back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 9 Mars, 2026

Profesor Kol Ashta (1918 – 1997) – përgatiti Fritz Radovani

Gazeta

Profesor Kol Ashta (1918-1997)
Profesor Kol Ashta (1918-1997)
Profesor Kol Ashta (1918 – 1997)
përgatiti Fritz Radovani

Kujtojmë një nga burrat ma të nderuem dhe të kulturuem të qytetit të Shkodres!
Profesor Kol Ashta ishte dhe mbetet gjithmonë ndër intelektualët ma të kulturuem dhe ma punëtorë që ka pasë Shkodra në periudhën e diktaturës terroriste të komunizmit.
Profesor Kola ka lé në Shkodër me 3 korrik 1918. Asht diplomue në Romë në vitin 1942. Puna e diplomës së tij kishte temë për poetin At Gjergj Fishta, dhe mund të thohet me plotgojë, se ajo temë e ka shpëtue nga zhdukja… Profesori jetonte me aq frikë, sa i dukej çdo çast se, po i
troket dera dhe erdhën me e marrë…
I ruhej këmishës që kishte në trup! Gjithmonë me ankth mbasi e njihte mirë sistemin totalitar diktatorial.
Në vitin 1956, e kishe përfaqësues në provimin e maturës për gjuhë dhe letërsi. Mbas tri ditësh që kam ba provimin e hartimit më ndaloi në rrugë edhe, m’tha: “…E dij se ke pasion pikturën por, të këshilloj me u marrë me letërsi, mbasi hartimi i yt më ka lanë mbresa…” – Unë tue përfitue nga miqësia e tij me Prof. Gaspër Ugashin, iu përgjegja: “Ju falemnderës për këshillën, po, ba me shkrue shka kam në mend dhe në zemër, shumë shpejt pushkatohem…”
Mbetëm miq!
Kam shkue shpesh mbas vitit 1985, te Profesori. Më pat tregue se, kur, asht krijue Lidhja e parë e Artistëve dhe Shkrimtarëve në Tiranë, mbledhja ishte ba në Teatrin Popullor dhe, se mbas syparit të skenës ka kenë vetë Enver Hoxha, me grupin e Sigurimit të Shtetit, për me ndigjue me veshtë e tij, çka flitet dhe a po veprohet simbas porosisë së tij, nga ana e Sejfullah Malëshovës e Nako Spiros.
Ardhja e atij vetë aty tregon mosbesimin e tij as te bashkëpuntorët, me të cilët asht marrë pak ma vonë!
Profesor Kola edhe pse ndrroi situata politike në Shqipni asnjiherë s’ka pasë besim te ndryshimet e tyne. Gjithnji i percaktonte kështu: “Ata mbeten gjithmonë kriminela ashtu si janë lindë!”
Flas per periudhen mbas vitit 1991, gjithnji më porosiste, me pasë kujdes prej komunistëve. -Kur flet ti në radio, – më thonte – unë, tue të ndigjue ty, kam frikë se më gërset dera e vijnë me më marrë mue, pse të ndigjoj ty! E pata pyet se, pse kishte aq frikë të madhe edhe tashti?
Më pat tregue: “Në vitin 1946, më patne çue mësues në Berat. Një ditë kur po u kthejsha nga shkolla, aty nga ora 14.30, pa hy në rrugën e shtëpisë ku banojshe, një grup partizanësh vërriti me të madhe: “Ndal, ku vete, nuk sheh nga sytë!” – Unë u stepa në vend. Pa mbarue mirë këto fjalë partizani, u ndigjue një breshni automatikësh e armësh… kur, shka me pa? Ishte i lidhun për trungun e një peme brij rrugës një djalë i shtëpisë ku banojshe me qira, iu coptue ftyra nga plumbat e mitralozave… Gjaku i gufonte dhe për pak minuta rrëkaja e gjakut tij mbuloi rrugën.
Kur u afrova te dera e shtëpisë, Nana e djalit të vramë më doli përpara dhe, më tha: “Profesor, e pave se ç’më banë komunistët?”
Unë ishe aq i topitun dhe i friguem sa nuk flitshe fare… Hyna në dhomën teme dhe nuk dola dy ditë… Prej asaj kohë unë kam tmerr me pa në rrugë edhe një ushtar tue kalue, mbasi më përsëritet menjiherë skena që përjetova para 40 e sa vitesh në Berat!
Komunistët janë të tmershëm kudo, por komunistët shqiptarë janë edhe të pakrahasueshëm… Koha i ka ba pervedi!”
Ka vdekë me zemër të ngushllueme mbasi pau me sy botimin e vëllimit të parë të veprës së tij, mbi të cilën, punoi pa iu ndigjue zani ma shumë se nji gjysë shekulli. Një punim i shkëlqyeshëm.
Më pat dhurue dy librat e “Relacioneve të Klerit Katolik…” dhe më pat kërkue me plotsue nji pjesë të papërfundueme prej Profesorit. Unë e kam përfundue dhe me doli nji volum pune rreth dyqindesa faqe. Kur i tregova se po e përfundoj, u gëzue tej mase.

***
Profesor Kol Ashta ishte ndër të paktit qirij në mbretninë e errësinës komuniste, që na ndriçonte mendjen dhe zemrën!
Atij Burri asnjiherë s’ia ka zaptue frika guximin!
Nji jetë pa Ju ndigjue zani, gjithnji i zhytun ndër libra shkencorë!
Kjo asht arsyeja pse sot Profesor Kol Ashta asht i paharrueshëm!
Shpesh pyes vedin: “A do t’i vijnë ma Shkodrës shoku i Kol Ashtës?!”
Le të ruejmë me shumë dashni e respekt Emnin e Profesor Kol Ashtës!
Melbourne, 1 Gusht 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.