
Rilindja shpirtërore historikisht mungon në Shqipëri
nga Robert Martiko
Rilindja shpirtërore nuk është luks, por kusht themelor për të kuptuar dhe ndërtuar veten. Një kulturë që nuk guxon të rishikojë themelet e saj, sidomos nga institucionet qeverisëse, shtetërore, kulturore… mbetet e cekët, konfuze, e zhurmshme, e paplotësuar, e pasur me fjalë, por e varfër në dritë.
Në historinë e shumë kombeve perëndimore –nga Italia me Rilindjen, te Gjermania me Reformën dhe Franca me Iluminizmin – përveç ndryshimeve të mëdha politike e ekonomike ndodhi edhe një proces tjetër mjaft vendimtar për shoqëritë evropiane, kjo ishte rilindja shpirtërore.
Është procesi i riformulimit të kuptimit të jetës, i kthimit të njeriut te vetvetja, i kërkimit të një të vërtete që nuk matet vetëm me pushtet dhe pasuri, por me një përmbajtje të brendshme shpirtërore – çelës i çdo zhvillimi dhe, si pasojë, edhe i një niveli të lartë të mirëqenies ekonomike. Në Shqipëri, kjo përmasë mbetet ende një “qiell i paprekur”, që ende nuk ka hyrë në fjalorin e mendimit publik. Flitet për Rilindjen Kombëtare, e cila pati vlerën e saj historike për dëbimin e një pushtuesi të huaj, por pyetja që ngrihet është: çfarë ndodh pas largimit të pushtuesit? Mos vallë pas çdo fitoreje politike fillon një tjetër robëri, më e madhe – robëria e brendshme? Historia shqiptare, sidomos ajo e gjysmës së dytë të shekullit XX, është e mbushur me vëllavrasje, diktaturë dhe tranzicione pa fund, që e vërtetojnë katërcipërisht këtë heshtje të dhimbshme. Janë bërë dhe vijojnë të bëhen studime të shumta mbi luftërat, gjuhën, politikën, shoqërinë, folklorin etj., por pyetja bazë është: – Çfarë do të thotë të rilindësh shpirtërisht? – nuk është vënë kurrë në qendër të mendimit shqiptar. Nuk ekziston as si ide.
Në vendet evropiane, sidomos pas Mesjetës, njeriu nuk u mjaftua vetëm me përmirësimin e jetës së jashtme apo materiale; ai kërkoi të riformulonte kuptimin e ekzistencës, të shihte me sy të ri problemet e së kaluarës dhe mbi të gjitha marrëdhënien me të vërtetën.
Universitetet shqiptare prodhojnë studime të shumta për gjuhën, antropologjinë, traditën, zakonet, por shpesh pa marrë parasysh pikat e referimit universal: dialogun me filozofinë bashkëkohore, me mendimin kritik, me pyetjet e domosdoshme që mbajnë gjallë mendimin – nga Bibla, Platoni, Dekarti, Kanti, Hegeli, Niçja, Dostojevski, Bergsoni, Frojdi, Jungu e deri te mendimtarët më modernë. Lind kështu një pyetje e thjeshtë, por me shumë rëndësi: a mos vallë kjo mungesë e gjigantëve të mendimit perëndimor i vë në pikëpyetje këto studime? Mos janë vetëm për përdorim të brendshëm, të shkëputura nga Koha dhe horizonti perëndimor?
Në Shqipëri mungon jo vetëm ideja e rilindjes shpirtërore, por shpesh edhe vetë koncepti i Kohës si kategori që e detyron mendimin të përballet me të përjetshmen. Mungon nocioni i lirisë në kuptimin rilindës shpirtëror; mungon antropologjia e kuptimeve të thella, filozofia që mat gjithçka me pyetje rrënjësore dhe jo thjesht për të kënaqur veshët, sidomos të padronëve, eprorëve, shefave, sponsorëve…!
Mjafton të hedhësh një vështrim mbi promovimet e librave për ta kuptuar këtë boshllëk: gjithçka përqendrohet tek stili, epitetet, krahasimet e bujshme me Borges, Joyce apo Hemingëay. Por këta shkrimtarë të mëdhenj, për të shkëlqyer në botë, punuan pikërisht me botën e kuptimeve të thella, jo me sipërfaqe që shkëlqejnë për një çast në ndonjë auditor apo jubile dhe pastaj nuk ndryshojnë asgjë në jetë.
Për ta bërë më të prekshëm këtë kontrast, kujtoj një letër të shkrimtarit të madh gjerman, Hermann Hesse, i cili ka marrë Çmimin Nobel për Letërsinë, dërguar motrës së tij Adelaide: “Ndodhte shpesh që mamaja dhe babai shprehnin miratim për një poezi ose një kompozim muzikor, duke shtuar më pas se e gjithë kjo, natyrisht, ishte thjesht atmosferë, vetëm bukuri boshe, thjesht art, pa nxjerrë kurrë një vlerë të lartë si morali, vullneti, karakteri etj. Kjo teori më shkatërroi ekzistencën time dhe unë u shkëputa prej saj pa asnjë mundësi për t’u rikthyer”. Ky rrëfim është një thirrje për të kuptuar se arti dhe mendimi nuk janë zbukurime të kota, por udhë për ndryshim të brendshëm human.
Në kundërshti me këtë shembull, vini re çfarë shkruan një shkrimtar i njohur shqiptar, lidhur me një shkollë ku është thirrur për të ndriçuar auditorin: “Shërbimi që na bëjnë autorë si Hermann Hesse, krahas kënaqësisë estetike dhe funksioneve njohëse, është pasurimi botëkuptimor dhe mbajtja pastër e shijes artistike”. Kuptohet që është një frazeologji e turbullt, pa pikë kuptimi, gjithnjë me idenë se ka nxjerrë nga goja e tij diçka të madhe. Dhe ky nuk është i vetmi.
Është një absurditet i madh intelektual të mendosh se mund të ndriçohet shoqëria shqiptare pa u matur me koordinatat e karakterit absolut. Edhe parabola më e thjeshtë biblike, për të mos mbetur pa kuptim, meqenëse është shkruar para shumë shekujsh, fiton një jetë të re kur shihet nën dritën e mendimit modern: me antropologjinë, me psikologjinë e thellë, me krizën e teknologjisë që sot po trondit gjithë planetin. Përndryshe shoqëria pa rilindje shpirtërore mbetet në mëshirën e një bote pa ndryshim, me tipar thelbësor përçarjen e vëllavrasjen. Pa këtë krahasim logjik, çdo studim, sado të larta të jenë gradat akademike, rrezikon të mbetet si një hartë pa busull, ku faktet e mbledhura pa kuptim e qëllim nuk tregojnë kurrë udhën, ku kaluan shoqëritë evropiane.
Rilindja shpirtërore nuk është luks, por kusht themelor për të kuptuar dhe ndërtuar veten. Një kulturë që nuk guxon të rishikojë themelet e saj, sidomos nga institucionet qeverisëse, shtetërore, kulturore…, mbetet e cekët, konfuze, e zhurmshme, e paplotësuar; e pasur me fjalë, por e varfër në dritë. Pesëqind vjet iu deshën Evropës për të hedhur këtë farë dhe për ta nxjerrë njeriun nga mesjeta e brendshme. Në Shqipëri, kjo farë mbetet ende e pambjellë. Dora d’Istria e përmend diku vetëm si një term të thatë, por pa u bërë kurrë frymë transformimi. Edhe kur ua vë në dukje akademikëve dhe studiuesve këtë mungesë themelore, gjen përballë një dëshirë për ta anashkaluar pyetjen, një mur të lartë heshtjeje tragjike për vetë të ardhmen. Vetëm kur të pranojmë se nuk mjafton të ruash gjuhën apo zakonet, por duhet të kërkosh atë që Hermann Hesse quante “vlerë të lartë” – moral, vullnet, karakter, përvojë shpirtërore – universitetet, mediat dhe institucionet shtetërore do të mund të shohin të kaluarën jo si një muze me fosile, thjesht lavdëruese, por si një laborator të madh mendimi për kuptim dhe për liri të vërtetë. Derisa kjo farë të vendoset përfundimisht të mbillet, Shqipëria do të vazhdojë të ketë shumë studime dhe libra, por pak dritë; shumë konferenca, por pak kuptim thelbësor dhe rilindje. Ndërkohë pyetja mbetet e hapur: si do të mund të ndryshojë fati i shoqërisë shqiptare?
*Autori, shkrimtar dhe publicist
/Gazeta Panorama