
Rrëfimi i një vrasësi
nga Bedri Blloshmi
Në kërkim të eshtrave të dy të pushkatuarve Xhevit e Irfan Muço
Personat që përmendëm më lart u akuzuan siç e pamë se kanë takuar të arratisurit Bardho Leka e Petro Tonilla. Bardho Leka ishte babai i poetit, studiuesit dhe mësuesit Genc Leka, i pushkatuar më 17 korrik 1977, në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”. Bashkëshortja e Bardho Lekës ishte motra e Xhavit Muços (Gjiska).
Në këtë grup të sajuar u pushkatuan dy, Irfan Muço dhe Xhavit Muço, ndërsa Hysni Palla u dënua me 25 vjet heqie lirie dhe në vitin 1982, aty nga muaji Maj Hysniu sëmuret në Kampin e Spaçit ku vuante dënimin dhe ndërron jetë.
Sipas informacioneve të mbledhura bëhej fjalë si vend pushkatimi ishte lumi i Tërhanit, në hyrje të Pogradecit. Po ashtu të tjera informacione të çojnë në një tjetër vend pushkatimi të quajtur “Luadhet e Çelos”.
Jemi interesuar gjatë rreth kësaj ndodhije kriminale, kemi gërmuar, por pa rezultat. Ata janë pa varr edhe sot.
Me kërkimet që bëra në dokumenta, por duke pyetur për personat përgjegjës dhe vendndodhjen aktuale të tyre, gjeta më në fund prokurorin e atij viti të zi, që kishte dënuar këtë “grup” në Pogradec. Shiste cigare pranë komisariatit të Pogradecit. Në një rrugicë, pranë një tezge prej dërrase, i ulur në një stol prej druri, mu duk një shkurtabiq biçimsëz me fytyrë të vrarëlije e rrudha rrudha, në kokë mbante të ngjeshur vesh me vesh një kapele të ronitur. Kjo fytyrë gati e nxirë, rrojtur vende-vende, m’u duk ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë akoma qëndrim kapadaiu. Ngjante si i friksuar, shikonte sa majtas djathtas pa pushim. Ia ngula sytë për ta studiuar si tip. Me vështirsi e ngrinte kokën, dhe fliste pa e shikuar në sy këdo që i fliste.
Ndërkohë, para meje ecte një burrë me trup mesatar, edhe ky me kapele të ngjeshur vesh më vesh, i kërrusur dhe me kapotë ushtarake.
Sapo u afrua tek tezga ku ishte ulur personi që përshkrova, i çirret: “Pse u vonove? Kam më shumë se dy orë vetëm, shqeva sytë duke parë nga rrugica, por ti nuk dukeshe”. “Hajde ulu, ulu” i thotë ai dhe i zgjati një cope dërrasë që e mbante midis këmbëve. I ardhuri po ulej me shumë vështirsi dukë rënkuar. “Mos rënko ja priti tjetri. Kemi shumë gjynahe për të larë, por jemi mirë sa kemi këmbë e dorë!”. Asnjeri s’e kishte mendjen tek kalimtarët që mund t’i dëgjonin, por unë u afrohem dhe i ndërpres duke u thënë:
-Mirserrini, sa janë këto cigare? – e pyes dhe marr në dorë një paketë Slims, – 800 lekë të vjetra. – ma ktheu ai duke bërë një lëvizje të lehte të kokës për të parë tinëz se kush po ia blinte cigaret. M’u kujtua menjëhere një personazh i Hygo-it tek romani “Të mjerët”, inspektori i policisë, Zhaveri, që ishte i vendosur tërë jetën për të kapur të arratisurin nga burgu Zhan Valzhanin. Ishte veshur si lypës, kishte dalë në rrugë dhe kërkonte gjoja lëmoshë. Kur Zhan Valzhani i dha një kacidhe këtij “lypsi”, ai ngriti kokën për ta parë kush ishte. Po ku ay e ku ky… Ky stërc i keq, mbante një palë syze me një xham të thyer. Çudi, qenka katandisur keq mendova. Sapo më pa që s’isha vendali, u ngrit në këmbë gjithë servilizëm, por prap duke mos më parë në sy. Hapa paketën ndeza një cigare ia shtriva:
-Ndize, – i them.
-Faleminderit, do ta marr megjithse kam vite që e kam lënë. Nga të kemi or zotëri, -më thotë – sipas veshjes do jesh ndonjë zyrtar.
-Pse mendon se mund të jem zyrtar?
-E them se dhe unë në një kohë kështu rrija veshur, shumë rrallë vendosja dy herë një kollare, pa le kostumet… Ishim shumë mirë në atë kohë.
-Ç’punë ke bërë? – i them. Mbasi psherëtiu fërkoi mjekrën me dorën që i dridhej lehtë dhe tha:
-Ikën ato kohëra, tani erdhën kohëra të tjera more zotëri. Unë kam punuar prokuror i rrethit të Pogradecit shumë vite dhe tani vjen puna dal në këtë rrugicë të errët, të shes ndonjë cigare të hamë një kafshatë bukë. Po ju ku punoni, sipas pamjes, do jeshë atje lart, në Tiranë?
-Po, po – i them – punoj në Ministrinë e Brendëshme, kishim një punë këtu në Pogradec dhe dolëm për këtej nga juve. A jeni ish-prokurori Jovani – e pyes.
-Po – m’u përgjigj gjithë servilizëm.
-Do të flasim këtu apo do të shkojmë në një zyrë në komisariat? Kam një punë me ju.
-Si të urdhëroni juve zotëri, unë çfarë të di do t’i them megjithëse problemin s’e di, po pres të ma thoni edhe këtu ku jemi, unë mendoj se jemi mire, këtë shokun po e përzemë dhe flasim vetëm për vetëm, po qe se ka lidhje me profesionin që kam pasur.
-Po – i them, me atë ka lidhje.
-Ik, – i tha shokut të vet – hajde ngriu se kam punë me këtë të ministrisë. Me shumë përtesë ai u ngrit i mbështetur në bastunin prej dru thane e duke rënkuar u largua andej nga kish ardhur.
-Kam informacione në lidhje me juve, kërkoj të flasim sinqerisht. Dëgjo, në vitin 1966, kush ka qenë prokuror këtu në Pogradec, ju apo ndonjë tjetër?
-Po, – më thotë – këtu kam qenë unë prokuror.
-A kishte raste të vinin nga Prokuroria e Korçës kur zhvillohej ndonjë gjyq shëmbullor siç i quanit ju për të bërë bujë.
-Jo, – më thotë – këtu kam qenë vetëm unë.
-A ju kujtohet një gjyq, i cili është bërë me dyer të mbyllura dhe nga 5 të arrestuarit dy u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan?
-Po, po. Un mbaj mend disa raste pushkatimi, mos e ke fjalën për atë grupin e “Çezmës së Madhe” që donin të arratiseshin, madje kishin takuar dhe “diversantë” të ardhur nga Jugosllavia?
-Po, – i them un – pikërisht për ata bëhet fjalë. Ishin nga fshati Çezmë e Madhe e Mokrës, kanë qenë grup i rrezikshëm, armiq të betuar, gjyqi ka bërë shumë bujë kështu më kanë thënë disa nga kjo krahinë, a të kujtohet? Mos e ke fjalën për Irfan Muçon dhe Xhevit Muçon që janë pushkatuar?
-Po, po – ja kthej – I ke rënë tamam; për këta interesohem. Mua më ka dërguar Ministri i Brendshëm për të zbuluar vendin e groposjes se ka fjalë që janë nxjerrë jashtë me shërbim dhe nuk janë ekzekutuar. Ju si mendoni është e vërtetë?
-Për sa thua se janë nxjerrë jashtë, kjo nuk është e vërtetë, unë kam marrë pjesë në ekzekutim. Ata të dy janë pushkatuar tek një vend që quhet “Luadhet e Çelos” andej nga Zagorçani. Unë kam qenë atë natë atje që i pushkatuam.
-Kam dhe një informacion tjetër, – i them, – Tek lumi i Tërhanit, ka pasur dy vendpushkatime apo më shumë?
-Jo jo, Xheviti me Irfanin janë atje ku të thashë, e mbaj mend shumë mirë. Ata ishin burra jo llafe, mua rrallë më ka qëlluar të pushkatoj njerëz si ata, por ata të dy ishin të veçantë.
-Pse thua rrallë? Unë e di se në çdo 6 muaj apo një vit duhej të bëhej ndonjë pushkatim ose të krijoje ndonjë grup për të mbajtur popullin nën presion.
-Grupe krijonim me urdhër nga Ministria e Brendëshme, për të pushkatuar i caktonin ata, neve u jepnim mendimin tonë dhe ministria nuk na kundërshtonte.
-Kur i ekzekutuat, cila ishte fjala e tyre e fundit, mban mend gjë?
-Po po, e mbaj mend. Ata ishin të vendosur: e urrenin sistemin komunist.
-Po sytë a jua lidhët? – e pyes unë.
-Jo, nuk pranonin t’ua lidhnim sytë.
-I vratë pas shpine apo ballë për ballë?
-Ballë për ballë… nuk pranuan as të kthenin kurizin.
-Ka pasur shumë armiq rrethi i Pogradecit, apo jo?
-Po po, kanë pasur shumë lidhje këta të Çezmës me disa armiq të rrezikshëm nga Bërzeshta e Librazhdit. Dhe ata kanë të pushkatuar shumë, kanë qenë nëpër burgje, internime, kishin njerëz të arratisur në Amerikë. Në fshatin Dunicë njëri nga fisi i Blloshmëve bëri një masakër, vrau mbi 35 burra, se një javë më parë ishin vrarë 5 Blloshmaj e shumë të tjerë. Unë nuk e di nga jeni juve dhe a keni dëgjuar për këto.
-Jo jo nuk di për këto që më the, unë nuk jam nga këto anë.
-Kam dëgjuar për një grup të rrezikshëm që u kap këtu në një fshat të Librazhdit, më thotë prokurori, ata u pushkatuan dy apo tre burra, dhe ata ishin armiq të rrezikshëm. Kam lexuar një relacion të Ministrisë së Brendëshme për atë grup. Edhe ata kanë pasur lidhje, janë të tyret me ata Blloshmajt e burgosur.
-E kemi pasur partinë e fortë i them prokurorit, i zbulonte grupet armiqsore,
-Po, po ma ktheu prokurori, por më shumë sajoheshin grupe sipas situatës nuk janë të gjitha të vërteta.
-Pse, mendon se kishte dhe sajime? Partia nuk bënte gjëra të tilla, – e pyes unë.
-Kishte sa të duash se popullin vetëm frika e mbante.
-Mirë, – i them, – çfarë do bëjmë, do shkojmë tek vendi i pushkatimit se muhabetet nuk mbarojnë kurrë. Më pas shtrohemi këmbëkryq dhe flasim.
-Ja më thotë t’i çoj në shtëpi këto pak gjëra që kam, dhe ikim por të lutem largoju pak më tutje se do thërras gruan, është mirë të mos të të shohë se do më pyesi ç’ishte ai burri me kostum, dhe pse u takuat.
Kështu e kanë gratë duan të dinë çdo gjë.
Ja hipëm makinës të cilën e ngiste një kushëriri im (Agimi). Prokurori gjatë rrugës nuk fliste, merrte frymë me vështirësi. Sapo mbërritëm tek një parcelë matanë fshatit Zagorçan e mbjellë me qershi dhe mollë i’u afruam një lugine, rrëzë një kodre të vogël.
-Këtu mbaje – tha prokurori.
Zbritëm. Ecëm pak në këmbë. Duke ndjekur prokurorin, i cili shikonte sa majtas djathtas, kthehesh mbrapa, ulte kokën dhe përpiqej të kujtonte mesa dukej ndonjë shenjë të palëvizëshme.
-Këtu janë bërë sistemime, sheshime, ja, – më thotë – i shikon ato kodrat e vogla? Duke zgjatur dorën përpara tha: Këtu ka qenë pyll i madh me lisa e ferra të mëdha, aty poshtë ka qenë një përrua,tani është mbushur me dhé, janë mbjellë pemë e nuk orientohem dot, por për të qenë këtu në këtë zonë është vendi i pushkatimit. Është vështirë shumë për t’i gjetur, duhet lëvizur shumë metro kub dhé.
Ikëm duke parë herë pas here atë vend ku ish derdhur plumb mbi njerëz patriotë, atë vend psherëtimash të vaditur me gjakun e Irfan Muços dhe Xhevit Muços e shumë të tjerëve. Mbi këtë gjak të derdhur ishin ngulur rrënjët e qershive dhe mollëve që lulëzonin çdo vit dhe zbukuronin kodrat e buta ku ndihen rënkime shpirtrash të pafajshëm.
Këtu i vjen fundi këtij rrëfimi të dhimbshëm për kufomat e zhdukura përjetësisht. Në ato anë nuk kam shkelur më e as do ta shkel atë vend kurrë, sepse nuk dua të ec mbi gjak e kufoma e të dëgjoj rënkime nga thellësia e tokës. Është e pamundur të gjënden. Janë qindra metro kub për të lëvizur pa ditur pikërisht se ku sipas fjalës së prokurorit.
Mirë pra, o Xhevit e Irfan e ju të tjerë, pushofshi në paqe. Mos na mbani mëri ne të gjallëve nga kalvari komunist që nuk e bëmë detyrën për ju të zhdukurit, për ju që e deshët vendin tuaj më shumë se çdo gjë tjetër. Këtu është bërë batërdia e askush nga shteti nuk interesohet të zbulojë ato krime.
Lamtumirë, kurrë nuk do t’ju harrojmë, edhe pse për juve nuk ka mbetur asnjë shenjë se ku jeni. Për ne mbeteni shqiptarët më të dashur, ju e shenjtëroni këtë vend me gjakun tuaj.
Pogradec, Prill 1993
Marrë nga Muri i Bedri Blloshmit, 8 Prill 2026