back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Qani Çollaku, profesori… nga Istref Haxhillari

Gazeta

Qani Çollaku në Pogradec
Qani Çollaku në Pogradec

Qani Çollaku, profesori… nga Istref Haxhillari

Qani Çollaku,
qe një mik,
një bashkëvuajtës,
një erudit,
një talent brilant
që dinte edhe mes telave me gjëmba të Spaçit,
edhe mes Ferrit komunist të burgjeve,
të zgjonte në shpirtat tanë,
artin e madh me një gojtari profetike…
Ky ishte Qani Çollaku,
me prejardhje nga një familje
me tradita kulturore dhe atdhetare…
I paharruar kujtimi i tij!
Caush Çoku (bashkvuajtës)

Lasgushi me miqtë e Pogradecit... (Qani Çollaku me x)
Lasgushi me miqtë e Pogradecit… (Qani Çollaku me x)

Brezi im e konsideron profesor Qani Çollakun një fenomen që kaloi heshtazi, pa bujë e zhurmë në jetën kulturore të qytetit të Pogradecit, të mbushur me emra zulmëmëdhenj si Gjergj Pekmezi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, e të tjerë. Por si ta shpjegojmë faktin që, ndonëse nuk la as gjë të shkruar, nuk botoi në shtypin e kohës asnjë shkrim, mbetet në mënyrë të padiskutueshme figurë e konsoliduar e kulturës qytetare pogradecare? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, mendoj se mund të bëhet në miniaturë ky krahasim: edhe Faik Konica është i madh, jo aq për shkrimet e tij, që natyrisht kanë vlerën e tyre, po për faktin se ai solli në shqip, ashtu si i njohim ne sot, rilindësit e mëdhenj Naim Frashërin, Çajupin e të tjerë. Me të njëjtën mënyrë, edhe Qani Çollaku zbuloi përmes orëve të letërsisë universin poetik të Lasgush Poradecit, mrekullinë e rrëfenjave të Kutelit, hapësirën e pamatë ruse të Dostojevskit, Çehovit, Gogolit e të tjerëve. Ja pra, si ai i bënte ai sfidë mediokritetit letrar të kohës!!
Në antologjinë e letërsisë shqipe të gjimnazit tonë, Lasgush Poradeci përfaqësohej me tri poezi të përmbledhura në dy faqe, ndërsa një poet pa asnjë vlerë përfaqësohej me dhjetë faqe dhe zhvillohej në katër orë mësimi, kundrejt një ore që zhvillohej poezia e Poradecit. Por, falë profesorit të letërsisë, ky raport shndërrohej në pesë me zero në kahun tjetër.
Ja si e fillonte ai, një orë mësimi të letërsisë: “Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir/ Po përhapet dalëngadalë një pëlhurë si një hije…etj” Dhe duke recituar, ai mbante ritmin muzikal të vargut, e me sy të perënduar, krijonte një atmosferë tejet qiellore ku nuk ekzistonte asgjë tjetër përveç natyrës së mahnitshme të liqenit përrallor…
Ne harroheshim duke e dëgjuar, dhe na vinte keq kur mbaronte ajo orë mësimi, dhe habiteshim se si nuk e paskëshim parë këtë bukuri që e kishim aq pranë. Binte zilja dhe magjia mbaronte! Profesori kthehej në jetën e tij reale si i trembur dhe na thoshte:
-Hapni librat nga faqja kaq e deri në faqen aq, ku keni mësimin e ditës.
Kur hapnim librin e letërsisë dhe fillonim të studionim, me habi lexonim emrin e një tjetër poeti dhe të tjera poezi… Magjia qe zhdukur, vargjet s’kishin gjëkundi më atë muzikë që na kish lënë brenda profesori…
Profesor Qaniu, na zbulonte universin poetik të Lasgushit përpara një brezi të etur për dije, që thithte me etje çdo varg magjik të shkruar prej tij. Ne nuk e dinim që poeti, me të cilën kishim rënë në dashuri më shumë se me vajzat e shkollës, ishte i gjallë. Në mendjen tonë ai identifikohej me qeniet mitologjike, të jashtëzakonshme që dinë të bëjnë magji e të hipnotizojnë njerëzit!

Lasgush Poradeci - Shpirt'i poezisë shqipe
Lasgush Poradeci – Shpirt’i poezisë shqipe

Gjimnazi ynë kishte në atë kohë një trupë pedagogjike të kualifikuar dhe autoritare, me profesionistë të vërtetë. Bashkënxënësit e mi kujtojnë doemos me respekt e nostalgji, krahas Qaniut edhe Petro Priftin po nga qyteti ynë, Dhanil Stefani e Gjergji Merlika nga Korça, Theodhor Duni nga Tirana, Rruzhdi Cerloi nga Durrësi.
I përmend me respekt për dijet që na dhanë dhe metodat që përdornin, dashurinë me të cilën na rrethonin dhe miqësinë, si të ishim shokët e tyre. Nga këndvështrimi i kohës së sotme unë e kuptoj shumë mirë vështirësinë e tyre përkundrejt presionit ideologjik të kohës. Atyre u kërkohej që çdo lëndë mësimore të përshkohej nga filozofia dhe politika. Dhe ata, ustallarë për matematikë, kimi, fizikë, letërsi, detyroheshin të gjenin pikat e kontaktit të disiplinave shkencore me këtë filozofi. Mundim, sa i vështirë, aq edhe i kotë e i pakuptimtë. Rezultante e tërë këtij mundimi ishte një konformizëm i neveritshëm, po i domosdoshëm për të mbijetuar e punuar në arsim, prandaj ata i përshtateshin dosido mendimit teorik të kohës. Këtë lloj konformizmi ishim të detyruar ta aplikonim të gjithë, në vitet e mëvonshme kur punuam në arsim si mësues, në të shumtën e rasteve pa e kuptuar absurdin që ai mbartte me vete…
Por Qani Çollaku ishte gatuar nga tjetër brumë, ishte tjetër natyrë. Revolta e tij ndaj filozofisë së kohës ishte krejt e natyrshme dhe e sinqertë, e argumentuar me një qartësi të admirueshme. Arsyetimi i buronte nga krejt qenia e tij, i pastër e i thjeshtë, pa asnjë paragjykim, si i një fëmije. Në një mbledhje të këshillit pedagogjik të gjimnazit u mbajt një raport, thelbi i të cilit ishte që i gjithë procesi mësimor të përshkohej nga filozofia dhe mendimi politik. Mësuesit duhet të ishin krijues për të dalë mbi tekstet që konsideroheshin të vjetruar, për t’iu përshtatur kësaj filozofie. Në këtë forum të shkollës merrnin pjesë, përveç mësuesve, edhe përfaqësues nga nxënësit dhe komuniteti i prindërve. Duke gjykuar nga pozitat e sotme, nuk ka asnjë dyshim se tekstet, ndonëse përkthime të mirëfillta nga rusishtja, të aplikuar për qindra vjet në gjimnazet ruse, ishin shumë më të mira se ato që u revolucionarizuan më vonë, reformë pas reforme, madje edhe me ato që përdoren sot, kur mungon censura. Krahasoj një libër të fizikës se asaj kohe me atë që përdorim sot dhe habitem si nuk e kuptojnë, ata që e kanë në dorë këtë punë, ndryshimin absurd në kahen negative të këtyre teksteve? Diskutimet ishin në të njëjtën frymë (kujt ia mbante të thoshte të kundërtën), të njëtrajtshme dhe pa ngjyrë, argumente të sforcuara për të qenë në rregull me sfondin ideologjik. Qaniu ishte ulur në bankën e fundit së bashku me mua, (isha përfaqësues i klasës së tretë C, ku ai ishte mësues kujdestar). Nga qëndrimi, lëvizjet, ai tiku nervor që e kishte të vazhdueshëm dhe i shtohej në raste nervozizmi, kuptohej qartazi revolta e brendshme që mezi e përmbante. Kur njëri nga profesorët, që ai e vlerësonte për gjykimet racionale dhe personalitetin e tij, e mori fjalën dhe po fliste në të njëjtën frekuencë që diktonte mbledhja, Qaniu u ngrit me vrull, pa marrë leje, i preu fjalën kolegut (kjo ishte krejt jashtë kulturës së tij) dhe tha:
-Kolegë të nderuar, unë mendoj se e kemi për detyrë t’u mësojmë këtyre nxënësve më së pari matematikë, letërsi, kimi, fizikë dhe, pasi të formojnë personalitetin e tyre, le të bëhen po të duan edhe komunistë!
Doli nga klasa me hap të nxituar, pa thënë më tej asnjë fjale, dhe iku. Mbledhja u prish. Fjalët e tij ishin si rrufe në qiell të hapur dhe lanë pas habi, pështjellim, kundërshti po edhe miratim të heshtur nga shumica e profesorëve të shkollës. Atëherë ne nuk kuptonim shumë gjëra, po më vonë koha tregoi se ato fjalë ishin prologu i kalvarit të vuajtjeve pafund të atij njeriu që për ne ishte dhe mbetet model i thjeshtësisë, inteligjencës, erudicionit dhe i një personaliteti të jashtëzakonshëm.
Prill 1999
(Marrë nga Muri i fb i Ermira Babaliut, 8 gusht 2014)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.