back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Pse performanca e Ermonela Jahos në Royal Opera duhej të ishte Kryelajm shqiptar… nga Elida Buçpapaj

Gazeta

Ermonela Jaho në Royal Opera - Londër 2013
Ermonela Jaho në Royal Opera – Londër 2013 

Pse performanca e Ermonela Jahos në Royal Opera

duhej të ishte Kryelajm shqiptar…*

nga Elida Buçpapaj

Kryelajmi që do të pushtonte titujt kryesorë të gazetave dhe TV-ve të Shqipërisë do të duhej të ishte performanca e Ermonela Jahos në Royal Opera të Londrës, në rolin e Violetës te Traviata e Verdit… por gazetat e Shqipërisë sot nuk dalin ngaqë vazhdojnë pushimet e Vitit të Ri, ndërsa TV-të e shumta të Tiranë merren me bilancin e kryelajmeve që kanë tronditur botën për të mirë apo për të keq më 2011, dhe heshtin përpara shqiptares Ermonela Jaho, ylli botëror i Bellcantos, e cila ka pushtuar metropolet më të famshme të botës, siç është Royal Opera në Londër, skenë ku ajo sonte ngjitet për të disatën herë e çmuar nga kritika këtu, si një yll… dhe si “eksporti më i mirë” që vjen nga Shqipëria!

Gazetarja dhe Poetja Elida Buçpapaj
Gazetarja dhe Poetja Elida Buçpapaj

Hyrja e Ermonelës si Violeta në Royal Opera ka një lloj fataliteti pozitiv, prej të cilit përfitojnë yjet e formatit të saj botëror. Në janarin e vitit 2008, Anna Yuryevna Netrebko, sopranoja e njohur ruso-austriake, – pas suksesit të natës të parë të Violetës – sëmuret nga një bronkitis, duke e vënë në një hall të madh Royal Operan, e cila në momentin e fundit, fton sopranon shqiptare Ermonela Jaho ta zëvendësojë Netrebkon. Natyrisht nuk bëhej fjalë për një zëvendësim dokudo, pasi një teatër si Royal Opera ka një staf të veçantë që merret me përzgjedhjen e yjeve më të famshëm të botës…
Kritika angleze në momentin e parë kur Ermonela nuk kishte performuar ende, e priti ftohtë këtë ndryshim. Por, kur u ballafaqua në mbrëmje me performancën e Ermonela Jahos, iu dorëzua menjëherë magjisë dhe mrekullisë së interpretimit të saj dhe të nesërmen në gazetat londineze botohej lajmi: “Brava Ermonela Jaho…!” (Netrebko u can go home now) Bravo Ermonela Jaho – Netrebko ju mund të shkoni në shtëpi tani!”

Ermonela Jaho - Anna Bolena - Paris
Ermonela Jaho – Anna Bolena – Paris

Ti thuash Anna Netrebkos shko në shtëpi nuk është shaka, sepse sot ajo është një nga ikonat e bellcantos – por Ermonela Jaho me zërin e saj, me mjeshtërinë e saj profesionale, ku dallohet qartë shpirti i një artisteje të formatit botëror, e bën këtë mrekulli. Edhe po të ishte sëmurur Maria Callas nga bronkitis si Netrebko… Ermonela Jaho do të kishte bërë që kritika britanike, e cila nuk çan krye për partitë që zukatin si grerëzat në Shqipëri në një zënie banale tash njëzet vjet pa marrë kurrë fund, të shkruante “Brava Ermonela Jaho – Callas u can go home now” – (Bravo Ermonela – Kallas ti mund të shkosh në shtëpi tani!)
Por çfarë ndodhi në Shqipëri? Kur gazetat dhe TV-të e Tiranës, mbushen me mall skarco, ndërsa kultura dhe vlerat e vërteta me të cilat përfaqësohet kombi shqiptar shpallen “non grata” përmes mënyrave shumë perfide siç është indiferenca? Klanet në Shqipëri krijojnë yje të paqenë, që degradojnë menjëherë duke kënduar muzikë tallava, ndërsa vlerat e kulturës me traditë nga shkolla dhe kultura shqiptare ekskomunikohen nga skenat, ekranet dhe gazetat e Shqipërisë, të cilat u japin faqe të tëra vend dhe orë të gjata të pafundme Nexhmije Hoxhës apo antikulturës dhe antivlerave.

Ermonela Jaho - Violeta e Traviatës së Verdit
Ermonela Jaho – Violeta e Traviatës së Verdit

Ermonela Jaho përfaqëson sot figurën më të famshme shqiptare në botë… Ajo është ikonë e bellcantos që ka pushtuar skenat më të famshme botërore duke filluar nga Royal Opera e Londrës në Britaninë e Madhe, atdheu e Beatles dhe Amy Winehouse; Metropolitan Opera në New York, Opera Shtetërore e Berlinit, Paris Champs-Elysees, Teatro San Carlo e Napolit, Opera Company e Philadelfias, Opera e Marsejës, Arena di Verona, Teatri Verdi i Triestes, Teatri La Fenice, Teatri Capitoul i Tuluzës, etj. etj… me një repertor të jashtëzakonshëm të rangut të Violetës, Mari Stuart, Manon Lesco, Mireille, Amina, Mimi, Michaela, Guilietta, Anna Bolena, etj., me një audiencë të jashtëzakonshme duke rrëmbyer zemrat e publikut më të rafinuar në skenat më prestigjioze të metropoleve më prestigjioze të botës dhe Perëndimit… ndërsa në Shqipëri për të nuk do t’ia dijë askush…
Turp i madh!
Turp për institucionet e kulturës dhe për mediat e Shqipërisë që kërkojnë t’i imponojnë opinionit publik një mall skarco, ndërsa bëjnë gjithçka që t’ia fshehin publikut shqiptar një yll të dimensioneve të tilla, të dimensioneve botërore, si Ermonela Jaho, e cila sonte ngjitet në skenën e Royal Opera si Violeta e Traviatës të Verdit. Merrni me mend, nga zëri i saj magjepsen Metropole që njihen si simbole të skenave ku promovohen trashëgimia e vlerave të kulturës botërore, ndërsa në Shqipëri heshtet për Ermonela Jahon, e cila në botën e qytetëruar, në Europën e vlerave, të Perëndimit të civilizuar sot përfaqëson Shqipërinë dhe e përfaqëson në mënyrën më të mrekullushme të mundëshme. Sot që Nënë Tereza nuk jeton më, me kë do të përfaqësohen shqiptarët. Me Ismail Kadarenë? Me Inva Mulën? OK! OK! Po sot emri që bën jehonë dhe trondit skenat botërore është Ermonela Jaho! Ylli që shtang, që mrekullon, që magjeps, që e bën kritikën botërore t’i përulet me nderim një artisteje shqiptare, që i imponon skenat më të famshme të botës ta ftojnë si soliste, si yll, si ikonë të bellcantos, kjo është Ermonela Jaho!
Por gjithë ky vlerësim që i bëhet në botë, në Shqipëri kalon në heshtje nga institucionet e verbëra dhe të shurdhëra të kulturës që promovojnë artin-trash, që harxhojnë miliona për të promovuar antivlerën, për të promovuar artistë militantë të partive, ndërsa injorojnë vlerat kombëtare të cilat sot janë pjesë e kulturës botërore si Ermonela Jaho!

Ermonela Jaho - në nji skenë masive të Traviatës...
Ermonela Jaho – në nji skenë masive të Traviatës…

Në këtë shkrim përmendëm Anna Yuryevna Netrebkon. Ermonela Jaho me formatin e saj e ka tejkaluar Netrebkon, e cila padyshim është yll i përmasave botërore. Por ndërsa në Rusi – Anna Netrebko është një emër që meriton krenarinë kombëtare dhe e nderuar me titullin Artiste e Popullit të Rusisë, në Shqipëri për Ermonela Jahon dhe për artistë me perspektivë të qartë të formatit botëror, vazhdon një shurdhmemecëri e pajustifikueshme, si të jetohej në epokën e izolimit dhe jo të IT – Information technology – të epokës së revolucionit që ka shkaktuar teknologjia e informacionit dhe telekomunikacionit dhe kur në Shqipëri fatmirësisht kemi mediume që janë fjala e fundit e shkencës. Po përse heshin atëherë, përse flenë gjumë, përse janë në letargji si arinjtë polarë, kur Shqipëria ndodhet në zemër të Europës dhe kur Shqipëria ka një zë të tillë kaq melodioz, që pushton miliona e miliona zemra të Perëndimit, Botës së civilizuar dhe globit mbarë si ai i Ermonela Jahos, e cila sonte do të performojë për të satën herë në Royal Opera, një rol brilant të kulturës italiane, që ka hyrë në thesarin e kulturës botërore, siç është Violeta e Traviatës!

[youtube]http://youtu.be/GvvMZdYlqCo[/youtube]

Ermonela Jaho – Madam Butterfly e Puccinit

Nuk e kuptoj çfarë presin institucionet e kulturës në Shqipëri dhe massmediet që krenohen për fjalën e fundit të teknikës, që nuk i ringjall zëri magjik i Ermonela Jahos? Royal Opera e ka përzgjedhur sopranon shqiptare midis yjeve të formatit botëror, që me Ermonela Jahon të inaugurojë vitin e Ri 2012, për të demonstruar seriozitetin dhe dinjitetin e këtij institucioni të kulturës britanike dhe botërore me moshë rreth 300 vjeçare. Po institucionet e kulturës në Shqipëri çfarë po bëjnë? Pse vazhdojnë të jenë në gjumë! Po çfarë i duhen Shqipërisë institucione të tilla, të cilat kur duhet të merren me promovimin e vlerave të kulturës të kombit, me të cilat kombi identifikohet, lancojnë anonimatin, duke u kthyer në anonimat!?
01.02.2012

(Kjo esse është përfshirë në librin me publicistikë të Elida Buçpapajt “Tirania e Tranzicionit”, Onufri 2013)
*Titulli nga radiandradi.com – marrë nga VOAL

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.