
Revolucioni qytetar shqiptar i Qershorit 2026, në Tiranë
një lloj Maj 1968 – “Made In Albania…”
nga Skënder Sherifi
Të nderuar miq dhe mikesha,
të dashur Bashkatdhetarë,
pavarësisht kush jeni, nga vini,me kënd jeni, çka besoni apo çka nuk besoni?
Është e drejta dhe liria e juaj e shenjtë, por së pari, pasi e ndajmë të njejtën origjinë, të njejtat gëzime dhe idhnime kombëtare, parimisht, pa ju njohur fare, unë personalisht, ju pranoj siç jini, ju respektoj dhe ju dua! Prandaj, më falni nëse rastësisht gaboj dhe më lejoni ta përfundoj Jetën time në anarshinë utopike dhe poetike, në frymën e humanizmit autentik dhe lirisë së lirë…
Me ju thënë të drejtën, nëse jam krejt i sinqertë me juve, më keni befasuar pozitivisht, më keni lumturuar, me keni dhënë shpresë që diçka interesante mund të ndodhin së shpejti brenda një kohe relativisht të pranueshme në këtë vend, deri sot mjaft i nemur dhe i mallkuar, e jo vetëm nga të huajt, nga armiqtë tanë historikë shekullorë, nga fati i vendimeve të padrejta ndërkombëtare, por edhe nga vetë ne Shqiptarët, auto armiq, me dije apo pa dije, të vetvetes.

Nuk po ua numëroj faktet historike dhe politike, të cilat e vërtetojnë këtë konstatim të trishtë!
Kam menduar shumë kohë, që përkundër francezëve për shembull, të cilët e kanë në ADN atë genin apo trashëgiminë e revolucionit, e mos pajtimit me vendimet qeveritare, dhe rrugën si teatër të shprehjes politike, neve kemi qenë në një apati të papërshkrueshme, si t’ishim të huajt në vendin tonë… Dhe bravo u qoftë, po e shfrytëzoj rastin për të ju falënderuar përzemërsisht që më keni kundërshtuar gjatë kësaj vere të nxehtë të vitit 2026, por po e përsëris, nëse jeni dakort me mua, a kemi qenë gjatë disa dekadave, një popull pasiv, servil dhe i nënshtruar, para çdo Pushteti i pseudo të djathtës, të majtës apo të qendrës? Ngaqë tek shoqëria e jonë, deri dje nën hije, nën injoranca dhe propaganda të llojllojshme, dihet që termat politikë janë krejt fiktivë dhe nuk përmbajnë asnjë sens preciz, përpos atij që ua japim vet ne për qejfin tonë. Dhe përpos asaj, nuk e kemi akoma të zhvilluar atë ndërgjegjen qytetare dhe kombëtare, atë sensin e drejtësisë, e të mirës kolektive, e përgjegjësisë individuale, por e meritojmë si çdo Popull, një demokraci të vërtetë dhe të zgjeruar, ku Qytetari merr pjesë përmes referendumeve, në vendimet apo projektet kryesore për të mirën e të gjithëve, ose të shumicës, dhe aq më tepër në këtë Kontinent të vjetër dhe të civilizuar evropian, i cili ka qenë shembull apo referencë në disa fusha, për gjithë Planetin njerëzor tokësorë, duke e ditur që Shqipëria do hyjë brenda Familjes së B.E.-së, nga viti 2030, vetëm për arsye gjeopolitike.
Edhe një herë, se më çuditët për mirë, bravo u qoftë që dolët nga indiferenca, egoizmi, nihilizmi, gjumi dhe narkoza e përgjithshme, e cila e pat kapluar dhe rënduar këtë vend. Ua heq kapelen vëllezër dhe motra dhe ju përqafoj me respektin më të madhe, sepse e meritoni! Po, po, na keni dhënë të gjithëve një leksion qytetarie dhe demokracie, çka e ëndrronim me vite!
Kur i sheh me mijëra persona që po dalin tash gati 1 muaj përditë nëpër rrugët e Tiranës, për të protestuar kundër 100 padrejtësive të llojllojshme, duke u nisur natyrisht me mbrojtjen e ambientit, të lagunave, të zonave ultra delikate të rrezikuara, për ekuilibrin global të ekosistemeve natyrore, për mbijetesën e kafshëve, të flamingove, të shpendëve, dhe kundër projekteve megalomane të Oligarkëve amerikano-arabë (Kushneri, Ivanka, Emiratet dhe fondet e golfit persik) me të gjitha pasojat që mund të shkaktojnë mbi natyrën shqiptare, së pari, dhe mbi kualitetin e jetës së Njeriut së dyti? Mjafton për t’i konsultuar raportet e specialistave të kësaj fushe! Dhe natyrisht kanë vepruar shumë mirë grupet dhe organizatat ekologjike, të cilat na kanë sensibilizuar mbi këto probleme krejt konkrete. Pos asaj, Shqiptari e fitonte idenë, që pa e pyetur askush për atë punë, po ju jipet një pjesë e detit tonë Miliarderve të huaj, për të bërë ata çka të dojnë pastaj në vendin tonë, për t’u rrezitur dhe kënaqur mes tyre në rezerva miliarderësh, me golfe, pishina, hotele luksi, marina dhe jahte, por duke e ekskluduar de fakto 90 përqind të Popullit shqiptarë, i cili nuk i ka as 5 përqind të atyre standardeve. Pa folur fare për shkatërrimin total të natyrës, për betonizimin global të zonave, kështu që indirekt kjo punë tingëllon tek shqiptari, si një farë kolonizimi i detit tonë nga të huajt, të cilët duke na injoruar fare, bile edhe përbuzur, vijnë për t’i përjetuar të gjitha fantazitë e tyre në brigjet tona, me pëlqimin e disa Udhëheqëve tanë, të cilët para se me e pa Kombin apo Popullin, shohin para syve të tyre me miliarda dollarë… Kjo nuk do thotë që jam kundër progresit, modernizimit, evolucionit, jo aspak, por me diskutim, me pleqëri si në Odat e Malësisë, me një farë mirëkuptimi, duke i dëgjuar interesat dhe vërejtjet e të gjitha palëve në pyetje. Pra, nëse ka një konsensus global nga shumica e shqiptarëve, po, por ashtu krejt arbitrarisht, pse e vendosa unë vet nga Pallati im, Jo! Çka është më se normale dhe e kuptueshme demokratikisht!
Mundet çfarëdo qeveritari holandez, danez, suedez apo norvegjez për ta realizuar një megaprojekt, pa e pyetur Popullin e tij, dhe pa një marrëveshje me të gjitha shtresat e njerëzve të cilët do impaktohen direkt apo indirekt nga ai Projekt? Natyrisht është e pamundur!
Për shembull, a mundet me shkuar Elon Muski me 1.000 miliardë dollarë, për ta blerë në Francë gadishullin, një mrekulli e Uneskos, “Le Mont Saint-Michel” ose krejt Lagunat e Kamargës në Jug, për ta khtyer atë zonë në një Malibu dhe Kaliforni? Në asnjë mënyrë, pa dalur gjithë Franca në protesta masive, porse as vet Shteti nuk e lejon! E pra, çuditërisht Mali i Zi, si pronarë i vendit, ja ka besuar administrimin e gadishullit të Sveti Stefanit, një perlë e Adriatikut, ku shkonin Yjet e Hollivudit në kohën e Titos, një oligarku grek Petros Stathis me kontratë deri në 2042, dhe ky pastaj, ja ka dhënë gjithë hotelerinë e luksit një oligarku rus,Vladislav Doronin. Kështu, që në praktikë, pa paguar 1.000 euro natën, sot për sot, nuk ke fare akses në atë gadishull, pothuajse komplet i privatizuar. A është diçka normale? Për mua, jo, bile është skandaloze në parim! E pra, e njejta gjë do na ndodh edhe neve me projektet e Sazanit dhe të Zvërnecit. Është evidente, apo jo?
Mirëpo, pastaj mbi gjithë ato problematika të natyrës ekologjike, të cilat janë reale dhe krejt të drejta në thelb, mbi abuzimet dhe kalkulimet e llojllojshme për ta shfrytëzuar pamëshirësisht dhe egërsisht gjithë Detin tonë shqiptarë, vijnë dhe shtohen spontanisht plot probleme të tjera, po aq urgjente, katastrofike, të cilat nuk presin, ngaqë lidhen me mizerjen sociale dhe me mbijetesën e vështirë të një mase të madhe të Popullit tonë. I ke pensionistat në prag të vetvrasjes, me nga 100 apo 150 euro pension mujor. I ke punëtorët, zanatet e vogla, policët e rrugëve, taksistat, infermieret, shitësat e dyqanëve dhe pazareve, minatorët, metalurgjistat, mësuesët, profesorët e gjimnazit, plot profesione me nga 500 deri në 700 euro rrogë mujore, kur dihet standardi i çmimeve në Tiranë. E ke problemin e Rinisë, e cila po e braktisë vendin, ngaqë nuk po sheh asnjë ardhmëri në vendlindje. Pa folur për çmimet e shkollimit, e strehimit në Konvikte studentore, çmimi i mencës për ushqim… të gjitha këto e kanë një kosto! E ke sistemin arsimor pa kritere serioze, çka e fakton klasifikimi i Shqipërisë dhe Kosovës, nga Pisa, plus biznesi marramendës i shkollave private me diploma të blera dhe të zhvlerësuara, pastaj gjithë sektori i shëndetësisë me spitalet shtetërore dhe trajtimi human dhe profesional i pacientëve sipas ligjit të barazisë. Pastaj, mbi të gjitha këto, do shtohen edhe abuzimet, korrupsioni i gjeneralizuar, nepotizmi, arbitrarizmi, destabilizimi në punë në të gjitha administratat publike, ngaqë çdo parti e cila fiton pushtetin, do i pushon automatikisht ata që ishin nëpër ato poste, për t’i vendosur këta të tjerët të ardhur nga klani i tyre. Kështu, që në Shqipëri, nuk mund të flitet fare për merita, për talent, për zotësi, për drejtësi, për diploma, pasi në praktikë fiton arbitrarizmi, lidhja, miqësia, apo korrupsioni. Bile kulmi i ironisë tragjike është siç thotë fjala popullore: “këtu tek ne, poqese je i ndershëm, i sinqertë, etik me plot moral dhe parime, i drejtë dhe pa hile, je i mbaruar dhe ke marrur fund! Ke ngelur me të shkelur ose me ti dhënë 5 lekë për sevap!” Fatkeqësisht është një e vërtetë më se reale, për të ardhur keq. Porse, nënteksti i saj të thotë kështu: “Shiko, nëse do me u gjindur dhe me mbijetuar normalisht, duhet pak me e dredhë dhe me çdredhë se nuk shkon me drejtësi, a more vesh? Duhet pak dallavere dhe hile për të mbijetuar, okay?” Kështu që ideja e korrupsionit është e asimiluar nga të gjithë dhe dikur shndërrohet në normë normale, në një natyrë të dytë dhe është vështirë më vonë, për ta luftuar.
Atëherë mbi të gjitha këto, mund të theksohet edhe fakti që të gjitha Qeveritë, pa asnjë eksepcion kanë vjedhur me miliona, kanë abuzuar me popullin dhe me vendin e tyre. Mjafton për ta pa listën e dosjeve të SPAK-ut, të gjithë ata që janë hetuar, thirrur, ndjekur, apo arrestuar! Shikone vetëm gjatë qeverisjës së Edi Ramës, numri i Ministrave, Drejtorave, Kryetarë të Bashkive, të implikuar në skandale financiare dhe të hetuar nga Gjykatat? A është normale? Jo që qenë të tjerët në thelb më të mirë, absolutisht jo, asnjëri nuk ka çka për t’i thënë të tjetrit, por po bazohem në këto 12 vitët e fundit… A mund ta imagjinoni, në Beneluks apo Skandinavi, pavarërsisht që ka edhe këtu në Belgjikë dhe në Francë, një dozë korrupsioni, por prap brenda një mase, e jo ashtu krejt pakufi, një realitet të tillë? Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, tani Belinda Balluku e të tjerët që do vijojnë? Kush i procedoj, kush i thirri në Gjykatë? Unë, ju, apo Spaku? A janë këto realitete, që kanë ndodhur në Shqipërinë e sotit, apo janë ëndrra? E nuk po flasim për Piramidat, vitet 1997, për Lazaratin, për Gërdecin, e të tjera ngjarje po aq delirante… A janë fakte, të cilave askush nuk mund t’ju ikin me një logjikë të shëndoshë? A u pendua dikush prej tyre? Jo! A i kërkoj dikush falje Popullit shqiptar për të gjitha këto abuzime të panumërta dhe këto plaçkitje arbitrare? Jo!
Prandaj, të gjitha këto frustrime, padrejtësira flagrante, vuajtje, mizerje, abuzime, korrupsione, durime, lot, ofshama, heshtje, bërtima dhe fjalë të përtypura janë akumuluar te ky Popull shqiptar tash 35 vite, në një të supozuar “demokraci” në letër, por autokraci arbitrare në praktikë, një lloj postkomunizmi me frymën e një kapitalizmi të egër alla amerikan… dhe sot janë mbledhur të gjitha këto idhnime dhe padrejtësi në rrugët e kryeqytetit shqiptar dhe kanë shpërthyer haptas!
Dhe i kuptoj fare mirë, e kanë plotësisht me të drejtë… kërkesat e tyre janë legjitime.
Mundem me thënë çka të dojmë, por duhet së pari ta pyesim seriozisht vetën – po pse del një popull tash një muaj për çdo ditë në protesta nëpër rrugët e Tiranës? A dalin krejt kot, a janë të manipuluar, të droguar, nuk dinë çka dojnë, veprojnë pa lidhje? Jo, jo, more zotëri IKS – e keni gabim!
Ky vend, ky popull ka nevojë për mëshirë, për social, për drejtësi, për meritokraci, për një demokraci autentike, për shembuj të mirë dhe pozitiv, për qytetari të zhvilluar, për humanitet, për respekt dhe për dashuri! Nuk mund t’i trajtosh Njerëzit si kukulla, si vegla, si bagëti, me një arrogancë të paparë, si t’ishe faraoni i Shqipërisë. Nuk shkon ai muhabet në shekullin 21!
Sot Rinia shqiptare i kupton mrekullisht mirë gjërat, është inteligjente, e modernizuar, e mirë informuar, e dinë se çka do me thënë Evropa? Nuk mundesh për t’i mashtruar me postura false, me llafollogji fiktive, ngaqë kërkojnë urgjentisht një ardhmëri në vendin e tyre dhe vendime konkrete super praktike. Pra, janë lodhur Njerzit dhe Rinia me të gjitha këto mashtrime dhe abuzime, tash 35 vite, kanë duruar mjaft dhe tepër sipas meje, dhe sot ka arritur shkalla e mostolerancës. Prandaj, janë duke e okupuar hapësirën publike të Tiranë, gjatë kësaj vere historike të vitit 2026… baras me një maj 1968, mjedis Parisit, ku kam pas qëlluar edhe unë, i ardhur ilegalisht me autostop si aventurier, me studentët e Sorbonës dhe grupet marksiste, trotskiste dhe maoiste të inteligjencës franceze, të cilave ju thoja – “dakort për revolucion, por jo me ato idé debile, o miq, se keni nevojë për një konfrontim direkt me realitetin e marksizmit, dhe një kurë dezintoksikimi!”
Më kujtohet që e kam deklaruar në disa intervista, por edhe shkrime, që çdo shoqëri, apo Pushtet legjitim i zgjedhur me vota të lira, ka nevojë realisht për një Maj 68, në çdo 20 apo 25 vite parimisht, për çdo Gjeneratë. Natyrisht, jam kundër çdo revolucioni të dhunëshëm dhe të përgjakur, ngaqë e kundërshton humanizmin dhe lirinë time individuale, porse i dua absolutisht revolucionet pacifiste, puro shpirtërore dhe kulturore, me një endërr, një ideal, një utopi brenda, si tek Gandhi, Rugova, Mandela, Martin Luther Kingu, si te Majdani në Ukrainë, si tek sheshi Tien An Men në Kinë, si në Gjeorgji… Po, revolucione ku dominon ideali dhe idetë e shprehura, sloganet e drejta, dhe kërkesat legjitime për më tepër liri, demokraci dhe drejtësi! Bile ua kam thënë disa herë, unë vet gjithë Shqiptarëve të Tiranës apo të Prishtinës, kur e kam pasur rastin për t’i takuar. Duhet patjetër në çdo 20 vite, që një Gjeneratë e ré, të vjen me kërkesat e saj personale, për të na shkundur mirë dhe vendosur në pyetje. Për mua është diçka e shëndoshë dhe e nevojshme për ta favorizuar një evolucion shoqëror, kulturorë, arsimor, artistik dhe politik. Dhe për fat të mirë – po ndodh diçka super interesante në Tiranë, në këtë muaj Qershor 2026! Do shohim se deri ku do shkon dhe se çka do na del nga ky revolucion paqësor popullor shqiptar?
Tani e kuptoj që do shtrohet pyetja po ashtu legjitime: po kush janë këta Manifestues, kush i ka organizuar, kush janë liderët e tyre? Kush i ka shti, kush po i drejton, kush gjendet prapa tyre?
A mos janë të influencuar nga lobet greke, serbe, ruse, iraniane, nga Sorosi, nga disa Organizata jo qeveritare me fonde të mëdha brenda Bashkimit Evropian, nga Mbreti apo nga Dreqi?
-Unë personalisht nuk e di fare! Sepse, duhen fakte, prova, dokumente para se me afirmuar diçka.
Nuk zgjidhen ato çeshtje nëpër Kafe dhe Diskoteka!
Unë, personalisht nuk i njoh, nuk e di se kush i kryeson, kush është Shefi numër 1, numër 2, apo hierarkia e tyre? A janë të strukturuar siç duhet profesionalisht, apo veprojnë në një mënyrë spontane, pak amatoreske? Por unë e diktoj që ka logjikë dhe inteligjencë në atë Lëvizje!
Kënd kanë aleatë, apo kënd nuk kanë? A fshihet dikush prapa tyre, apo jo? A është një revolucion spontan popullor dhe qytetar shqiptar, apo jemi në një spektakël të inskenuar nga dikush tjetër, dhe po e shikojmë një Film para syve tanë? Sinqerisht, nuk kam asnjë lloj përgjigje për momentin.
Porse e di një gjë esenciale, o Miq dhe Mikesha: gjithë ata që janë nëpër rrugët e Tiranës, a janë 90 përqind prej tyre Shqiptarë? Po! Pse janë aty tash 30 ditë? Kot, për qejf, për të mbytur kohën me pallavra, apo për të kërkuar diçka konkrete? A jeni globalisht dakort me gjithë çka po kërkojnë, apo jo? Pasi t’ua dëgjoni me vëmendje të gjitha kërkesat dhe t’ua lexoni sloganet, pyesni veten tuaj në një mënyrë sa më neutrale, a pajtoheni me ato idetë e tyre, apo jo?
Pastaj, a më mirë me kërkuar diçka, me thënë – nuk jam dakort me të gjitha këto pislliqe dhe padrejtësi që po ndodhin tash 35 vite në këtë vend, apo për të heshtur edhe 100 vite të tjera?
A ka sens për çfarëdo lloj Qeverie e ardhur në pushtet pikërisht me votat e lira të një pjesë të kësaj Turme, për të mos e dëgjuar fare Popullin e vet, kurse e qeverisë dhe e përfaqëson përmes postit që e okupon? A është kulmi i absurditetit dhe i megalomanisë? Sipas jush, ky Popull aq i revoltuar, i mllefosur, i cili ka duruar në heshtje gjithfarë padrejtësie flagrante gjatë disa dekadave, a e gëzon të drejtën për t’i shprehur sot në vitin 2026, shqetësimet e tij, apo jo? A duhet për ta dëgjuar me plot vëmendje dhe respekt, apo për ta sharë dhe denigruar? Unë, për vetën time, e dëgjoj me interesim dhe e vlerësoj! Pastaj, për mua është një Revolucion historik, ngaqë deri dje, i kam pa Shqiptarët e heshtur, pasivë, depresivë dhe fatalista, si në botën orientale, me gojë të mbyllur para çdo autoriteti dhe pushteti. Kurse sot me këtë Lëvizje, raportet kanë filluar për të ndryshuar, sepse, është çliruar fjala, mendimi i lirë, ideja me i thënë Shtetit tënd, Jo…! nuk jam dakort me këto pika precize.
E nuk është pak si fitore kolektive! Në fakt, kjo lëvizje qytetare e verës 2026, përbën një emancipim fantastik, një çlirim dhe një ndërgjegjësim shoqëror dhe politik për të gjithë Popullin prezent, por edhe për Brezat e ri që do vijnë, të cilëve po ju jipet Life shembulli praktik: – “në vend se me ikur kudo jashtë Atdheut tuaj, në heshtje dhe pa reaguar fare mbi asgjë, merreni të drejtën e fjalës tuaj të lirë, dhe thoni se çka doni, çka keni në zemër, kërkoni të drejtjat tuaja, rezistoni ndaj çdo Pushteti të padrejtë ndaj jush, ngaqë tek e fundit, Shqipëria është vendi i juaj dhe zgjidhja nuk është vetëm në heshtje dhe në ikje, por në angazhim dhe këmbëngulje!” E kjo, është ndoshta për mua, ajo Fitorja më e madhe për në kohërat e ardhshme. Guximi për të reaguar, iniciativa qytetare, liria e shprehjes, rezistenca kundër padrejtësisë, veprimeve arbitrare, kërkesa e gjitha të drejtave njerëzore dhe sociale legjitime, lufta kundër abuzimeve dhe korrupsioneve, dëshira për normalizim dhe për një demokraci autentike qytetare të civilizuar, emancipimi i shoqërive ballkanike, patriarkale, të mësuara shumicën e kohës në diktatura apo në autokraci. Tani, pas kësaj ngjarje për mua historike në veprimin e shoqërisë shqiptare, më duket tepër e vështirë, për mos me thënë me logjikë e pamundur për t’u rikthyer nga mprapa. E keni bërë një hap të madh dhe vendimtarë, dhe ju keni treguar të gjitha qeverive tona, që jeni në gjendje për t’i stopuar, ose së paku për t’i frenuar, për të ju bërë ballë dhe për të ju thënë Jo!, nëse nuk jeni fare dakort me disa vendime! Ua keni dhënë disa sinjale dhe bërë me dije disa gjëra esensiale, në lidhje me si duhet për ta qeverisur demokratikisht një popull? Duke e dëgjuar, duke e konsultuar, duke u këshilluar me të, e jo vetëm duke e diktuar si të ishin kalamaj të klasës së tretë fillore, ose duke i ironizuar me një cinizëm grotesk. Me një fjalë, nuk do bëhet Shqipëria e vërtetë autentike pa Shqiptarët, por vetëm me kapitalet e Oligarkëve të huaj! Të jeni krenar për këtë arritje!
Tani ma bëfshi ditën e mirë. Po ju lë për ta pirë një birrë belge të bardhë me një gjysmë limoni, se është grada 30 °C. në kryeqytetin belg. Ju uroj çdo të mirë dhe lutem që t’i plotësohen të gjitha dëshirat esenciale, Popullit shqiptar, brenda dhe jashtë Trojeve, por me një minimum humanizmi, solidariteti, drejtësie dhe ndershmërie morale. Ju falënderoj dhe ju përqafoj të gjithëve.
Skënder Sherifi – poet anarshist në Bruksel, nganjëherë në Mars, me 22 qershor 2026.