back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Rekuiem për Dr. Ihsan Çabej – nga Prenjo Imeraj

Gazeta

Dr. Prenjo Ymeraj - New York
Dr. Prenjo Ymeraj – New York

Rekuiem për Dr. Ihsan Çabej

nga Prenjo Imeraj

Në zgjedhjet e dyta pluraliste, që u zhvilluan në Mars të vitit 1992, populli demokrat i Rrethit të Lushnjës e zgjodhi Dr. Ihsan Çabej, deputet në Parlamentin Shqiptar si përfaqsues i Partisë Demokratike. Në të njëjtën kohë ai pat dalë në pension pleqërie dhe gradualisht u vendos me banim në Tiranë. Rreth një vit më vonë, kur erdhi në Lushnjë për lëvizjen e eshtrave të njerzve të tij, gjatë një ceremonie të thjeshtë të zhvilluar me këtë rast, u takuam me përmallim dhe biseduam gjatë.
-Më mirë që nuk hyre në parlament në zgjedhjet e para pluraliste, më tha. Atje është një rumpallë e vërtetë dhe përmbi të gjitha nuk të lenë të flasësh lirisht. Në një rast, kur unë u ngrita për të përmendur fakte të treguara nga pleqtë tanë, lidhur me krimet e shëmtuara të andartëve grekë në Shqipërinë e Jugut në vitet 1913-’14-të, i pari që m’u “hodh për koke” qe një shkrimtar njohur i krahut të majtë. Ç’po na prrallis ashtu more Ihsan, se po na prish punët me qeverinë greke! – Pas atij rasti unë nuk u ngrita më kurrë për të diskutuar. Bëja sikur flija e nuk dëgjoja diskutimet bajate të të tjerëve…
Në shtator të vitit 1996, i bëmë një vizitë në banesën e tij në Tiranë tok me bashkëshorten time Dr. Vasilika Imeraj. Na priti me një kushërirën e vet, e cila në atë kohë banonte në zonën e ish-kombinatit të tekstileve në Yzberish.
E gjetëm të rrënuar fizikisht. Kishte përgatitur si dhuratë edhe dy libra mjekësorë në Anglisht për ne. Kur shkroi dedikimin ndër ta, vura re se i dridheshin duart dhe ai shkrimi i bukur i dikurshëm kishte humbur njëherë e përgjithmonë!
-Çfarë ke Doktor e pyeta?
-Nuk ndihem mirë, – më tha – kam përmbi një muaj me heqie barku dhe nuk po e di origjinën, koprokultura 1 nuk ka nxjerrë në pah asnjë lloj mikrobi!
-Shikoni njëherë për mykra, – i thashë, – se hapin edhe ato belara të këtilla.
-Jo, jo, – më tha – nuk është punë myku kjo… E pashë që ishte i shqetësuar, dhe nuk u zgjata më tutje.
Qysh nga ajo kohë nuk u pamë më. Unë e ndiqja nga larg gjendjen e tij shëndetësore. Madje u interesova edhe për konsultën e bërë në Itali, ku ia patën hequr shpresat. Më 14 Prill të vitit të mbrapshtë 1997, Doktori i Shkencave Mjekësore, mjeku i talentuar Ihsan Çabej, u nda nga jeta në banesën e tij në Tiranë. I rrethuar nga kujdesi i vazhdueshëm i fëmijëve dhe të afërmëve të tij. Ai njeri i mirë, edhe vdekjen e kishte bërë fisnike.
Në ceremoninë e varrimit në Shish-Tufinë morën pjesë gati të gjithë mjekët e Lushnjes, shumë nga personeli i mesëm mjekësor dhe ish-pacientë dhe miq të tij të panumërt dhe jo vetëm nga zona e Myzeqesë.
Esat Çoku me banim në Neë York, e përkujton kështu atë njeri të rrallë: “Dr. Ihsan Çabej, në kujtesën e lushnjarëve e më gjerë, mbetet një mjek i talentuar, inteligjent, human e vizionar. Duke e njohur nga afër atë, si udhëheqës të fillimeve të proceseve demokratike dhe si kolegë – deputetë në Parlamentin Shqiptar të krahut demokrat 1992-1996, do të mbetet gjithmonë i paharruar. Me predispozicionin politik e shpirtëror pro-perëndimor, ai nderoi vehten, Lushnjën, qytetin e lindjes Gjirokastrën, Shqipërinë dhe fisin e tij të nderuar Çabej. Lushnjarët do e kujtojnë Qytetarin e Nderit të tyre si njeriun që mjekoi plagët e trupit e të shpirtit. Hallall i qoftë “jasteku” i tokës mëmë!”
Dr. Ihsan Çabej pat lindur në qytetin e Gjirokastrës me 28.12.1919, në një familje me tradita të herëshme intelektuale dhe patriotike. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në vendlindje me rezultate të shkëlqyera. Sot emri i tij ështe skalitur në tabelën e nxënësve të shkëlqyer të historisë të Gjimnazit të Gjirokastrës.
Në vitin 1939, filloi studimet e larta për mjekësi në Universitetin e Bolonjës, të cilin e mbaroi me rezultate të larta.
Nga viti 1945, deri në vitin 1953, pat punuar si mjek i thjeshtë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, në aksionin e rinisë për ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi, në Dushar, në spitalin e Elbasanit, Gramshit, Çorovodës dhe të Fierit.
Në vitin 1949, në Sofje të Bullgarisë mbrojti disertacionin shkencor me temën: “Konsiderata mbi Psikofiziollogjinë dhe Fiziopathollogjinë”, duke iu akorduar titulli shkencor: “Doktor në Mjekësi”. Shteti komunist nuk ia njohu doktoratën, për rrethanat e tij politike, me prejardhje nacionaliste dhe antikomuniste.
Në nars të vitit 1953, emërohet mjek në spitalin e Lushnjës, ku punoi për 40 vjet me radhë, derisa doli në pension. Gjatë tërë asaj kohe të gjatë, gjithnjë i papërtuar, punoi me profesionalizëm të lartë, duke u bërë mjek i çdo familje lushnjare. Lidhjet e tij të ngushta mjek-i sëmurë i kaluan shpesh herë caqet e profesionit, ku mjeku merrte përmasa të tjera humane.
Falë njohurive dhe punës së tij organizative, Dr. Ihsan Çabej drejtoi për një kohë të gjatë spitalin e Lushnjës. Ishte meritë e tij personale skicimi dhe projektimi i spitalit të sotëm të Lushnjës, sipas modelit të spitalit të Bolonjës, ku ai pat studiuar dhe punuar. Ai nuk u lodh asnjëherë së kualifikuari personelin e këtij spitali, të cilin e pat kthyer në shkollë të vërtetë, gjë që e vazhdoi gjatë tërë jetës së tij. Në profesion nuk shteroi asnjëherë, sepse praktikën e tij mjekësore e pasuronte vazhdimisht me literaturë bashkëkohore. Me një punë të palodhëshme Dr. Çabej përballoi me sukses fushata të tëra kundër epidemive të ndryshme si gjatë malaries, fruthit, difterisë, sëmundjes së orizit-leptospiroza ikterohemoragjike etj. Edhe në këtë fushë ai u bë burim frymëzimi për mjekët më të rinj.
Në vitet e para të pushtetit pluralist, Bashkia e Lushnjës e shpalli Dr. Ihsan Çabej unanimisht “Qytetar Nderi”.
Ai ka lënë pas pesë fëmijë-tre vajza dhe dy djem, të cilëve ne urojmë jetë të gjatë, për ta kujtuar sa më shumë babanë e tyre të mirë e të pa harruar. Më i vogli i tyre, Z. Voltan Çabej, bisnesmen në Tiranë, pati mirësinë të na ndihmonte me materialin fotografik dhe biografik të të ndjerit, dhe për këtë e falënderojmë së tepërmi.
.
Gjimnazi i Lushnjes '70
Pamje e Lushnjes vitet ’70

Humor dhe Aforizma për Dr. Ihsan Çabejn

.

Letra e Bardhë

Një ish drejtor spitali i ishte qepur Dr. Çabejt gjatë mbledhjeve të informacionit të mëngjezit me mjekët. Gjithmonë e merrte si shembull interpretimi për të gjetur gabime në kartelat klinike të pacienteve që shtronte ai në spital. Në kohën që drejtori i gjorë fliste me pasion aq sa i dilte shkumë nga goja, Dr. Çabej nxirrte nga xhepi një letër dhe bënte sikur lexonte në të buzagaz, mandej e fuste përsëri në xhep. Ky ritual vazhdonte aq herë sa drejtori mundohej ta “pickonte” doktorin. Kjo gjë ra në sy të një mjeku që ishte edhe sekretar organizatës bazë të partisë të spitalit. Kur dolëm nga një mbledhje rutinë e radhës, sekretari i partisë e pyeti doktorin e nderuar: -Të lutem më thuaj çfarë lexon në atë letër kur flet drejtori i spitalit? Doktor Çabej duke qeshur nxori nga xhepi një letër të bardhë.
-Po aty nuk lexon asgjë, foli sekretari i partisë!
-Po unë lexoj, – i tha Dr. Çabej, – lexoj “mos më çaj kokën”.
Sigurisht kjo bisedë i vajti menjëherë në vesh drejtorit të spitalit, i cili u mbush me maraz… Por, Dr. Çabej shpëtoi, se qysh nga ajo ditë nuk u mor më si prototip në mbledhjet e mëngjezit.
.

Kuzhina e Repartit

Batalioni sanitar i Brigadës së Njëzetë, ku përfshihej edhe efektivi mjekësor i spitalit civil të qytetit, ishte vendosur për stërvitjen e radhës në kodrat e Karbunarës së Vogël, në Juglindje të qytetit të Lushnjës. Kuzhina e repartit fillonte të gatuante ditën e tretë të fushimit. Ne ishim të paraporositur të merrnim ushqim të thatë prej familieve tona vetëm për dy ditë. Dr. Çabej furnizohej mirë nga Aneja e tij, si i thërriste, por ai konsumonte ushqim vetëm për një dite, pasi të dytën ai bëhej “bajat” thosh… Ditën e tretë me një uri të tejskajshme, doktor Ihsani zinte radhën i pari tek guzhina e repartit, ku ziente kazani me fasule. Një ditë pasi guzhinjeri i hodhi doktorit në gavetën personale dy qemshe me fasule të nxehta, ai nuk po largohej nga dera e Kuzhinës. – Doni akoma fasule Doktor, e pyeti kuzhinjeri?
-Jo jo, – iu përgjigj doktori. – Dua edhe pak lyrë-yndyrë.
-Por unë e hodha të tërën në kazanin e gjellës ia ktheu kuzhinjeri, një traktorist, që si duket me anë miku ishte futur si kuzhinjer gjatë stërvitjes ushtarake. Më keqkuptuat, ia priti doktori. Dua pak “lyrë” nga ajo e thonjve të tu dhe u largua duke qeshur. Në fakt “kuzhinjeri” mbeti i turpëruar, se të gjithë po shikonin grason e zezë që kishte mbushur hapësirat midis thonjve të duarve të tij. Doktor Çabej i hëngri fasulet e nxehta që çke me të, ndërsa “kuzhinjeri” qysh nga ajo ditë nuk erdhi me thonj të paprerë në kuzhinë.
.

Etja

Dr. Çabej kishte një zakon: Nuk futej kurrë nëpër kafene apo birrari të qytetit, gjë që ndokush ja merrte edhe për fodullëk. Unë e dija këtë zakon të tij dhe një ditë të nxehtë vere ndërsa po ktheheshim në këmbë nga stërvitja ushtarake të pikur nga etja, përfitova nga rasti për ta ngacmuar. Kur sosëm përballë birrari “Adriatiku” në qendër të qytetit, ju luta të ktheheshim aty vetëm për një gotë birrë. Ai, megjithëse rezistoi shumë, duke parë shtirjen time se nuk mund të duroja dot etjen, pranoi dhe sapo u futëm në derën e birrarisë nuk kishte mundësi t’u përgjigjej gjithë atyre njerëzve që po na ftonin të uleshim pranë tyre. Ne u drejtuam për nga banaku nga ku po na e bënte shenjë banakieri, një djalë i ri, që ishte edhe përgjegjës i lokalit. Rrëkëllyem nga një gotë birre fuçie të Tiranës dhe u larguam për në shtëpitë tona. Në darkë, sipas fjalës, u takuam në sheshin qendror të qytetit për shetitjen rituale të mbrëmjes. E gjeta me dy miq të vjetër të tij, duke ecur dhe bërë muhabet shtruar. E vazhdova ngacmimin tim të drekës, por këtë radhë pa sukses! U thashë se në bar-lulishte kishte ardhur birrë e freskët “Korçe”; unë njoh edhe kuzhinjerin për t’na gatuar meze të mira. Do qeras unë për të katër u thashë. Doktor Çabej buzëqeshi dhe foli me qesëndi:
-Për të shuar etjen ta plotësova dëshirën, po tani çfarë ke për të shuar? Shko vetë po deshe, se ne do të vazhdojmë shetitjen dhe filloi t’u tregonte atyre historinë e birrës së drekës…
.

Doktori “Strateg”

Ministria e Mbrojtjes organizoi një stërvitje të zgjeruar në tërë Shqipërinë e Mesme. Batalioni ynë sanitar do të vendosej në fshatin Kasnicë të Patosit, në afërsi të Qytetit të Fierit, sipas informacionit që dha komanda e repartit. Ne, do të luanim rolin e spitalit të lëvizshëm në afërsi të vijës së “frontit”.
Ishte fund vere… Në prag mbrëmje, autokollona me gjithë efektivin tonë u nis në drejtim të Beratit. Itinerari që na ishte dhënë për të arritur në Kasnicë ishte që: Pasi të kalonim Urën e Kuçit, në drejtim të Beratit, do të ktheheshim djathtas nga Qafa e Sqepurit në drejtim të Patosit, deri në Kasnicë.
Kur arritëm në fshatin Fier-Shegan na ndaloi një patrullë e “forcave teritoriale”. Ata ishin të tërë nga ai fshat dhe sapo e vunë re Dr. Çabejn e rrethuan duke e pyetur mbarë e prapë për hallet mjeksore që ata kishin. Kur mësuan për drejtimin dhe destinacionin tonë, njeri nga ata e hoqi mënjanë doktorin duke e porositur:
-Mos shkoni nga Ura e Kuçit se, reparti juaj është planifikur të kapet “rob” dhe do t’ju dërgojnë të gërmoni tunelet ushtarake deri në mbarimin e stërvitjes. Ja komunikuam këtë rrezik komandantit të batalionit Dr. I. N., por ai nuk e besonte. Kërkuam me insistim mbledhjen e shtabit. U diskutua problemi dhe me shumicë u vendos që të ndryshonim drejtim. Komandanti kishte të drejtën e vetos, prandaj duhesh bindur ai. Ndërsa po kryeshin këto debate, kamionat që na kishin sjellë deri aty u kthyen drejt Lushnjës, pa na njoftuar! Ndërkaq Dr. Çabej i kujtoi komandantit se: derisa kamionat u kthyen, kjo vërteton se, ata deri aty e kishin urdhërin për të na sjellë.
Komandanti u bind duke kërkuar përgjegjësi kolegjale.
-E marrim ne me shtabin përgjegjësinë, ndërhyri Dr. Çabej. U vendos të marshonim brigjeve të liqenit të Thanës, për të arritur në Kuçovë – “Qyteti Stalin” në atë kohë, në mbrëmje. Mandej do të kërkonim të lidheshim me komandën e brigadës. Kur arritëm në fshatin Kozare, përpara urës ndërlidhse më Kuçovën, na dolën përpara “forcat teritoriale”të zonës, të cilat mbronin urën. Na kërkuan parrullën… Nuk e kishim fare idenë përse bëhej fjalë! Jemi efektiv i spitalit civil të Lushnjes, thamë në. Ata kur njohën Dr. Çabejn, pasi bënë ca shakara me të, i treguan atij parrullën për rojet në dalje të urës.
-Mos harroni, – thanë ata. – Kjo parrullë nuk vlen për të hyrë në Kuçovë. Ajo konsiderohet e pushtuar nga “armiqtë”, prandaj kujdes…
Kur arritëm në Kuçovë ishte mbrëmje. Ne po vazhdonim të ecnim në errësirë të plotë drejt qytetit që vezullonte nga dritat. Vendosëm të mos futemi në qytet nga hyrja kryesore. Iu përveshëm një faqe kodre përfshirë në parkun e gjelbërt të qytetit, pa zhurme. Aty u vendos të kalojmë natën, duke organizuar shërbimin e rojeve me ndrresa.
Të nesërmen, pa gdhirë mirë, disa nga ne shkuam në spitalin civil ku kishim kolegë tanët të njohur. Njoftuam me telefon degën ushtarake të Lushnjes, për të njoftuar Ministrinë e Mbrojtjes për vend ndodhjen tonë. Gjithnjë me këmbnguljen e Dr. Çabejt vendosëm të mos luajmë që aty.
-Do të vijnë të na marrin vetë, – ngulte këmbë ai.
Dhe në fakt ashtu ndodhi. Rreth orës 4 pasdreke erdhën e na muarën tre oficerë me 5 kamiona ushtarakë për në Kasnicë te Patosit.
Ishim bërë problem pozitiv qeverie! Të gjithë ishin habitur se si kishim mundur t’i shpëtonim grackës së ngritur me shumë kujdes dhe fshehtësi! Sapo arritëm në Kasnicë, kampingun e gjetëm të ngritur nga të tjerët. Një oficer madhor foli me admirim për komandantin tonë Dr. I. N. duke e quajtur “hero”! U ngrit i revoltuar intendenti i batalionit N. M., të cilin në spitalin civil e kishim shef llogarie.
-Jo komandanti, po shefi i repartit infektiv Dr. Ihsan Çabej është hero, se në fakt ai na shpëtoi nga gracka, prandaj atij i jemi mirënjojtës, që ne tani nuk po gërmojmë nëpër tunelet ushtarake…
.

Transferim Diskret

Kur Shteti komunist u prish me Kinën e madhe të Mao Ce Dunit, në Shqipëri u acarua shume lufta klasore. Kjo luftë u shtri edhe në mjekësi dhe për pasojë edhe në spitalin e Lushnjës. Midis mjekëve që u lëvizën nëpër fshatra për arsye politike, ishte edhe Dr. Çabej, të cilin e dërguan të shërbente në Kolonjë të Lushnjës. Gjatë asaj kohe qendra mjekësore e Kolonjës u shndrua në qendër ambulatore për të gjithë rrethin. Njerëzit nuk shkonin më në poliklinikën e qytetit, por në Kolonjë, duke e ndjekur pas Dr. Ihsan Çabejn. Ky ishte diskretitim i madh për Komitetin e Partisë së Rrethit, i cili filloi të bëjë presion që të sëmurët të mos shkonin në Kolonjë. Të sëmurët gjetën një marifet tjetër. Merrnin gjymat me vehte, gjoja do të shkonin në pusin me ujin mineral të Ardenicës, aty pranë Kolonjës, për të maskuar vizitat tek Dr. Çabej. Qëlloi që u sëmur për vdekje një funksionar i lartë i partisë në rreth dhe, Dr. Çabejn e risollën menjëherë në spital. Sigurisht jo për t’i bërë nder atij dhe as për t’i shërbyer popullit, por partiakët ta kishin sa më pranë për nevojat e tyre mjeksore…
.

Gojdhana Popullore për Dr. Ihsan Çabej

-Ku vë dorë Dr. “Xha Beja”, aty vë dorë Perëndia
-Doktor “Ça Beu” të heq taksiratin, pa ymrin e ka në dorë tjetërkush…
-Mos bëni duva për Perëndinë, por bëni për Doktor “Xhy Beun”
.
Neë York, Prill 2007

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.