back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Romantizmi i zi” i Mitrush Kutelit Mitemat e novelës “E madhe është gjëma e mëkatit” – nga Leka Ndoja

Gazeta

Onufri
Onufri

“Romantizmi i zi” i Mitrush Kutelit

Mitemat e novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”

(Tat Tanushi i Bubutimës)

nga Leka Ndoja – cikli: “Krestomancia e letërsisë shqipe, 2”

Kuteli - E madhe eshte gjema e mekatit
Kuteli – E madhe eshte gjema e mekatit

Konteksti kur u shkrua vepra

Në vitin 1947, autori i sapodorëhequr nga detyra e Drejtorit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë – për shkak të mospranimit të vendimit mbi raportin e konvertimit të devizave midis dinarit jugosllav dhe lekut. Duke zgjedhur moralin mbi zbatimin e verbër të urdhërave të autoritetit të kohës – duke mos pranuar shkeljen e dinjitetit profesional – Kuteli iu kthye pasionit të tij. Gjatë kësaj periudhe i qe rikthyer veprimtarisë letrare të lënë përgjysëm në vitin 1944. Ai pati marrë ftesë nga Drejtori i Institutit të Shkencave M. N. për hartimin e Historisë së Letërsisë, periudha pas Pavarësisë, deri në vitin 1924. Njëkohësisht kishte ndërmarrë disa kërkime në fushën e mbledhjes së folklorit nga komuniteti shqiptar në koloninë e Rumanisë, dhe po hartonte një tekst për folklorin. Në këtë periudhë të shkurtër 3 muaj para arrestimit – në shkurt 1947, përfundoi veprën e tij më të njohur të periudhës së dytë të krijimtarisë, novelën apo ‘legjendën”: “E madhe është gjëma e mëkatit”
.

Struktura e rrëfimit

Nisur nga vetë titulli me subjekt biblik, novela ose “legjenda” siç e kostituon vetë autori zhanrin e kësaj proze: “E madhe është gjëma e mëkatit” trajton një mit me përmbajtje të shenjtë dhe fantastike duke e personalizuar atë. Kjo mitemë, e rebelimit ndaj Zotit, ka gjetur shprehje te përpunimi artistik deri në kohët moderne, duke iu shtuar detaje të ndryshme sipas kontekstit dhe gjuhës. Akti i ndëshkimit me përjetësi – duke e kthyer heroin në demon – ka të bëjë me procesin eklezial të rebelimit dhe kompesimit: shlyerjes/ refuzimit së mëkateve me pasojat përkatëse të kthimit të priftit në demon. Autori i lejon personazhit Tat Tanushi një vonesë fantastike prej 200 vitesh derisa të bëhej i denjë ndaj procesit të rrëfimit. Rrëfimi para përfaqësuesit të lartë të klerit te Kishes Lindore, Peshkopit të Apollonisë në kishën e Shën Naumit në Pogradec, i paraprin procesit të faljes së mëkatit nga Zoti. Peshkop Nikanori si bartës i etikës sociale të besimit te Zoti kostituon etikën e grupit social të besimtarëve ortodoksë të Kishës Lindore. Riti i rrëfimit dhe faljes pasohet me vdekjen e rikthimin e vlerave njerëzore dhe baritore deri në percelljen e dinjitetshme në botën e përtejme. Aty shpirtit të mëkatarit i rikthehen vlerat sipas konceptit të kanonit ortodoks të pastërstisë morale të besimtarit. Tashmë vlera e priftit Tat Tanushi mbasi shkeli tabunë me rebelimin ndaj detyrës së Zotit rikthehet në shpirtin e tij, dhe mallkimi mbi trupin e tij pushon së qenë. Mëkati universal shlyhet nga një kohë mitike e pacaktuar dhe vendoset në kohë reale. Autori kthehet në kohën reale të e cila kostituohet me procesin e varrimit nga peshkopi i Shën Naumit, person historik i përcjellë nga rrëfyesi i fundit i “legjendës” i regjistruar nga autori.

Dhimiter Pasko - Mitrush Kuteli ( 1907-1967)
Dhimiter Pasko – Mitrush Kuteli (1907-1967)

Gjuha ekleziale dhe demotike

Në këtë novelë mëkati përftohet nga receptuesi, përveç strukturës së mitit me mjetet e specializuara të gjuhës ekleziale. Termat sidomos për sa i përket Kishës Lindore të Shën Naumit janë të një shkalle autenticiteti. Gjuha demotike fetare ngrihet në sferën e teologjisë dhe metafizikës për të arritur në termat e blasfemisë ndaj Zotit. Ndërtimi i rrëfimit arrihet përmes mjetit narrativ të ëndrrës si funksion i njohur në përrallat e tregimet magjike për të përgatitur lexuesin me paralajmërime divine apo groteske. Siç e theksuam paralajmërimi kumtohet përmes mjetit ndihmës të endrrës shfaqur Priftit Tat Tanushi. Përsëritjet për të zgjuar kujtesën e receptuesit, bëjnë pjesë në lojën e autorit për të ruajtur formalisht zhanrin e “legjendës” që bashkohet me stilin e shkrimtarëve romantikë në përgjithësi.
Gjuha e përdorur dhe termat fetarë janë të njëtrajtshme me ato të zonës së Korçë-Pogradecit.
.

Subjekti

Akti i blasfemisë shfaqet në kishën e Bubutimës në Apolloni dhe konsiston në dashurinë e zjarrtë të gruas duke shkelur një tabu, atë të bindjes dhe dashurisë pa kushte ndaj Zotit.
Prifti i kishës Lindore Tat Tanushi i Bubutimës – nis rrëfimin me aventurën e tij në Tokën e Shenjtë të Galilesë ku si dishepull i Nikonorit – mbruhet nën mësimet e fesë për të marrë hirin e priftërisë. Gjatë shtegtimit në Palestinë në Galile njihet me Noamin një vajzë ebreje dhe lidh kurorë me të, në Izraelin e sotëm.
I dashuruar marrëzisht me ebrejen Noami martesa e detyron vajzën të konvertohet në fenë e krishterë duke marrë emrin e pagëzimit Kalije. Por konvertimi në fenë ebreje është mëkat dhe ky akt do ta ndjekë Kalijen si një tabu e thyer të besimit, element që do t’i sjellë ndryshimin e gjendjes së subjektit gjatë rrëfimit.
Pasi kalojën disa vite Kalija shfaq pendesë për lënien e fesë së dikurshme dhe aspekte të veçanta të saj shfaqen si mjete ndihmëse duke arritur pikën e thyerjes në adhurimin e Profetit Ilia duke bartur një version të ikonoklastisë. Ajo si kriptoebreje nuk pranon disa elemente të tëhuazimin si rifigurimi i Ikonës së Krishterë të figurës së Profetit Ilia, të idolatrisë së krishterë dhe pikturimin – zografisjen – e figurës, as nga i shoqi artist, Tat Tanushi. Mospranimi i ravijëzimit të Profetit Ilija – në nji shfaqje ikonoklaste hetohet elementi i parë i thyerjes së zhvillimit të dramës. Një fuqi e mbinatyrshme e detyron Kalijen, të mos pranojë ikonografinë e krishterë të zografisur nga Tat Tanushi duke e quajtur aktin e pikturimit të Profetit një blasfemë.
Kjo blasfemi ndikon në shfaqjen e sëmundjes së paralajmëruar të Kalijes derisa ajo vdes. Tat Tanushi kërkon ta ringjallë përmes pikturimit të ikonave shpikjen e procesioneve okulte dhe të magjisë së zezë deri në mendimin për ta zhvarrosur Kalijen nga adhurimi i pandalshëm. Këto veprime rimerren në shqyrtim nga Zoti dhe vendimi është anaksis – i padrejtë si prift dhe ndëshkohet me përjetësi duke u kthyer në demon.
.

Invariante të piktorit Onufër

Antroponimi i Tat Tanushit me karakteristika të piktorit mbase frymëzuan autorin të ketë qasje me Onufrin, që pikturonte figura shenjtësh por bazuar në modele të gjalla të fshatrave ku shkeli në Elbasan, Berat, Apolloni dhe sufraganitë e saj. Me shfaqjen e ëndrrës, si funksion i paralajmërimit hyjnor trupëzuar në Krishtin në formë vizuale gjithashtu me paraqitjen metonimike përmes fërfëllimave të engjëllit të rrëzuar nga Krishti, Satanit, Tat Tanushi vihet nën pushtetin e tij dhe i sunduar kësisoj dënohet me shprehjen ekleziale “Anaksos” – i padrejtë dhe masa e ndëshkimit është satanizmi – ndëshkimi me pavdekësi. Shoqërimi i kësaj vepre me veprat pikturike të Onufrit do të shohim si veprën e Tat Tanushit të rrethuar nga figurat e afreskeve të abstraguara gjatë konceptimit të shkrimit biblik. Atëhere personazhet e Kalijes dhe Tat Tanushit do të rrethohen me breroret e riprodhuara në germë të afreskeve të Onufrit, të Zografit, Selenicasit – në një lloj work, ku penelatat rrahin si krahët e shpeshëve ezoterikë, për të rijetuar kohën medioevale ku kumbiseshn kishat e mëdha mbi tragjeditë dhe dashuritë njerëzore.
.

“Magjia e zezë” dhe proselitizmi

Vetëm në kapitullin e tretë mbasi Peshkopi i Shën Naumit e merr në rrëfim – i rikthehet e drejta e vlerës njerëzore të vdekjes. Ai çlirohet nga sundimi i “mallkimit” dhe i çliruar del nga gjendja e “magjisë së zezë” mbasi kryen ritualin e libacionit të varrit të saj me verën e Kishës së Shën Naumit ofruar nga Peshkopi i Shën Naumit. Kështu funksioni i libacionit të varrit të Kalijes, fsheh nga autori shkakun e vërtetë të ndëshkimit të Zotit.
Rikthimi i vlerës vjen pikërisht mbas këtij akti dhe Tat Tanushit i rikthehet kujtesa e pushtuar nga demoni për 200 vite përmes procedurës së spërkatjes me verën e bekuar të kishës së Shën Naumit, pasuar nga paqja e vdekjes si vlerë njerëzore dhe universale.
.

Epilogu

Pikërisht me figurën e elipsës Kuteli rikthen personazhin në oborrin e kishës ku sherbeu 200 vite të shkuara, duke e përmbyllur me këtë epilog mitemën e dashurisë mbihyjnore – satanike të Kalijes.
Tanushin e pranon Krishti, në vendin ku prehen të falurit në Parajsë bashkë me dinjitarët e tjerë të Kishës Lindore.
Autori me simbolikën e dashurisë së Tat Tanushit dhe Kalijes iu kundërvu realitetit me moralin e rebelimit romantik – pa marrë parasysh pasojat deri demonike ndaj fuqisë së autoritetit – të çdo autoriteti qoftë. Tat Tanushi vjen si negacion i rrymës letrare të detyrueshme. Kuteli kostituoi vepren celes fiction – siç do të vërtetohej mbas kësaj. Themelues i rrymes se “romantizmit të zi” në “historinë e letërsisë gjenuine shqipe”.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.