinë e Brendshme të Diktaturës… Gramoz Ruçi që është deputet sot, është nga ata që ka mbajtur poste me rëndësi në diktaturë! Le ta ftojnë në studio televizive ish-Ministrin e fundit të Brendshëm të Diktaturës, që të flasë për këto ngjarje!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.