back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 13 Dhjetor, 2025

“Pushteti i Plepit” – roman që lexohet me një frymë – nga Jozef Radi

Gazeta

Vasilika Michalas Gjoka
Vasilika Michalas Gjoka
“Pushteti i Plepit” – roman që lexohet me një frymë
nga Jozef Radi

Shpesh arti i të shkruarit është një pasion i nisur herët në jetë dhe me kohë njerëzit e letrave e formatojnë hap mbas hapi personalitetin e tyre letrar, krijojnë lexuesit e tyre, skalisin profilin apo stilin e tyre të shkrimit, i cili kulmon me veprat ose edhe kryeveprat e tyre. (nuk është e thënë që kryevepra e një shkrimtari të jetë edhe kryevepër e një letërsie).
Vasilika Michalas – Gjoka, pasionin e të lexuarit e ka pasur të hershëm dhe tejet të vëmendshëm, të shkruarit e ka ca të vonë, ndërkohë botimet janë të pak viteve më parë, aq sa mund të thuhet fillimet e saj të shkrimeve, nisin pikërisht kur autorët heqin dorë nga të shkruarit, mbasi e quajnë edhe të kryer misionin e tyre. Si duket letërsia ka qenë një pasioni i thellë dhe i kahershëm i saj të cilin koha nuk arriti as t’ia shterrë, as t’ia mpakë e as t’ia zvetnojë.
Vasilika Michalas – Gjoka sjell para lexuesve librin e saj të dytë, romanin “Pushteti i Plepit”, Shtëpia Botuese “Jozef” 2025, (libri i parë i saj ishte “Kujtimet e Veronikës) si dëshmi e një këmbënguljeje kokëfortë për të kontribuar seriozisht në fushën e vështirë të prozës.
Siç ajo na dëshmon në krye të romanit, është mbështetur mbi personazhe dhe rrëfime të vërteta dhe në një kohë reale, çka na lejon të kuptojmë se autorja ka pasur material të bollshëm jetësor, mbi të cilin e ka mbështetur realizimin e një vepre letrare, ku ajo është rrekur të pasqyrojë dy epoka: në fjalë të ndryshme mes tyre, po në realitet jo edhe aq të tilla!
Bëhet fjalë për periudhën e para ’90-ës dhe atë të mbas ’90-ës. Ngjarjet janë të vendosur në qytetin bregdetar të Vlorës dhe shtrirë në kohë prej vitit 1977 deri në vitet 2005; pra një periudhë, njëçerekshekullore, ku Shqipëria kaloi nga diktaturë e egër dhe tragjike, te fryma e lirisë nën çorodinë e organizuar, e cila prodhoi drama të njëpasnjëshme, një prej të cilave përbën edhe fabulën e romanit në fjalë. Ajo çka ndodh është transformimi shoqëror, që në kushtet e lirisë pa ligje shëndrrohet në farsë; ku mbijetesa bëhet edhe më e ashpër, mbasi kthetrat “e lirisë” ngulen thellë në trupin dhe fytin e qytetarit të thjeshtë…
Figura qëndrore e romanit është Pelivani, një personazh i thjeshtë, i cili vjen nga shtresat e margjinalizuara, por me një shpirt pakufi mirësie dhe humori të rrallë. Mbijetesa e shoqërisë gjatë gjithë ecurisë së romanit shfaqet nën një refren fluid drite edhe kur tragjedia shkruhet me thikë në lëkurë jo vetëm te kryepersonazhi i romanit…
Në pikëpamjen e ndërtimit të kësaj vepre, autorja ka merita, sepse strukturën e romanit e ka ngritur mbi një metaforë. Metafora e “Pushtetit të Plepit”, së cilës i bashkangjit pushtetin e vërtetë egërshan të diktaturës dhe postdiktaturës, duke e kthyer në subjekt “plepin”, një ndër pemët më pak të vlefshme, pemë pa rendiment dhe pa ndonjë cilësi të veçantë; një pemë që figurativisht përfaqëson kotësinë, ku autorja përmes kotësisë së pemës e përcjell pothuaj krejt rrugëtimin e kryepersonazhit të saj, shpirtin e humorit të të cilit e mbështjell me një humanizëm të paskaj. Personazhet vërtiten në qytetin e Jugut në hapësirën kohore 25 vjeçare të ndryshimeve, ku varfëria mbasi kish arritur ekstreme të paimagjinueshme, ku ndërmarrjet ushqimore të prodhimeve ishin kthyer në vende ku me gjitha mjetet e mënyrat vidhesh për të mbijetuar, ku personat e ngarkur për mbikqyrjen e këtij realiteti të frikshëm bëheshin padashtas pjesë e këtij organizimi. Ndërkohë shteti, shkaktari i kësaj gjendjeje katastrofike, organizohej me gjithë veglat e veta që t’i poshtërojë sërish ata që i kishte katandisur në gradën e fundit të mbijetesës. Në këtë paradoks shqiptar, autorja ka gdhendur me kujdes mjaft personazhe, ka ndërtuar me realizëm ambientet, ka kapur dramaticitetin e situatave që shfaqen si tabllo të frikshme. Një realitet në dekadencë të plotë, i cili, për shumkënd sot duket i stisur, deri në kufijtë e së pabesueshmes, ndërkohë që mbart në vetvete thelbin e një regjimi që po degradonte vetë, e së bashku me të, gjithë vlerat humane të një shoqërie, duke i shndërruar ato në antivlera.
E megjithatë, njerëz me shpirt human, (Pelivani kryesori) edhe pse të shtrënguar në darët e mbijetesës, përmes aktesh ligjërisht të dënueshme, na japin kompleksitetin e një kohe, të cilën vetëm ata që e kanë jetuar e përjetuar atë, mund ta perceptojnë tragjizmin e saj…
Pjesa e dytë e romanit, është një dëshmi e transformimit të shoqërisë në kushtet e një lirie fasadë. Liria ka ardhur, por me një kosto tejet të lartë. Ajo nuk e ka përmirësuar aspak situatën, përkundrazi e ka rënduar edhe më tej atë. Njerëz të çoroditur jetojnë në kufijtë e asistencës sociale e të punëve rastësore; nëse nuk marrin rrugët e mërgimeve u duhet të shpikin punë e të jetojnë përmes sakrificash të shumta, fryma kriminale përfshin jo vetëm njerëzit e ish pushtetit po edhe ata që kërkonin të realizonin ndonjë projekt apo t’i shpëtonin së keqes. Sensi i dikurshëm i mbijetesës kthehet në vazhdimësi, e kur pamundësitë prekin fundin, shfaqen tendencat e kriminalizimit të egër të shoqërisë. Nëse në fazën e parë, kemi frymën e mbijetesës përmes brejtjes si miu nga shteti i gjithpushtetshëm, në pjesën e dytë përballemi me kriminalizimin e shoqërisë përmes së paligjshmes si: kalimi i klandestinëve, vjedhja apo përvetësimi i objekteve, prostitucioni, transporti i drogës… e megjithatë, autorja, s’e shkëput asnjëherë linjën e humanizmit që përfaqësohet me kryepersonazhin e romanit, Pelivanin dhe gjithçka përballon familja dhe fëmijët e tij, në situatën e re…

Pushteti i Plepit - Roman Vasilika Michalas - Gjoka
Pushteti i Plepit – Roman Vasilika Michalas – Gjoka

Leximin e një romani ku pasqyrohen dy kohë të egra, secila në mënyrën e saj, lexuesi s’e ka të lehtë të përcaktojë se cila kohë është më e errët, apo ato janë vazhdimësi e njëra-tjetrës?! Ndoshta ato e kompromentojnë njëra-tjetrës, sepse kërkojnë përmes varfërimit shthurjen e vlerave humane, shkatërrimin deri në pakthim të institucioneve dhe kriminalizimin deri në qelizë të shoqërisë, prandaj “figura e plepit” që po kalbej e që në vazhdimësi i kishte sjellë probleme familjes së Pelivanit, bëhet si dëshmi nyje. Mosgjetja e një rrugëzgjidhje për prerjen apo sistemimin e tij, bëhet problem i Pelivanit, familjes, lagjes, përfshihen aty edhe institucionet: si Bashkia, prokuroria, deputeti… Të gjithë vërtiten rreth një plepi e askush s’i jep zgjidhje problemit… edhe pse ai po dëmton jo vetëm personin në fjalë po edhe ambientin.
Në fund të romanit jepet gjithnjë e më i plotë raporti i individit që zgjedh me ata që zgjidhen përmes votës, ku të zgjedhurit mendojnë vetëm si të pasurohen, ndërsa zgjedhësit nuk zgjidhin dot as prejen e një plepi… duke i shtyrë edhe zgjidhjet e problemeve të thjeshta të qytetarëve, në Kalendat greke, çka dëshmon dhimbshëm edhe thelbin e kohës që jetojmë…! Vota ka vlerë vetëm për të zgjedhurit që pasurojnë veten, pa zgjidhur asnjë nga problemet e qytetarit, derisa të rinjtë detyrojnë të ndërmarrin veprime arbitrare, e të vënë jetën e tyre në rrezik e ta kthejnë shpresën e madhe për një jete të re, në një tragjedi për veten, për familjen, e cila pëson goditje të njëpasnjëshme, pikërisht prej mungesës së komunikimit së njeriut të thjeshtë me njeriun e politikës…
Romani “Pushteti Plepit” përfundon me tragjedi, po edhe me një mesazh të fuqishëm shprese. I biri i Pelivanit, Agroni me ëndrrën e madhe të krijimit të familjes së re, në pamundësi ekonomike, e kërkon zgjidhjen te rrugët e paligjshme… E ëma, e parandjen këtë situatë dhe jep alarmin duke u përpjekur ta shpëtojë. Ndërkohë gjërat kanë marrë një kah të beftë, e ndërsa e dashura me kthimin e Agronit priste të bëhesh dasma, e ta lajmëronte se është edhe me barrë. Vdekja e Agronit e detyron të ndërmarrë arratinë, e të zhduket për shumë vite… Kjo për ta shpëtuar fëmijën dhe për ta mbajtur sa më larg atij realiteti që prodhonte poshtërim, krime dhe vdekje…
Duket se autorja ka dashur t’i krijojë një nyje të fortë me vlerat, në tendencë për ta shpëtuar shoqërinë nga e keqja. Simbas meje romani mund të kishte pasur një fund më të besueshëm, nëse do ta kishte mbetur pezull jeta e Agronit, në ndjekjen që i bën policia italiane nëpër kënetë. Të mos merrej vesh vdekja, o ndoshta ndonjë situatë që ta mbante të humbur për mjaft kohë… megjithatë në qëndrimin besnik ndaj së vërtetës reale, ajo e ka gjykuar se kjo ishte më e drejta!
Romani “Pushteti i Plepit” është një vepër që ka vulën e kohës. Një realizim mjaft dinjitoz i Vasilika Michalas – Gjoka, mbas romanit të saj të parë “Kujtimet e Veronikës”. E konsideroj një kontribut me vlerë, dëshmi e një realiteti me fasadë lirie, ku bota e krimit është e lidhur ngushtë me pushtetin politik. Romani mbetet dëshmi e të vërtetave të thella që edhe pse dhëmbin deri në kockë, përcillen me ironi dhe humor, një sondë letrare që zhytet në realitete komplekse ngjarjesh për t’na dëshmuar përmes personazhesh të skalitur me dashuri, epokën që shpalos shpresat e rreme për liri e demokraci, çka e bën këtë vepër, jo vetëm të lexueshme po edhe me vlera thellësisht njohesë dhe edukative…
shtator – tetor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.