back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 6 Shkurt, 2026

Rini Monajka – Nji meteor i idealizmit në qiellin e vrantë të Shqipnís nga Ardian Ndreca

Gazeta

Ardian Ndreca 2014
Ardian Ndreca 2014
Rini Monajka – Nji meteor i idealizmit në qiellin e vrantë të Shqipnís
nga Ardian Ndreca, Prof. Pontificia Universitas Urbaniana (Roma)
Rini Monajka (11 qershor 1953 – 1 maj 1997)

Nuk e pashë mâ kurrë mbas asaj nate të egërsueme të janarit 1990, kur në Shkodër kishin zbarkue me qindra gjudhij të regjimit të Tiranës, t’cilët si hienat hijshin nëpër shtëpija tue rrëmbue njerëz, tue i rrahë e tue i torturue aq sa edhe vetë Gestapoja do t’ia kishte pasë lakmí. Rinit i tokoi fati mâ i zi ndër të gjithë të tjerët, u torturue mâ egërsisht, ndaj tij u ndërsyen mâ pa mëshirë kriminelat e Ministrisë së turpit kombtar.
Rini Monajka ka lé me 11 qershor të vjetit 1953 në shtëpinë e Zef Dukagjinit – Monajkës (1919-1984). I jati, djalë i nji oficeri austriak dhe i nji vajze shqiptare, intelektual i mirëfilltë, studiues i censhëm i etnologjisë dhe historisë sonë, kritik e përkthyes letrar i pajisun me nji ndjeshmëní estetike të veçantë, mbas ardhjes në pushtet të komunistave jetoi gati në hije, tue u bâ i padukshëm, por tue mbetë kah pikëpamja morale i tejdukshëm e i panjollë. Ishte penda e tij ajo qi prej faqeve të nji së përkohshmes shqiptare, në vitet ’40, akuzoi publikisht Lasgush Poradecin si plagjiator të Goethe-s, tue tregue me fakte qi disa poezí të Lasgushit ishin thjesht përkthime të vargjeve të Goethe-s. Lasgushi u mbrojt tue thanë se e kishte bâ këtë gja për me pa nëse kishte ndonji njerí në Shqipní qi e njihte aq mirë Goethe-n, e kështu kishte dalë nji intelektual shkodran qi i kishte ra në tê hiles (Çka duhet me mendue për ketë gja? Asht e vështirë me shtue tjetër, por nuk âsht e vetmja rasë qi Lasgushi âsht frymzue në nji mënyrë të çuditshme prej shkrimeve të tjerëve. Në fakt, siç shkruejnë kritikët e tij, ai ka lanë nji poemë me subjekt oriental me titull “Kamadeva”. Edhe M. Eminescu ka shkrue nji të tillë me subjekt indian, kozmogonik e dashunor, vargje të cilat, simbas kritikut Titu Maiorescu, u botuene s’parit në t’përkohshmen “Convorbiri literare” (1 korrik 1887). Nji rastisje? Kjo gjà i tokon kritikëve letrarë me e zhbirilue si duhet).
Janë endè sot të mrekullueshme përkthimet prej letërsisë botnore të bâme prej Zef Dukagjinit e të botueme te Tomori, te Balli i Rinisë e ndër të përkohshme tjera të atyne vjete. Kurse vepra e tij kryesore “Historia e Skënderbeut”, e përfundueme në vjetin 1967, me rasen e 500 vjetorit të Heroit tonë Kombtar, u zhduk ndër zyrat e Institutit të Historisë e pjesë e kapituj të saj u botuene mâ vonë prej nji pseudo-shkencatari, i cili u ruejt fort mos me e përmend emnin e atij qi ishte autori i vërtetë i atyne kërkimeve. Zefi përfundoi në vjetin 1979, nji vepër tjetër me randsí shkencore: “Etnografija e fshatnave tonë”, në të cilën shkriu vjet punet të palodhshme kërkimore. Kësaj periudhe i përket edhe punimi “Onomastika e Shqipnís”, kurse ndër përkthimet mâ të randësishme letrare bân pjesë edhe “Fouché”- ja i Sefan Zweig-ut.

Shkoder - 14 Janar 1990
Shkoder – 14 Janar 1990

* * *
Rini mbasi kreu shkollën e mesme, tue e pa se përpjekjet për me vazhdue si futbollist i talentuem i Vllaznisë nuk kishin sukses, tue qenë se pengohej për arsye politike, gjeti nji punë në ndërmarrjen e peshkimit në Shkodër tue u bâ teknik në rritjen e peshkut. Futbolli, atletika, çiklizmi ishin pasionet e tija, por mâ i madhi pasion ishte lirija, të cilën ai donte me e fitue me çdo kusht. Në këto kushte ai bashkë me nji grup shumë të vogël të rinjsh forcuen bindjet e tyne qi regjimi diktatorial enverist dhe lirija e zhvillimi i personit ishin të papajtueshëm. Planet e tyne ishin vetëm për me ikë prej Shqipnijet, dhe kjo gja nuk ishte e pamundun për ‘ta, por ishte e vështirë dhe e papranueshme për tê me lanë vetëm nanën plakë, e cila padyshim kishte me përfundue në internim, tue mbetë pa asnji lloj ndihmet e mbeshtetjet. Rini ka qenë nji prej atyne figura qi vendi dhe koha në të cilën jetojnë i detyron me e ndie veten të huej, edhe pse të gjithë e respektojshin në Shkodër atë djalë me paraqitje atletit, trupgjatë, serioz, të matun e të heshtun, të gatshëm me ndihmue shokët e me u sakrifikue për ‘ta.
Dhetori i 1989 e batarja qi hodhi përtokë diktatorin e Rumanisë zgjoi edhe ndërgjegjet e fjetuna të shumicës së shqiptarëve e bâni qi shpresat me u ringjallë. Ndërkohë në Tiranë polit-byronë filloi me e kap frika. R. Alia, me klikën e tij mendoi se mundet me rrejt edhe nji herë tanë shqiptarët tue i bâ me besue se demokrací do me thanë me i lejue katundarët me mbajt pula dhe dele e me shitë zarzavate në treg.
Në qytetin verior të Shqipnís, në fillim të janarit të 1990, u organizue në mënyrë të vetvetijshme nji grup punëtorësh, mâ së shumti me origjinë malsore, e tue hapë fjalën gojë më gojë filloi me u përgatit terreni për nji demonstratë e cila do t’kishte si qëllim rrëzimin me forcë të bustit të Stalinit, tue kërkue njikohësisht edhe dhânjen e lirive themelore. Rini ishte ndër organizatorët e asaj demonstratë dhe detyra e tij ishte me kontaktue ambasadorin e RF të Gjermanisë në Tiranë, për me e vu në dijeni për çka po gatitej në Shkodër dhe gjithashtu me gjetë personin qi do të mbante fjalimin përpara demonstruesve. Edhe pse plani u zbulue dhe arrestimet filluen qysh në mbramjen e datës 13 janar 1990, të nesëmen nadje rreth trimijë vetë protestuen në heshtje në pjacën e Shkodrës, tue bâ me u tërbue komunistat dhe spijunat e tyne. Ishte e para demonstratë qi zhvillohej në Shqipní mbas marrjes së pushtetit prej regjimit komunist, e në organizimin e saj pati nji peshë themelore djaloshi krenar e i papërkulun Rini Monajka.
Demonstrata ishte nji shprehje e urrejtjes së thellë qi populli ndiente ndaj regjimit komunist dhe njikohësisht ishte edhe pjesë e andrrës për liri dhe demokrací. Duhet thanë se nuk morën pjesë në atë demonstratë intelektualët dhe klerikët qi u ftuen, mbasi nuk besojshin te forca e popullit shkodran, nuk besojshin qi ata malsorë të vorfën të lagjeve periferike kishin me mujtë me bâ gja kundër regjimit 40 – e sa vjeçar në pushtet. Kuptohet, mbrapa, kur suksesi i demonstratës u pa dhe zâni i saj u përhap në mbarë vendin, ata qi patën frikë e ngurruen me dalë në pjacë, filluen me thanë se demonstratën e kishte organizue vetë R. Alia. Por na e dijmë qi dialektika e revolucioneve nuk parasheh qi nji diktator me rrëzue vetveten, e me pasë dashtë R. Alia me bâ nji “kthesë të butë”, kishte me pasë thirrë (siç bâni mbas nji vjeti) intelektualët e jo malsorët e thjeshtë e të pa shkollë e punëtorët e robnuem të shtetit të kalbun socialist.
Nisën arrestimet, rrahjet, bastisjet, kërcnimet dhe vrasjet në kufi. Për dhunën e atyne muejve nuk âsht shkrue endè e mbi të gjitha, përgjegjesit e asaj dhunë endè nuk janë dënue prej drejtësisë.
Ndër gjithë të arrestuemit u vu në shënjester Rini, i cili u torturue në mënyrë sistematike tue i shkaktue damtime të randa në krye, nji frakturë prej shtatë cm në kafkë. Presioni psikologjik, rrahjet e panderpreme bâne qi shendeti i tij të kompromentohej njiherë e përgjithmonë. Por ajo çka donte hetuesija e vetë pushteti komunist ishte qi kjo demonstratë të dukej si nji lëvizje vagabondash, e udhëhequn nga “elementë të dënuar dhe parazitë” – siç lexohet në akt-akuzë, të cilët, të penduem kërkojshin të falun për me vuejt kështu nji dënim mâ të kufizuem. Por, jo të gjithë të arrestuemit u dorëzuen para nji prove të tillë – e Rini qe nji prej të paktëve qi nuk mohoi aspak qëllimin antikomunist të asaj lëvizje. Guximi, krenarija, vetë paraqitja fizike e atij djaloshi 37 vjeçar shtyne veglat e regjimit të Alisë me e torturue në mënyrë shtazore. Asht qesharak e i paturpshëm pohimi i ish-ministrit të punëve të mbrendshme H. Isai, i cili deklaronte në 90 vjetorin e festës së policisë se i kishte porositë policët mos me godit në kokë personat, në nji kohë qi zâvendësi i tij direkt: Zylyftar Ramizi, rrihte personalisht të arrestuemit gjatë seancave hetimore. Nuk qe mâ i mirë fati i Rinit në Kaushen e Tiranës, në Qafë të Barit e në Burrel, ku presioni i gjithanshëm, izolimi dhe privimet e ndryshme nuk i u hoqën për asnji çasë.
Rini Monajka u akuzue në bazë të neneve 57 e 55/1+13 të Kodit Penal të RPSSH, për krijimin e nji organizate kundërrevolucionare me karakter antisocialist, për kryemjen e krimeve në bashkëpunim kundër shtetit dhe përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë.
Por, mbas nji vjeti komunizmi u rrëzue dhe kriminelat qi e rrahën barbarisht, ata qi e dënuen pa të drejtë, ata qi i dolën dëshmitarë të rremë, pra, ata qi i shkatërruen jetën u zhduken tue lanë vetëm nji gjurmë: nji njerí të damtuem shumë randë kah ana fizike. Rini u lirue prej burgut në vjetin 1991, tue mbetë përjetësisht i shrrêjtun prej jetës politike e shoqnore shqiptare, prej tjetërsimit të ndërgjegjes së atyne qi dojshin me ndërtue tue harrue ata qi u sakrifikuen. Kështu, vendosi me lanë Shqipnín tue ikë në Austrí, ku do të gjente nji jetë të vështirë edhe për shkak të traumave psikike qi torturat i kishin lanë. Rini Monajka mbylli sytë në Villach të Austrisë me 1 maj 1997, pa pasë afër askend dhe tue qenë i harruem prej gjithë atyne qi sakrifica e tij ndihmoi padyshim me fitue demokracinë dhe pushtetin.
Nji gja të vetme nuk mund të harroj kurrë, sytë e pathamë prej lotësh të së amës, sytë e asaj plake me pamje të përvujtë e të butë, me shikimin diafan prej lodhjeve të jetës, prej vorfnisë dinjitoze dhe prej vuejtjes qi burgimi i të birit i kishte shkaktue. E keqtrajtueme prej kontrolleve, prej fjalëve të këqija, prej kërcënimeve, e ama pritte nji lajm të mirë prej tij, nji lajm qi nuk mbërriti me e ndie kurrë sa ishte gjallë.
Sa herë qi shkoj në Shkodër dhe te vendi ku ndodhej busti i diktatorit gjeorgjian shoh statujen e Luigj Gurakuqit, mendoj qi për me bâ të mundun ketë ndryshim âsht lyp sakrifica jote, Rini, e miqtë e tu, miqtë e lirisë, nuk të harrojnë kurrë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.