
Protesta e kreu tashmë misionin e saj
sugjerim i pakërkuar nga Klodi Stralla & një opinion nga Jozef Radi
Protesta e kreu misionin e saj dhe duhet të ndërpritet me një demostrim madhështor e paqësor kombëtar para Ambasadave të huaja, këtu në Tiranë.
Kush besonte se Rama, por sidomos ata që qendrojnë pas tij (kupola okulte), do ta dorëzonin vullnetarisht pushtetin me thirrjet më të para të protestuesve: “Rama jepe dorëheqjen!”, sigurisht kanë qenë naivë, që nuk e njohin sesi funksionon një regjim autokratik, oligarkik dhe kleptokratik.
Megjithatë kjo proteste dëshmoi se:
-Shqiptarët mund të ndërtojnë një kauzë të përbashkët dhe të dalin vullnetarisht në shesh të protestojnë për të, të pavarur nga partitë politike, bile kundra tyre, gjë që s’kishte ndodhur më parë.
-Ajo nisi si një protestë mjedisore për flamingot e Zvërnecit, por shumë shpejt u shndërrua në një protestë me kërkesa të qarta politike.
-Protestuesit bënë slogan të tyre: “Shqipëria nuk shitet!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Revolucion!” etj, duke e shprehur hapur mosbesimin tek kjo klasë politike 36 vjeçare. Për më tepër gjendjen në të cilën ndodhet vendi e shohin si pasojë të korrupsionit galopant dhe e keqeverisjes të të dy kraheve të politikës.
-Protesta kërkon Revolucion, jo në kuptimin e dhunës me tanke e mitraloza mbi institucionet e shtetit, por një ndryshin rrënjësor por paqësor të qeverisjes, duke themeluar një “Kontratë” të re pushtet – qytetar, pra një Kushtetutë të re, ku sovran real (jo në letër) të jetë populli dhe qeveritarët në shërbim të tij dhe jo e kundërta si deri më sot ku, dy individë, kryetarë partie, zvendësojnë çdo institucion të shtetit. Protestuesit duan prishjen e modelit Parti-Shtet të trashëguar nga e kaluara jonë e hidhur.
-Protestuesit kërkojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shprehin bindjen se këto nuk mund të realizohen me Ramën kryeministër, me këtë ndarje territoriale dhe këtë kod zgjedhor, me administrate të politizuar etj. Pra, duan një Qeveri jo partiake kalimtare, me mandat të pëkohëshëm.
-Protesta e ndërkombëtarizoi pakënaqësinë popullore, jo vetëm përmes një numri rekord pjesmarrsish (disa dhjetra mijë) por edhe përmes një qendrushmërie mbreslënse 45 ditore. Ajo ia çorri maskën fasadës mashtruese dhe propagandës qeveritare, që tjetër sillet dhe tjetër propagandon me fjalë në forumet ndërkombëtare (modeli fasadë).
Mendoj se kjo Protestë duhet të ndërpritet këtu dhe dita e nesërme, 14 korriku, është një datë simbol, ai i fillimit të Revolucionit frëg të 1789-ës, për Liri, Barazi dhe Vllazëri. Protesta e mori simbolikisht “Bastijën”, sepse e bëri publik dhe e ndëkombëtarizoi faktin që shqiptarët, në këto tre dekada, kanë qenë me liri të cunguara, me pabarazi të theksuara dhe sigurisht vëllazëri të cënuar rëndë.
Shqiptarët, përmes kësaj Proteste, e thanë fjalën e tyre: Duan të jenë si gjithë Europa. Kaq mund të bëhet paqësisht!
Mbetet ta dëgjojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtare (nëse janë vërtet miq) dhe jo të veprojnë si kanë vepruar deri më sot, që kanë ndarë me pushtetarët tanë interesa të shumta monetare dhe pasurore në kuriz të pasurive tona publike. Ja pse kjo Protestë duhet të mbyllet me një demostrim madhështor para selive të tyre, këtu në Tiranë.
250 vjet më parë, kleri dhe aristokracia që sundonin Francën, as e dëgjuan dhe as e kuptuan popullin e tyre (Tiers Etat) dhe ky që shkaku që pakënaqësia e grumbulluar ndër vite, në vend që të zbutej dhe regullohej nga lart (siç veprojnë elitat e përgjegjëshme të një kombi), doli dhe mori rrugët e Parisit dhe mbarë Francës, me gijotinën pasi që preu koka njerëzish, shpesh edhe krejt të pafajshëm. Historia na sjell shumë shembuj të tillë, vetëm duhet të duam t’i lexojmë me durim, me arsye dhe sidomos me dashuri për njëri-tjetrin. Nuk është kurrë vonë.
Idetë dhe energjia e Protestës nuk fiken me ndërprerjen e saj, përkundrazi, ajo u le kohë njerëzve të mençur të këtij vendi (nëse kanë mbetur të tillë), të veprojnë me maturi dhe dashuri kombëtare. Koha do të na vlerësojë ose dënojë!
Tiranë, 13 korrik 2026

I dashur Klod,
e lexova me shumë vëmendje shkrimin për protestën, po me aq vëmendje lexova edhe shumë prej komenteve të cilët shfaqin opinione nga më të ndryshmet. Me këtë rast, po i bashkohem edhe unë opinioneve të tyre duke e kundërshtuar idenë e mbylljes së protestës.
Sigurisht, e kisha menduar që protesta do të mbyllej kohë më herët, por këmbëngulja e rinisë në bulevardin e madh që e ka bërë rininë shqiptare të madhe, jo vetëm në sytë e mi, dhe kjo është dëshmia e fuqisë së kësaj proteste.
Sigurisht, ajo që thoni ju, që një pjesë e synimeve janë arritur, është e vërtetë, por nuk është arritur asnjë qëllim i dukshëm; fjala vjen: Kryeministri, i cili është epiqendra e kësaj proteste, jo vetëm që s’ka lëvizur asnjë presje nga ajo që ai ka bërë, por është përpjekur të mashtrojë edhe t’i vazhdojë mashtrimet dhe përçmimin. Gjithë deputetët e tij, janë hedhur në një sulm fronmtal barbar duke e konsideruar rininë protestuese: si sorra, si laraska, si palaço dhe si budallenj që nuk kanë asnjë punë tjetër pos sorrollatjes në bulevard…
E treta, opozita nuk ka mbajtur një qëndrim, si të thuash bashkëpunues që do të ishte vazhdim i kësaj proteste në parlament dhe gjetja e motiveve për shkarkuar paragjykimin mbi vete. Pra, edhe pse protesta e ka anashkaluar, bile edhe e ka përjashtuar opozitën, në pikëpamjen legale opozita duhej të vazhdonte me këmbëngulje bashkëpunimin me protestën.
E katërta, po aq e rëndësishme, a ka ndonjë garanci që, nëse mbyllet protesta, pushteti s’do të fillojë gjuetinë e shtrigave dhe të gjithë ata që e mbështeten fuqishëm protestën mund të goditen në mënyra nga më të ndryshme dhe të krijohet situata e panikut?! E fundit, edhe pse opinioni ndërkombëtar ka reaguar, shpesh herë e ka trajtuar protestën për interesat e veta gjeopolitike, shpesh nuk ka qenë as dashamirës i kësaj proteste, edhe pse e kanë paraqitur në media atë.
Si konkluzion, duke qenë edhe afër ideve të tua, të afrova idetë e mia, që protesta derisa të ketë edhe një njeri të vetëm që proteston në bulevard, ajo duhet të vazhdojë.