
Qarkore – Kryeinspektorive dhe inspektorive të arsimit
nga Rexhep Mitrovica (1922)
“Kur hidheshin themelet e Shtetit Shqiptar”
Antikat që janë gjetun sot, andej këtej në Shqipni, dhe që po gjindën thuejse çdo ditë, si gurë e rrasa të mbishkrueme, shtama e krenë njerëzish guri a metali, pare, enë balte a metali, gjana të gjetuna nëpër varre, vegla të vjetra, petrafakta etj, kanë nji vlerë e randësi të madhe shumë, pse nga studimet qi do të bahen mbi këto kanë për me dalë në shesh shumë gjâna, qi nuk i dijmë deri sot, e do të mësojmë prej këtyne shumë sende mbi historin e atij vendi ku asht gjetun antika e përgjithënisht mbi historinë e gjithë vendit tonë.
Po për antika a vjetërsina nuk kuptohen vetëm ato qi përmendëm sipër: nji shtyllë guri e dergjun diku, nji kish’ a nji xhami e vjetër në nji qytet a në nji katund, nji mur fortese i vjetër, për të cilin ka nji gojëdhânë, nji libër a nji dorëshkrim i vjetër, nji vorr a nji tyrbe, etj. të gjitha këto janë antika qi flasin shumë mbi historinë e atdheut tonë, e disa prej këtyne, sikurse âsht fortesa e Beratit, nji kish’e vjetër në Berat, ndonji kish’a tyrbe a xhami e vjetër tjetërkundi kanë vlerë të madhe e duhet të shikohen si “përmendore kombëtare”.
Por veç vlerës e dobis shkencore, të gjetunit e të ruejtunit e antikavet e të përmendorevet kombëtare ka edhe nji vlerë mâ të naltë morale, pse e nxjerr Shtetin tonë faqebardhë në sy të botës së qytetnueme edhe e dëften dëshmimtar të qytetnimit e të përparimit.
Prandaj asht nji detyrë e shenjtë e çdo arsimtari qi të kujdeset me të madhe për të ruejtunit e këtyneve, qi të mos prishen, të mos vidhen e të mos shiten paskëtaj; pse, mjerisht, nji shumicë e madhe e e vlerëshme e këtyne antikave kanë vojtnun dâm deri sot tue u prishun a tue u shitun prej njerëzish qi nuk kuptojnë vlerën e tyne ase tue u qitun jashtë Shqipnis në kohë të pushtimeve të hueja.
Asht koha sot qi të pushojë mã të prishunit e të grabitunit e antikave të vendit e nga të mbledhunit e këtyne të ngrehet mâ vonë nji museum kombëtar, sikurse kanë gjithë Shtetet e tjera, e përmendoret kombëtare, sikur ato qi përmendëm sipër, të ruhen e të mos rrënohen mâ paskëtaj.
Për të mbledhunit e të ruejtunit e antikavet e të përmendoreve kombëtare duhet t’interesohen, të kujdesen e të bâjnë detyrën e tyne gjithë arsimtarët. Për kët qëllim kjo Ministri po u ven arsimtarëve këta urdhëna;
1.Çdo mësues katundi do të vëzhgojë në katundin e tij a në katundet përreth në gjindet kund ndonji antikë a përmendore e vjetër ase në ka gjetun edhe e ka ndokush ndonji gjá antike nga ato qi përmendem sipër e do të lajmoje sakaq me nji shkresë të shkoqitun Inspektorin e Qarkut.
2.Gjithaj urdhën po u vihet edhe mësuesve të qyteteve, të cilët kanë për të kumtue Drejtorin e shkollës e kjo Inspektorin e Qarkut.
3.Inspektori i çdo Qarku, veç kujdesit e hetimit e vëzhgimit personal qi duhet të ketë për të gjetunit e të ruejtunit e antikave e të përmendoreve kombëtare, pas lajmeve të marruna prej çdo mësuesi do të lajmojë kryetarin e Bashkisë ase do t’i dorëzojë antikën e gietun. Çdo Bashki do të ketë nji vend të veçantë në ndërtesën e sajë për të ruejtunit e antikave e nji inventar të posaçëm për këto.
4.Gjithai vëzhgim e kujdes për të gjetunit e antikave e për të ruejtunit e përmendoreve kombëtare do të tregohet nga ana e çdo arsimtari edhe në rasë të gërmimeve qi bahen për t’u vumun themelet e ndonji ndërtese a për t’u ndrequn kundi ndonji udh’e re.

Rexhep Mitrovica d. v. (vula) Ministër Arsimit
Tiranë, me 18.VI.1922
Vrethee Lnika – Leka Ndoja
Ministri i Arsimit, Rexhep Mitrovica, kreu reformën e parë të shtetit të konsoliduen shqiptar, mbas Luigj Gurakuqit e Sotir Pecit. Në gazetën zyrtare që u hap pas Kongresit të Lushnjes, Dit’e Re botohen Qarkore dhe një Ligj për pasuritë e veprave të artit dhe sidomos ato arkeologjike – të vlefshme për historinë kombëtare [cit].
Faleminderit Pashk se dokumenti arkivor dhe firma e Mitrovicës don të thotë shumë në rikonstruksionin e historisë dhe të arsimit.
Marrë nga Muri i FB Pashk Alia Martini, 4 dhjetor 2025