back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Requiem për Lazër Radin nga Kozeta Zylo

Gazeta

Lazri-Kozi
Dr. Lazër Radi – Kozeta Zylo (1996)

Requiem për Lazër Radin

poezi nga Kozeta Zylo

Në kujtim të mikut tim të shquar Lazër Radit, që pata fatin të komunikoj dhe të miqësohem familjarisht për disa vite, por që fatkeqësisht,  viti i mbrapshtë i 97-ës na ndahu përgjithmonë nga kjo botë.
Në ditën e 17 Shkurtit, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, të kujtova të parin, pasi shpesh, ose për disa kohë pothuajse çdo ditë kur takoheshim dhe bisedonim veçanërisht për Letërsinë dhe Politikën,  e kishe ëndërr çlirimin e Kosovës, e kishe ëndërr ta shihje se bashku me Shqipërinë!
Prehu i qetë Lazër Radi se Kosova është e Pavarur, Kosovën që e deshe aq shumë, por që ike me brenga në shpirt për të dy vendet, vende që s’jua gëzove kurrë Lirinë…!

Në netët e burgut, si burrë qëndrove,
Edhe pse duart t’i lidhën, 50 vjet
Me kanxha të ndryshkura,
Ngjyrë e gjakut të tyre!
Tinëzisht infektonin ajrin e ndytë,
Brenda ciklonit të qelive,
Që gëlltisnin tingujt në zanoret e Lirisë.
Por ti flisje dhe përbuzje,
Pështyje në gromësirat e urdhrave të tyre,
Kur gjëmonin si hungërima nga xhelatët mesjetarë,
Për Lirinë që ndëshkonin në gijotinë.
Sythet e Lirisë kishin filluar të buisnin,
Në shkrepa vetëtimash që çanin tokën e zhuritur…
O Burgu nëmun,
Në udhëtimin e jetës, miku im të kujtoj,
Për çfarë ti më rrëfeve në vuajtjet e tua,
Edhe pse helm për ta s’lëshove kurrë,
Por si në legjendat e moçme, u fale mëkatet,
Që si mjegull pikëllimi vishnin sytë e tu!
Shpirtin e kishe të nyjëzuar me Prizrenin,
Me vendin ku u linde,
Dhe qiellin e Shqipërisë e spërkatje me yjet e Kosovës.
E unë vazhdoj t’i kem kujtimet e tua,
Si xixëllonja në ballë,
Që shndrisin pa kuptuar se në ç’stinë janë.
T’i ndjeva dhimbjet gjer në asht,
Edhe pse ato lëshonin rrënjë,

Prizreni - (foto B.Beqiri)
Prizreni – (foto B.Beqiri)

Ti luteshe të t’i groposnin,
Me dheun e Prizrenit, për t’u falur mëkatet,
Për burgjet që ju mbytën të gjallë,
E unë jashtë burgut shumë më e lirë se ju,
S’ia mpiva dot dhëmbët me helm gjarprit.
Por prapë t’i falje, siç falin burrat gjakun,
Mbushur me morte për hakmarrje.
I rënduar ndjeje në supe blozën e viteve,
Por Zanat arbërore,
Ta shkundnin në liqen loti, llumin e zi!
Si gjethe të pista në akuarium notonin,
Ca copëza dëshmie, parë që i ri!
Më ngelën bisedat me ty, si shkëndija stralli,
Që shkrijnë ngricat në thellim e acar,
Do tregohen ato në netët e dimrit,
Lënë përgjysmë, nga viti i mbrapshtë, 97-të
Për Lazër Radin, një burrë i rrallë.
Shkurt, 2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.