
Roli real i Ergys Agasit në pushtet
nga Naim Noka
Në praktikë, Shqipëria ka pasur për vite me radhë dy zv/kryeministra: një de jure dhe një de facto. Krahas Belinda Balluku, e emëruar zyrtarisht në post, funksiononte në prapaskenë Ergys Agasi, i cili ushtronte një pushtet informal, por vendimtar.
Sipas të dhënave që po dalin nga SPAK dhe burimeve politike, Agasi kishte dorë të lirë në disa prej sektorëve më të ndjeshëm dhe më fitimprurës të shtetit:
-Hipotekat dhe regjistrimi i pasurive,
-Lejet për resorte turistike dhe zhvillime strategjike,
-Porti i Durrësit, projekti më i madh gjeoekonomik i dekadës,
-AKSHI, nyja kryesore e fondeve digjitale dhe tenderëve IT,
-Policia e Shtetit, ku ndikimi i tij shfaqet sot në mënyrë të drejtpërdrejtë në dosjet hetimore.
Ky rol paralel e vendoste Agasin jo thjesht si një “ndërmjetës” apo figurë periferike, por si koordinator real i pushtetit dhe bandave, por me akses transversal mbi institucione civile, ekonomike dhe të rendit. Ndërkohë, Belinda Balluku mbante peshën formale dhe ekspozimin publik sipas direksioneve të Ramës; Agasi menaxhonte prapaskenën, presionet, emërimet dhe ekuilibrat e padukshëm.
Kjo skemë pushteti me dy nivele drejtimi një institucional dhe një informal shpjegon edhe arrogancën e dokumentuar në përgjimet e SPAK, ku Agasi flet për ministra, ish-ministra dhe drejtues institucionesh si vartës të tij. Vetëbesimi i tij nuk buronte nga funksioni zyrtar, por nga mbrojtja politike në majë të piramidës.
Sot, ndërsa dosjet penale po hapen njëra pas tjetrës, figura e Ergys Agasit po shfaqet si prova më e qartë se si pushteti real në Shqipëri nuk ka kaluar gjithmonë përmes dekreteve dhe vendimeve të qeverisë, por përmes një zv/kryeministri në hije, që vepronte jashtë çdo mandati, por brenda çdo vendimmarrjeje.