
Rilindje Demokracie – Isha dhe unë te të parët –
nga Visar Zhiti
(Përsiatje e shpejtë,
që përsëritet çdo vit…)
“RD” – britmë lirie, mendim ndryshe i beftë, vizion, emocion i Shqipërisë, që vendosi të ndryshonte, – kështu po e shikonim dhe besuam aq sa dinim…
Do t’u riktheheshim vlerave, një lloj konservatorizmi shqiptar, të mësonim nga ai Perëndimor, Euro-Atlantik.
Nisi si furi kundër diktaturës, si denoncim i saj, si dënim i saj… me fjalën e lirë… dhe ata që bënë diktaturën, s’kishin rrugë tjetër, diktura le të binte, por ata jo, do të bënin gjithçka…
Ishte shembur Muri i Berlinit dhe po rrëzohej perandoria komuniste…
35 vjet më parë,
në 5 janar 1991
doli numri i parë
i gazetës së parë opozitare,
“Rilindja Demokratike”
që u lejua mbas një nate të gjatë diktature, gjysmë shekullore – më të egrës në Europë.
Ata që e deshën atë gazetë, shtoheshin gjithnjë e më shumë, u bë një popull që e priste, mbanin radhën për ta marrë, e shpërndanin, e ruanin…
Mblodhi ajo rreth vetes gazetarë të përzgjedhur, guximtarë, të caktuar, ëndërrimtarë, idealistë, të mashtruar dhe mashtues, bashkëpunëtorë, mjeshtra të shkrimit, poetë, të dënuar, ish të burgosur, karrieristë, nga Blloku, dështakë, përçarës, do të ishim bashkë, redaksi e demokracisë, e kaosit, e zhgënjimeve, do të pasuroheshin, do të varfëroheshin edhe më, do të vdisnin, do të martoheshin, do të bëheshin deputetë, ministra, diplomatë, do të përjashtoheshin, do të iknin, do të dezertonin, do të mërgonin, do të ndërronin kryeredaktor prapë, nga ata të dikurshmit, ish komunistë, do të dekoroheshin në festat e përvjetorëve të gazetës, shpesh ata që bënë më pak, kur gazeta s’do të shitej si dikur, kur do ta shanin rregullisht, etj, etj, por gjithsesi mbetet e para, gazeta e ndryshimit të madh.
Dhe po (ri)zbulonim Vitet ‘30 të shekullit të kaluar, atë pluralizëm mendimi e gazetarie të begatë, perëndimore si kurrë ndonjëherë.
Po ndryshimi me kë po bëhej tani? Me ata që bënë dhe diktaturën? Rëndësi ka ndryshimi, thoshim…
-Nuk po bëhemi ne si ata, – po thosha, – ata po bëhen si ne… demokratikë…!
…me mendim perëndimor, konservatorë të vlerave njerëzore e kombëtare, pronarë të shpronësuar dhe kapitalistë të rinj… me Yll Polar SHBA… dhe me ata që lanë Drapër-e-Çekanin…
Dhe ëndërronim të bënim një Shqipëri më të mirë… e të drejtave të njeriut dhe e tregut të lirë, e besimit dhe e mirëqenies… e hapur me botën e përparuar…
Ndërkaq kujtoj kur fillova punë si gazetar në “RD”, gazeta e parë opozitare, – ngazëllehesha dhe ndjeja detyrën si qytetar, si kundërshtar. Kisha dalë nga burgu e punoja si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnje, kisha refuzuar sërish me vendosmëri bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit dhe përndjekja vazhdonte, dukej sikur po mpakej, por po bëhej më e fshehtë, nisën të më flisnin dhe nga ata të njohur që s’më flisnin për arsye politike dhe ushtronin me zell luftën e tyre të klasave dhe, për çudi, po më ftoheshin ndoca nga ata që më donin ashtu, përherë të goditur, – dhe buzëqeshja trishtueshëm.
Në “RD” e nisa me poezi, ashtu e kisha lënë, për poezi më dënuan, botova që në fillimet “Dordolecët” – një ironi për sundimtarët, pastaj nxora shkrimin “Koha bën njerëz dhe njerëzit bëjnë kohë”, pa egërsi, pa hakmarrje, duke dëshmuar dhe akuzuar etj, etj.
Po shkëlqenin emra në gazetarinë e re shqiptare. Vërshoi mendim i ri qytetar, kultura, por edhe revanshi i Realizmit Socialist, i Socializmit Real në fakt. Po aq sa ishte kohë ndyshimesh, dukej dhe si kohë konvertimesh… nostalgjikësh të pandreqshëm… mashtrimesh…

Demokracia të zhgënjen, por nuk të gënjen, – lexova sociologë të huaj dhe mendoja: mos beso shumë, që të zhgënjehesh më pak, por bëj detyrën si qytetar… beso!
Kur po dënohej atëhere vejusha e diktatorit e unë isha gazetar, e shikoja si metaforë të diktaturës-vejushe, edhe pse po gjykohej si ordinere, jo se nuk ishin si të tillë, por ishin shtypësa, edhe kriminelë politikë, më shqetësonte dhe botova në dy faqe gazete në “RD” artikullin “Nexhmije Hoxha është dënuar me shekuj”. Nuk mund ta shmangnin, – më tha kryeredaktori. Diktatura-vejane…
Në kohën e krizës së gazetës “RD”dhe jo vetëm të saj, përgatisja faqet letrare, prap në opozitë, po kështu botoja çdo të diel nga një poezi në gazetën pranë, “TemA”, po mirëpriteshin, edhe në gazetën “55” botoja, etj, doja shtypin opozitar, por shpesh mbetesha pa punë nga ndërprerjet, nga prapaskenat e fshehtësira sigurimesh që s’mund t’i dija dhe që vazhdojnë, gjithsesi dhe unë vazhdova, isha mësuar, kisha shkruar fshehurazi dhe në burg…
Po, në burg, aty ishin të parët e vërtetë, ata që deshën një Shqipëri tjetër, të lirë, të begatë, të lidhur me Europën Perëndimore, me SHBA-në, ajo na kishte shpëtuar dhe nga ndarjet si komb dhe u ngritën në revolta brenda telave me gjemba, shpalosën Flamurin me shqiponjën dy krenore pa yll, ndoshta të vetmet revolta politike në burgjet e perandorisë komuniste. I ridënuan e i vranë… dënuan dhe burgun madje… Studentët e Dhjetorit me revoltat e tyre të vona do të vinin kurorën fitores demokratike – dhe do ta thosha dhe këtë në “RD”…
Do kështu do të vijoja të botoja më së shumti në të përditshmet shqiptare, që nga “Koha jonë” e “Sot” te “Liberale” e “Dita”, “Telegraf” e “Mapo” e “Shekulli” e “Fjala”, etj, te “Gazeta Shqiptare” e deri te “Panorama”, në të përjavshmen “Nacional”, te revista letrare “illz”, te gazeta më e re “ExLibris”, po dhe në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, në Mal të Zi, etj, në media në diasporë, në Itali, te arbëreshët, në Zvicër në “Voal”, te “Revista letrare”, në Rumani te “Albanica”, në Mbretërinë e Bashkuar te “Fjala e lirë”, në SHBA “Dielli” dhe “Illyria”, te revista e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë “Pena”, te “Peizazhet e fjalës” së mençur dhe të bukur… po dhe në shtypin e huaj po botoja, në Itali, SHBA… dhe libra, libra…
Sa i lirë ishte shtypi? Sa çshtypës e shtypës? Sa opozitar dhe çopozitar…? Sa shkatërrues e ndërtues media e gjithë, ajo televizive sidomos? Nuk e kam fjalën për ato media kulturore që kanë pronar shkrimtarët e tyre e na gjenden, por për ato gazeta social-politike të partive dhe mediat e oligarkëve? Sa informim japin dhe sa të vërteta sjellin, sa kulturë, kur informimi është i njëanshëm dhe të vërtetat seleksionohen, përdoren dhe shpërdoren, shtrembërohen, zhduken… Kur duket se përbashkuese është e keqja për të gjithë…
35 vjet “RD” – shyp opozitar dhe pozitar, nëse mund të themi. Ishim të tyret dhe ne e ata a ishin po aq dhe tanët? – kemi të drejtë të pyesim. Se është permanent pushteti që i duhet bërë ballë.
Rëndësi vërtet kishte ndryshimi, por si? Edhe kjo ka rëndësi po aq shumë… Ndryshim me të pandryshueshmit?!
Më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet, – thoshim se kishte thënë një diktator i kuq, Lenini, dhe unë botova atëhere në “RD”, që më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk ngrita një shtet. Po a ta jep kush atë gazetë? Duhet ta krijosh vetë, me guxim e sakrificë, së pari brenda vetes. Është liria e gjithsecilit. Me plot pengesa… Që mund të kishim bërë më shumë, por edhe më mirë…
Opozita është prap në rrugë… ndryshimi është bërë, i mirë, i keq, i pakuptueshëm, i rëndë, me bijtë, pa bijtë, mashtrimi po aq i madh sa ndryshimi… Shqipëria nuk është socialiste edhe pse me socialistë, Shqipëria është në NATO edhe pse me dashakeqët e kapitalizmit, por ka një Shqipëri të përhershme, me Skënderbe e Nënë Terezë, me Naim Frashër e At’ Gjergj Fishtë… një Shqipëri të ëndrrave rinore, që shkollohet në universitetet më të mira të botës… edhe opozitarizmi duhet t’i dojë e afrojë, bashkë gjithmonë kundër së keqes, bashkë gjithmonë dhe për përparimin.
Festë s’mund të ketë… kur diktaturë është dhe varfëria, edhe padija, ikjet nga atdheu, duhen misionarë, ringjallje të Konicës dhe Nolit, kur vazhdues të diktaturës janë dhe ata, padronazhistët, që i ndesh edhe në diasporë…
Opozita është pushteti moral i një vendi, kështu thoshim. Shprishja e saj është shprishje e moralit të pushtetit.. Që vjen dhe nga brenda, jo vetëm nga jashtë saj. Ashtu si liria edhe ajo së pari është e brendshme. Të ndërgjegjësohet edhe më dhe të bashkohet më shumë, opozita ka dhe të rënët e saj, gjak të pafajshëm, të derdhur, ka përvojë, të hapet dhe në lidership, të bashkojë përvojat dhe risitë, senatorët me të rinjtë, jo vetëm si lëvizje e në protesta, por si frymë dhe ideale, arritja të mos jetë tjetër nga nisja, por implementim më i mirë i saj, me synim atdheun dhe jo pushtetin, begatimin e jetës, me drejtësinë si pronë e përbashkët dhe pronën vetanake me drejtësi, prosperitetin e vendit, konservatorizmin e vlerave njerëzore dhe kombëtare, ato shekullore dhe modernet, tokësore dhe qiellore, me strategji e besim të lartë, të rifitojë popullin dhe aleatët e natyrshëm euroatlantikë të tij, vetveten së pari, me yll polar një Rilindje Demokracie të vërtetë, me shpirt…
Urim apo vizion?
Patriotizëm dhe mision… Vepra… vepra…
Visar Zhiti, 5 janar 2026