back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Rrëfimi i Ornela Vorpsit: Si jetonte nëna ime, një grua e bukur, në diktaturë. Pse u dashurova me Ramën…

Gazeta

Shkrimtarja Ornela Vorpsi
Shkrimtarja Ornela Vorpsi

Rrëfimi i Ornela Vorpsit:

Si jetonte nëna ime, një grua e bukur, në diktaturë.

Pse u dashurova me Ramën…

intervistoi Alma Mile

Ornela Vorpsi i ka kaluar me kohë ato ngurrimet që hasen ende tek artistët që jetojnë në Shqipëri për të thënë atë që mendojnë vërtet. “E dashuruar me Edi Ramën? E kush nuk ishte?!” – thotë ajo.
Ky rrëfim i sinqertë i artistes dhe shkrimtares, që tashmë jeton në Paris, pa dyshim që u kthye në kryetituj në mediat shqiptare. Dhe ajo vazhdon ta thotë. Paragjykimet e të tjerëve, sot nuk e lëndojnë më. Por dikur ishte ndryshe.
Dikur, nëse ishe “ndryshe”, ishe i përjashtuar. Diktatura të damkoste me “njollë” në biografi dhe e gjeje veten të lënë vetëm dhe me pamundësinë për të ndjekur ëndrrat e tua. Por të gjitha këto, Ornela Vorpsit iu përthyen në art. Dikur ajo e realizoi dëshirën e saj të madhe të bëhej piktore, ndoshta nuk u bë e jashtëzakonshme, por ama askush nuk mund ta pengojë të bëjë atë që do…
Por jeta i dha edhe më, i dha shkrimtarinë, një befasi e bukur, të cilës ajo i ka kushtuar shumë vite. Sot Vorpsi gjendet në Tiranë për të prezantuar një pjesë të krijimtarisë së saj në artet pamore. Pikturë, fotografi, vizatime…, të cilat i ka mbështjellë në titullin “Providencë”.
Një hapësirë e hapur në COD. Me një natyrshmëri për ta pasur zili dhe sharmin e një gruaje të bukur, të vetëdijshme për këtë gjë, Ornela Vorpsi tregon jetën e saj në diktaturë, emigrimin, shkollën, letërsinë, ekspozitën, vetminë dhe melankolinë.
.
Ornela Vorpsi gjatë një interviste
Ornela Vorpsi gjatë një interviste

.

Ishte kjo ekspozitë një e thënë, një providencë? Po, providenca kështu e deshi të vija tani. Çdo gjë ka momentin e vet. Momenti ishte tej mase pragmatik. Erdha kur më ftuan. Është kaq e thjeshtë. Nuk ka asnjë mister. Të më kishin ftuar më përpara, do kisha ardhur. Më ftuan, erdha me kënaqësi të madhe…
Pra, nuk keni ardhur më herët vetëm për shkak të një ftese? Ishte çështje ftese. Organizatorët e COD-it më ftuan dhe isha shumë e lumtur. Kisha të qartë edhe punën që do të tregoja, sepse ka momente të jetës kur nuk ke ndonjë veprimtari për të treguar, ndërsa në këtë moment, mendova se kisha materialin e duhur për të bërë një ekspozitë. Është shumë e rëndësishme të dish nëse ke apo nuk ke diçka të tregosh dhe në këtë moment m’u duk sikur mund të përmblidhja më shumë se një medium: pikturë, fotografi, vizatime… Pra, të vija me një paraqitje më të plotë të krijimtarisë sime.
Për ju jeta është një rrugëtim, të cilin njeriu nuk e ka në dorë, por a nuk keni bërë ç’keni dashur me jetën tuaj..?! Keni krijuar, shkruar, u larguat, jetoni në Paris? Kemi përshtypjen që bëjmë me jetën atë që duam, por jemi gjithnjë në një bashkëveprim me atë që na rrethon. Kështu që, nuk e di se deri në ç’pikë njeriu mund të bëjë ç’të dojë. Bëra ç’ishte e mundur në bashkëveprim me çdo gjë që më rrethonte, me shoqërinë, njerëzit. Nuk besoj se jemi tërësisht të lirë. Kurrë! Kemi ndjenjën se jemi të lirë, që vendosim, por rruga e një jete është më misterioze. Ndryshe, dëshira ime do të ishte vetëm piktura, por ja që jeta më befasoi me letërsinë, jeta më befasoi me mërgimin që s’e kisha menduar ndonjëherë. Nuk e kisha menduar asnjëherë të lija Shqipërinë… Jeta më befasoi me vendosjen time në Francë. Asnjëherë nuk e kisha ëndërruar që të jetoja në Francë. Ishte një vend që nuk më thoshte gjë përpara se ta takoja apo që të shkruaja në gjuhë franceze… Ja pra, që shumë gjëra që duket se unë i kam bërë më kanë ardhur, më janë ofruar, më janë dhënë në jetë…
Ju përmendët emigrimin, sa e vështirë ishte për ju ikja? Shumë e vështirë. Isha 21 vjeçe kur e lashë Shqipërinë, por edhe sikur të jesh në një tjetër moshë, qoftë më madhore apo të re, kur e di që askush nuk të pret aty ku do të vesh, është shumë e vështirë. Shqiptarët e dinë këtë gjë, e kanë provuar mbi kurriz. Është e vështirë, sepse duhet të fillosh gjithçka nga e para dhe të duhet të gjesh mundësitë të konstruktosh ato që nuk ke në një vend të huaj. Për t’iu rikthyer Marksit dhe Engelsit që kemi bërë në mësimet e materializmit dialektik: në një vend të huaj, si një emigrante, më mungonte baza, që është një shtëpi, një çati për të futur kokën dhe buka.
Ndërsa arti ishte superstruktura. Pa art mund të jetohej, por pa bazë jo. Mua m’u desh të zgjidhja problemin e parë, bazën, dhe të rigjeja ëndrrën time që edhe mund ta kisha humbur në këtë luftë për ekzistencë jashtë vendit.
Çfarë bëtë kur shkuat në Itali, ku u mbështetët? Pata fatin që pata atje një vajze tezeje, që ndodhej në një kolegj universitar në Romë dhe sot është docente në Universitetin La Sapienza, ku ndenja 15 ditë me nënën time, derisa arrita të gjej një punë për të mbijetuar. Kjo ishte rruga e mundshme për ne. Pastaj vendosa të bëj Akademinë e Arteve të Bukura në Milano, çka është e vështirë, pasi është një akademi, ku përgjithësisht shkojnë fëmijët e familjeve të kamura dhe mua për të vazhduar atë shkollë, më është dashur të punoj. Fatmirësisht arrita t’i mbuloj shpenzimet e mia.
Sa e vështirë ishte diktatura për një femër të bukur dhe me “njollë në biografi”? Ka qenë shumë e vështirë, sidomos për nënën time, sepse ne kishim një baba të dënuar politik dhe automatikisht ishim edhe ne të dënuar. Njerëzit na largoheshin, kushërinjtë nuk na flisnin rrugës.. Ekzistonte edhe një mister rreth nënës sime. Një grua e bukur, pa burrë, çfarë bënte?! Ishte një opinion tepër i lig, hipokrit. Dhe këtë e dinë të gjithë… Nuk jam vetëm unë që e them. Duart e burrave që zgjateshin, që i gjeje kudo… dhe të nesërmen, kur ishin me gratë e tyre në bulevard, hiqeshin si burrat më të ndershëm të botës. Një hipokrizi e padurueshme dhe e jashtëzakonshme. Por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por atëherë ishte më e theksuar. Natyra njerëzore është gjithkund pak a shumë njësoj, por në ato kushte ishte shumë më barbare dhe e vështirë për t’u jetuar.
Ju ishit fare e vogël kur babai juaj u burgos apo jo? – Isha vetëm 7 vjeç kur u burgos për agjitacion e propagandë. Mbeta vetëm me nënën time, që u sëmur nga ky fakt. Vuante nga mania e persekutimit, nga tmerri që do ta burgosnin dhe atë. Unë nuk pata të drejtë të vazhdoja Liceun Artistik. Isha disi e përjashtuar në shoqëri. Pra, ka qenë një fëmijëri dhe një adoleshencë shumë e dhimbshme.
Ndaj preferoni të shkruani në gjuhë të huaj? – Po, prandaj për të shkruar kam nevojë për një gjuhë të huaj, sepse një gjuhë e huaj nuk e mbart fëmijërinë time. Kur shkruaj në frëngjisht apo italisht ka një distancë shumë të shëndetshme, që më nevojitet. Nëse do të shkruaja në shqip, do të më zgjoheshin kujtimet, do të më gëlltisnin, do të më hanin të tërën. Ndërsa në një gjuhë tjetër është më e mundshme, duke krijuar një distancë kulturore, që më ndihmon në procesin e krijimit për të qenë më e qetë.
Nuk e kishit parë ndonjëherë veten shkrimtare? – Asnjëherë.
Ju erdhi? – Absolutisht. Ndaj thashë që jeta të befason. Dëshira ime, që në moshën 6 vjeçe, ishte piktura. Si çdo njeri që është në fushën e artit, edhe unë ëndërroja të isha një piktore e jashtëzakonshme. Por ja që jeta më befasoi me shkrimin dhe i dhashë më shumë kohë sesa pikturës. Asnjëherë nuk kisha ëndërruar të isha shkrimtare. Kjo është diçka që më ka tejkaluar.
Po letërsia ju bëri më të njohur ndërkombëtarisht se piktura? – Është e vërtetë, më bënë më të njohur që me librin e parë. Ishte një surprizë edhe për mua, sepse nuk e prisja. Këtë libër e nisa në formë loje, në një moment hezitimi me artin kontemporan. Një ditë u ula të shkruaja, pa e ditur se ku do të më dërgonte kjo. Deri në ç’pikë vendosim vetë në jetë, nuk e dimë. Del në rrugë dhe të shtyp një makinë. Ti nuk vendos për këtë. Është një shembull banal për treguar që ne besojmë se i kemi gjërat në dorë, por në të vërtetë jeta na tejkalon, siç më tejkaloi mua me shkrimin. Dhe ndoshta për 15 vjet u mora vetëm me shkrim dhe pikturën e lashë mënjanë. Tani i rikthehem sërish pikturës, sepse mbetet një nga dashuritë e mia më të mëdha. Por e vërtetë është që shkrimi më mori një pjesë të mirë të jetës..
Krijimi është një proces shumë personal dhe subjektiv, të paktën në telajo ju bëni personazh edhe veten… Pse kaq e trishtë? – Ndoshta mund të jem pak melankolike. Jeta nuk është aq e qetë dhe aq pa dallgë. Nuk kam pasur një jetë “fushë më lule”, të shtruar e të qetë dhe nëse hedhim një sy në art, nuk di kush ka bërë art gazmor. Kur mendoj Edvart Munch, Edward Hopper, veprat e të cilëve krijojnë pezulli, një melankoli njerëzore, të një jete që shpesh herë e kemi të vështirë të qëndrojmë në këmbë… Shpeshherë na mund.. sigurisht që ka edhe momente gëzimi dhe është mrekulli që është kështu, por ndoshta kam një nuancë melankolie, të cilën e “marr përsipër”. Një prej filozofëve që dua më shumë, Soren Kierkegard, thotë: “Melankoli, ti je kështjella ime më e bukur!”. Për mua melankolia ka një formë bukurie. Nuk është se e kërkoj, më vjen. Unë e përjetoj shumë edhe lumturinë, me të qeshura të hareshme.. E lë jetën të më marrë, si të dojë..
Në tonalitete ngjyrash, në kompozim ndihet një lloj ftohtësie, vetmie… e vuani vetminë? – Unë kam nevojë për vetminë sepse jam gjithnjë në proces pune. Kam nevojë për vetminë sepse unë kam shumë dëshirë të lexoj dhe përmes leximit takoj shpirtra të tjerë, kështu që nuk mund të them se e vuaj vetminë. Ka momente që takoj njerëz, kam nevojë për tjetrin, sepse nuk jemi vetëm qenie biologjike, por jemi edhe qenie sociale, por vetmia nuk më shqetëson dhe dekurajon. Por edhe dimensioni njerëzor është i tillë. Lindim vetëm dhe vdesim vetëm. Jemi vetëm të mbyllur në këtë trup, flasim me tjetrin, kemi komunikim me tjetrin, por dimensioni i vetmisë përbën atë çka jemi ne, si njerëz. Jemi të mbyllur në trupin tonë, nuk mund të dalim e të futemi në një trup tjetër. Vetmia është po aq e rëndësishme sa është edhe komunikimi me tjetrin.
Cikli fotografik që ju paraqisni është më shumë një lloj hulumtimi në natyrën femërore sesa fotografi thjesht erotike, çfarë gjetët ju personalisht gjatë këtij kërkimi? – Nuk janë foto erotike. Unë kisha dëshirë të bëja një udhëtim rreth trupit të gruas, në mënyrë ekzistenciale, në kuptimin që, nuk kemi pasur shans ta zgjidhnim këtë trup, na është dhënë. Asnjeri nuk e di se si do të jetë: i gjatë, i shkurtër, me sy bojëqielli etj. Pra, çudia që jemi në këtë trup dhe pranimi i këtij trupi në faza të ndryshme të jetës dhe që jemi të detyruar ta pranojmë, nëse duam të jetojmë. Meqenëse gruaja, sidomos nga gjinia mashkullore, është parë nëpër veprat e artit si një objekt erotik, unë dëshiroja të vija në dukje ekzistencën në këtë trup, që është diçka e çuditshme.
Ju u paraqitët me krijimtarinë tuaj në artet pamore, kur do të vini edhe me letërsi? – Bëmë një provë me një libër, nga përkthimi i të cilit mbeta e pakënaqur. Po mundohemi të gjejmë një përkthyese, që të më pëlqejë në nivelin e përkthimit dhe të ndjeshmërisë dhe jam dakord dhe me shumë dëshirë që librat e mi të jenë të përkthyer në gjuhën shqipe. Por tentativa që bëmë ishte e dështuar. Ndoshta sepse unë vetë e njoh gjuhën shqipe dhe përkthimi nuk më preku, e gjeja me shumë parazitizma, të cilat më shqetësonin. Jam shumë e ndjeshme karshi gjuhës, sepse unë punoj me to, ndaj jemi duke kërkuar për të gjetur një përkthyes që të më bindë.
Me pak fjalë, i keni humbur shpresat se Edi Rama mund të përkthejë veprat tuaja në shqip? – Shpresa është e fundit që vdes, ndoshta pas këtij mandati, kur të jetë me pushime, mund ta bëjë.
Ç’raport keni ruajtur me ish-pedagogun tuaj? – Kam një raport shumë të mirë me të. Kam një raport respekti njerëzor, por edhe për punën e njëri-tjetrit.
Ka marrë dhenë tashmë deklarata juaj se ishit e “dashuruar platonike” me Ramën?! – E kush nuk ishte?! Më thoni kush nuk ishte i dashuruar pas tij atëherë?! Ishte një mrekulli e vërtetë. Edhe kur ishte në Paris, francezët ishin të dashuruar me Ramën. Sa hapte gojën dhe fliste, magjepste. Në një farë feje edhe Shqipëria është e dashuruar me të, në të kundërt nuk do ta kishin zgjedhur as kryetar bashkie, as Kryeministër. Edhe shqiptarët vetë e kanë “pësuar” sharmin dhe kualitetet e Edi Ramës. Ky është fakt!
Si ishin vitet e Akademisë me një pedagog si Rama dhe pak më larg se modeli i “teritalit” që impononte socializmi? – Është një akademi që më ka dhënë tej mase shumë. Edi ka qenë një profesor i jashtëzakonshëm, me një kulturë të jashtëzakonshme, por jo vetëm për mua, por për të gjithë studentët e tjerë. Ishte revolucionar për kohën, sepse ishte shumë e vështirë të kaloje përtej limiteve të censurës së realizimit socialist. Dhe jam shumë e kënaqur që më ka konstruktuar kjo akademi dhe bëj diferencën me akademinë italiane, në të cilën, sinqerisht nuk mësova asgjë. Dhe mendoni që është një nga akademitë më të famshme në botë. Dola dhe hyra dhe e konsideroj një humbje kohe. Këtu mësova si vizatohet, si pikturohet, si kompozohet. Çuditërisht Instituti i Arteve, siç quhej atëherë, më vlejti, në krahasim me Brerën ku bëhet art bashkëkohor, performancë, instalacion dhe secili ishte i lirë, por nuk më dha asnjë mjet që unë mund ta përdorja. Shqipëria më ka dhënë shumë. Francës dhe Italisë i kam huazuar gjuhët, është tjetër proces, por unë nuk mund të mohoj që Instituti i Arteve më dha plot njohje, të cilat sot e kësaj dite i përdor ende.
Por ndoshta izolimi ishte edhe nxitje… – Ishte nxitje sepse nuk ishin këto dëfrime që janë sot, nuk ishte ky kapitalizëm i shfrenuar që është vendosur në Shqipëri dhe njerëzit janë sulur të kenë vila e mercedezë. Atëherë ishin të kthyer drejt librave, drejt artit sepse kjo ana tjetër ishte e pamundur. Doje apo nuk doje, nxitjen e kërkonim në këto procese, që për mua janë më të rëndësishmet, sepse për mua politika e vërtetë është arti dhe edukimi i njeriut. Është kjo që e ndërton dhe e ndërron një shoqëri, duke e bërë më të mirë. Siç ka ndodhur në epoka të mëdha të historisë si Rilindja, ku është arti dhe kultura që e çojnë përpara një vend dhe jo vilat, “mercedez benzët” apo “rolexet”.
Si shihet Shqipëria jashtë? – Njihet ende shumë pak. Italia na njeh disi, por Franca na njeh shumë pak dhe keq. Shqipëria ende nuk njihet mirë dhe thellë.
Po një shqiptare në Paris, si ndihet? – Ndihem mirë sepse Parisi është një vend multinacional. Jetojnë shumë të huaj dhe për një shqiptare nuk përbën asnjë problem.
Do riktheheni në Tiranë? – Sa herë që të më ftojnë, do vij me dëshirë.
Ju vjen keq kur në Shqipëri ju përmendin si “Ornela, motra e Laurës”? – Nuk më duket çudi. Çdo njeri është i lirë të shprehet si të dojë, nuk kam asnjë problem. Përpos që nuk i kam lexuar këto komente, duke qenë se jetoj jashtë.
Keni ndonjë vokacion politik? – Politika ime është edukimi dhe kultura, kaq.
.
Marrë nga http://www.panorama.com.al/rrefimi-i-ornela-vorpsit-si-jetonte-nje-grua-e-bukur-ne-diktature-pse-u-dashurova-me-ramen/
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.