
Promovohet libri “Musine Kokalari – një yllësi”
Promovimi i librit “Musine Kokalari – një yllësi” na bëri bashkë me miq e të afërm nga familja Kokalari, ku veçoj nipin e martires, Bardhyl Kokalarin dhe bijën e tij, eurodeputeten suedeze Alba Kokalari!
“Që harresa të mos bëhet errësirë, më mirë ndiz një qiri, se sa të mallkosh errësirën” – do të thoshte dikur shqiptarja e madhe, Nënë Tereza
Ndaj me nderimin më të thellë, përkujtuam simbolin sakrificës dhe shpirtit të lirë, mishërimin e dinjitetit dhe kurajos qytetare, krijuesen e talentuar, studiuesen e etnofolklorit dhe intelektualen e kulturuar, politikanen e emancipuar, disidenten e paharruar, atdhetaren përparimtare, gjirokastriten fisnike: Musine Kokalari.
I jemi mirënjohës të nderuarit Uran Butka, i cili e ka sjellë tashmë më të plotë figurën e nderit të kombit, martires së demokracisë, shkrimtares dhe politikanes Musine Kokalari!
Martirizimi i një kombi fillon atëhere, kur shuhet kujtesa historike për shkaktarët e diktatit, dhunës dhe mohimit të lirive dhe të drejtave të tij.

Musineja e brishtë nuk u përkul kurrë! Ajo e mundi diktatorin me dinjitetin forcën e mendimit dhe me mençurinë e fjalës së saj!
Vitet e qëndrimit të saj në burgjet e diktaturës dhe në internim, flasin për shpirtin e saj të madh të qëndresës, revoltës dhe sakricat e panumërta në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane. Me forcën e karakterit dhe dinjitetin e pashoq ajo përballoi terrorin më të egër duke u konsideruar një nga legjendat simbol të qëndresës kundër diktaturës!
“Asnjë letër për falje, nuk ka dërguar që nga viti 1946… preferoi burgun si armike e partisë dhe tani po vdes e vetme. U mundova ta zhduk, por nuk është e lehtë të zhdukësh një njeri si ajo”, – citoi Butka diktatorin Hoxha.
Pen Klubi botëror, OKB e shumë organizata për të drejtat e njeriut dhe demokraci perëndimore do ta kushtëzonin Diktaturën shqiptare të rifutej në UNESKO në vitin 1961, vetëm nëse do të lironte nga burgu martiren demokrate dhe intelektualen e kulturuar Musine Kokalari…!
Pas 15 vitesh torurash çnjerëzore, “Më nxorën nga burgu, por nuk më dhanë lirinë. Vetëm e ndryshuan pamjen e burgut…”, do shkruante atëhere Musineja për kalvarin e vuajtjeve në Rrëshen.
Me aktin e saj flijues, dinjitetin njerëzor dhe me idetë e saj, Musineja po frymëzon në çdo kohë mbrojtjen e demokracisë, të lirisë, të drejtave dhe vlerave atdhetare.
Imazhi i Musinesë përpara trupit gjykues komunist ngelet një nga momentet më të fuqishme vizuale të historisë sonë të qëndresës!
Sot detyra jonë nuk është thjesht ta përmendim. Por të kthellojmë kujtesën e pasurojmë shpirtin me vlerat e fjalës së lirë…!
E të lutemi që çfarë ndodhi kurrë më të mos përsëritet!
Nderim përjetë për Musine Kokalarin!