back to top
9.5 C
Tirana
E martë, 17 Shkurt, 2026

Profesorët e shquar shqiptarë në perëndim dhe Mediokrja Lea Ypi – nga Përparim Gjeka

Gazeta

Përparim Gjeka
Përparim Gjeka
Profesorët e shquar shqiptarë në perëndim dhe mediokrja Lea Ypi
nga Përparim Gjeka

Shqiptarët kanë profesorë, autorë dhe intelektualë të respektuar në universitetet më të mira të Perëndimit, por shpesh nuk arrijnë t’i dallojnë ata që kanë ndikim real nga ata që thjesht kanë dukshmëri.
Në këtë konfuzion kolektiv, ku fama ngatërrohet me madhështinë dhe ekspozimi mediatik me peshën intelektuale, kemi ndërtuar idhuj të rremë dhe kemi lënë në hije figura që realisht i kanë shërbyer mendimit, kulturës dhe dinjitetit shqiptar në botë. Rasti më domethënës i këtij keqvlerësimi është ai i Lea Ypit.
Shqiptarët në Perëndim nuk janë as të paktë dhe as të parëndësishëm. Në universitete britanike, amerikane dhe europiane kanë dhënë dhe japin mësim profesorë shqiptarë që kanë botuar libra seriozë, të cituar dhe të respektuar në fushat e tyre.
Gëzim Alpion, profesor në Universitetin e Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar, ka ndërtuar ndër vite një vepër akademike të qëndrueshme, që trajton raportin mes fesë, medias, kombit dhe figurave globale. Librat e tij për Nënë Terezën nuk janë thjesht biografi, por analiza të thella sociologjike që kanë hapur debate dhe janë kthyer në referencë në nënfusha konkrete të disiplinës. Mbi të gjitha, Alpion ka kontribuar në paraqitjen serioze të përvojës shqiptare në Perëndim. Nga ana tjetër, profesor Gëzimi ka ngritur zërin fuqishëm ndër vite për keqmenaxhimin politik në Shqipëri, kundër qeverive të djathta dhe të majta, dhe ka mbrojtur kauza shoqërore si ajo për Rrugën e Arbërit apo shpëtimin e Dibrës nga përmbytja e hidrocentralit.

Doli në Amerikë Libri "Free" i Lea Ypit
Doli në Amerikë Libri “Free” i Lea Ypit

Gazmend Kapllani, profesor që hapi i pari një katedër të gjuhës shqipe në universitete amerikane, me librat e tij të botuar në disa gjuhë të botës, ka bërë atë që shumë profesorë nuk e arrijnë kurrë: ka ndikuar realisht në mënyrën se si Perëndimi e kupton emigracionin dhe kufirin. “A Short Border Handbook” nuk është vetëm një libër i suksesshëm, por një tekst që lexohet, diskutohet dhe përdoret në universitete si dëshmi kulturore e përvojës së emigrantit ballkanik e me gjere. Profesor Kapllani ka qenë zë i shqiptarëve pa bërtitur, pa viktimizim dhe pa kompleks inferioriteti, duke lartësuar mendimin intelektual shqiptar në arenën ndërkombëtare. Profesor Kapllani shprehet publikisht dhe periodikisht mbi nevojën e një politike të re në Shqipëri dhe mbi rrugët për të ringritur vendin nga mangësitë e tranzicionit.
Në këtë panoramë, Lea Ypi, pa asnjë qëndrim sinjifikativ të mbajtur ndër vite mbi ecurinë politiko-ekonomike-shoqërore të Shqipërisë, del jashtë konsiderate si një intelektuale e angazhuar. Dy librat më të njohur të saj, edhe pse të shkruar me një stil narrativ të rafinuar dhe të përshtatshëm për publikun perëndimor, nga pikëpamja e ideve nuk kanë sjellë asgjë të re në filozofinë politike. Ato riprodhojnë korniza tashmë ekzistuese, pa krijuar koncepte, debate apo shkolla mendimi. Janë libra të lexueshëm, por jo libra formësues.
Librat e Lea Ypit nuk kanë ushqyer debat as në Shqipëri; nuk kanë ndikuar mendimin politik shqiptar, nuk kanë shërbyer si pikë referimi për diasporën dhe nuk kanë prodhuar reflektim kombëtar. Shqipëria në këto libra shfaqet më shumë si skenë narrative për konsum perëndimor, sesa si atdhe që meriton angazhim intelektual dhe shërbim moral.
Kur flasim për mediokritet në këtë rast, nuk flasim për mungesë inteligjence apo aftësie shkrimi. Flasim për mospërputhjen mes vlerës reale të veprës dhe statusit që i atribuohet. Mediokriteti lind kur një autore paraqitet si madhore, ndërkohë që prodhimi i saj është korrekt, por jo i jashtëzakonshëm; i bukur, por jo i thellë; i suksesshëm, por jo ndikues.
Lea Ypi është produkt tipik i një sistemi kulturor perëndimor që shpërblen rrëfimin personal të “të ardhurit nga Lindja”, për sa kohë që ai nuk e sfidon thelbin e narrativës dominuese. Ky sistem prodhon yje mediatikë, jo domosdoshmërisht mendimtarë të mëdhenj.
Shqiptarët nuk kanë mungesë intelektualësh; kanë mungesë kriteresh vlerësimi. Kur këto kritere aplikohen me ndershmëri, bëhet e qartë se ndikimi matet me gjurmën që lë një vepër në mendim, në debat dhe në shërbim ndaj komunitetit dhe kombit – jo me kontrata botuese, çmime apo intervista.
Profesorët shqiptarë në Perëndim meritojnë respekt kur kanë ndikim real. Dhe pikërisht për këtë arsye, mbivlerësimi artificial i figurave mediokre është dëm, sepse errëson ata që kanë kontribuar më shumë dhe më thellë, si Gazmend Kapllani, Gëzim Alpion, etj.
Mes gjithë zhurmës dhe dukshmërisë së mediokriteteve, ne, si shoqëri shqiptare kudo që jemi, duhet të kuptojmë se e ardhmja jonë varet nga vlerësimi i të mirave të vërteta dhe lartësimi i njerëzve tanë më të mirë. Vetëm duke ngritur mendimin, veprën dhe integritetin e intelektualëve që kontribuojnë realisht, mund të ndërtojmë një komunitet të fortë dhe një Shqipëri me dinjitet dhe perspektivë.
Marrë nga muri i Fb Përparim Gjeka, 10 janar 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.