
Puna e drejtpërsëdrejtë në prodhim
nga Prenjo Imeraj
Rreth viteve ‘70 të shekullit të 20-të, kur Shqipëria ndodhej nën diktaturën e kuqe komuniste të Enver Hoxhës, dikujt nga këshilltarët e tij i lindi një mendim i mbrapshtë, i cili pasi u “shoshit” në udhëheqjen e partisë u shndrua në ligjë: Të gjitha “kuadrot” e partisë, ku përfshiheshim arbitrarsht edhe ne mjekët, duhej që një muaj në vit t’ë kryenim punë fizike ose prodhuese drejt për drejt në prodhim. Ai muaj na paguhej nga spitali si rrogë e zakonëshme, pasi ne nuk përjashtoheshim nga urgjencat, të cilat duhej t’i mbulonin gjatë asaj “palo pune” prodhuese.
Disa vjet rresht, së bashku me Dr. Ihsan Çabejn, do e bënim në të njëjtën periudhë “punën drejtpërsëdrejti në prodhim” në muajin shtator dhe kishim zgjedhur brigadën e perimores, në fushën për karshi kodrave me pemë frutore të fermës shtetërore, midis Dushkut dhe Golemit, që drejtohej nga brigadieri komunist Sadik Muka. Në një rast, u bashkua me ne erdhi edhe oficeri i policisë kriminale, Emin Kulla, i cili ishte njeri i mirë dhe ne na “hahesh” muabeti me të.
Muaji shtator ishte muaji i frutave, prandaj edhe ne kishim zgjedhur miqësisht atë muaj për punë fizike. Për çdo mëngjes takoheshim të tre te ura në hyrje të Lushnjes dhe kapiten Emini na gjente makina të rastit deri tek brigada. Rreth 15 minuta rrugë me makinë.
Brigada mblidhej përherë në orën 7:00 të mëngjezit dhe ishin rreth 30 punëtorë.
Kur shkuam për herë të parë u paraqitëm në orar, pasi duhej të dorëzonim dokumentin e regjistrimit për të kryer punën fizike. Shumica e punëtoreve të brigadës së Sadikut, ishin gra dhe vajza të veshura tmerrësisht keq: me pantallona e bluza të arrnuara, pasi punonin me zarzavate dhe rrobat ju griseshin. Vetëm tetë veta ishin meshkuj dhe ata alternoheshin si roje, për të ruajtur perimet dhe një parcelë të madhe të mbjellë me shalqi për eksport, pasi toka e Tërbufit që dikur kishte qenë kënetë, dhe ishte prodhimtare…
Brigadieri ishte një burrë i shkurtër por simpatik dhe trup atleti. Kishte pamje prej babaxhani, bjond e me sy bojë qielli, gjë që dëshmonte se në rini kishte qenë djalosh i bukur. Me origjinë ishte nga Përmeti dhe ne e njihnim mirë, pasi ai kishte edhe një vajzë të bukur infermjere. Thoshin se e kishte mbaruar Agronominë natën, se kishte tesrën e antarit të Partisë në xhep dhe njihej si komunist i “thekur”. Mua me Dr. Ihsanin na respektonte, kapiten Eminin po e po! Pasi bëri apelin e brigadës, komunikoi pjesëmarrjen tonë si antarë të brigadës gjatë muajit të punës fizike.
-Shokët kuadro, nuk do i ndajmë nëpër skuadra, e kishte fjalën për ne, ata do kenë lidhje gjithnjë me mua dhe për çdo mëngjes do na flasin nga pesë minuta secili: Kapiten Emini për ligjet, Dr. Çabej për problemet mjekësore dhe Dr. Prenjo për kulturën.
Kapiten Emini e filloi leksionin e shkurtë lidhur me unitetin dhe harmoninë midis njerëzve tanë të shoqërisë socialiste, lidhur me familien, punën, shoqërinë, zbatimin e ligjeve dhe udhëzimeve të Partisë të Punës së Shqipërisë…
Pas Eminit e mori fjalën Dr Ihsani:
-Shoh shumë nga ju, sidomos vajza, që janë veshur me sandale e ca me lëpitka. Kështu nuk jini të mbrojtura nga sëmundjet, sidomos nga ethja ikterohemoragjike ose Leptospiroza, sëmundje infektive nganjëherë e rrezikëshme që paraziton në minjtë e arave dhe ata e ndotin fushën me anën e urinës. Kur kryet vaditja dhe ju punonin zbathur ose me sandale, mund ta merrni mikrobin fare lehtë nëpëmjet gërvishtjeve ose plasaritjeve të lëkurës…
Pasi doktori dha edhe disa porosi të tjera lidhur me higjenën personale, e mora fjalën unë, duke folur shkurtimisht, për kulturën e të veshurit dhe të paraqitjes në shoqëri:
-Njeriu lahet, pastrohet e vishet mirë në radhë të parë për veten e tij, mandej për të afërmit dhe shoqërinë qytetare. Sa më pastër të vishet njeriu, sa më lehtë në verë e sipas kohës dhe stinës, aq më komod e të lehtë e ndien veten. Që puna të shkojë mirë e të ketë rendiment, duhet të ndihesh sa më i gëzuar. Kjo gjë mund të bëhet edhe në brigadën tuaj, përpara shpërndarjes së punës, sepse jo të gjithë janë në humor kur vijnë në punë dhe jo të gjithë e fillojnë punën me entuziazëm. Një nga faktorët nxitës për të nisur punën me hov është muzika. Tingujt e një fizarmonike pesë minuta përpara fillimit të punës të bëjnë: Jo vetëm të mos ndjesh lodhjen por edhe të nxisin për të punuar më shumë… Brigadier Sadiku shikonte poshtë nga opingat e tij, kapiten Emini po më vërente me habi, ndërsa Dr. Çabej më shikonte me qesëndi!
-Shpërndahuni nëpër parcela tani, thirri brigadieri, – kurse ju të tre hajdeni me mua, na u drejtua ne “punëtorëve me korespondencë” dhe na shoqëroi deri në fund të parcelës me shalqi, ku po e priste roja i natës. E porositi të na hapte një shalqi, ndërsa vetë u largua i vetëm në krah të për të “kontrolluar” punët e punëtorëve të brigadës. Ne mezi e konsumuam zemrën e shalqinit, që ishte goxha i madh dhe u larguam për tek baranga ku qemë grumbulluar më parë.
Kapiten Emini na kërkoi leje të largohej se kishte ca punë në Degën e Brendëshme. Kurse unë me Dr. Ihsanin, mbetëm aty, ku nuk dukej as edhe një punëtor, pasi gratë ishin në punë larg nga qendra.
Ora ishte 10 e paradrekes dhe ne nuk po na e mbante të largoheshim aq shpejt. Na u duk e arsyeshme të shkonim te skuadrat e grave, që ishin duke vjelë perime për treg. Po vilnin patllixhane dhe bamje, pasi parcela e domateve ishte më larg dhe nuk e kishin ditë vjeljeje. Gratë me tuta me arrne e këmisha me mëngë të gjata, tek-tuk ndonjë grua kishte doraçka rrobe, kurse shumica i kishin mbështjellë duart me lecka.
-Pse lecka nëpër duar? – pyeti Dr Ihsani
-Përndryshe na bëhen duart gjak, – u përgjigj një grua, më e moshuara ndër to, -kanë push shpues si bamjet por edhe fundet e patllixhaneve, prandaj.
Prej andej ecëm më tutje në parcelën e domateve, ku gjetëm dy djem të rinj që po vaditnin duke hapur vija kulluese të vogla uji, të cilat ua shpinin bimëve të domates deri tek rrënjët. Mandej, fillonin dy parcela me misër dhe midis tyre një goxha hapësirë ishte mbjellë me bostanë vetëm për eksport. Si duket parcela me shalqi n’afërsi të barakës së veglave të brigadës ishte për tregun e Lushnjes për konsumim të përditshëm.
U kthyem te baranga dhe gjetëm Shabën, një djalë i shkathët dhe esmer i lezetshëm me një fizarmonikë në krahë. Më kishte ardhur për vizitë mjekësore në Poliklinikë dikur, prandaj e mbajta mend.
-Jotja është fisarmonika? – e pyeta
-Po, dhe e marr me vete pasi jam roje nate i përhershëm tek parcelat e shalqinit për eksport. Duke i rënë fizarmonikës nuk më zë gjumi, por edhe hajdutët druhen të afrohen!
-Ju lumtë, – i a ktheva unë, – ka mundësi të ndodheni me gjithë fizarmonikë nesër në orën 7 e gjysëm se do bëjmë pesë minuta aheng?
-Posi, ma ktheu Shaba, – unë më 7 e gjysëm më duhet ta dorëzoj turnin, paçka se jam vonuar sot. Pasi u mendua ca Shaba na dha një informacion dhe porosi shumë të “vlefshme”.
-Brigadieri ynë vuan nga gurët në veshka dhe bën kurën e shalqinit: Konsumon tre herë në ditë nga një zemër shalqini: në orët 8, 12 dhe 18:00, përpara se brigada të lërë punën. E ka rregulluar me rojen e shalqinit ku ju shpuri edhe ju sot, po ai nuk e konsumon atje shalqinin, por në një kanal pa ujë të mbuluar me barëra, rreth 200 metra nga vendi ku ishit ju dhe atë e di si vend vetëm ai me rojen e bostanit të tregut. Ju mos shkoni të hani më shalqi atje ku ju shpuri sot, refuzojeni, por do vini në qoshen e fundit të parcelës së eksportit që maskohet nga misri. Atje do gjeni çdo mëngjes nga dy kokrra shalqini. Hani sa të doni dhe mbeturinat lerini në vend, se i heq unë në darkë… Shaba hodhi fisarmonikën në sup, i hipi biçikletës dhe u nis për në shtëpi. Ndërkaq, ora e kaloi njëmbëdhjetën dhe aty nuk dukej më askush. Brigadierin nuk e pamë, se nga u zhduk dhe unë i bëra një propozim Dr. Ihsanit.
Mbi xhaden automobilistike, në zonën kodrinore ishte plantacioni i vreshtave, fiqve dhe bajameve të Sektorit Dushk të Fermës “29 Nëndori”. Ishte koha e pjekjes së tyre dhe meqenëse rojet e zonës na njihnin, u ngjitëm andej dhe dalë e ngadalë mbushëm xhepat me fiq të thatë dhe bajame, që çaheshi lehtësisht me duar dhe zbritëm në xhaden automobilistike. Duke ecur në këmbë gjatë udhës drejt qytetit tonë, bënim muhabet të shtruar duke konsumuar fiqtë e tharë dhe bajamet… Kur mbritëm në hyrje të Lushnjes, ora kishte shkuar mbi dy e gjysëm e mbasdites. Ne i kishim mbaruar edhe frutat e thata edhe muabetet e ditës. Të nesërmen, në orën 7 e gjysëm, kur po afroheshim tek baranga, dëgjojmë zërin e brigadierit që po u bërtiste grave deri në kupë qiellit. Po u hiqte vërejtjen pse ishin veshur si për dasmë, madje disa kishin lyer edhe buzët me të kuq. Unë e kuptova se ato e kishin marrë “jangëllëç”, leksionin tim të djeshëm dhe i pyeta gratë nëse i kishin marrë me vete rrobat e punës dhe ato pohuan të gjitha një zëri. Në rregull atëhere, thashë unë, ato pas mbledhjes ndrrohen për pesë minuta. Tani po vjen edhe kapiten Emini dhe pasi të mbarojë mbledhja kemi pesë minuta këngë me fizarmonikë.
Erdhi Emini dhe sapo na përshëndeti “mirëmëngjes”, unë i u drejtova:
-Shoku Emin, çfarë kënge revolucionare të këndojmë?
-Në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën… – thirri kapiteni,
-Hajde Shabë, – thirra unë… – dhe Shaba filloi. Doktori mezi po e mbante të qeshurën, ndërsa brigadieri me seriozitetin më të madh filloi: – “Në njërën dorë pushkën, Atdheun e mbrojmë, në tjetrën dorë kazmën Atdheun forcojmë”… Pas zërit të çjerrë të brigadierit kakarisnin gratë ca para ca mbrapa dhe ne, me kapiten Eminin mbanim “iso”. Mbaroi kënga, i shkela syrin Shabës dhe ai filloi tangon.
-Çështë kjo, pyeti brigadieri komunist?
-Pesë minuta vallzim dhe pastaj referatet dhe drejt e në punë, shtova unë dhe ke për të parë rendimentin.
-Çfarë, bërtiti brigadieri, – pse çfarë u bë këtu? Ti Shabë marrsh në shtëpi me gjithë atë rrangallen tënde dhe të mos ta shoh më këtu! Ju gra për pesë minuta vishni rrobat e punës; po ju pres jashtë për t’u caktuar vendin ku do punoni…
Kur dolëm përjashta, Dr. Ihsani ndërhyri tek brigadieri se kishte frikë se mos na raportonte në Komitet të Partisë, duke mos e ditur se unë kisha muhabet të mirë me të dhe tha:
-Dr. Prenjo e kishte me qëllim të mirë atë gjë, se ndikon mirë në mbarëvajtjen e punës! Çuditërisht ndërhyri për mirë edhe kapiten Emini, i Degës së Punëve të Brendëshme:
-Edhe ne në Degë bëjmë aktivitete artistiko-letrare, me gjithëse punën e kemi me kriminelë dhe “armiq” dhe na jep njëfarë çlodhjeje.
-Pse nuk e di unë atë punë, – u ndie brigadieri, – po unë nuk kam udhëzime nga Komiteti i Partisë për këtë dhe nuk e “ha atë tek”, që të më dalë nami i keq.
-Mirë, ndërhyri Emini, – edhe për ne të tre nuk ka urdhëra t’u mbajmë leksione punëtoreve se edhe brigadat e tjera nuk e bëjnë këtë punë, pasi nuk ka udhëzime! Kështuqë u la edhe ajo punë. Brigadier Sadik Muka, pasi shpërndau brigadën në punë, na u drejtua ne punëfiziksave:
-Sot ju të tre do u bashkoheni burrave dhe do vilni shalqi për eksport, por do këputni vetëm ato që do u thotë roja e bostanit dhe do i lini në vend, se grumbullimin e bëjnë djemtë; “maunja” e eksportit vjen pas orës pesë të darkës. Ne të tre u nisëm për tek vendi i “fshehtë” ku na priste “mëngjezi” i freskët i Shabës dhe si e mbaruam u paraqitëm në parcelën e shalqinit për eksport. Puna nuk ishte e lodhëshme, pasi nuk na detyronte njeri të shpejtonim, por ishte e mërzitëshme, pasi duhej të përkuleshim e të ngriheshim vazhdimisht, një lloj “gjimnastike” të cilën asnjeri nga ne nuk e kishte ushtruar më parë. Kapiten Emini ishte oficer i antikrimit dhe kishte punën të tillë, që duhej të kontrollonte vartësit për çdo ditë, prandaj e përligji me brigadierin të ikte çdo ditë shpejt. Në orën 10 e gjysëm na tha “ditën e mirë” dhe u largua. Unë me Dr. Ihsanin ndenjëm dhe ca dhe pasi konsumuam edhe pak shalqi, sa për etje, me rojën e shalqinit, i thamë atij “mirëupafshim” dhe ikëm për të bërë adetin në vreshtin për karshi. Kur mbrritëm tek baranga e brigadës, derën e gjetëm të mbyllur dhe u nisëm drejt xhades automobilistike. Pas pak na e arriti Shuaip Shkrepa me karrocën katërrotëshe e tërhequr nga dy kuaj të mbëdhenj, që i përkisnin Sektorit të Qendrës të Perimores. E njihnim si shakaxhi dhe duke qeshur, dhjetë minutat deri në xhaden automobilistike i përshkuam me karrocën e tij. Tek kthesa për në Lushnje i zbritëm karrocës me pretekstin se do shkonim në Sektorin e Dushkut të Fermës “29 Nëndori”, që ishte aty pranë. Sapo u zhduk karroca e Shuaipit tek kthesa e Golemit, i u ngjitëm kodrave nëpër vreshtat e pemishtet dhe nuk prekëm asgjë derisa takuam një roje, të cilin unë e njihja se ishte nga Skrapari me mbiemrin Goduni. E prezantova me Dr. Çabejn, për të cilin ai kishte dëgjuar dhe u gëzua që e njohu pasi kishte nënën të sëmurë nga zemra dhe i kërkoi doktorit ta sillte tek ai në Lushnje, pas punës fizike. Por unë ndërhyra dhe i thashë se të nesërmen rreth orës dhjetë do vish të na marrësh në brigadë tek brigadier Sadiku. I gëzuar pa masë shkoi e na mblodhi ca bajame, ndërsa fiqtë i këputni vetë sipas qejfit, porositi.
Të nesërmen roja i vreshtit erdhi me një karrocë dyrrotëshe tërhequr nga një kalë i bardhë dhe pasi i mori leje brigadierit na mori me vete në Dushk Sektor. Banonte me prindët në një shtëpi përdhese të bërë nga shteti, që e rrethuar nga pjergullat dhe pemët frutore të baçes së tyre, shkëlqente nga bardhësia e gëlqeres. Dr. Çabej nuk nxitohesh gjatë vizitës; vizitoi plakën, plakun e shtëpisë dhe shkroi recetat dhe analizat e duhura dhe i la mbi tavolinë dhe kërko leje për t’u larguar.
-Jo, tha plaku, – nuk bëhet ajo punë! – Plaka ka pregatitur diçka dhe do pimë nga një godë raki!
-Gjë që s’bëhet, u ndie doktori, – qirasjen na e bën djali në vreshtë.
-Për sot kam marrë leje, foli djali, – por nesër jam unë atje, prandaj ju pres. Doktor Ihsan Çabej e kishte shumë zët të hante e të pinte gjetkë, prandaj nuk qendruam. Na gjeti makinë për në Lushnje dhe ne u larguam. Të nesërmen kur e takuam në vreshtë, na kishte prurë edhe dy shishe raki “Skrapari” në një trastë. Kur arritëm në Lushnje ia dorëzova trastën doktorit, i cili mori vetëm njërën shishe me raki. Kështu kaluan ditët e para të punës fizike, pastaj filloi të na kërkojë spitali për urgjencat tona dhe herë pas here, me lejen e brigadierit, shkonim nëpër sektorët e afërmë të fermës, kur na thërrisnin për vizita mjekësore si: në Pluk, Dushk, Zhamë dhe Çermë. Për këto kërkesa, brigadieri nuk na pengonte dhe ne na dukej sikur atij i leverdiste, që ne të dukeshim sa më rrallë në brigadë, aq ma tepër që Kapiten Emini, erdhi vetëm një javë dhe u duk vetëm në fund të muajit shtator, kur morëm vërtetimet e kryerjes së punës fizike për 30 ditë të plota.
Shënim: Material i shkëputur nga libri i pabotuar “Nderi”, me kujtime nga praktika ime mjekësore…
Marrë nga Muri i FB, Prenjo Imeraj 23 tetor 2019