back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Qetë e Zihniut (Rrëfime me humor nga Savra)

Gazeta

Qetë (skicë nga Leonard Pervizi)
Qetë (skicë nga Leonard Pervizi)

Qetë e Zihniut

Rrëfim nga Savra

Nji personazh mjaft simpatik në Savër, ishte edhe Zihni Asllani nga Tepelena…
Zihniu ishte njeri humor të natyrshëm, me nji batutë spontane, me nji sens të hollë ironie, e shpesh bëhesh epiqendra e shakave dhe diskutimeve…
Ja nji prej perlave të tij… që ende sot e kësaj dite kujtohet…
Zihniu punonte me qerre… Nji ditë, së bashku me ndihmsin e tij, personazh i njohur si raportues (fuks), punonte me të në lesim gruri… Aty rreth orës dy, meqë kishte edhe sport,  ata punojnë pa pushim e mbarojnë punën e planifikuar (diçka më shumë se norma), i lidhin qetë dhe nisen për në sektor… Të nesërmen brigadieri i nervozuar i thotë Zihniut: “Zihni, për dje s’e ke ditën e punës! I ke zbrehur qetë fiks në orën dy! Edhe pse e kundërshtoi me forcë Zihniu i shkretë, brigadieri vazhdoi në të vetën duke i theksuar: “I ke zbrehur qetë fiks në orën 2!!!”
I mërzitur, zihniu kur mbrrin te stalla e qeve, e gjen ndihmësin ulur që po e priste. I bindur se veç ai ishte raportuesi dhe askush tjetër, ai merr hostenin dhe i hyn me sa i hante krahu njerit prej qeve duke i bërtitur: “Po mirë o Balash, mirë që na raportove, po orën nga e more vesh, që ishte fiks dy…?! Po unë s’kam as orë mor qen!” – i bërtiste Zihniu njërit prej qeve dhe vazhdonte t’i binte sa i hante krahu të shkretit… Raportuesi (fuksi) që ishte ulur aty, instinktivisht e lëvizi krahun e xhaketës dhe pa orën…!! Po menjëherë e ndjeu se Zihniu po ndiqte me sy, ndërsa i binte kaut…
Pra, at dru që po hante kau i shkretë, e meritonte ai… spiuni që mbllaçitesh duke ngrënë mëngjesin, e që ia kishte hequr ditën e punës… j.r
.
Djemte e Savres fillimi i viteve '80 - mes tyre Zihniu
Djemte e Savres – Fillimi i viteve ’80 – mes tyre Zihniu

Veli Hoxha rrëfen për Zihni Asllanin…

Eh, Zihniu i mirë çfarë njeriu ishte… (sepse u bë kohë që s’është më midis nesh). Kam edhe unë shumë histori me Zihniun, ndjesë pastë, por po tregoj nja dy të vogla:
I ishte qepur përgjegjësi i sektorit (R. N.), sepse Zihniu natën vidhte silazh dhe ushqente qetë e tij të fermës, që ai i trajtone si “shokë”.
Një natë vunë shenjë me gëlqere te silazhi dhe të nesërmen, ndërsa Zihniu, po pinte kafen e mëngjesit ke klubi Alijes, vjen brigadieri dhe i thotë: O Zihni, Përgjegjsi ka vendosur të ta heqë qerren, sepse “qetë e mi i kanë flokët kaçurrel, dhe më të bukur se të përgjegjesit…” (kjo ishte nje batutë që e kishte lënë Zihniu…) sepse mbrëmë ke shkuar dhe ke vjedhur silazh për qetë…
Aq iu desh Zihniu dhe u kthye: Vërtet qetë e mi kanë kaçurrela, po unë i kam tredhur ata, dhe jo si përgjegjsi që shkon me normisten e sektorit! Le të shkojë përgjegjesi të tridhet nji herë, dhe po s’iu bënë flokët si të qeve të mi…!!
.

***

Udhëtoja me makinë nga Lushnja për në Athinë. Ishin kohë të këqia ato të vitit ’97.
Te Uji i Ftohtë në Tepelenë, policia kish bërë postbllok duke ndaluar shumë makina për kontroll. Unë udhëtoja me makinën time me targa greke, kur polici më bën shenjë të ndaloj. Zbrita unë, nëna dhe gruaja. Na duhej të qëndronim me “duart lart”, derisa të mbaronte kontrolli i policisë. U bë radhë e gjatë. O zot, thashë. Po unë ç’desha që erdha në Shqipëri në këto kohë. Kur befas dëgjoj nji zë të fortë polici që bërtiti… -Ej, ju të të tre atje ulini duart shpejt. Ju janë njerëz ballëlart dhe duhet të kaloni pa u penguar… Hajt, kaloni shpejt!
Po na shihnin të gjithë! Kur u nisëm të iknim… ç’të shikoj…
Ishte Zihni Asllani, që më përqafoi si vëlla…!
.


 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Dhjetë vite të shkura (11 qershor 2011) iu dha lamtumira e fundit njërit prej pinjollëve të familjes së Xhemal Brahimit nga Luftinja e Tepelenës, birit të vetëm që i mbeti gjallë, Zihni Asllanit, i cili që në bark të nënës qe destinuar të thirrej si: “biri i armikut të popullit”!!
    Rritur mes vuajtesh pafund nën torturën dhe tmerrin e kuq, Zihniu u shqua edhe për shpirtin e hareshëm po edhe humorin e hollë me “kuadrot” sprovuar edhe falë injorancës që karakterizonte pjesën dërrmuese të tyre. Një sportdashës i rrallë po edhe tifoz i pashoq i gjermanëve. Kështu u largua para kohe, një nga bijtë e familjeve nacionaliste të Jugut, që jetuan në kohë të vështira për kombin shqiptar nën thundrën komuniste, e që e mbajtën të ndezur zjarrin e nacionalizmës shqiptare.
    Pushofsh në paqe e kujtofsh prej të dashurve të tu Zihni Asllani! Sepse shpirti yt hokatar dhe ai humori i rralle yt ka mbetur midis gjithë atyre që të deshën e të respektuan gjithë jetën.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.