
Protesta e Madhe dhe Vetvrasja e Intelektualit Shqiptar
refleksion nga Jozef Radi
Një diktaturë ndërtohet mbi dy binarë kryesorë: mbi dhunën dhe propagandën.
Në ushtrimin e dhunës, diktatura përgatit dhe nxit njerëz injorantë e të nënshtruar të cilëve krimi u bëhet pjesë thelbësore e jetës së tyre. Shpesh, mbasi ata e kanë kryer misionin e dhunës, diktatura i eliminon si për ta zbutur të keqen që ajo përfaqëson, duke nënshtruar të tjera eskalione të krimit në këtë shërbim.
Për propagandën, diktatura “edukon” dhe përzgjedh njerëzit më të rafinuar e më të përshtatshëm që janë: artistët, shkrimtarët, muzikantët, këngtarët; piktorët, skulptorët, gazetarët, masovikët, po edhe të shkolluar: (të cilët ajo i quan intelektualë) mësuesit, specialistët e të gjitha fushave, shkencëtarët e deri edhe akademikët.
Rezultatet e diktaturës shqiptare, që zgjati 47 vite, janë të qarta, ndaj të merresh me to sot është humbje kohe, mbasi mjafton fakti, që Shqipëria preku fundin e saj të tmerrtë ku uria u bë thelbi i asaj lavdie të rreme, ku qytetari shqiptar shfaqej si një krijesë e rrënuar deri n’atë shkallë, sa shpëtimin e kërkoi vetëm përmes ikjes masive… Problem është çeshtja e inercisë së saj…
Postdiktatura u përpoq me gjithë mjetet dhe mënyrat ta maskojë dhunën, ta bëjë të padukshme atë, duke krijuar një fasadë gjigande drite, një muzikë shurdhurese me tabllo magjike qiejgërvishtësish, investimesh strategjike, ku përjashtohej qytetari i thjeshtë, me forma nga më ciniket e mundshme.
Për të realizuar të njëjtat qëllime, si diktatura, edhe postdiktatura u mor me çeshtjen e Pushtetit të një individi; ndaj me të gjitha mjetet ne kemi qenë pjesë e përpjekjeve për forcimin dhe madhështimin e disa individëve mbi propagandën.
Për këtë projekt, ajo shfrytëzoi gjithë mekanizmat e krimeve të dikurshme përmes retushimit të tyre, po edhe pjesën më të madhe të atyre që prodhuan artin e dikurshëm, duke i shërbyer devotshmërisht diktaturës.
Sigurisht, në post-diktaturë ka hapësira më të mëdha veprimi po edhe nënshtrimi.
Nëse diktatura nuk turpërohej prej dhunës, post-diktaturës i duhej ta maskonte sa më mirë atë; nëse diktatura e nënshtronte artin si vegël në shërbim të saj; postdiktatura e joshte, e blente dhe e përdor artistin, krijon kastën e artistëve të saj, kur duhet të bëjë të kundërtën. Shpesh, në postdiktaturë artisti ka shitur më së shumti legjendën e së djeshmes, duke u bërë kështu më i frikshëm, më i neveritshëm, më i lëtyrtë dhe i pështirë…
Nuk besoj se ia vlejnë shembujt. Të fundit qenë një aktor që desh të bënte burgun e një kryebashkiaku tejet të korruptuar dhe një autor komedish që e falenderonte edhe mbas një gjysëm shekulli diktatorin për shkollimin…!! O tempora, o mores!!
Nuk mendoj se ky ballafaqim: diktaturë e postdiktaturë mund të quhet i njëllojtë, por fryma e alternimit të tyre, dhe efektet që ato kanë prodhuar, i ndjejmë thuajse të barabarta.
Nëse një vrasje, një krim nën diktaturë terrorizonte për një periudhë të caktuar shoqërinë o një pjesë të saj, propaganda i trupëzohej gradualisht shoqërisë duke prodhuar efekte trushpërlarëse të mëdha e të frikshme. Një krim edhe mund ta kemi harruar, po s’mund të na shkulet trushpërlarja…
Krahasimi i fundit i KM ndaj një deputeti “me ballistët që vjedhin pula.” Mbetet model i një trushpërlarjeje thuajse shekullore, së cilës nuk i paskan mjaftuar as 47 vitet e diktaturës po as 36 vitet e postdiktaturës.
Një detaj ku e gjithë shoqëria njehet e paragjykuar.
Ndaj më duhet ta theksoj se në post-diktaturë, propaganda bëhet edhe më e thukët, më e ashpër, më cinike, sepse ajo s’e lejon të harrohet trushpërlarja, ndërkohë që imponohet me këmbëngulje të harrohen krimet e diktaturës…
Figura të artit, që dikur shërbenin si idhuj të vegjël shprese, gradualisht e pa u ndjerë u shndërruan në idhuj të mëdhenj zhgënjimesh. Lavdia e maskuar e së djeshmes nisi dora-dorës të krijojë nënshtrimin shoqëror të së sotmes.
Ky nënshtrim shoqëror në kohë u bë më i rrezikshëm se krimi shtetëror, sepse ai prodhonte efekte mbi një masë të madhe të shoqërisë. E këto pjesë të saj nuk arrinin ë koordinoheshin mes tyre, sepse diktatura përdori sistemin perfekt të izolimeve, ndërsa postdiktatura merrej me largimin e pjesës më kreative, më kundërshtuese, më dinamike të shoqërisë, duke ruajtur në mënyrë konstante ekuilibret e një vazhdimësie që merrej kryesisht me fasadën, fshehjen e fakteve dhe deformimin e tyre po edhe me përzgjedhjen e individëve që vinin nga nyjet e së djeshmes kriminale.

Nëse ndalemi te retrospektiva e periudhës së kalimit nga diktatura në postdiktaturë, vërejmë se diktatura përpiqej ta kuronte me mjaft kujdes imazhin e saj të shëmtuar.
Ata që e kanë jetuar kohë kalimtare, nuk e harrojnë se si pushteti i thirri “intelektualët”, domethënë kineastët, artistët, mjekët, arkeologët, poetët, gazetarët (pjesa më e nënshtruar), dhe të gjithë dora-dorës në emër të lirisë (që ata e kishin urryer) premtonin një të nesërme ndryshe, këta të vetëquajtur intelektualë, nga raporti që kishin pasur me pushtetin, nisën ta kurojnë atë kalim nga pushteti thellësisht politik në në një pushtet thellësisht ekonomik, ku atyre u qe premtuar hisja.
Koha tregoi se këta artistë “pjesa më intelektuale e tyre” u bënë thelbi i këtij retushimi klasik të së Keqes, e ku postdiktatura po barabitej me të njëjtat vlera me diktaturën.
Mbrojtja e Teatrit Kombëtar, mbetet një dëshmi historike, ku klasa intelektuale dështoi në mënyrën më spektakolare, përballë makinacioneve të pushtetit! Mbështetja që pati nga qytetarët qe shëmbullore, pjesa më e e emancipuar e shoqërisë në pikëpamje të frymës që përcolli kjo lëvizje e mbështeti. Ajo mund të konsiderohet si një ngritje shpirtërore e shoqërisë përballë një makine që po fuqizohesh ndjeshëm, ku baza e pushtetit me një pjesë opozite krijuan një mekanizëm të përbashkët rrënues duke shfrytëzuar figurat e intelektualëve, për t’i dhënë më së shumti një goditje fatale kësaj fryme qëndrese kolektive, se një objekti historik ku ndërthureshin interesa oligarkësh.
Mbas rënies së Teatrit, Shqipëria nuk pati një protestë të besueshme, të organizuar me frymë kombëtare, mbasi të gjitha protestat ishin me frymë partiake shpesh si një spektakël i shëmtuar ku riciklohej dëshmia e ekzistencës së një opozite kompromiosesh të nëndheshme përballë fuqisë agresive të pushtetit. Kjo protestë u riciklua dendur dhe pa rezultate, sa krijoi në popull një dëshpërim të frikshëm, ndërkohë që fryma intelektuale u bë inekzistente, dhe pjesa më e ndërgjegjshme, më e shkolluar më profesionale, po largohej nga sytë këmbët prej realitetit shqiptar.
E gjitha kjo mbolli një dëshpërim të madh popullor sa shpesh kemi qenë përcjellës të një fryme disfatiste se: “Shqipëria s’mund të bëhej më kurrë!”
Pikërisht, kët çast, lind diçka e paimagjinueshme.
Ndërsa pushteti jetonte në “qiell të shtatë” për “realizimet” e veta, qytetari shqiptar koleksiononte eksperiencën e humbjeve dhe tradhtive të pafundme nga politika, dhe intelektualët shqiptarë.
Qe vendosur një mënyrë thuajse e pabesueshme heshtjeje, për ndonjë organizim të ri, një akumulim i gjatë dhe një ndjesi që askush s’arrinte ta perceptonte. Shteti “triumfalisht” po kalonte nga një spektakël tek tjetri, nga një abuzim me shifra gjigande te një tjetër marramendës; “Shqipëria në Ankand” u shfaqej njerëzve kudo si një demonstrim force, arrogance dhe dhune të paimagjinueshme.
E brenda kësaj vorbulle ndjehej një vlim i paimagjinueshëm energjish rinore për ta gjetur gjurmën e flakës dhe nisur fuqishëm marshimin Kundër së Keqes.
Për ta rrumbullakosur arrogancën, dhe derdhjen e kupës së zemërimit; ndodh ngjarja e Zvërnecit. Një istëm i rrethuar me tela me gjemba, me tre grupe policore po organizonte “vjedhjen e shekullit” më të përfolurën e kohës, në përmasa katastrofike.
Qe pikërisht ky shtet i xhveshur moralisht, përpara njerëzve të veshur me pushtetin e parasë dhe të mafias, që u ndje edhe më i dobët se kurrë e në rolin e sehirxhiut, me 29 maj 2026, në Zvërnec, që e shpërtheu të paimagjinueshmen.
Befasia më e madhe për Pushtetin, po edhe për Opozitën, e cila fillimisht i trishtoi thellë dhe më pas vuri një vijë demarkacioni të frikshme midis qytetarit dhe intelektualit shqiptar.
Ishte pikërisht çasti, kur ndjesia e egërsisë ndaj qytetarit të pambrojtur, prej metastazave të Pushtetit që e zgjoi Klithmën e Madhe!
Pikërisht kur politika e Numrave të Manipuluar, Opozita që merrej me Vetveten dhe Fryma e Troshitur Intelektuale, kishin humbur çdo lidhje me realitetin dhe me ndjesitë humane të shoqërisë…
Kjo besoj se e lindi frymën e Protestës…
Mbi të gjitha, shtresa e intelektualëve (shpesh i shtohet një h) të çoroditur dhe e komprometuar nuk gjeti as forcë e as motive për të dalë nga vorbulla…
Unë besoj se këtu nis protesta.
Nuk dihej nëse do të zgjaste një ditë, një javë a diçka më shumë.
Çdo ditë e më shumë ishim përballë një lëvizje të paimagjinueshme jo në historinë e Shqipërisë, po edhe vendeve përreth… Kishte fituar Rinia, Guximi, Qytetari, Mosbindja Civile… Kishte fituar Shqipëria!
Sot mbushen dy muaj mga 31 maji i 2026.
Jam i sigurt se protesta do të vazhdojë të shtyhet edhe më përtej. Qytetaria është aty përnatë mes një vere përvëluese, e rrethanash jo fort dashamire… por ajo është gjithnjë aty, duke i mbushur rrugët e qytetit të Tiranës me frymë rinie, energji pozitive, emocione të papërsëritshme edhe për ata që koha iu drejtoi gishtin se ishin kundra kësaj proteste: qoftë në formë frike, qoftë në formë dyshimesh apo edhe ata që presin kahun e ngjarjeve!
Protesta e qytetarëve shqiptarë, u quajt “Revolucioni Flamingo”. Ngjarja më e rëndësishme e shekullit në Shqipëri. Ajo tejkalon edhe Luftën e Parë Botërore, edhe të Dytën, ajo tejkalon edhe ngjarjet e ’91, ajo do të mbesë modeli që nuk mundet kurrsesi të dështojë. Ajo kapërceu hendekun më të madh në histori, ku diktatura dhe post-diktatura edhe pse të përqafuara bashkë nuk mund ta mbysin zërin qytetar dhe shpirtin e lirisë së popullit të tyre.
Shpesh, makina e propagandës ndalet te fryma që përcjell protesta e verës ’26, me të gjitha tendencat dhe mekanizmat për ta ndaluar dhe shkatërruar këtë protestë.
Pushteti dritëshkurtër u dëshmua fillimisht shpërfillës e shpërfaqi frymën e talljes dhe injorimit; ndjenja e dyshimit iu faturua protestës si provokim i agjenturave të huaja; nisën të kërkohen krerët e organizimit të saj; kërkohesh një program i saj, dhe bashkëbisedim i mundshëm me joshjen e pushtetit.
Protesta mbeti anonime… Populli! – për mos t’i lënë asnjë mundësi Pushtetit.
Mbi gjithçka u kërkuan krerët e saj për të dëshmuar se pushteti i 15 viteve të fundit, të mund të ndjehesh më i fortë dhe i patjetërsueshëm mbas nënshtrimit të kësaj Proteste.
Për fatin e mirë të kombit shqiptar, kjo zezonë nuk ndodhi, se do të ishte Guri i Sizifit që do ta rrënonte përfundimisht këtë popull të lashtë dhe s’do t’i lejohej një e ardhme, së paku për 20-30 vitet e ardhme.
Protesta vazhdoi edhe sot në ditën e 60-të të saj, duke dëshmuar se asnjë lloj kompromisi s’do të ketë midis Pushtetit dhe Protestës.
Po dëshmohet përditë e më qartë se qytetari s’është i përfaqësuar nga njerëz të veçantë, po nga një frymë kolektive rrebelimi. Qytetaria nuk i lejoi “flokëbardhët e dikurshëm” ta tërheqin drejt shprishjes Protestën e Madhe, nuk i lejoi liderët e rinj të premtonin lirinë e demokracinë, Evropën dhe Amerikën, çekun bardhë apo mërgimin e zi…
Ka pafundësisht rini që ka nxjerrë mësime nga eksperienca e jashtëzakonshme e humbjeve dhe shitjes së kauzave duke e vënë me shpatulla për mur jo vetëm pushtetin por edhe një pjesë të opozitës.
Nëse do kishte ky vend intelektualë të vërtetë, në krye të këtij rebelimi të madh, do të kishim këngëtarë që do ta mbushnin sheshin me këngë patriotike; do të kishim artistë që do t’i recitonin popullit në sheshet e Tiranës poezitë rebele të Fishtës, Naimit, Mjedës, Asllanit, Nelës e Xhagjikës; do të kishim poetë që do ta frymëzonin qytetarin me guxim dhe shpresë; do të kishim regjisorë që do ta paqyronin hap mbas hapi me dokumentarë frymën që përcjell protesta; do të kishim gazetarë që do t’i braktisnin studiot e Tv të pushtetit e do të ulërinin me popullin protestues… do të na shfaqeshin piktorë që me ngjyra drite dhe energji pozitive do t’ bënin flamingot të fluturonin; do të kishim figura të muzikës e baletit, në mbështetje të kësaj rinie që kërkon shpëtim e besim prej saj.
Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk fatkeqësi e pakët!
A ka ndodhur ndokush nga të Reality Show-t… ta ketë marrë fjalën në Protestë?!?
Mbas 82 vitesh diktaturë e postdiktaturë, intelektuali dhe artisti shqiptar ka pësuar një metamorfozë të frikshme dhe e ka vetvrarë guximin e së vërtetës, duke e rënduar së tepërmi fjalën intelektual dhe artist.
Intelektualët shqiptarë duken si pjesë e asaj makine që luan prej gati një shekulli teatër me popullin shqiptar, e që s’duan ta kuptojnë se sot janë në ditën e tyre më të vështirë.
Heshtja dhe vetmia e tyre është dëshmia më sublime e metastazave që pushteti ka ngulitur në trupin e tyre. Intelektuali shqiptar ndjehet i paburrë t’i dalë përballë kësaj proteste historike shembullore edhe të thotë:
“Më fal o popull, që s’isha me ty në ditët tua më të vështira!
Më fal se diktatura dhe postdiktatura zgjatën edhe për fajit tim!!!”
jozef radi, 29 korrik 2026
Shënim nga Faruk Myrtaj
Është një thuajse trashëgimi e mbiquajtjes “intelektual”, “shtresë intelektuale” deri në popullimin e Odës së “Nder i Kombit” me llojin “intelektual që ju e shfaqni krejt qartë në imazhin dhe identikitin e tij, Jozef Radi. Nëse kjo ishte dhe thuajse pranohet qartë se nuk mund të ishte ndryshe nën diktaturë, vazhduam nën këtë “sundim intelektual” edhe më pas. Nuk vë në dyshim vlerat përkatëse të individëve në fjalë, por le të kujtojmë, përshëndetes të numrit të parë të RD, gazetës së Partisë Demokratike që pretendonte të sillte pluralizmin, lirinë e Fjalës dhe liritë e tjera, do të duhej të ishin individë që kishin luftuar dhe ishin ndëshkuar për to. Jo individë që kishin pranuar t’u ndodhte shkëlqimi dhe nderimi i tyre nën pa-liri. Kjo nuk ndodhi se edhe ata lloj të burgosurish politikë që patëm në kapërcyell u liruan pasi kishte marrë formë “pluhur-Alizmi” faktik. Edhe kur pati një çerek=hapi për t’u zhvendosur për nga morali qytetar i njeriut me liri dhe pronë, tërë ata që ishin mbajtur “intelektualë” të së djeshmes u ribashkuan për t’ia nisur nga e para. Rastet e Aktorit dhe Zerigjorit apo të Mbiemrave të tjerë të mëdhenj Intelektualë që sikur kërkuan “ta dëshmojnë korruptimin e tyre”, që ju përmendet janë më flagrantët, por të tjerë mund t’u bashkoheshin që ta kemi më të lehtë të besojmë se mbase nuk jemi të gatshëm të kapërcejmë “kufomën intelektuale të vetes”. Nuk është fjala thjesht për të privilegjuarit e drejtëpërdrejtë prej të Dy-Partive, që këmbejnë pushtet, apo studiove televizive dhe mediave të cileve tashme Protesta ua rrëzoi Imazhin. Është domosdoja jonë të bindemi se kemi për ta fyer veten pafund, nëse në masë nuk arrijmë të pranojmë këtë realitet…
Jozef Radi – Faruk Myrtaj
Faruk, ju lexova me shumë vëmendje, në shënimin tuaj panoramik për një të vërtetë, që si duket na dhemb njësoj, edhe mendoj ta trupëzoj si pjesë e këtij shkrimi, si një dëshmi plotësuese. Është absolutisht e vërtetë ajo çka nënvizoni ju, dhe që më ka shqetësuar jashtëzakonisht në këtë periudhë: Shumë njerëz që unë i njoh dhe i vlerësoj, sot nuk do të marr guximin t’i quaj më intelektualë – Dikur, shkuarën e tyre tashmë të harruar, (s’besoj se është nevoja të përmenden emra, sepse besoj se gjithkush e ndjen peshën e vetes në kët situatë) – kanë bërë beteja lirie me diktaturën, dhe kanë qenë, si të thuash flamurtarë në betejën dhunën kur binte mbi ta, sot… gjatë gjithë kësaj periudhe kanë mbajtur një qëndrim të heshtur, përgjues, pa një thërrime kurajo dhe asnjë lloj qëndrimi përballë situatës që kalon vendi, dhe përballjes që po bën qytetari dhe populli, për një periudhë tejet tragjike, përballë një politike jo 36-vjeçare, por populli po e quan 82-vjeçare. Një protestë e kësaj përmase e papërkrahur intelektualisht, mund të ketë plot elemente për të dyshuar ë për të qenë të dëshpëruar.
Por ajo çka meriton përkrahje është pjesëmarrja e rinisë, fryma e saj, konsekuenca për ta vazhduar këtë betejë deri në fund, mosmposhtja përballë joshjes dhe taktikave të përdorura si dhe intuita për të mos ekspozuar njerëz të veçantë, që rrezikonin të bëheshin targete, të kompromentoheshin e të poshtëroheshin, për mua mbetet emocionuese.
Jemi në sinkron me mendimin tuaj, se po kalojmë një situatë në të cilën fjala “intelektual” po e humb me shpejtësi çdo nuancë, në kuptimin më të qartë që ajo ka në shërbimit që duhej t’ia jepte popullit të saj.
Gjithë të mirat Faruk,