back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Requiem për njeriun e vuejtjes, Ali Dema! Jozef Radi

Gazeta

Ali Dema 2009
Ali Dema 2009

Requiem për njeriun e vuejtjes, Ali Dema!

nga Jozef Radi

Para pak ditësh, mora vesh lajmin se: vdiq Ali Dema!
Nji prej të shumtëve të kësaj bote, për të cilët ky emën s’do me thanë asgja, sepse në t’vërtetë ky njeri s’ka ba asgja të randsishme në jetën e tij, veç vuejtjes. E nëse asht fjala për vuejtjen, Ali Dema, i biri Hysni Demës dhe i Vasfijes, mund të hyjë pa frikë në cilëndo enciklopedi të kësaj bote të madhe: sepse asht ndër ata që e nisën vuejtjen ndëshkuese të shtetit ende pa i mbushë katërmbëdhjetë vitet dhe doli prej saj (nëse mund të quhet dalje – ikja nga skëterra) sapo kish mbushë gjatëshjetë vitet: bash ditën e daljes së tij në pension. Pra, për pothuej 17000 ditë të jetës së tij, ai shetiti si në nji karuzel, nga nji kamp në tjetrin dhe asht paraqitë në apel para çdo polici deri te etapa e fundit me Mihal Kshillin, të paktën dy herë në ditë… Krejt nji jete me apel dhe paraqitje fizike… E pabesueshme, por fatin e  keq të tij dhe shumë të tjerëve si ai e vërtetë…
Ali Dema i kaloi nji për nji gjithë kampet e interrnimit nga ai i Beratit, te ai i Tepelenës, nga Porto Palermo në Kuç të Kurveleshit, e deri te kampet e shumta të Myzeqesë, pa qenë nji ditë i lirë, për zbritë të pakten nji herë në qytet pa lejen e Degës… qoftë edhe me e pi nji kafe. Edhe pse njeri me ndonji inteligjentë jo fort brilante, ai mbetet ndër shembujt ma ekzemplar të ndëshkimit prej diktaturës, dhe ashpërsisë së saj gjenetike… Në të vertetë atij i merrej edhe pak goja, gja që e ndihmonte ta maste mirë fjalën dhe fjalinë që thoshte, për mos me u futë lehtë në kurthin e nenit të famshëm 55, që rrinte rrotull si skifter me hijen e frikshme të gazit të Degës!
Ali Dema e kaloi pjesën ma të madhe të jetës me nanën, Vasfijen: i pamartuem, i parealizuem si burrë, si prind, i pamundun me e gëzue qofte edhe nji ditë të rinisë së vet, i pamundun për gjithçka!!! Edhe pse i vetëm, mbas vdekjes së nanës, ai mbeti gjithnji ashtu i pastër, i hekurosun, i rregullt, me cigaret që i konsumonte me kujdes, nji tifoz i paepun Tironës së Ali Memës dhe i gjermanëve të Franc Beckenbauerit… emrin e të cilit i duhesh nji kohë bukur e gjatë me thanë të plotë… dhe me gjithe shpirt siç i ndodhte shpesh… Gjithë vitet e vuejtjes që kishte kalue në të njejtat vende me familjen tonë, dhe tashma e kishin si njeri të shtëpisë, e në veçanti mua më konsideronte të vetin, pse më kishte rritë qysh femije në kampin e Kuçit, duke më mbajtë shpsh në kaliqafë, me krejt pasojet që mund të ndodhin kur mban në qafë për nji kohë të gjatë, nji foshnje…
Asht e pamundun, që kush e ka njoftë Ali Demën, të mos ketë diçka me tregue për të, shpesh edhe me nji ndjenjë humori, që ky njeri i ndëshkuem, i vetmuem dhe i braktisun nga fati linte ngado që shkonte…

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 ne mes Ali Dema dhe Jozef Radi,

Para dy-tre vitesh e kerkova Ali Demën, dhe nji ditë e gjeta ashtu të veshun shik, ma së miri, te nji bar aty te qoshja e rrugës Ali Pashë Gucia, ku rrinte pothuej përditë. Mbas kaq e kaq vitesh që e kishim humbë njeni-tjetrin kishte mbete po ai! Iu afrova seriozisht dhe me ton i them: “Zotni, ju jeni Ali Dema?” Me nji shikim dyshues, e zbraps pak dhe më tha “Po unë jam!” “E di si asht puna, – i thashe seriozisht… – Të kam pshurrë në qafë dikur para shumë vitesh, thashë po e provoj a bahet gja me ta ba at punë edhe sot a jo!” Për pak çaste u tremb, mandej e mblodhi veten dhe më pyeti se kush isha… S’i tregova menjiherë. I thashë se po prisja nji përgjigje për çka e pyeta… E mori pak me të qeshun dhe u përpoq me gjetë nji emën po kujtesa s’po e ndihmonte… Kur i thashë kush isha u mpi, nji curril loti i rrëshqiti nëpër faqet e rrudhosuna dhe m’përqafoi si të isha fëmija i tij, ai fëmijë i munguem që s’e pati kurrë. Më ftoi me çiltersi te shtëpia e tij e madhe, më tha “Hajde kur të duash, na çelsin, e ke si shtëpinë tande, kemi me hangër e me pi sa të duash, aaa vevevetëm… fefefemna jo, se due me shkue n’xhenxhenet i ppapaastër!

Qeshëm! Qeshëm shume edhe kur e pime kafen dhe kujtuem gjithçka të asaj jete të përbashkët, vite që edhe mbrenda së keqes së tyne, u ka mbetë diçka e bukur, e paharrueshme… U përqafuem dhe u ndamë.
“Sa herë që të vish, çelsat ja ku i ke, si në shtëpinë tande!” më bërtiti nga larg. Lotët që i kisha fshehë kur e takova, nuk i mbajta dot ma…
Ishte loti i fundit që e ndamë përgjysëm une dhe ai!
Ali Dema iku… pa marrë dot nji grusht prej shumë nga ne që e kemi pasë bashkvuejtësin tonë ma të famshëm. Po ai sigurisht na e ka ba hallall, pamundësinë tonë!

Ali Dema dhe Jozef Radi Tirane 2009
Ali Dema dhe Jozef Radi Tirane 2009

Ky shkrim në kujtim të tij, asht ai grusht dhe i pahedhun prej meje dhe prej gjithë atyne që e kanë pasë njoftë kët personazh të veçantë të jetës së kampeve. Ali Dema ka për t’u kujtue si ai djaloshi që 46 vitet e komunizmit, ditë e m’ditë i ka përcjellë me apelin e mëngjesit dhe mbramjes… me pranine e perjetshme te policit te dera, pa e marrë vesh kurrë njiherë se çfarë t’keqeje aq të madhe i kishte ba ai këtij shteti, që s’i la qoftë edhe nji ditë të vetme me jetue dhe me gezue si njeri…
I lehtë i qoftë dheu Ali Demës: njeriu që i vetëm erdh dhe i vetëm shkoi kesaj jete, pa i marrë dhe pa i dhanë asgja kësaj bote, dhe me gjithë privacionet që i shkaktoi atij kjo botë dhe njerzit e saj… ai u përpoq dhe mbeti thjesht njeri! (gusht 2012)

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.