
Refleksione mbi një Gjyq që shërbeu si shkollë e Krimit!
80 Vjet nga “Gjyqi Special”
nga Jozef Radi
Po shkruaj në emër të ndoshta të fundmit dëshmitar të këtij Gjyqi të quajtur Special, i cili me aq sa di mbetet i vetmi autor që e ka dëshmuar përmes një libërthi me 140 faqe, të cilin ai e botoi në të gjallë të vet në vitin 1995. Ky ishte im atë, Lazër Radi. Sigurisht, ai pati dëshirë ta pasuronte e ta bënte më të plotë, por ishte në një moshë, e cila nuk ia premtoi ta realizonte këtë synim të tij. Sot mbështëtur në dëshmitë e këtij personazhi, po edhe nga dokumentat e shumtë që kam trajtuar mund të them, se më shumë se një gjyq, ai qe një spektakël kriminal, me një trupë gjykuese inkompetente, ku ca xhonglerë akuzash të ashpra dhe shabllone, pa asnjë nocion juridik, iu bashkuan ulërimës së turmës, që i ka shoqëruar seancat e 45 ditëve me brohorimat e vdekjes, përballë një indiferencë ndërkombëtare, që tashmë kishte marrë rolin e sehirxhiut…
Është një periudhë e jetës sime, kur dëgjoja të flitej nënzë për një Gjyq Special, po s’e kisha konceptuar qartë se çka ishte ai Gjyq. Vetëm mbas vitit 1991, im atë, Lazër Radi, gjeti kurajo të ma bënte ca më të plotë atë tabllo makabre, jo vetëm përmes rrëfimeve të veta, po edhe përmes dokumentave, që ai nisi t’i mblidhte me kujdes në Bibliotekën Kombëtare, kryesisht prej dokumentave të paraqitura në gazetën e asaj kohe “Bashkimi”, ku Gjyqi Special po shpaloste një të përditëshme agresive, poshtëruese, shpesh duke i karikaturuar të pandehurit, a thua se gazeta qe caktuar t’i jepte e para vendimet, turma e dyta dhe trupi gjykues thjesht që t’i firmoste ato!!!
Mund të them se për Gjyqin Special kam mundur të bisedoj me dy personazhet e fundmit të mbetur gjallë. Dy më të rinjtë e atij brezi: Jakov Milaj, 34 vjeçar kur u dënua dhe Lazër Radi, 28 vjeç. Të dy kishin qenë gjimnazistë në Shkodër, studentë në Itali, njerëz të shtypit të shkruar, tashmë nën të njejtën hallkë prange, që me sa di, ishin të mbijetuarit e funditvqë arritën t’i preknin ndryshimet e kohërave dhe të rrëfenin diçka për atë Gjyq që vuri në Juridiksionin shqiptar themelet e një padrejtësie të madhe, plagë të së cilës mbeten të trashëguara deri në ditët e sotme.

I gjithë materiali i mbledhur nga gazeta “Bashkimi” po edhe nga ndonjë burim tjetër, kujtimet personale të asaj periudhe dhe mjaft nga bisedat me miqtë po edhe dëshmitë e “ndonjë të penduari të atij Gjyqi” u përmblodhën në librin “I pari Gjyq Special”, që u botua modestisht në vitin 1995 – me rastin e 50 vjetorit të këtij Gjyqi.
Për “Gjyqin Special” mund të themi se është shkruar, por jo mjaftueshëm. Në cilësinë e përfaqësuesit të njërit prej të dënuarve të këtij gjyqi, e të njeriut që mundi të takojë dy të mbijetuarit e fundit, po edhe në cilësinë e studiuesit të vëmendshëm, do të përpiqem të dëshmoj disa refleksione, të bëra në kohë, mbasi kam kaluar nëpër duar edhe Dosjen e Madhe të Gjyqit Special, në dy gjuhë: frëngjisht dhe shqip.
Disa veçanti, ndoshta të patrajtuara, po i trajtoj në mënyrë retorike pasi dua të dëshmoj disa të vërteta po edhe ndonjë refleksion të buruar prej leximeve të shumta, diskutimeve të herëpashershme po edhe materialeve të reja, që shpesh më shtyjnë të ndërmarr ndonjë hap të guximshëm, por vëllimi i madh i punës gjithnjë më ka stepur…
Nuk jam fort i qartë si ka ndodhur përcaktimi i figurave dhe mbi ç’kritere u kryen arrestimet e 60 personave që do të ishin preja tragjike e këtij revolucioni, veç mund të rrëfej se arrestimi i Lazër Radit, një prej më të rinjëve (në mos më i riu) ndodhi mëngjesin e 23 nëntorit 1944, pra, 6 ditë mbas çlirimit të Tiranës dhe 5 ditë para shpalljes së Shqipërisë “e çliruar”. Simbas dëshmisë së tij, edhe personazhe të tjerë janë thirrur për “një sqarim në komandë”, por ata s’u kthyen më në shtëpitë e tyre, mbasi arrestoheshin dhe bashkoheshin në pika të ndryshme të kryeqytetit, (fillimisht te Selvia) dhe janë spostuar disa herë, duke u seleksionuar djallëzisht për “Gjyqin Special” prej një grupi ushtarakësh që mbetet ende i panjohur. Ky formacion përzgjedhës qe edhe përcaktuesi për fatin e 60 personaliteteve të njohura shqiptare!!
Gjyqi Special, simbas konceptimit tim, nuk ishte diçka e studiuar dhe projektuar nga shqiptarët. Unë besoj të ketë qenë vazhdimësi pune e një qendre jashtë Shqipërie, e cila e ka punuar për interesa afatlargëta. Mbetem i bindur se është realizuar në mënyrën më perfide, më diabolike dhe më kriminale prej vetë shqiptarëve, duke e theksuar shprehjen se: armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë ata vetë!
Gjyqi Special në Shqipëri, u zhvillua me një ngut të habitshëm. Nisi para mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, prej datës 1 mars deri më 14 prill 1945, ndërkohë mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, u shpall me 9 maj 1945: Në gjyq u akuzuan 60 vetë, 17 prej të cilëve të dënuar me vdekje, 40 me rreth 468 vite burg dhe 3 të pafajshëm!! Me të drejtë mund të thuhet se Shqipëria u parapriu Gjyqeve Speciale, në vendet e tjera të përfshira nga Luftën e Dytë Botërore, që në pikëpamje të kontributeve si dhe dëmeve të pësuara, ishin tejet të vogla se mjaft nga vendet pjesëmarrëse në këtë luftë. Për krahasim, mund të shtojmë se Procesi i Nurembergut kundër Nazizmit, u zhvillua prej 20 nëntorit 1945 deri më 1 tetor 1946, ku u akuzuan 24 vetë dhe 11 prej tyre u dënuan me vdekje…!! Shifrat krahasuese mbeten dëshmia më e qartë e një abuzimi substancial juridik, ndërkohë që i hapej rruga krimit të organizuar shtetëror që po instalohej me të shpejtë në Shqipëri.
Sipas dëshmisë së Lazër Radit, flitej për një Gjyq të Madh, po askush s’e përcaktonte as kohën dhe as pjesëmarrësit e akuzës që do të ishin pjesë e këtij gjyqi. Një frymë pezull shfaqej gjatë gjithë kësaj periudhe. Deri në janar 1945, u përgadit terreni ligjor, vendi dhe njerëzit, (edhe pse mjaft inkompetentë në pikëpamjen juridike), ata që do ta drejtonin Gjyqin Special. Brenda një kuadri dënimesh shembullore, do të dëshmohej egërsia dhe barbaria e regjimit të ri, si edhe frika e terrorit që duhej të përcillte në popull ky event historik. Përmes këtij Gjyqi, njerëzve të pushtetit të ri do t’u jepej dorë e lirë për dhunën që do të ushtrohej, heshtje në abuzimin me të drejtën dhe garanci e siguri në marrjen po edhe në mbajtjen e pushtetit, përmes kësaj vale dënimesh të ashpra ndaj gjithë atyre që kishin pasur pushtet, njëfarë pushteti, që përfaqësonin vlera intelektuale, fuqi ekonomike, apo hierarki sociale, përpara instalimit të regjimit komunist.

Po simbas dëshmive të Lazër Radit, të arrestuarit që u paracaktuan për Gjyqin Special, “qenë me fat”, pasi ndaj tyre s’u ushtrua dhunë. Ai dëshmonte se në dhomat dhe “kaushët” ku mbaheshim në izolim personat e paracaktuar për Gjyqin Special, kishte edhe mjaft prej atyre të cilëve u kërkohej ari, pasuria, apo intelektualë, dhe njerëz të thjeshtë që po pësonin një dhunë shtazarake. “Ishte e tmerrshme të dëgjoje ulërimat dhe rënkimet e tyre prej asaj dhune kafshërore që po ushtrohej vetëm për faktin pse ishin të pasur, të shkolluar jashtë, apo thjesht kundërshtarë mendimesh. I frikeshim asaj dhune, e cila nga çast në çast mund të ushtrohej edhe ndaj nesh!”
E vërteta është se ndaj të akuzuarve në Gjyqin Special, s’është ushtruar kjo lloj dhune, e kjo përbën një habi të madhe!!!
Gjatë periudhës së hetuesisë, familja e Lazër Radit, e cila jetonte afër qendrës, u nxor nga banesa, u la në rrugë të madhe, vetëm me rrobat e trupit. Ata u detyruan të strehohen tek të afërm apo të njohur të tyre. Ndërsa zhvilloheshin seancat gjyqësore ndaj Lazër Radit, atij i vdes edhe vajza 11 muajshe, e cila s’mundi ta përballonte atë situatë tmerri. Gjatë procesit gjyqësor, ai u detyrua ta përmendë këtë fakt, për një masë zbutëse ndaj dënimit të tij!

Gjatë zhvillimit të këtij gjyqi, qe përhapur fjala se numri i të dënuarve me vdekje, do të ishte tejet i madh. Shumica e të akuzuarve duke mos u ndjerë fajtorë të asaj shkalle u tkurr në përpjekje që t’i shpëtonte vdekjes. Avokatia edhe pse guxoi ta mbrojë të vërtetën u shëndrrua në farsë. Presioni ishte aq i madh sa guximi për ta thënë të vërtetën rrezikonte më shumë se pranimi i fajeve të akuzuara! Edhe pse në gjyq nuk u provua as bashkëpunimi dhe as krimi i organizuar, dënimet tejkaluan çdo parashikim. Numri i personaliteteve që u dënuan me vdekje ishte tejet i madh dhe i pajustifikueshëm. I justifikueshëm u bë vetëm mbasi iu dha krejt pushteti aventurierëve politikë po edhe iu garantua jetëgjatësia e atij pushteti kriminal. Sot, nga lartësitë e kohës faktet flasin mjaft qartë! Gjurmat e atij pushteti që nisi prej Gjyqit Special vazhdojnë edhe sot me inercinë e së Keqes.
Gjyqi Special më shumë se një gjyq, dëshmoi se po të viheshin themelet e një drejtësie të quajtur “popullore”, përmes një spektakël jakobin të atyre që po mvisheshin me pushtet të pakufi, për një periudhë thuaj gjysmëshekullore. Ai u zhvillua nën vëzhgimin e ndërkombëtare, turfullimin rebel të turmave, që ndërseheshin barbarisht ndaj personaliteteve të njohura të politikës, kulturës dhe inteligjencës shqiptare. Gjyqi Special shërbeu si “shkollë” e edukimit komunist, si model i një shoqërie e cila do të vazhdonte të prodhonte për një gjysëm shekulli krim eksponencial.
Në seancat e këtij procesi do të ishin të pranishëm përfaqësuesit e Fuqive fituese. Së pari jugosllavët, që ishin edhe misionarët e organizimit të kësaj lufte; së dyti sovjetikët që sipas Jaltës, përqindja e ndarjes së Shqipërisë ishte 50/50, pra ata kishin interesa të dukshme; së treti francezët që e ndiqnin atë spektakël si një revolucion gijotinash; së katërti edhe amerikanët që anglosaksonizmin e tyre e deleguan te misionet angleze, detyra e të cilëve ishte ta bënin sa më të plotë trukun e gjoja shpëtimit të Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit, ndërkohë që kishin bërë gjithçka kundra nacionalistëve, që pushteti t’u kalonte sa më i plotë të ashtuquajturve komunistë, po që nën rrogoz luheshin të tjera projekte.

Gjyqi Special i bëri jehonë urrejtjes së turmës, masakrimit verbal, dhunës juridike dhe një terminologjie të re e agresive, e cila do të zmadhohej me forcën e një orteku. Si tribunë të drejtësisë u përdorën njerëz jo kompetente, të cilët shumë shpejt do të hidheshin në koshin e plehrave të historisë. Aty u dëshmua qartë para syve të botës se një vend i vogël e kishte fuqinë dhe barbarinë e nevojshme të ndëshkonte të gjitha shtresat me dritë të një shoqërie, duke e tulatur dhe rrënuar çdo vlerë që nuk përputhej me frymën ideologjike të fitimtarëve!
Më duhet ta theksoj se një punë jashtëzakonisht e rafinuar u bë edhe me terminologjinë që përdori ky Gjyq. Aty u përdorën për herë të parë terma që do fitonin një përditshmëri shekullore të frikshme të tillë si: “kriminel lufte” “armik i popullit, “bashkëpunëtor i armikut”, “spiunë të fashistëve”, “luftë klasore” po edhe emërtime agresive si: “ballist”, “zogist”, “fashist” “kuisling”. Në veçanti nocioni “ballist” mori një konotacion tejet negativ, sa ende sot politika ka po atë përdorim agresiv, si para 80 viteve.
Në përfundim mund të them se Gjyqi Special edhe pse ngjarje nyje, ka mbetur i anashkaluar prej një trajtimi të mirfilltë historik. Sot mund ta përkujtojmë atë thjesht si Gjyqi që dënoi klasën politike shqiptare të kohës, shumë më rëndë se Nurembergu nazistët që organizuan gjithë barbarinë e një Luftë Botërore.
Prill 2025
Shënim: Shkrimi u botua te gazeta “Panorama” me 14 prill 2025, por këtu është më i plotë.