back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Pse Themistokli Gërmenji s’u bë “Hero i Popullit”?! nga Klodi Stralla

Gazeta

Fan Noli mes miqve - Vasil Germenji i pari djathtasn
Fan Noli mes miqve – Vasil Germenji i pari djathtas

Pse Themistokli Gërmenji s’u bë “Hero i Popullit”?!

nga Klodi Stralla

Vasil Gërmenji ka respektin më të madh,
mbasi është treguar njeriu më i zgjuar dhe më largpamës
se shumë bashkëkohës të tij, që u kthyen në këtë vend
dhe më pas ranë në grackën e atij regjimi.
Bravo i qoftë që nuk u tundua nga kërkesat e atij regjimi
për t’u kthyer duke u joshur me poste,
pasi e dinte shumë mirë se ku do përfundonte më pas…
Pandi Anxhara
Themistokli Germenji (1871-1917)
Themistokli Germenji (1871-1917)
Shpesh, edhe në kohën e diktaturës, shumë korçarë, por edhe më gjerë pyesnin se pse Themistokli Gërmenji s’u bë “Hero i Popullit”, krahas bashkëpatriotit të tij Mihal Grameno, kur kontributi i tij për çështjen kombëtare nuk ishte më i vogël?
Për mua arsyeja ka qenë se Themistokliu kishte një nip, Vasil Gërmenjin, djalin e të vëllait Telemakut, i cili pas lufte ka ushtruar një veprimtari të gjerë antikomuniste në mëgrim.
Vasili lindi në 1908, në Manastir, në hotelin e njohur “Liria”, pronë e vëllezërve Gërmenji. Duke mbetur jetim qysh fëmijë, ai u rrit në familjen e ungjit të vet, duke patur si nënë dhe babë, Evdhoksinë dhe Themistokliun. U shkollua në Korçë, në Liceun Kombëtar dhe studimet e larta i përfundoi në Marseille të Francës për inxhinjeri hekurudhash. Kthehet në atdhe (1934) dhe emërohet profesor në Shkollën Teknike të Tiranës, ndërkohë që gruaja e tij franceze u caktua si profesoreshë e frëngjishtes në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Me pushtimin italian, Vasili largohet përfundimisht nga atdheu dhe vendoset me banim në Marseille të Francës. Në vitet e LDB inkuadrohet në forcat e rezistencës antifashiste franceze dhe në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje i akordohet medalja “Kryqi i Meritës” i klasit të parë dhe merr statusin e veteranit kombëtar të Francës.
Pas Lufte në Shqiperi u instalua komunizmi dhe shumë shokë të tij të shkollës, përfshi vetë E. Hoxhën, e joshën të kthehet në atdhe dhe të marrë aty detyra shtetërore. Por Vasili nuk pranoi, përkundrazi u inkuadrua në krahun demokrat, antikomunist të emigracionit shqiptar.
Në vitet 1950-’54 boton gazetën “Liri e Kombit”, ku shkruan artikuj dhe analiza kundër regjimit komunist, të cilin e akuzon, përveç rrugës së gabuar që kish marrë brenda vendit, edhe për tradhëti kombëtare, lidhur me fatin e Kosovës.
.
Vasil Germenj dhe Kryeministri i Thailandes - 1969n
Vasil Germenj dhe Kryeministri i Thailandes – 1969
“Sot në Tiranë mbretëron një diktaturë e urryer kriminale, nuk del një gazetë e pavarur, nuk shkruhet një kartolinë private. Me gjithë parullën e luftës “Liri Popullit”, popullit liri nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë dhe as veshmbathje. E futën në punë të detyrushme.
Edhe sikur të ndërtojnë vepra madhështore arti apo teknike, që mund të mbeten gjatë, ato do të na kujtojnë veprat e mëdha të ndërtuara nga faraonët e Egjiptit të Lashtë… Mjaft me diktatura dhe diktatorë! Të punojmë për një demokraci të vërtetë!” – Kështu do të shkruante Vasil Gërmenji në një prej numurave të gazetës të tij “Liri e Kombit”.
Në gusht të vitit 1949, në Paris u shpall Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, nën kryesinë e Mit’hat Frashërit. Vasil Gërmenji do të ishte njëri prej antarëve aktivë të tij.
Në shtator 1970, themelohet në Neë York, Kuvendi i Kombeve Europiane të Robëruara, dhe Vasili do të ish dy herë kryetar i tij. Kjo organizatë antikomuniste, me juridiksion botëror, kishte mbështetjen morale dhe materiale të qeverisë amerikane dhe veprimtaria e saj shtrihej kryesisht në popujt e robëruar të Europës Lindore. Në tetor 1968, Vasili zgjidhet nënkryetar i Federatës ndërkombëtare të gazetarëve të lirë. Është shumë e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave të Vasilit, me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Në shtypin e kohës emri i tij përmendet shpesh, për takimet e nivelit të lartë që ka bërë në ëashington me burra shteti, diplomatë e miq të Shqipërisë në funksion të Çështjes Kombëtare.
Si një koinçidencë fatkeqe, ashtu si shumë vite më parë gjyshi, babai dhe ungji i tij, edhe Vasili, djali i Telemakut dhe nipi i Themistokliut, do të përjetonte të njëjtin fat: Ai ndrroi jetë tragjikisht, së bashku me bashkëshorten e vet, në një aksident automobilistik, ditën e shënuar të Pavarësisë, 28 nëntor 1988, në moshën 80 vjeçare.
Kthimi i eshtarave të Vasil Gërmenjit në Atdhe dhe ngritja e një busti pranë ungjit të tij në qytetin e Korçës apo emërimi i një rruge me emrin e tij, do ta nderonte qytetin e Korçës.
E them me dhimbje që, edhe pas 27 vjet demokraci, veprimtaria atdhetare dhe intelektuale e një personaliteti kalibri si ai, ka mbetur në hije, shumë pak e njohur prej bashkatdhetarëve të tij.
.
Marrë nga muri i fb i Klodi Strallës, 11 dhjetor 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.