back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Prof. Sami Repishti, Misionar i Paqës, Kontribues në Fushën e Sociologjisë dhe Psikologjisë sociale – nga Pertefe Leka – Me rastin e 97-Vjetorit te Lindjes, 6 Prill 1925

Gazeta

Sami Repishti - 6 prill 1925
Sami Repishti – 6 prill 1925

Prof. Sami Repishti, Misionar i Paqës, Kontribues në

Fushën e Sociologjisë dhe Psikologjisë sociale

nga Pertefe Leka

Me rastin e 97-Vjetorit te Lindjes, 6 Prill 1925

30 vjet më parë, kisha publikuar shkrimin, “Një mesazh nga diaspora”, për vizitën e parë të Prof. Repishtit në Shqipëri. Ishte një refleksion për artikullin e Profesorit “Përse e vizitoj Shqipërinë” botuar në R.D.
Prof. Repishti erdhi në Shqipëri familjarisht, kur po grisej perdja komuniste, që nuk e la të shohi vendlindjen për dekada me radhë. Ndaj i përgjigjet pyetjes “Përse e vizitoj Shqipërinë”; “T’u tregoj atyre (pasardhësve) piedestalin pa kokën e diktatorit të rrëzuar në baltë nga masat popullore të zemëruara nga shtypja gjysmë shekullore…”
Unë (P. Domnori – Leka) e kam njohur në Shkodër, nga lidhjet familjare. E mbaja mend, kur doli nga burgu, njerëzit e përmendnin në heshtje për qëndrimin burrnor. Kur u arratis, iku, po la frymën e mendimtarit me vlera të mëdha dhe besimin se edhe atje ku do të shkonte do të vazhdonte, po me atë qëndrim, sepse kishte dhënë prova.
Pas tre vitesh nga arratisja, më 1962, Guximtari Repishti, kishte realizuar ëndrrën e lirisë për të bashkue idetë me patriotët shqiptarë në vendin e Demokracisë, ku gjeti terren të përgatitur për të vazhduar ëndrrën shqiptare… I pritur ngrohtësisht nga Dr. Agim Leka, si udhëtarë të një drejtimi, u afruan edhe më shumë, kur u bënë miq.
Më ka mbetur në mendje pritja që iu bë Prof. Repishtit në aeroport, Gusht 1992. Ishte mbresëlënëse, sikur të ishte autoritet shtetëror, edhe pse pa protokoll zyrtar, pa afishe nëpër mure, pa media të porositura, por gazetarë që kishin dëgjuar për këte vizitë.
Shumica vinin nga Shkodra, do të takonin vllanë, axhën, dajën, bashkëvuajtësit, shokun, mikun dhe të tjerë që nuk kishin lidhje, por kishin dëgjuar për mendimtarin me vlera të mëdha për çështjen e kombit.
Ishte një takim i përzemërt, pa bujë, por me dashuri e respekt për njeriun e ditur që vinte nga një botë e lirë për të sjellë shpresë.
Fjala e parë që u dëgjua nga Biri i Shkodrës Martire: “Kam ardhë me dashuri për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri…”
Shprehja nuk u keqkuptua, edhe pse kishte shpërthye zemërim i madh ndaj diktaturës, bashkëvuajtësit e tij e mbështeten. Ata nuk kishin bërë asnjë hap hakmarrjeje për dhunuesit. Ata ishin të etur për dashuri njerëzore dhe jo për të vazhduar luftën klasore. Shpresonin në ndryshime, në ligje, që katilët, të merrnin dënimin e merituar… 

Si pionier i parë i demokracisë shqiptare në vitet ’39, u prit nga qytetarët e Shkodrës po me ate flamur (pa yll) që shokët e tij e kishin ruajtur si relike për t’ia treguar brezave se qyteti i qëndresës Ilire, nuk i ka humbur traditat, ndaj dhe shpërthimi i zemërimit kundër diktaturës, kishte filluar në qytetin e lashtë. Kështu biri i Shkodrës, pa shkelur pragun e shtëpisë ndaloi me respekt e përulësi përpara muranës së dëshmorëve të parë të demokracisë (2prill 1992), ku u përshëndetën dy breza demokratësh…

Autorja Pertefe Leka dhe Profesor Sami Repishti
Autorja Pertefe Leka dhe Profesor Sami Repishti

Në shtëpinë e vjetër të Repishtëve, vëlla Vehbiu, tregoi mikpritjen dhe bujarinë e traditës, jo vetëm për vëlla Samiun me familje, por oborri i gjelbëruar u kthye në një dhomë pritje, ku
hynin e dilnin miq e familjarë për të komunikuar, me të dashtunin e tyre për të ndarë sëbashku çfarë kishin akumuluar gjatë ndarjes së gjatë.
Zonja Diana – e kujton shpesh vizitën e parë në Shqipëri, sidomos në Shkodër; Ajo u shkri natyrshëm me familjen e madhe Repishti, ku u pritën krahëhapur. Samiu ishte djali i parë i shtëpisë, që vinte me familjen e krijuar në emigracion. Znj. Diana fliste shqip, por edhe fëmijët dhe nusja e djalit merreshin vesh, bashkonin mendjen dhe zemrat nga gëzimi që ndjenin.
(Diana vinte nga familje emigrantësh, babai, Kadri Çipi dhe Zonja Tefta Bejko Çipi, vinin nga familje të vjetra Gjirokastrite. Ata kishin mbrrijtë në Amerikë me 1937, me vajzën Elizabeth 4 vjeçare. Vajza e vogël Diana lindi në Amerikë. Trashëgimia e vetme që lanë prindët ishte investimi për shkollimin e vajzave, në kolegjet më të mira.
Ata morën arsim të plotë për të ushtrue detyrën e mësuesisë duke ia shpërblye prindërve me rezultate të larta si studente ashtu dhe si mësuese. Vlen për t’u përmendë, gjatë viteve ’67-’69 motrat Çipi: Elizabeth Leka dhe Diana Repishti me ndihmën e bashkëshortëve hapën shkollën shqipe për fëmijët shqiptarë në Woodhaven, Queens. Fëmijët përveç gjuhës shqipe mësonin edhe historinë e Shqipërisë.(lëndë të cilën e jepte Prof. Repishti) Ishte hera e parë që një shkollë shqipe e bashkësisë shqiptare zhvillohesh në një ambjent shkollor publik amerikan. Ajo që ka mbetur e pashlyer në memorjen e ish-nxënësve, tani janë madhor. Ishte një shfaqje teatrale “Udhëtim nëpër Shqipëri” e kompozuar nga mësuesja, Diana Repishti, ku çdo student përfaqësonte nji qytet të vendlindjes. Secili nga nxënësit përshkruante qytetin, duke mbajtë veshur rroba sipas krahinës. Ndërsa Elizabeth krijonte këngë të reja shqipe, duke përdorur meloditë, që fëmijët kishin mësuar në shkollat amerikane. Vjershës për Skënderbeun i përshtati melodinë: “Battle Hymn of The Republic”. Kështu nxënësit mësonin gjuhën shqipe duke thithur fjalët nepërmjet muzikës së njohur. Një motodë e bukur edhe për shkollat shqipe sot.)
Kanë kaluar 30 vjet nga takimet me Prof. Repishtin në Shkodër dhe autoriteti i Profesorit nuk ka ndryshuar, por është rritur dhe është bërë personaliteti më i dobishëm që i duhet shoqërisë shqiptare dhe amerikane e kudo…
Artikulli “Sami Repishti një Institucion i Mëvetësishëm” shkruar nga zoti Th. Gjika, është një vlerësim që ka evidentue përvojën jetësore të Prof. Repishtit.
“Institucioni” në fjalë mban në arkivin familjar qindra artikuj, manuscripte, kumtesa, fjalime, deklarata, Tezën e Masterit, Temën e Doktoraturës, peticione, analiza, komente, vepra letrare dokumentare, të cilat janë shkruar vetëm nga dora e Profesorit.
Një institucion pa sekretar privat, pa shofer personal, pa subvencionim… Të gjitha janë shkruar, kur Profesori jepte mësim për 25 vjet rrjesht në kolegjet Amerikane, kur ishte kryetar i departamentit të gjuhëve të huaja, kur ishte kordinator i programit për studime të avancuara… dhe vazhdon të shkruaj, po me atë intensitet edhe sot 97 vjeçarë, rast i rrallë i jashtëzakonshëm…
Do të shtoja që edhe familja Repishti, është një institucion më vete, ku mirëmbahet nga një Zonjë intelektuale, një mësuese e përkushtuar, një amvisë shembullore, duke krijuar kushte të volitshme bashkshortit për punë intensive. Znj. Diana me zotësinë e saj ka shkrirë harmonishëm në jetën familjare, tradicionalen shqiptare me praktikën amerikane.
Ndaj mendoj, se në të ardhmen arkivi i këtij institucioni, duhet të studiohet nga studentë që hulumtojnë në degë të ndryshme sepse kanë përpara veprat e një Shkencëtari.
Vetëm në fushën e Sociologjisë, studiuesi ka përpara një arkiv të mjaftueshëm për të argumentue vlerat njohëse dhe integruese për studimin e jetës dhe ideve sociale. Aty mund të gjejnë zgjidhjen praktike të problemeve dhe konflikteve në një shoqëri. Aty shfaqet guximi i një analisti që evidenton dhe mban qëndrimi kritik ndaj dukurive negative. Aty do të gjeni kërkesat në mbrojtje të drejtave njerëzore dhe ndihmat humanitare… që mund të parandalojnë pasojat negative të veprimeve shoqërore dhe të përmirësojnë marrëdheniet mes tyre… Pra, arkivi i pasur do të jetë një Shkollë, për studime të shkencave shoqërore.
Duke lexuar shkrimet e Profesorit kemi përpara një erudit, që po e ushqen Sociologjinë me dukuri shoqërore në grup dhe individ. Si studiues i shkaqeve që shkaktojnë pasoja të rënda në shoqëri, Profesori ka kurajon t’ju dali para gjërave që i gjenerojnë ato, duke analizuar proceset historike, që ndryshojnë situatat jo vetëm si shqiptar tradicional por edhe siç e citon vetë, “një pjesëmarrës në një marshim historik në vendin dhe në kohën në të cilën jetoj”.
“Të farkëtosh fatin tand me duert tueja e solidar me të tjerët, të shkruejsh historinë e vendit e kohës tande janë kulmet ma të nalta, që mund të arrijë çdo qenie e lirë që kërkon me justifikue jetën mbi tokë e me ndërgjegjen e plotë të vdekjes së paevitueshme” S. R.
Vetë strukturat shoqërore duke qenë rezultat i proceseve historike të arritura nga shoqëria, dhe studimet e Prof. Repishtit, si Historian, i kanë shërbyer politikës progresiste: “Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist e komunist në Shqipëri, jo si “politikan” a “personalitet” i makropolitikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova“ S. R.
Profesori kontriboi në këte fushë sociale, pasi synonte të ecë në rrugën e humanizmit, përparimit dhe demokracisë së vërtetë.
Për Shkencën e Sociologjisë, në periudhën e diktaturës, nuk bëhej fjalë studimi i saj, sepse pushtetarët, kishin frikë nga analiza e fenomeneve shoqërore dhe analiza e vërtetë e problemeve që ekzistonin në shoqëri. Ishte një shoqëri totalitare të cilës profesori i ka bërë një analizë, duke qenë i lirë për të qenë kritik ndaj politikës së pushtetit.
Shkrimi “Dedikimi” është më shumë një Analizë Psikologjike e Shoqërisë, duke e marrë lëndën nga vetë shoqëria në të cilën jetoi: provoi burgun, punëtorin e krahut, punën e detyruar pa pagesë, por dhe jetën në një shoqëri të lirë. Kështu e ka parë shoqërinë në formacione të ndryshme ekonomike, politike, kulturore, arsimore, fetare, familjare..
Në çdo paragraf që shkruante në “Epilog” përsëritej refreni: “Ishte kjo botë që luftojshe pa rezerva…!”
Sepse: “Urrejtja e kulti i saj shiheshin kudo… në letërsi, në art, në muzikë, në librat shkollorë. Në shtypin e përditshëm, urrejtja përfaqësonte dëshirën e grabitjes me shpatë…”
“Suksesi im më i madh ka qenë dhe mbetet, fitorja ime kundër urrejtjes!”
Duket një ndikim nga veprat e A. Malraux-së, të cilit i shkruante: “…Hasa një burim frymëzimi për një njeri si unë, të cilit i është dashur të afirmojë dinjitetin e vet njerëzor në luftën kundër komunizmit…”
Për këtë, Profesori shprehet:Revolucioni komunist dhe pabesia e pandarë e Moskës, është përdorur nga Malraux si një simbol fati për ditët tona…”
Nuk ka pushuar së denoncuari krimet e komunizmit duke pasë besim se do të formuloheshin ligje për dënimin e tyre, por… Jo vetëm kaq, por e ka theksuar, se komunistët as nuk kërkuan falje për gjenocidin me emrin luftë klasash, por ndërruan rrobën dhe vazhdojnë të imponohen me dhunë.
Po t’i referohesh ligjeve të vjetra, edhe Kanuni i pashkruar 2500 vjeçarë, e kishte normë juridike, që dëmtuesi të kërkojë të falur dhe ta zhdëmtojë të dhunuarin për t’i hapur rrugë mirëkuptimit… por fatkeqësisht, vazhdon të dhunohet prona, vazhdon të varfërohet njeriu i ndershëm…
Profesori pa qenë jurist, ka kontribuar në Jurisprudencë, duke luftuar për të drejtat dhe liritë njerëzore në realitetin objektiv. Kështu ka marrë një dimension akoma më të lartë, si Misionar i Paqës në Botë, duke marrë përgjegjësinë për t’i përfaqësuar bashkëvuajtësit: “Janë heronjtë e mi, ata meritojnë falenderimin Tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare…” S. R.

Me Dr. Ibrahim Rugoven dhe Prof Sami Repishtin , Pertefe Leka dhe Luan Leka
Me Dr. Ibrahim Rugoven dhe Prof Sami Repishtin , Pertefe Leka dhe Luan Leka

Jo vetëm si dëshmitarë okular i ferrit komunist por edhe pas arratisjes në Jugosllavi, me një qëndrim të shkurtër, u bë dëshmitar i vuejtjeve të popullit shqiptar nga bishat serbe.
Të gjitha këto dukuri negative i vuri në opozitë me respektin për jetën dhe dinjitetin njerëzor, duke i dhënë prioritet kësaj
kërkese: “Kam ardhë në përfundimin se me prue buzëqeshjen në fëtyrën e një njeriu që vuen asht sukses i madh në jetë…” S. R.
Për të cilën shkruan: “Mbrojtja e të drejtave të njeriut lindi nga nevoja urgjente, primordiale, mos me lejue të tjerët të kalojshin nëpër provat e mija dhe të torturoheshin ashtu si unë.” S. R.
Dëshminë e parë e paraqiti në Kongresin Amerikan 1965, ma vonë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e shtetit me gojë e me shkrim, ku dëshmoi vuejtjet dhe trajtimin çnjerëzor të bashkatdhetarëve shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi Preshevë… Çamëri, ku pati jehonë pozitive.
Po përmend vetëm një: “Peticioni Shqiptaro-Amerikan për gjendjen e shqiptarëve në Ballkan” drejtuar Presidentit Clinton, Shtëpia e Bardhë, Washington D.C. 6 gusht 2018.
Shkëputa disa rradhë: “Shqiptarët janë njeni nga popujt ma të vjetër të Europës. Megjithatë, fryma e ndryshimeve që vjen sot mbi gjithë kontinentin nuk e ka prekë këte vend… Shqiptarët banojnë sot në Serbi, Mal të Zi, Greqi, fati i të cilave asht lanë në duert e tri autoriteteve respektive… Në Greqi pakica shqiptare gjindet përballë asgjesimit të plotë… Lutem na ndihmoni!
…Me këtë angazhim të shtatë milionë shqiptarëve në Ballkan dhe përpjekjesh me ba nji histori të re në vendet që ata banojnë, kërkojnë me marrë pjesë në ndërtimin e nji bote të re… Ata kanë nevojë për ndihmën e Amerikës me gjetë rrugën me mbërrijtë këte piksynim…”
Përgjigje nga Presidenti
“I nderuemi Sami…
Ju falenderoj për letrën tuej të datës 11 qershor… Administrata ime po punon ngushtësisht me partnerët tonë Europianë, tue përfshi edhe Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, me ndihmue ringritjen e institucioneve demokratike dhe me përmirësue situatën e të gjithë shqiptarëve… (përkthyer nga S. R.)
Po kështu ishte edhe letra drejtuar, Madeleine K. Albright në prag të takimit të saj me Dr. I. Rugova, ku i parashtron tri kërkesa-opsione, që do t’i duhej t’i shqyrtonte administrata amerikane me qëllim të gjetjes së mënyrës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Këto formulime të Prof. Repishtit nga ana juridike dhe dokumentimi historik, ishin të lidhura ngushtë, për t’i shërbyer strukturave shoqërore si rezultat i proceseve historike të jetuara nga Ai vetë. Studenti i Firencës në degën Histori, nuk mund të shmangte të drejtën sociale, por i ka evidentue në formacione të ndryshme; ekonomike, politike e shoqërore, të kohës që jetoi dhe jeton…
Si sociolog kishte marrë përgjegjësi me mbajtë të drejtën e kritikës ndaj politikës në pushtet, në Shqipëri, e kudo në botë edhe pse i ndarë nga politika.
Ishte kundër atyre politikanëve, që duan të ndryshojnë, të shfytëzojnë dhe të miratojnë ligje, që të dominojnë mbi ta. Me kurajo dhe guxim që i jep bindja në drejtësi dhe si qytetar amerikan i lirë i garantuar nga kushtetuta e shtetit më demokratik në botë, nuk ka kursyer edhe presidentet e SHBA-së, kur kanë devijuar ligjet e shtetit. Publikisht ka ngritë zërin: “Ky nuk asht Presidenti im” me gojë e me shkrim.
Nëse studiuesit, do të përpiqen të pasurojnë Shkencën e Psikologjisë Sociale, ku tipari dallues i saj është Konformiteti, një lloj ndikimi shoqëror që përfshinë një ndryshim të besimit e sjelljes që të përshtatet me grupin, patjetër duhet t’i referohen shkrimeve të Prof. Repishtit.
“Tri diktaturat fashiste, naziste e komuniste kanë nji objektiv, shtypjen e individit, heqjen e lirive personale dhe forcimin e konformitetit të shoqënisë, ku çdo qytetar i shërben partisë.
Sot shoqënia shqiptare ka pësue nji degradim të madh gjatë viteve të diktaturave – janë përpjekë t’i zhveshin shqiptarët nga koncepti i lirisë qytetare dhe i dinjitetit personal.
Sot jetojnë në botën e konfuzionit politik, ekonomik e shoqënor që ka krijue nji klasë politike të pandërgjegjshme.” S. R.

Presidenti Rugova dhe Prof. Sami Repishti 1993
Presidenti Rugova dhe Prof. Sami Repishti 1993

Mendimi i profesorit për diktaturat, kanë vlerë edhe për sot, pasi kanë dalë në skenë diktatorët, që kanë ringjallë instinktet e vjetra të paraardhësve. Sot e gjithë bota po e përjeton dhunën e një diktatori që ka ndryshuar ligjet dhe kushtetutën në favor të tij për të dominue dhe tani kërkon t’i imponohet botës me forcën e armëve të vdekjes. Dhe bota pret zgjidhje…
Kështu është shprehur Profesori për diktaturën që e përjetoi: “…Urrejtja e kulti i saj shiheshin kudo… urrejtja përfaqësonte dëshirën e goditjes me shpatë, ngrente cilësinë agresive të ushtarakut pa zemër, nxiste përleshjen me “kundërshtarin” të vërtetë ose imagjinar, që nuk ishte tjetër veçse bashkëvendas: nji vëlla që përbuzte diktaturën, nji shok që nuk pranonte tradhëtinë, nji qytetar që ngulte kambë me jetue i lirë…”
“Me nji dorë pushkën me tjetrën kazmën” që ishte puna e detyrueshme nën frikën e pushkës… puna skllave e pushkës vrastare, dy vlera themelore të rendit të ri komunist në Shqipëri…
Ndërsa e njëjta gjë i ndodhi edhe në shtetin fqinj. “Arratisja më pajisi me nji identitet të ri, atë të refugjatit politik… në këtë qeli jugosllave për refugjatët politikë sfera e mendimit tim ishte “përcaktue nga të tjerët “si antikomunist, e ndjehesha i kufizuem…”
Por me mendim të kthjelltë edhe vuajtjen e kthen në forcë.
“Tragjedinë kolektive në frymëzim, për nji kryqëzatë kundër torturës, në çdo vend dhe në çdo kohë.”
Ja në çfarë force kthehet, kur Prof. Repishti bashkohet me bashkëvuajtësin e tij Tahir Kërnaja, në New York 1962, ku zhvilluan aktivitete të përbashkëta me Babë Tahirin e demostratave, për të cilin shkruan: “Tahiri ka shpërnda 20 memorandume të drejtueme OKB-së çdo vjet dhe protesta drejtuar Komisionit të Helsinkit në Europë. Ai ka arkivin ma të pasun të këtyne mesazheve që kërkonin lirinë dhe drejtësinë për vëllezërit dhe motrat kosovare…” (marrë nga përshëndetja drejtuar Konferencës kushtuar veprimtarit Babë Tahiri 1994.
Kur Prof. Repishti bëri vizitën në shtëpinë tonë në Tiranë, ftuam edhe bashkvuajtësin e tij Osman Kazazin (nxënës i Pater A. Harapit, që i përjetoi me lot zemre torturat ndaj mësuesit të nderuar dhe klerit katolik )
U bashkuan dy qëndrestarë, bisedonin me urtësi, plot energji e besim, për të qenë aktiv në ndryshimet e reja, pa u ndarë ngjarjeve në vazhdimësi. Optimizmi i tyre na frymëzoi…
Takime me njerëz të thjeshtë ia përforcuan bindjen demokratike që të jetë besimplotë te Jonuzët: “…Ai rreshteri nga Berati, e të tjerë që rrezikuen shumë me lehtësue jetën tonë në burgje e kampe të punës së detyrueshme. Jonuzët e të gjitha burgjeve e kampeve qofshin bekue. Ata sollën frymën e mirësisë njerëzore në skutat ma të errëta të dhunës, ku mshehej tortura. Ata ringjallën besimin tim në madhështinë e racës njerëzore.
Ky, asht Njeriu!”
E për të ndihmuar këtë, Njeri, nuk u kufizua vetëm në qëndrimin si antikomunist, sepse shkruante, “Unë luftojshe kundër çnjerëzimit”. Ndaj i motivuar si Misionar i Paqës, themeloi shumë organizata: Rinia Kosovare në botën e lirë.
Fondacioni për ndihma financiare familjeve të persekutuara në Kosovë.
Kordinator pranë Amnesty Internacional në SHBA për Shqipëri e ish Jugosllavi.
Inisiator për hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë dhe atë Kosovare në Washington, e realizuar nga Presidenti Clinton. Inisiator dhe bashkëthemelues i NAAC 1996.
Presidenti i parë i grupit të lobimit në Washington për mbrojtjen e të drejtave të njeriut…
Respektin për njeriun e ndershëm, njeriun e thjeshtë e punëtor, për shokët e qelisë, fshatarë a malësorë, për klerikët pa dallim religjioni, që u dënuan për pafajësi; Për njerëzit më të shtrejtë; Nanën, vëllanë, motrat e farefis që vuajtën padrejtësisht; Për një galeri personazhesh real që dora vrastare i kaloi në amshim dhe të tjerë që i mbijetuan vuajtjeve; Shkodrani i Repishtit i ka ravijëzuar me dhëmbje në veprat dokumentare “Pika Loti” dhe“Nën hijen e Rozafës”
Për të gjithë ata që mbrojtjen pafajësinë është krenari, për Shkrimtarin, ata kanë emër të përbashkët janë “Herojt e mi”
Edhe sot, në moshën 97 vjeçare, i pikon zemra kur kujton fjalët e Nanë Havasë, ditën kur u kthye në shtëpi pas 10 vjetëve, për të cilën shkruante “kishte qenë e burgosur sëbashku me mua, përbrenda meje… pafajsia e saj më përligjte revoltën që më ziente përbrenda… Por ajo nanë fisnike e përligji edhe ajo burgun e saj përpara të birit “të liruar” kur i tha: S’kemi lekë me ble bukën! – një brengë që e mundon edhe sot Prof. Repishtin….
Në shërbim të kësaj kauze për drejtësinë sociale është edhe qëndrimi ndaj religjioneve. Samiu, ishte djali i Hafiz Ibrahim Repishtit, (mysliman, fanolist, deputet në Kuvendin Kombëtar, antifashist…) Që në rini S. Repishti i ka respektuar fetë pavarësisht nga përkatësia e tij… Tre religjione në Shqipëri me besimin në një Zot, kanë jetuar në harmoni, shembulli më i mirë në botë.
Papa Françesku kur erdhi në Shqipëri, mori kënaqësi nga toleranca fetare, të cilën e ngriti edhe më lart e quajti- vëllazërim fetar. Këte vizitë të Papës, Profesori e ka përshkruar gjatë.
Unë kam një kujtim të bukur, kur Dr. Rugova erdhi në SHBA, Prof. Repishti e shoqëroi edhe në Boston te mikëpritësi i madh A. Athanas. Një mbrëmje mbresëlënëse. Është emblematike një foto ku në mes janë dy klerikët At Liolin me dorën në hark të qafës të Imamit Rifat Dalipi dhe anash dy ideologët e këtij bashkimi Dr. Rugova dhe Prof. Repishti. Unë pata fatin të kem një kujtim me këta personalitete të shquar…
Shkrimet e Prof. Repishtit për këtë temë kërkojnë një studim të veçantë. Si përfaqësues i të drejtave njerëzore nuk mjaftohet me dukuritë pozitive, por shkroi gjatë për martirizimin e klerit katolik shqiptar të cilët i njohu nga afër mes torturash edhe sot kërkon, të dokumentohet dhe të popullarizohet, masakra ndaj tyre.
Më kujtohet një rast, 23 Prill 1993, kur Papa Gjon Pali i Dytë, puthi tokën shqiptare, përshëndeti shqip, u përul me respekt para Nanë Terezës, bekoi popullin shqiptar të shumëvuajtur nga diktatura… Një telefonatë na erdhi nga larg, të dalim në Aeroport për të marrë një porosi nga Prof. Repishti.Të nesërmen Papa Vojtila do të shkonte në Shkodër. Në pakon që morëm ishin parulla të shkruara që ishin përgatitur për të mirëseardhë Papën dhe Shenjëtoren e Gjallë.
Udhëtimin e kemi bërë vonë për në Shkodër për t’ia dërguar një autoriteti të Bashkisë, A. Kazazi, sipas porosisë, që të realizohesh në kohë detyrimi. Preokupimi nga larg i Prof. Repishtit për të nderuar qytetin e martirëve dhe për t’i parë të bashkuar shpirtërisht vëllezërit e tij pa dallim feje a partie, u realizue në kohë. Një xhest simbolik, por janë shumë të tjera, aktivitete, që Prof. Repishti, vazhdon të jetojë me problemet e vendlindjes e kudo…
Po kështu, Profesori, ngre zërin edhe për botën, ku ekzistojnë dukuri negative, kur keqinterpretohen fetë apo keqpërdoren për qëllime të mbrapshta deri në krime…
Ajo që më shqetëson – shkruan Prof. Repishti – është përdorimi i fjalës, Urrejtje, një përbuzje e fortë e shoqënueme me vullnet të keq.
Këto dukuri negative, nuk i kanë shpëtuar mendjes së mprehtë të Analistit, jo vetëm shfaqjes në vendet, ku ka jetuar, por ka reaguar për krime të shëmtuara edhe në botë, duke i dokumentuar jo thjesht si një lajm, por duke dhënë pasojat me shifra për të bashkuar qëndrimin, në këtë rast me Kryeministren e Zelandës Re, Arderen, e cila shprehet për ngjarjen e 15 Marsit 2017 (ku një i armatosur me kamera në kokë, ditën e Premte hapi zjarr mbi besimtarët myslimanë, 50 të vrarë, 54 të plagosur…) Nga fjala e Znj. Arderen, përshtatur në shqip nga, S. R.
“Ai është një terrorist, kriminel, ekstremist. Por sa herë që do të flas nuk do të përmend emrin e tij… por emrin e atyre që u shuan. Ai mund të ketë dashur të bëhet i famshëm, por ne këtu, në Zelandën e Re, nuk do t’ia ofrojmë këtë…”
Ata ( myslimanët) kanë zgjedhë Zelandën e Re si shtëpi të tyne dhe kjo është shtëpia e tyne. Ata janë ne! Terroristët vranë njuzelandezët..! ( marrë nga artikulli “Një analizë për ngjarjen në Zelandën e Re” nga S. R.)
Profesori e quan, Monumentale, këte sentencë, që vlen për kriminelët e çdo kohe dhe çdo vendi.
Më këtë shqetësim të artikullit në fjalë, autori ka bërë një analizë “Islamofobisë” urrejtja për myslimanët si në masakrën e 9 shtatorit 2011, në NYC, apo ngjarja në Quebec – Kanada 2017, ku u vranë duzina myslimanë gjatë lutjeve fetare.
Gjithashtu, Urrejtja për hebrejtë, ku vranë në Sinagogën e Pittsburgut në 2018, sepse kishin strehue emigrantë të Amerikës Latine. Të tjera vrasje në Norvegji nga një supremacist, të tjerë në Charleston, S. C…
Në fund të këtij studimi të gjatë, analisti, firmos: Veprimtar për të drejtat e njeriut.
Si historian koherent, që i dha dorë për të dokumentuar dukuritë sociale, është ekzigjent në atë që dokumenton. Kohët e fundit në një bisedë me Profesorin i kujtova një mbledhje të organizuar nga Ai vetë në “Debal Garden”, kushtuar 50 vjetorit të Konferencës së Bujanit (për parandalimin e konflikteve ndëretnike), ku referova edhe unë (P. Leka) Materialin e kisha përgatitur me të dhënat e z. Jerina, që kishte qenë prezent në atë Konferencë, aty pati edhe diskutime të ndryshme… Ndaj me këmbënguljen që e karakterizon, Prof. Repishtin, kërkon edhe sot të kthjellojë, disa paqartësi të asaj Konference, ku ishin përfaqësues të dy kombësive…
Ndaj si mbrojtës i çeshtjës kombëtare, ishte ndër të parët që e nuhati ideologjinë e huaj, që po shtresohesh mbi virtytet e bukura të një populli, që i ka ruajtur ato në mijëvjeçarë.
Ngriti zërin me përgjegjësi morale për mbrojtjen e shqiptarëve të shtypur duke ia bërë të ditur se komunizmi, si një ideologji pa të ardhme, nuk mund të qëndrojë kurrë mbi kombin.
I pajisur me një guxim intelektual dhe me një vendosmëri në pikëpamjet dhe parashikimet e tij, i drejtohet popullit me zjarrin e zemrës për të vërtetuar se idealet e tij ishin ëndrrat e kombit, të cilat ekzistonin në trurin e popullit vet.
Një meritë e Prof. Repishtit është se të drejtat sociale dhe ato individuale i ka trajtuar me frymën e vëllazërimit.
Pa shumë filozofi dhe pa hy në detaje të çështjeve juridike, por duke u mbështetur te e drejta natyrale, të e drejta fetare, (të gjithë të barabartë para Zotit) te Deklarata e Përgjithëshme mbi të Drejtat e Njeriut, Konventat Ndërkombëtare për këte çështje e deri në zbatimin praktik të ligjeve të vendosura nga drejtësia e shteteve, duke i dhënë prioritet shtetit më demokratik SHBA-ve. Si europian shqiptaro-amerikan, e ndjen veten përgjegjës për zhvillimet e ngjarjeve, duke përvetësue vlerat më të larta qytetare, duke iu drejtuar shtetarëve që edhe ata të respektojnë vlerat e individit, vlerësimin e lirisë, humanizmin dhe solidaritetin kombëtar. E quan fitore ndaj vetes – Luftën kundër Urrejtjes – Kjo e bën Universale kërkesën e tij ndaj të drejtave njerëzore për Paqë e Vëllazërim, ndaj dhe meriton vlerësimin më të lartë…

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.