back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiu (1991)

Gazeta

Bedri Spahiu (1908-1998)
Bedri Spahiu (1908-1998)

Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiu (1991)

Pas gati 46 vitesh i internuar, i burgosur në burgjet e diktaturës dhe i privuar nga çdo e drejtë, ish-prokurori nuk mund të gjente rast më të mirë se verën e vitit 1991 për të “zbrazur” të gjithë të vërtetën e regjimit. Gazeta “Tirana Observer” riboton promemorien e Bedri Spahiut, të botuar 19 vjet më parë tek gazeta “Republika”.
Bedri Spahiu është i vetmi funksionar i lartë i regjimit komunist që ka pranuar gabimet e veta gjatë kohës kur ishte prokuror si dhe ka kërkuar ndjesë publike për të gjitha krimet e kryera nga regjimi komunist. Në këtë shkrim Bedri Spahiu tregon shumë nga të vërtetat e regjimit komunist. Ai tregon edhe për marrëdhëniet me Enverin si dhe të vërtetat e ngritjes së ish-diktatorit dhe të shumë prej figurave të regjimit komunist. Pendesa e ish-prokurorit ka ardhur në një kohë kur në Shqipëri sapo ishte vendosur demokracia dhe Partia e Punës (Komuniste) ishte duke bërë Kongresin e saj të 10, që do t’i jepte asaj një emër të ri.
.
Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special

Këto kujtime ia dërgoj si një mesazh Kongresit të 10-të të PP, nëpërmjet gazetës “Republika”. Që në fillim, me kënaqësinë më të madhe, përshëndes studentët tanë universitarë, bij të mrekullueshëm e fatlumë të Shqipërisë së martirizuar, që do të mbeten në historinë e saj, si një brez heroik i këtij kombi, si brezi nismëtar i demokracisë, që është gjëja më e çmuar në jetën e një populli.

Është rregull ndërkombëtar që çdo parti, cilado qoftë, kur ndodhet para kërkesave të rinovimit të saj ideologjik e organizativ, puna e parë që bën është që t’i hapë dyert e saj për disidencën dhe të çelë në këtë mënyrë rrugën e rinovimit të saj. Përgatitësit e Kongresit të 10-të të PP nuk e bënë këtë gjë. Mos vallë është fjala për mungesë përvoje apo harrese? Jo, as njëra as tjetra, pasi ky veprim buron nga logjika komuniste e atyre që përgatisin Kongresin, nga mentaliteti enverist e totalitar i patriarkut të komunistëve. Një nismë e rrezikshme dhe fatzezë për anëtarët e këtij Kongresi, i cili pretendon të jetë Kongresi i rilindjes së Partisë e të komunistëve, i flakjes tej të sektarizmit e të miopisë, të prepotencës e të absolutizmit të botës shqiptare. Komunistëve u ndodhi si dikur trashëgimtarëve të mbretërve absolutë: “Le roi est mort, vive le roi”. (Mbreti vdiq, rroftë mbreti). Unë jam po ai disident që kam qenë atë ditë që më dhanë shkelmin e më përjashtuan nga partia. I tillë jam e i tillë do mbetem, se e çmoj përjashtimin tim si një fatbardhësi në jetën time.
Jam një nga ata disidentët që i jam kundërvënë Enverit me tërë forcën dhe burrërinë e gjeneratës sime. Unë do të kisha vendin në Kongresin e 10-të, pavarësisht nga dëshira dhe qëllimet e liberalëve apo të konservatorëve. Do të isha me Ramiz Alinë, pasi ai, sapo mori fuqinë në dorë, i dha fund ndarjes së popullit me murin e klasave dhe konservatorët nuk mundën më të lëshojnë slogane denigruese e asgjësuese. Por ky liberator, duke qenë trashëgimtar i Enver Hoxhës, u bë më ëndërrimtar e më shkatërrues se prijësi i vet, më konservator e më represiv se paraardhësi i tij (nxënësi tejkalon mësuesin). Ai përdori forma represive që Enveri as nuk kish mundur t’i konceptonte. Ai jo vetëm që i ekzekutoi ata që tentuan të arratiseshin, por zvarriti trupat e viktimave në rrugët e qyteteve dhe të fshatrave, për të terrorizuar ata që tentuan të arratiseshin. Ai premtoi se do të ecte në rrugën e Enverit, sipas mësimeve të tij. Vuri ligjin mbi mbrojtjen e monumenteve kombëtare, që në praktikë do të thotë ligj për mbrojtjen e monumentit të Enverit. Në politikën e tij ekuivoke, që e bënte herë të distancohej e herë të afrohej, ai humbi kredinë e popullit në atë shkallë, saqë populli i refuzonte monoçartizmit ushtrimin e pushtetit. Ata që përgatisin Kongresin e 10-të u refuzojnë komunistëve materialet e të gjithë disidentëve, dokumentet e tyre historike e midis tyre, edhe ato që i përkasin Bedri Spahiut, testamentet e tij të dërguara nga burgu Komitetit Qendror, mbrojtja e tij në gjyq, materialin e plenumit që e dënoi atë më 1955 e gjitha materialin e luftës së tij për një shtet juridik e demokratik etj. E di fort mirë se askush nga ata që u dënuan të vazhdojnë të ushtrojnë pushtetin diktatorial në Shqipëri nuk ka nevojë e as të dëgjojnë mendimet e mia. Po diktatura që iu imponua mizorisht për 45 vjet këtij populli të marrë nëpër këmbë, të gënjyer, të mashtruar, ka marrë fund, dhe unë, Bedri Spahiu, i shpallur “armik i popullit”, “fashist” dhe “armiku më i përbindshëm që ka kaluar në gjyqet e Republikës”, ndihem sot i fortë të shpërthej publikisht dhe të informoj në sajë të opozitës, duke qenë i bindur se të vërtetat e mia do të shërbejnë, që populli dhe komunistët të ndërgjegjësohen më shumë për disa ngjarje të rëndësishme të Partisë. Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi me unanimitet që unë të bëhesha Prokuror i Gjyqit Special, që të mbroja përpara këtij gjyqi çështjen e popullit. Ngjan se në këtë çështje si fitimtar unë e mbrojta mirë. Por, duke kujtuar këto 46 vjet terrori, mizorie, e mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special. Kam revizionuar veten, idealet dhe gjithçka të shenjtë që kam pasur në jetën time. Nuk jam më ai prokuror që nxori Lufta Nacional-çlirimtare, as përkrahës i utopisë komuniste më të lemerishme që nxori gjenerata jonë.
Kongresistë komunistë!
Po ju drejtohet një nga paraardhësit tuaj, një nga misionarët e parë të komunizmit shqiptar, pjesë e një gjenerate që i kushtoi rininë, ëndrrat e energjitë më të mira një ideali të lartë e fisnik, por, për fat të keq, utopik. Rinia universitare e sotme, me veprimet e saj, doli si një forcë disidente për liri e demokraci. Këtë ngjarje unë as kam mundur ta mendoja se do të ndodhte, edhe pse ishim tamam ne, të rinjtë e gjeneratës sime, që u vumë në ballë të luftës për çlirim. Por sot, ne, disidentët e djeshëm, jemi krenarë për gjithë rininë e sotme dhe e çmojmë atë, sepse u tregua jo vetëm heroike, por edhe më e ditur dhe më inteligjente se ne. Ne e kemi për nder të ecim në rrugën e rinisë sonë, t’i shtrohemi me bindje iniciativave të saj dhe të presim kritikat e saj, si një nevojë për t’u çliruar nga barra e rëndë e gabimeve tona, të shumta e të hatashme. Është detyra jonë t’i nënshtrohemi me ndershmëri dhënies llogari kësaj rinie. Dhe duhet filluar, qoftë paksa, me vitet 1930-38. Ç’është e vërteta, që në atë kohë kishte shumë rrethe antizogistësh që bisedonin për politikë, që merreshin me politikë. Ishin këta nga intelektualët më të shquar të vendit tonë, që ne, komunistët, ashtu siç ishim, megallomanë, prepotentë e absolutë i quanin njerëz të llogjeve e të kafeneve. Por kishte ardhur koha të dilnim nga guacka jonë në dritën e realitetit, të ballafaqimit, sepse gjendeshim jo vetëm përballë zogistëve, por edhe para pushtimit fashist. Ky kuptim që kishim ne për intelektualët nuk mund të mos më çonte mua të tregoja një interes të veçantë për Enver Hoxhën, që e kisha pasur në rini shok klase. Ai ishte kthyer në Shqipëri dhe dukej shpesh nëpër kafenetë e Tiranës, në mes të intelektualëve të saj. Ky njeri i “ndryshuar” e i “evropianizuar”, sipas mendimit tim, do të qe i përshtatshëm për t’u aktivizuar në lëvizjen tonë. Por E. Hoxha i tha Tahir Kadaresë (që e dërgova për të biseduar) të refuzonte të takohej me mua dhe shtoi: “Mua mos më përzini në këto punë”.
.
Skena nga Gjyqi Special 1945
Skena nga Gjyqi Special 1945
Lëvizja komuniste në Shqipëri ka lindur nga plejada heroike e komunistëve të grupeve të Korçës, të të Rinjve, Të Shkodrës, të Zjarrit dhe nga grupi i ushtarakëve të Tiranës dhe i komunistëve të Gjirokastrës. Në këto grupe përfshihen të gjithë ata që asgjësoi intriga e Kominternit. Konferenca e themelimit të PKSH, për të cilën flasin apologjistët e Enverit, është më shumë një tendencë diversioni, se sa një shpjegim i vërtet i gjendjes. Jo një, por dy janë konferencat për themelimin e Partisë. Konferenca e parë u thirr nga Dushan Mugosha. Në të bënin pjesë kryetarët e grupeve të asaj kohe, si Koço Tashko, Kristo Themelko, Qemal Stafa etj. Unë isha përfaqësues grupit të ushtarakëve dhe i Gjirokastrës. Të gjithë ishin për bashkimin e lëvizjes komuniste. Por u ndamë në çështjen nëse duhej të besohej që Dushani të ishte një i dërguar autentik i Kominternit për çështjen. Të gjithë delegatët këmbëngulën që ai të paraqiste një dokument autorizues. Mugosha, që ishte një organizator i kualifikuar, me një përvojë të madhe organizimi, u tregua jo në lartësinë e duhur. Ai u tha i inatosur përfaqësuesve të grupeve: “Ju doni të vij te ju si mushka e dërzhavës me vulë në prapanicë”, dhe ngriti këmbën e djathtë. Dushani e mbajti fjalën. Nuk u kthye më për të sjellë ndonjë autorizim. Rrethanat e prunë që të lirohej nga burgu Miladin Popoviçi, i cili u ngarkua nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave të vinte në dispozicion gjithë përvojën e tij të madhe për të ndihmuar komunistët shqiptarë që të bashkoheshin. Me Koço Tashkon kemi biseduar shpesh herë çështjen e organizmit tonë. Ai e shpjegon kështu: “Në konferencën për formimin e Partisë (e dyta) duhej të vinin nga dy delegatë për çdo grup. Kurse grupi im i Korçës u paraqit me një delegat, që isha unë, Koço Tashko. Miladini më thotë se duhej të sillja edhe delegatin e dytë të grupit. Dola nga dhoma për të gjetur shok të grupit. Rrugës takova E. Hoxhën, që ishte anëtar i grupit të Korçës në Tiranë. E mora Enverin dhe e çova si delegat në konferencë”. Ndërsa Tuk Jakova më tregonte: “Unë kam qenë në konferencën e dytë të formimit të Partisë, por atje nuk u zgjodh kurrkush sekretar i parë. Si u bë dhe kur u bë sekretar i parë Enver Hoxha, kjo ka qenë gjithmonë një mister dhe kam ardhur në konkluzionin se sekretari i parë politikë i partisë sonë ka qenë prodhim i flirteve të Miladin Popoviçit me E. Hoxhën. Miladini ishte intelektual, Enveri gënjeshtar. Një dashuri e miqësi prej intelektualësh u krijua midis këtyre dy personave. Është fakt se Miladinit i pëlqenin gjërat e shërbimit personal, si stilografë e sahate të florinjta dhe tryezat e pasura, e këto gjëra i a servirte me bujari E. Hoxha, i cili dispononte këto nëpërmjet lidhjeve të tij dhe të ndihmave që populli jepte për lëvizjen komuniste”.
Përse nuk u zgjodh sekretar i parë i Partisë Komuniste Shqiptare njëri nga kryetarët e këtyre grupeve komuniste që përfaqësoheshin në konferencë?
Miladin Popoviç mendonte sinqerisht se po përjashtonte krerët e grupeve nga udhëheqja monolite. Koha vërtetoi se një zgjidhje e tillë ishte sa utopike, aq edhe e dëmshme. Ditët e zhvillimit të asaj konference të formimit të Partisë takova Xhepin (Sadik Premtja) dhe Bacën (Ramdan Çitakun) në shtëpinë e Xhepit. Ky më informoi për zhvillimet e konferencës. “Venë mbrapsht”, – tha ai. Kjo, sepse konferenca e akuzonte Xhepin se nuk kishte denoncuar të gjithë elementin e Grupit të të Rinjve (me që formohej Partia, të gjithë kryetarët e grupeve duhej të tregonin emrat e anëtarëve). Xhepi e shpjegonte këtë veprim të tij në mënyrën e vetë. Unë e justifikova në mënyrën time. Teza ime ishte, që kryesorja është bashkimi e ky bashkim do doemos denoncimin e plotë të anëtarëve të çdo grupi. Në qoftë se punët e konferencës kanë marrë atë kthesë që thua ti, i them, atëherë le t’ia lemë kohës për të gjykuar rezultatet. Baca, që kishte një natyrë që më shumë dëgjonte se sa fliste, heshtte me vëmendje në bisedën që zhvillohej midis meje dhe Xhepit. Koha tregoi se kishte të drejtë ai, labi i Vlorës dhe jo unë, labi i Gjirokastrës. Xhepi u dënua si tradhtar i Partisë dhe pësoi konsekuencat e një dënimi të padrejtë të tipit enverist. Ai shkoi në Francë ku militoi në Partinë Komuniste Franceze. Unë u shkriva në birucat e errëta të regjimit barabar e sadist të komunizmit enverian…
Në vitin 1953, kthehesha nga kongreset e partive komuniste të një sërë vendesh të demokracive popullore. Në fund të raportit që i bëra Komitetit Qendror kam bërë këtë shënim me penë me dorën time: “Në kongreset e Partisë Komuniste të Hungarisë e Çekosllovakisë u shtrua çështja e kultit të individit në këto dy parti. Besoj se ka ardhur koha të ngrihet kjo çështje edhe në partinë tonë”. Në plenumin që pasoi, E. Hoxha doli me tezën e revizionimit të kultit të individit në Partinë tonë dhe e filloi raportin e tij kështu: “U krijua një gjendje e padurueshme në Partinë tonë. Mjafton që të shfaqem në penxhere apo në ndonjë tribunë, që masat të shpërthejnë në brohoritje të furishme “Enver, Enver”! U kam thënë shokëve shpesh herë që të marrë fund kjo praktikë, por shokët e Byrosë kanë pasur menduar se unë e ngrita këtë çështje duke u nisur nga konsiderata personale. “Është i thjeshtë shoku Enver”, mendonin ata, prandaj e ngre këtë çështje dhe vazhdonin t’i linin punët ashtu siç qenë. Jo! Enver Hoxha nuk nisej nga konsiderata individuale siç kujtonin ata shokët e Byrosë, por nga konsiderata e kërkesave teorike të vetë jetës së Partisë. Pasi mbaroi kjo hyrje e shkurtër, ngrihet Hysni Kapua dhe thotë: “Është e vërtetë, shoku Enver na ka këshilluar përherë ashtu siç thotë, dhe që ne e kemi kuptuar ashtu siç e shpjegoi ai”. E vërteta qe krejt ndryshe, që E. Hoxha kurrë as në Byro e as veças nuk ka folur kurrë për kultin e tij, madje s’kishte si të fliste, sepse vetë nocioni i kultit të personit ishte i panjohur për të atë kohë. Që të gënjente E. Hoxha ishte e natyrshme për mua, sepse ai ishte antiteza e ndershmërisë, por që të shndërrohej Hysni Kapo si dëshmitar i Enverit, kjo as më shkonte në mend. Megjithatë unë e nxora nga zemra Hysni Kapon, sepse kishte qenë një bashkëpunëtor i imi në të gjitha peripecitë e luftës së Zonës së Parë dhe zëvendëskomisar politik i kësaj zone. “Nuk shitet kali se pengohet për të parën herë”. Asnjë nga anëtarët e Byrosë që ishin prezent nuk e aprovoi dëshminë e Hysni Kapos, por asnjë, dhe unë bashkë me ta, nuk e kundërshtoi atë. E. Hoxha ishte diktatori më i urrejtshëm e më shtypës, ishte organizator i sistemeve të goditjes me zona, me grupe shoqërore, me nacionalistët dhe komunistët. Enveristët i atribuojnë udhëheqësit të tyre të gjitha cilësitë e mira morale të një udhëheqësi. Unë, duke qenë kundërshtar i tij, nuk mund t’i atribuoj veçse cilësitë më negative që ka pasur ndonjëherë figura diktatoriale e të gjitha kohërave. I begatë ka qenë vendi ynë në nxjerrjen e udhëheqësve diktatorialë, si monarkisti konstitucional A. Zogu, pashallarët si A. Tepelena etj. E. Hoxha ishte i madh, se ishte i paturpshëm. Askush, veç logjikës satanike të këtij udhëheqësi, nuk do të mund të ideonte atë politikë që ndoqi sistemi ynë kundër gjithë botës, në emër të një populli aq heroik, i cili u dashka të rrojë me bar, të një populli që ka “çarë historinë me shpatë në dorë”. Askush nga gjenerata jonë nuk mund të bënte atë që bëri Enver Hoxha, që të deklarohej e të paraqitej si i rrethuar, i izoluar, duke qenë ai vetë subjekti i këtij izolimi. Askush nga ne disidentët nuk do të guxonte ta bënte Shqipërisë pro sovjetike, pro kineze sot, për t’i deklaruar nesër si armiqtë më të tërbuar të vendit tonë.
Në raportin e Byrosë Politike të Plenumit të 9-të, Hoxha deklaroi:
1.”Është e vërtet se në Berat Liri Gegën e dënuam më shumë nga meritonte, por ajo me veprimtarinë që zhvilloi më vonë tregoi se e kishte të merituar dënimin që i dhamë ne”.
2.”Thuhet se Kristo Themelko ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por çështja e rëndësishme është se të gjithë ata që u vranë nga ai ishin armiq”.
Në qershor të vitit 1955 E. Hoxha konkludoi me propozimin e tij: “Është e vërtetë se ne s’kemi sot prova për një dënim kaq të rëndë të B. Spahiut, por Partia me siguri do të na i japë këto prova”. Kjo ishte një tendencë e degjenerimit të plotë të Zeusit të drejtësisë, një sfidë kundër tërë mendimit juridik të popullit. Dhe padrejtësitë nisën nga Mukja. Ajo u paraqit si disfata më e madhe e kohës dhe Ymer Dishnica u bë viktima e asaj kohe. Çfarë ka të vërtetë në gjithë këtë?
Në plenumin e Helmësit u paraqit çështja e Mukjes, e oportunizmit të Beratit, përgjegjësia e Ymer Dishnicës në ndarjen e pushtetit dhe kompromisi i Gjin Markut me gjermanët. Dishnica dhe Gjin Marku ishin dy nga figurat e ndritura të Luftës Nacionalçlirimtare. Kam qenë unë ai që kërkoi në plenumin e Beratit largimin e Ymer Dishnicës nga Komiteti Qendror dhe kjo ishte për mua atëherë një domosdoshmëri e vetë jetës, një kërkesë e rrethanave, e kushteve ku kisha lindur, luftoja e punoja dhe jam përsëri unë ai disident që e hedh poshtë me përbuzje atë propozim dhe që rivendos në piedestal këto dy figura të ndritura të LANÇ. Fatkeqësisht propozimi im u pranua edhe nga Enver Hoxha. E s’kish si të ishte ndryshe. Në tërë jetën e tij, në të gjitha vendimet pro, kundra apo abstenime, E. Hoxha ka vepruar në këtë mënyrë nga baza oportuniste e sektare, nga baza e interesit personal të çastit apo të perspektivës. Kjo ka qenë një cilësi që e ka karakterizuar e që i ka dhënë epërsinë e diktatorit mbi disidentët e tij. Thonë në Mukje Ymer Dishnica ndau pushtetin me Ballin Kombëtar. Do të qe më mirë që ta kishte bërë, por Ymeri në Mukje veproi plotësisht sipas udhëzimeve që kishte marrë nga Partia. Por këtë le të flas vetë Ymer Dishnica. Revizionimi i Beratit qe një përpjekje e Hoxhës për të nxjerrë veten e tij nga pozita e pulës së lagur. Në atë plenum u tha se E. Hoxha gjatë gjithë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë oportunist dhe sektar, veprimtari kjo nga të dy krahët e gabuar, dhe u sollën mjaft shembuj. Sejfulla Malëshova tha se Partia jonë ishte duke u shndërruar në një parti terroristësh. Jam një nga ata partizanë më të zjarrtë të Kongresit I, të atij kongresi që u cilësua kongresi i luftës kundër trockizmit dhe jugosllavëve. Në mbarim të seancës që u mbyll me diskutimin tim, Mehmet Shehu m’u afrua dhe më shtrëngoi dorën për atë diskutim, pastaj iu drejtua E. Hoxhës: “Ishte një diskutim që plotësoi analizën tënde të kongresit”. Enverit iu errësua fytyra e nuk pipëtiu. Dy herë Enver Hoxha ka caktuar prokuror të dy gjyqeve më të rëndësishme historike të vendit tonë një injorant të fushës së drejtësisë si Bedri Spahiu. Herën e parë si prokuror të Gjyqit Special, për të dënuar të ashtuquajturin “Armiq të Popullit” dhe herën tjetër prokuror të Gjyqit të Koçi Xoxes. Sot ndihem i turpëruar që kam luajtur rolin e prokurorit të atyre gjyqeve. Komunistët e dinë pozitën time ndaj Kongresit I dhe ndaj Koçi Xoxes (që e kam nxjerr të pafajshëm në gjyqin kundër meje), dinë e dhe këngën që këndonte populli ato ditë të zhvillimit të Gjyqit Special: “Kush e çliroi Shqipërinë/ Koçi Xoxe me Partinë/ Kush e krijoi ushtrinë/, Enver Hoxha me Partinë,/ Tradhtarët porsi miu,/ i dënoi Bedri Spahiu”.
Sot unë do të thosha: “Shumë lavdi për njerëz të palavdishëm”. Si prokuror i Gjyqit Special mu desh, në bazë të ligjit, të asistoja në ekzekutimin e 17 fatzinjve. U gjenda ndërmjet të dënuarve dhe skuadrës së pushkatimit. Kur komandantit i skuadrës së pushkatimit dha urdhër, një lëvizje u pa në rreshtin e të dënuarve, të cilët i kthyen krahët tytave të armëve siç kishte urdhëruar komandanti. Vetëm një njeri pati guximin t’i kundërvihet urdhrit. “Jo askush s’duhet të kthejë krahët nga tytat, pasi nga shpina vriten vetëm tradhtarët, dhe ne nuk jemi tradhtar. Këtë do ta vërtetojë historia”. Ky ishte Bahri Omari, një burrë i zgjuar e patriot. “Tjetër rrugë do të marrin ngjarjet”, iu përgjigja unë me bindje. Disa nga ata nuk dëgjuan, kurse të tjerët më besuan amanetet e tyre. Midis tyre, Javer Rushiti dhe Bishqemi kërkuan të ruhej paprekshmëria e familjeve dhe e fëmijëve të tyre. Unë, u thashë, e u garantova se familjet e tyre do të kishin në Shqipëri po atë trajtim që do të kishin të gjithë banorët. Sa besuan në këto slogane të Prokurorit të Gjyqit Special, një perëndi e di. Por ngjarjet u zhvilluan në një mënyrë të tillë që përgënjeshtruan deklaratat e mia dhe turpëruan deklaruesin dhe gjithë ata që pretendonin ndërtues të një Shqipërie të re e të lumtur njerëzore.
.
Bedri Spahiu - Prokuror i Gjyqit Special 1945
Bedri Spahiu – Prokuror i Gjyqit Special 1945

Kush ishte Bedri Spahiu

Ka lindur më 13 korrik 1908, në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë, gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. Babai i tij, Sinani, shkoi në kurbet (në Turqi) me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe Bedri Spahiu ishte në shkollën fillore dhe deri më 1923, mbaroi filloren me nota të shkëlqyera. Në pamundësi ekonomike për të vazhduar ato klasa që i mbeteshin si dhe gjimnazin, më 16 maj 1923 u nis për Izmir, ku ndodhej edhe babai, me shpresë për të vazhduar shkollën. Mbaroi shkollën fillore italiane në Stamboll dhe mori dëftesën e lirimit. Periudha e jetës së tij me idetë komuniste, siç e ndan vetë, përbëhet nga tri faza, e para prej të cilave filloi në shtatorin e 1927-ës dhe mbaron në gusht 1931 (në shkollën e artilerisë). Në këtë fazë aktiviteti i tij është propaganda komuniste në shkollë. Faza e dytë fillon në gusht 1931 (në ushtrinë e Zogut) deri në tetor 1941. Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion ishte deri në 17 qershor 1955. Arrestohet sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së më 17 qershor 1955 dhe izolohet për pesë ditë në një shtëpi. Kjo erdhi si pasojë e luftës së tij të gjatë kundër politikës së Enver Hoxhës. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955 internohet familjarisht në Elbasan. Më 1 qershor 1957, arrestohet dhe izolohet në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në Selenicë. Lirohet nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni i Internim – Dëbimeve. Bedri Spahiu ka qenë prokuror në Gjyqin Special, prokuror në gjyqin e Koçi Xoxes dhe sekretar i Agjitacion – Propagandës, pastaj ministër i Arsimit dhe Kulturës deri në kohën e Plenumit të vitit 1955. Bedri Spahiu vdiq më 11 janar 1998.
.

Ka thёnё pёr… Enver Hoxhёn

Enver Hoxha është një njeri pa principe, dhe unë tregoj mospërfilljen time për të. Përderisa Enver Hoxha nuk do të më dënojë me vdekje, kjo do të thotë që pozita e tij është dobësuar që nga dita që pushkatoi Liri Gegën dhe Dali Ndreun”
.

Pёr Mehmet Shehun

“Mehmet Shehu është një kriminel nga natyra, por të paktën është njeri me taban. Mehmeti ishte një njeri me karakter të fortë dhe, sipas meje, nuk mund të vriste kurrë veten, por atë e kanë vrarë”
.

Pёr Ramiz Alinё

“Ramiz Alia doli më i fortë se mësuesi i tij, Enver Hoxha. Për mua ai ishte thjesht një mi gjirizi, që donte të bënte karrierë në atë kohë. Enver Hoxha ishte i keq, por më i keq na u shfaq pasardhësi i tij, Ramiz Alia”
.
Marrë nga gazeta “Republika” e datës 6 qershor 1991

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.