back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Pse u defaktorizuen të përndjekunit politikë… Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

 Pse u defaktorizuen të përndjekunit politikë…

Refleksion nga Jozef Radi…

Ka kalue kohë e mjaftë me analizue qetsisht
mjaft prej problemeve të vështira të epokës postdiktaturë,
kjo vlen edhe për nji nga forcat ma domethanëse
dhe ma shpresëdhanset të realitetit politik shqiptar,
ajo e shtresës se ish të përndjekurve politikë...

***

Ma së pari më duhet të theksoj, se termi “ish të përndjekun politikë”, nuk asht i saktë! Mund të thuhet edhe thjesht “të përndjekun politikë”, mbasi përfaqsimi i tyne politik asht ZERO!!!
Po, nëse do ta shohnim nën nji dritë pak ma të qartë përndjekjen gjysëshekullore të komunizmit kuptojmë se s’ka qenë veç politika, baza mbi të cilën ka nisë përndjekja, por shumë e shumë ma e gjanë. Prandaj qysh në koncept, unë mendoj se ky term asht gabim, pse asht tejet përgjithsues dhe i mangët!
Le ta shohim bazën prej së cilës ka lindë ky term…
Ishte Lufta e Dytë Botnore, shndërruar ma pas në Luftë Civile, ndaj krejt atyne që kishin përfaqsue “Pushtetin e Vjetër dhe idetë politike para ‘44-ës”, objekti bazë me të cilin do të merrej egërsisht “Pushteti i Ri i dalë nga Gryka e Pushkës”, që nisi masakrën dhe kasaphanën ma të madhe historike pa marrë parasysh asnji lloj dallimi mes bindjeve politike, pronës private, vlerave intelektuale, apo shtresave të mesme të qyteteve;
Së dyti, ndër ata që u përfshine si të përndjekun politikë, kishte mjaft prej tyne që ishin përpjekë mos me u përzi me politikën, pse merreshin veç me tregti dhe biznese të tyne. Edhe mbi ta ra tehu i spatës së grabitjes ma të madhe historike mbledhja e arit dhe taksimet ma të paimagjinueshme… që zu fill me falimentimin e klasës së tregtarëve nëpër qyteteve, dhe vazhdoj turrin drejt fshatarsisë prej së cilës dolën kontigjente të pafundme të kulakësh, aq sa termi bolshevik “kulak” u ba nji prej kryefjalëve të komunizmit…
Nji kategori tjetër e të përndjekunish, sigurisht ajo ma e vogla dhe ma e brishta ishte ajo për shkak të formimit intelektual. Këta të përndjekun, mund të ishin artistë, profesorë, gazetarë, piktorë, arkitektë, inxhinjerë, doktorë, muzikantë, gjykatës, avokatë, ushtarakë, mësues, etje… të gjithë të shkolluem në Perëndim. Edhe pse të paktë, ata kishte misionin ma të naltë: atë të emnacipimit të shoqnisë shqiptare, emancipim që në të vërtetë iu besue sekretarëve të partisë, kovaçëve, komitëve, barinjve, bujqërve… një luzme mediokërish që mbasi kishin krye me sukses kurset e analfabetizmit kishin në dorë lapsin kuq e zi me ua nxi jetën atyne që s’mendonin si ta, cilindo kujtdo që ata e gjykonin të rrezikshëm për pushtetin e tyne të grabitun me dhunë… dhe me ua përdiellë tanë krejt atyne që i nënshtroheshin deri në të qenit rrogoz i kësaj shtrese sunduese me tagër të përjetshëm…
Nji tjetër kategori të përndjekunish ishin edhe ata për shkak të bindjeve të tyne fetare… Kjo ishte edhe shtresa që dora dorës mori mbi vete krejt tragjedinë e madhe të përmbysjes… Ai që provoi dhunën ma të përbindshme ishte kleri katolik, i cili ishte edhe ma luftaraku, në pikpamjen e kontributit shpirtnor dhe shqiptarizmës, po edhe kleri mysliman, ortodoks e bektashi mbetën gjithnji në qendër “të vëmendjes së Partisë” deri në mbylljen e krejt institucioneve fetare e deri në dhunim të historisë sonë kombtare… Kthimi në Ateizëm Kombëtar e zgjanoi pafundësisht kët shtresë të përndjekjes! Asht fjala për zavendësimin e Zotit që kishte jetue edhe me ndërdyshje në shpirtnat e shqiptarëve, me nji zot të ri e të dhunshëm, të dukshëm, të pamshëm: Diktatori!
Nji shtresë tjetër të përndjekunish ishin edhe shërbëtorët e ideollogjisë, të cilët mbas devotshmërisë sublime, nji ditë të bukur e gjenin veten jashtë andrrës së tyne; duke pësue kështu edhe ata vetë atë çka kishin ushtrue për dekada të tana mbi të tjerë…!!!! Pra ata e kishin pësue prej asaj çka e kishin besue verbnisht… dhe kjo ndoshta ishte ma tragjikja e tyne, pse mbeten viktima të vetvetes…
Shtresa ma e fundit e të përndjekunve ishte ajo që s’përfaqsonte asgja, po që diktatura duke dashtë me u shfaqë e paparashikueshme në çmendi të saj ndaj kujtdo, ndëshkonte edhe ata ma të randomtit e ma të pavlerët në pikpamjen shoqnore si: hajdutët, bujqit injorantë, puntorët e thjeshtë, gratë e lira, barinjtë analfabetë, spiunë ordinerë… duke i ba edhe ata pjesë të ndëshkimeve të saj si shembull terrori…
Pra, krejt këto shtresa në harkun e nji gjysëm shekulli do të prodhonin të quajtunën: shtresa e madhe e të përndjekunve politikë… të cilët padrejtsisht u quejtën ish të përndjekun politikë të atij sistemi ndëshkimesh sistematike; të atij regjimi tashma të njoftun për dhunë ndaj bindjeve të individit, pronës, besimit në Zot dhe krejt shoqnisë shqiptare… Fakti, që shumë pak gjana kanë ndryshue, te shtyjne te mendosh e të besosh se fjala “ish i përndjekun politik” asht e pavlerë. Ata janë ende të përndjekun politik, me të vetmen liri – atë të braktisjes se vendit!

Të përndjekurit politikë në protestë
Të përndjekurit politikë në protestë

***

Së pari, në shtjellim të këtij shkrimi unë do të vazhdoj me i konsiderue të përndjekun politikë, dhe jo ish të përndjekun politikë, sepse edhe sot krahasue me gjithë shtresat e shoqnisë shqiptare, ata mbetën jashtë krejt vorbullave politike, po njiherësh mbetën edhe jashtë krejt të drejtave qytetare dhe ekonomike, të cilat ata duhet t’i kishin gëzue si rezultat i statusit të tyne dhe i krejt atyne ligjeve dhe deklarirme që në fund s’qenë asgja ma shumë se fasadë dhe demagogji…. Pra asht shumë e thjeshtë: statusi i tyne ka mbetë në vendnumro, përjashto atë të lirisë për ta kërkue shpëtimin jashtë realitetit shqiptar…
Prandaj, pa shumë ngjyrosje maskuese shihet qartë se kjo shtresë gjendet e defaktorizueme deri në at shkallë sa mund të thuhet pa pikë droje se: ka nji përfaqsim pothuaj inekzistent, s’ka asnji lloj nuance politike të përcatueme, s’ka asnji institucion mbështetës, s’ka asnji përfaqsi elitare, s’ka asnji personalitet të spikatun e përbashkues në mbrojtje të asaj kauze të madhe për të cilën u ndëshkue, s’ka asnji organizim të lirë, të pavarun dhe koherent, s’ka asnji parti përfaqsuese, s’ka asnji shpresë për ngritjen e institucioneve të Kujtesës… dhe mbajtjes në kambë të atyne pak gjurmve të dikurshme të diktaturës ma të egër të Europës, të cilat nji ditë mund t’u shërbenin brezave pasardhës me u dëshmue, se jo vetëm ka pasë diktaturë, po kjo e jona, shqiptarja ka qenë ma e egra, e ku përdhunimi i individit ka dalë ma të shumtën e herëve edhe jashtë kontekstit “atyne të ligjeve” që vetë diktatura kishte miratue, dhe ku çdo vlerë njerzore, kulturore, pronësore, fetare u përdhos në mënyrën ma flagrante dhe ma të pabesueshme e që sot rrezikon zhdukjen…
Deklasifikimi dhe asfiksimi i të përndjekunve politikë, po shkon me të njejtin hap dhe sintoni me çmontimin e diktaturës dhe shuemja e ngadaltë e krejt atij brezi ma përfaqsues, që provoi në lëkurë të vet e deri në eshtra dhunimet e pësueme, pra seleksionimi natyral e dëshmitarve të drejtpërdrejtë, jeta e të cilëve nuk njofti asgja pos diktaturës… dhe kësaj heshtjeje institucionale të instrumentalizueme, len të kuptohet se po kërkohet me e ba të dyshimtë faktin që ka pasë a jo diktaturë në Shqipni!? Apo krejt ajo çka thuhet e shkruhet e zeza mbi të bardhë, apo flitet nën za asht pjellë e mendjeve të smueme, që dinë veò me trillue!!!
Historia e këtij çerekshekulli postdiktaturë, po e dëshmon ma së miri dhe me vullnet kët gja… sepse po shihen gjithkund përpjekje mjeshtrore me e mbulue dikaturën ma të eger të nji gjysëm shekulli me gjethe fiku, me heshtje dhe habi dhunën e ushtrueme sistematikisht dhe historikisht ndaj nji populli si nga jashtë po po ashtu edhe nga mbrendë!!!
Unë do të përpiqem me u ndalë së bashku me kryqin e vuejtjeve në të gjitha stacionet e kësaj së vërtete, për me e kuptue pak ma mirë jo vetëm kohën po edhe veten tonë, sepse asnjiherë s’asht vonë me i kuptue të vërtetat që dhembin…

Viktimat e Komunizmit (Vroclaw-Poloni)
Viktimat e Komunizmit – Monument (Vroclaw-Poloni)

Së pari; pesëdhjetë vitet e diktaturës ma të egër n’Europë banë që të përndjekunit politikë qysh në nisje të ishin të defaktorizuem, sepse dhuna sistematike dhe privimet e pafundme i kishin lanë jashtë çdo procesi të jetës publike duke i reduktue thjesht në atavizma të tkurrjes dhe mbijetesës… Diktatura i kishte tjetërsue deri në pakthim jo vetëm vlerat e shtresave elitare, po u kishte pre kategorikisht çdo mundsi integrimi në shoqninë e kohës, duke e shthurë edhe at çka ishte ma e domosdoshmja: shpresën se mund të kapej koha e humbun dhe me u ba edhe ata pjesë e së njejtës shpejtësi në nji “shoqni të lirë”!

Së dyti; pushteti i farkëtuem përmes dhunës dhe përjashtimeve ekstreme, bani kujdes të veçantë me mbyllë të gjitha shtigjet e mundsive që ata ta kapnin kohën, bile u përdorën të gjitha truket me e shuejtë edhe at entuziazmin fillestar të “përmbysjes së madhe”, dhe ashtu si Ikarusit, postdiktatura u fali atyne krahë dylli që çdo mundësi fluturimi drejt Diellit të mos ishte asgja ma shumë se nji andërr!!!

Së treti; hapja e rrugëve të Botës ishte për kët shtrese rasti ma fatlum me kapë kohën e humbun në realitete të reja dhe të andrrueme… Në t’njejtën kohë qe fat edhe për ata që donin t’mos kishin nëpër kambë mjaft prej “atyne” që i kishin ppasë tanë jetën nën kambë…!!! Edhe realitetet e reja s’ishin aq fort andrruese, kështu ata iu nënshtruen nji zhgënimi të pabesueshëm… qoftë për faktin pak naiv pse mendonin se vuajtja e tyne do të respektohej, o siç besonin që ma së paku të vlersohej me mirnjohje dashnia dhe sakrifica e tyne në emër të kapitalizmin dhe botës së lirë. Kjo s’rezultoi asgja ma shumë se zhgenjimi ma i madh i krejt kësaj shtrese…

Së katërti; mbetjet e Heshtuna të diktaturës kishin punue me plane afatlargëta, dhe Projekti i famshëm i Katovicës, s’ka gjetë ndokund tjetër shprehje ma adekuate dhe ma të përsosun se në realitetin shqiptar. Krejt ai projekt famzi i asaj rrethane të re e të ndërdyshtë që po kalonte bota u hodh me ngut në letër, (me shpëtue të shpëtueshmen) mbasi në terren mund të ndryshonte gjithçka! Projekti fantazëm u zbatue me përpikmëninë ma absolute veç në realitetin eksperimental shqiptar dhe askund tjetër… duke mbetë nji prej shembujve ma monumentalë të atij projekti…

Së pesti; ligjet bazë të periudhës postdiktaturë siç ishin Ligji për Tokën dhe Ligji mbi Pronën, u banë nji dëshmi kuptimplote se si Shteti nga pronar i gjithçkaje (deri edhe frymës), tashti po e pjestonte pronën e grabitun mbi kritere tejet klasore, dhe ku gjithë mekanizmat institucionale do të punonin deri në perfeksion që prona veç te pronari të mos kthehej, pra ajo mund të zaptohej, të pushtohej, të coptohej, të ndërtohej pa leje, të vonohej burokratikisht, të sorollatej gjykatave, me nji fjalë të kleçkëzohej gjithqysh, mjaft mos të mbrrinte kurrë te pronari i vërtetë; po edhe nëse mbrrinte, ai duhej të qe katandisë aq keq sa t’i ngjasonte figurës së Maratonomakut që ndërkohë që i brohoriste fitores, kishte nënshkrue padashtas edhe ikjen e vet… Pra, n’vend që prona të kthehej te pronari i natyrshëm, ajo me lehtësi të pabesueshme kalonte ndër ata që s’kishin qenë kurrë të tillë…

Së gjashti; organizimi i mbrendshëm i vetë të përndjekunve politikë mbetet dëshmi e dështimit dhe disfatës ma e madhe të kësaj shtrese të vuejtjes sublime…
Asnji lloj kohezioni s’u gjet, asnji lloj kompromisi s’u arrit, asnji lloj presioni i organizuem dhe sistematik s’iu ba institucioneve, asnji emblemë e vendvuejtjeve s’u ruejt si muze a dëshmi e asaj së vërtete makabre që kish rrëmbye jetë njerzish, edhe në shkelje të ligjeve që vetë diktatura kish miratue… Vërtet shoqatat e të përndjekunve politikë u shumuen dhe u personalizuen, duke u identifikue veç me kryetarin dhe hynë në nji konflikt të gjatë e të vazhdueshëm ndërvedi me akuza të randomta e të ndërsjellta, duke u reduktue Kauzën e Madhe te Pakot e Vogla, dhe duke u shëndrrue thjesht në administrues meskinitetesh dhe interesash të vogla, duke e braktisë përfundimisht idealin e atyne mija burra dhe grave mbi shpinat e të cilët kish shkelë pa mëshirë diktatura …

Së shtati; Përfaqsia e të përndjekurve politikë, duke qenë mjaft heterogjene, pa u ndje u fut në nji spirale kundërshtish me vetveten! Në vend të nji organizimi me bazë ideale dhe morale, ajo shpejt u zhyt në llum material dhe amoral, duke u kthye thjesht në nji instrument rudimental të politikës, ndërkohë që ajo duhej të kishte funksionue në vetvete si nji Front i madh, dhe ku secila ngjyrosje politike që kish pësue prej së kuqes komuniste ta gjente veten diku në spektrin e qoftë edhe të nji opozite luftarake…

I përndjekuri Lirak Bejko mes flakësh
I përndjekuri martir Lirak Bejko mes flakësh

Së teti; ajo shumicë e të përndjekunve politikë që lanë burgjet, kampet e interrnimeve, survejimet e tmerrshme ndër qytete dhe e kërkuen “shpëtimin në t’ikun” nuk mbrritën me ba asgja në respekt të asaj çka duhej të shërbente si kujtesa historike e nji populli t’emargjinuem… Sot s’ekziston asnji fondacion, asnji televizion, asnji gazetë, asnji media, asnji përmendore, asnji shtypshkronjë, asnji kolanë librash, asnji film, as nji seri dokumentarësh të mbështetun, të organizueme apo të sponsorizueme prej vullnetit të përbashkët të atyne që e kanë të shkrueme n’lëkurë vuejtjen, apo qoftë edhe prej vullnetit të mirë apo idealizmit të ndokujt, qoftë edhe ndonji individi të vetëm, që diku apo dikur ishte pjesë e kësaj shtrese dhe e atyne realiteteve që sot e gjithë ditën vazhdojnë me randue mbi jetë e mbi shpirtna…

Së nanti; ose ajo ma e dhimbshmja! Në taborret e politikës së këtij çerekshekulli prej të përndjekunve politikë, sidomos në fazën fillestare postdiktaturë, mjaft prej të përndjekunve u përzgjodhen si nëpunës, deputetë, ministra bile edhe kryeparlamentarë… përzgjedhje të cilat mbanin mbi vete edhe hije dyshimesh, se ndoshta “dikush” po i përdorte thjesht si fasadë për me mbulue mbrapaskenat e klaneve të dikurshme. Fakti që mjaft prej tyne dolën shpejt nga skena politike dhe u shtynë menjiherë në skajet e harresës, mbetet nji prej paragjykimeve ma të dhimbshme të kësaj shtrese po edhe ndaj gjithë atyne heronjve që s’pranuan asnji kompromis me dikaturën… Moshapja e dosjeve e shpëtoi inkuizicionin dhe inkuizitorët dhe i poshtnoj qëndrestarët, heronjtë dhe të papërulunit stoikë të kësaj shtrese, të cilët besuen te demokracia, te humanizmi, te paqja dhe te vlerat e vërteta e të padiskutueshme të lirisë!

Së dhjeti; vetë termi të përndjekunit politikë do të thotë se ata ishin të përndjekun për shkak të ideve politike që kishin përfaqsue historikisht… E vërteta asht se gjatë këtij çerekshekulli postdiktaturë veç ide politike apo alternativa politike nuk manifestuan asnjiherë, pra edhe përndjekja e tyne për idetë politike s’i dha kuptim qenies së tyne për t’u konsiderue pjesë e asaj fryme për të cilën ata kishin vuejtë, me pasë qoftë edhe nji fetë të pranueshme përfaqsimi dhe at përqindje që ata në t’vërtetë e kishin. Pra qëndrimi i tyne politik, vuejtja e tyne politike, nuk mbrriti kurrsesi me u materializue me përfaqsimin e tyne politik…

Së njimbëdhjeti; ngjarjet e vitit ‘97, treguen ma së miri se edhe ai pak përfaqsim i arritun me mjaft mundim nga Fitorja e Madhe, u shprish sa hap e mbyll sytë, dhe tehu i nji lufte të re klasore, tashma të heshtun po mjaft idhnake po binte edhe njiherë tjetër mbi kët shtresë, duke e zbehë skajshëm jo veç përfaqsimin e saj në krejt vitet mbasardhës, po duke humbë edhe mundësitë e shpërblimeve mbi bazën e ligjeve, që në të vërtetë u kthyen në legjenda…
Kjo ishte nji pamje paksa gri dhe sempliste e defaktorizimit sistematik të të përndjekunve politikë, të cilët sot praktikisht jetojnë pothuejse të përjashtuem prej gjithë sferave të përfaqsimeve, të përjashtuem prej krejt këtij realiteti, për të cilin ata kishin investue krejt qenien e tyne historike dhe tradicionale… Tashma krejt fryma dhe idetë që ata përfaqësojnë janë drejt kolapsit të plotë. Asgja shpresdhanse s’vjen ma prej bashkësisë së përzgjedhun, po thjesht prej individësh të pavarun, të cilët në vetminë e tyne ende përpiqem me kurajo me thanë apo me ba diçka që mund të vlejë, qoftë edhe duke mbajtë mbi shpinë peshën e të qenunit donkishotë të nji kauze tashma të shthurun përfundimisht…
Prill 2013

 

Related Images:

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

More articles

3 KOMENTET

  1. Të lumtë për analizën, por do të kënaqesha akoma me shumë nqs do të analizoheshin më mirë shkaqet e mbasdiktaturës! çfarë u be kjo shtresë, pse nuk e udhehoqi demokracinë, por ia lanë ish sekretarit të partisë? etj.etj. Kush i çfraksionoi dhe vazdon t’i mbajë nën tutelë, pse dhe deri kur. Rrugët për të dalë… Prandaj une mendoj se shërbimi më i mirë do të jetë nqse do analizojmë mbas 90 e deri në ditët e sotme. Unë mendoj dhe diçka tjetër ne shqiptart nuk jemi të sakrificës dhe gjithçka e duam te gatshme.Je nga shumë të paktët, i dashur mik, që megjithse je në emigrim e ndjen dhimbjen shpirtërore më shumë se ne që jetojmë këtu dhe me shumë intelekt e lëshon rrezen tënde e prandaj të përgëzoj dhe të uroj të vazhdosh!

  2. Iku im at duke marr me vete ofshamen e prones qe s’e mori dot kurr… Po iki dhe un me te njejten ofshame….
    Por megjithate po le pas diçka te re te vogel nje embrion… nje shege… O Zot mos ma prekni ju dua fort!!

    • Unë mendoj se ngjarjet tek ne u zhvilluan pikërisht sipas një skenari të studiuar mirë që buronte nga “mësimet e Katovicës”.Të gjitha pasojat janë derivate llogjike të këtyre direktivave të zeza.
      Mendoj se kishin mbetë ende pas 50 vjet diktaturë njerëz që të mund të na përfaqësonin denjësisht, por zërat e tyre u shuan shpejt me porosi të zbatuesve të Katovicës…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.