
Republika e Kosovës nderon (Postmortem) me “Medaljen Presidenciale të Meritave”
Imzot Simon Filipajt Përkthyesin e Biblës në Shqip
nga Frank Shkreli
Për Imzot Simon Filipaj – Medalja Presidenciale e Meritave e Republikës së Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar (postmortem) Imzot Simon Filipajn me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për përkthimin integral të Biblës në gjuhën shqipe dhe për rolin e tij kyç në ruajtjen, përparimin dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar, njofton revista fetaro-kulturore e Kishës Katolike në Kosovë, Drita.

Kujtojmë se Dom Simon Filipaj, është meshtari i parë që ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe. Prandaj, ky vlerësim i lartë i dhënë nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu – javën e kaluar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës – është një nderim dhe njohje për punën dhe përkushtimin e Imzot Filipajt, i cili me durim dhe devotshmëri ka punuar për shumë vite – nën rrethana shumë të vështira politiko-ekonomike (para kompjuterit e internetit). për të përkthyer një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore, në gjuhën e të parëve tanë. Frank Shkreli/ Dom Simon Filipaj: “Shqiptarë, flisni shqip me Zotin!” | Gazeta Telegraf

Dom Simon Filipaj, konsiderohet si një figurë e madhe, jo vetëm e Kishës Katolike Shqiptare, por e mbarë Kombit shqiptar. Ai ka lindur në fshatin Kllezën, afër Ulqinit, nën Mal të Zi. Studimet filozofike e teologjike i ka kryer në Shkodër dhe më vonë pas Luftës së Dytë Botërore në Zagreb të Kroacisë. Tërë jetën meshtarake e intelektuale ia ka kushtuar misionit të vet apostolik nëpër famullitë kishtare të kryedioqezës së lashtë të Tivarit – ndër më të lashtat e trojeve iliro-arbërore – e posaçërisht në bashkësinë e famullisë së Shën Gjergjit (të cilës si shumë shqiptarë katolikë të asaj zone, i përkisja edhe unë e familja ime) dhe Famullisë së Klleznës.
Në të vërtetë, Kllezna është fshati ku ka lindur Dom Simoni – por edhe nga ku kanë dalë disa klerikë katolikë shqiptarë të tjerë me nam e të njohur për kontribute të mëdha për Kishën Katolike Shqiptare dhe për Kombin. Ndër të tjerë, përveç Mons. Simon Filipaj, prej andej ishte edhe ish-Arkipeshkvi i Tiranë-Durrësit, i ndjeri Arkipeshkëv Rrok Mirdita.
Dom Filipaj, të gjitha energjitë e tija, ia ka kushtuar, jo vetëm misionit e veprimtarisë së tij meshtarake e shpirtërore por, njëkohsisht, pa kursim, ka përdorur aftësitë e tija intelektuale dhe fizike, përkthimit të Fjalës së Zotit, Biblës në gjuhën shqipe, duke e përkthyer librin e shenjtë, për herë parë në versionin e plotë. Me përkthimin e kësaj vepre të madhe siç Bibla, Dom Simoni e ka renditur Kombin shqiptar me popujt e tjerë të botës. Bibla si e tillë, konsiderohet si monumenti më i madh i kulturës botërore – dhe vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të mbarë botës. Në një takim (24 tetorit të vitit 1994) me Papa Gjon Palin II, Dom Simon Filipaj ia dorëzoi personalisht Papës kopjen e Biblës së plotë në gjuhën shqipe, ndërsa me atë rast, Gjon Pali i II vlerësoi veprën e Dom Simonit me këto fjalë: “Me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe – e keni radhitur popullin tuaj shqiptar ndër popujt e mëdhenj, duke ripohuar edhe një herë traditën e lashtë të krishterë e fisnikërinë me të cilën është dalluar përherë Kombi shqiptar”.

Me vlersime të tilla si fjalët e Papës, nuk është e rastit pra që, “Medalja Presidenciale e Meritave” për Dom Filipaj, është edhe një dëshmi tjetër dhe njohje e madhe edhe nga Presidenca e Republikës së Kosovës se puna, mundi dhe përkushtimi i Imzot Simon Filipajt ndaj forcimit të kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar nuk kanë mbetur në harresë. Kisha Katolike Shqiptare në Kosovë, nëpërmjet revistës Drita vlerësoi vendimin e Presidentes Osmani duke thënë me këtë rast se, “Përkthimi i Biblës në gjuhën shqipe nuk ishte vetëm një projekt akademik, por edhe një mision i shenjtë, akt besnikërie ndaj popullit shqiptar në kohë të vështira për gjuhën dhe kulturën shqipe. Ky përkthim monumental jo vetëm që i ka dhënë gjuhës shqipe një vepër të paçmueshme, por gjithashtu forcoi lidhjen shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve me trashëgiminë fetare dhe gjuhësore botërore”, thuhet në revistën Drita, organ kulturor e fetar i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë.
Me përkthimin e Biblës si kryevepër historike e tija dhe me shkrimet e botimet e shumta teologjike, katekistike e kulturore, është thënë, pa ekzagjerim, nga ekspertët e historisë kishtare dhe kombëtare, se kontributi dhe rëndësia historike e veprës së Dom Filipaj është e barabartë me figurat e dalluara historike e kombëtare në fushën e kulturës dhe të gjuhës shqipe. Figura historike si bashkvendasi i tij Dom Gjon Buzukun – dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, me të cilët krenohen, jo vetëm trojet shqiptare të rrethit të Ulqinit, por edhe më gjerë. Frank Shkreli: Nga Gjon Buzuku e deri tek Simon Filipaj, dy burra të mëdhenj të kombit shqiptar nga rrethi i Ulqinit | Gazeta Telegraf – Prandaj, nga ky këndveshtrim, nderimi i figurës së Dom Simon Filipaj nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, duhet të shikohet gjithashtu si një vlerësim për kontributin e Dom Filipaj edhe në nivel kombëtar – por edhe për vetë gjuhën shqipe, për qëndrueshmërinë dhe fuqinë e saj për të mbijetuar dhe lulëzuar gjatë historisë së gjatë e të mundimshme, pavarësisht sfidave të shumta që ka përjetuar ndër shekuj gjuha shqipe dhe Kombi shqiptar.
Pra, bravo i qoftë Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmanit për vlerësimin, me rastin e Pavarsisë së Republikës së Kosovës, të këtij burri të madh të Kombit, por, njëkohësisht, edhe një njeriu të thjesht por me virtyte të larta, siç ishte Dom Simon Filipaj, i cili gjithë jetën e tij e kaloi duke punuar në shërbim të Zotit, Kishës Katolike dhe Kombit shqiptar.
Frank Shkreli
*Përmendorja e Dom Simon Filipaj në oborrin e Kishës së Shën Gjergjit, që daton nga Mesjeta, ku ka shërbyer si famullitar dhe ku gjatë viteve Dom Simoni aty ka përkthyer Biblën e plotë në gjuhën shqipe. (Kjo është edhe kisha ku autori i këtij shkrimi ka marrë sakramenet e para fetare, sipas ritit katolik, dhe prej ku kam hedhur hapat e para të jetës që pasoi më vonë, i inkurajuar nga udhëheqsit e kësaj kishe, përfshi Dom Simonin.