back to top
22.9 C
Tirana
E mërkurë, 15 Korrik, 2026

Prangosja fonetike në lirikën e Asja Mulgecit – nga Teuta Sadiku

Gazeta

Asja Mulgecaj - "Ngat Teje"
Asja Mulgecaj – “Ngat Teje”
Prangosja fonetike në lirikën e Asja Mulgecit
nga Teuta Sadiku

Në poezinë e Asja Mulgecit, bashkohen natyrshëm qasjet më të fundit të kritikës moderne si poetika e hapësirës (Bachelard), topografia dhe stilistika emocionale sepse poezia e Mulgecit ka identitet të fortë gjuhësor, emocional dhe kulturor.

Në një këndvështrim krahasimi me poezinë e Gjergj Fishtës (Lahuta e Malsisë), Migjenit (Vargjet e lira ) apo poezinë e Camajt duhet të shohim mënyrën se si poeti e ndërton marrëdhënien me vendin, vendlindjen.
Fishta e monumentalizon vendin, në këtë mënyrë ai krijon epikën kombëtare.
Migjeni jep dramën e vendin, në këtë mënyrë qyteti mbart dhimbjen sociale dhe ekzistenciale.
Camajt e mitizon vendin, në këtë mënyrë tek ai malësia bëhet kujtesë metafizike dhe gjuhë e humbur.
Ndërsa poezia e Ajsa Mulgecit e intimizon vendin. Tropoja tek ajo nuk është as monument, as tragjedi, as metafizikë abstrakte. Është strehë emocionale. Dhe ky është dallimi i madh estetik i poezisë së saj ku vendlindja e saj, Tropoja jepet mes vargjeve lirike një vend që mbron, përkund, rikthen subjektin lirik dhe bëhet topografia e shpirtit .
Vetë fjalët kyçe në poezi prehni/ ninulla/ t’ambla/ lulash/ bijë krijojnë kodin maternal të hapësirës.
Duke ju referuar Gaston Bachelard dhe librit të tij “Poetika e Hapësirës” në poezinë e Mulgecit hapësira bëhet topografia e shpirtit.
Në poezinë ”Vend ma i bukur Tropoja jeme“ bjeshkët janë mbrojtje shpirtërore ku prehni i nënës bëhet rikthim në identitet, bora bëhet pastërti morale dhe shpati i malit bëhet qëndrueshmëri.
Në poetikën e Mulgecit, vendi i lindjes, Tropoja, nuk është më hapësirë gjeografike, është “matrica gjuhësore” dhe emocionale e subjektit lirik.
Në poezinë Mulgecit, vendlindja nuk përfaqësohet si hapësirë heroike apo historike, por si një organizëm emocional ku subjekti lirik rikthehet për të rigjetur vetveten. Poezia e Mulgecit nuk është epikë moderne, por një lirikë moderne me elemente baritore. Madhështia e peisazhit nuk prodhon heroizëm narrativ, mali, shpati, pllaja nuk nuk monumentalizohen si skena epike, por humanizohen si prehër, si strehë shpirtërore.
Poezia e sjellë nga studiuesja Krosi në analizën ”Epika moderne përmes gegnishtes në poezinë e Asja Mulgecit” në redaksinë Radi & Radi nuk ndërtohet mbi narrativitetin, konfliktin apo monumentalitetin objektiv, tipare këto thelbësore të epikës, por mbi përjetimin emocional të peizazhit dhe vetëshprehjes intime të unit lirik. Studiuesja Krosi ka të drejtë kur përmend elemente të poetikës baritore, natyra e idealizuar, lulnaja, zogjtë, bjeshkët por këto nuk e bëjnë epike poezinë e Mulgecit.
Peisazhi në poezinë e Mulgecit nuk është skenë epike, është më shumë ndjenjë. Prania e motiveve heroike, figurave historike, apo e kujtesës historike nuk e shndërron automatikisht poezinë në epike. Ato janë elemente epike tematike, por jo strukturë epike. Ka gjasa që studiuesia Krosi e ka përdorur termin në një kuptim më të gjerë, duke parë tonalitetin e trashëgimisë kolektive apo gegnishten si mbartëse e kujtesës epike.
Vendlindja, Tropoja – në poetikën e Mulgecit është një hapësirë e përjetuar, hapësirë që prodhon gjendje shpirtërore. Shtëpia, oxhaku, pragu, dera, dhoma janë topografia e shpirtit.
Në poetikën e Mulgecit relievi i vendlindjes nuk është thjesht sfond, është strukturë ritmike që organizon lidhjen, marrëdhënien e territorit me lëvizjen emocionale të vargut. Poezia e saj ndërton qartë dy boshte, boshtin vertikal, ai i ngritjes (mali/ shpati/ qielli/ shqiponja)
“M’ngjit krahë qiejsh/ Si shqiponja”!
Dhe boshtin horizontal të kujtesës, i kthimit (pragu/ votra/ prehnin i nanës/ shtëpia). Horizonti këtu krijon ciklin e rikthimit, lëvizjen e përhershme të mallit.
“Ngado shkoj e ngado vij “
Poezia e Mulgecit lëviz midis horizontalitetit të rikthimit dhe vertikalitetit të sublimit, duke e kthyer relievin në arkitekturë emocionale të vargut.
Ekokritika e cila studion marrëdhënien midis letërsisë dhe mjedisit (Laërence Buell “The Environmental Imagination”) na ndihmon të arrijmë në formulimin ekokritik se mali/ bora/ lulet/ Shqiponja  janë zëra aktivë të tekstualitetit në poezinë e Mulgecit.
“M’pret gazmendun/ me dashuni”
Çdo objekt në poezinë e saj nuk është thjesht objekt i soditjes poetike, është përjetim i thellë emocional.
mali flet/ bora ruan kujtesën/ Shqiponja ngre vetëdijen dhe pejsazhi është ai që ndërton subjektin lirik.
“…si vel t’bardh borën mbi kry/ M’fekton shpirtit si hyjni”
Në poezinë e Mulgecit natyra personifikohet dhe vepron si subjekt dialogjik që ndërvepron me unin lirik.
Natyra nuk shihet më si dekor poetik, por si pjesëmarrëse në tekst. Në poezinë e Asja Mulgecit malet, bora, zogjtë, lulet, shqiponja janë zëra aktivë.
Te kjo poete, natyra jo vetëm vëzhgohet, soditet nga vetë ajo, por dhe si subjekt lirik ajo bashkëjeton me natyrën.

Asja Mulgeci
Asja Mulgeci

Kritika e zërit poetik femëror
Ndryshe nga poetët burra të gegnishtesqë shpesh e shohin vendin përmes heroizmit apo mitit, Mulgeci e sheh përmes përkundjes/mallëngjimit, mbështjelljes emocionale. Pra, vendlindja feminizohet poetikisht. Poezia e Mulgecit e zhvendos poetikën e gegnishtes nga monumentaliteti epik drejt intimitetit emocional. Tek Fishta atdheu jepet si epikë kolektive dhe mali është heroik. Tek Migjeni vendi jepet si dramë sociale ku mali është tension social, pra kemi një shpërthim dramatik. Tek Camajt vendi jepet si mit i humbur, metafizik.
Tek poetika e Mulgecit vendi jepet si trup emocional dhe kujtesë intime dhe mali del si amësia e peisazhit, si intimitet, pra e humanizuar.
Le të largohemi pak nga “çfarë thotë poezia” dhe të përqëndrohemi tek mënyra si krijohet ndjenja poetike, topografia akustike dhe stilistika emocionale.

Topografia akustike
Ajo çka ndjen menjëherë tek poezia e Mulgecit është ngrohtësia, butësia, intimiteti, e cila nuk vjen vetëm nga tema që trajton. Të gjitha ndjesitë vinë nga tingulli, nga mënyra si përplasen, rrëshqasin dhe përkëdhelen fjalët në varg. Pikërisht këtu hyn “ngrohtësia fonetike”.
Ngrohtësia fonetike tregon se si tingulli i fjalëve krijon emocion. Në poezinë e Mulgecit disa tinguj krijojnë ashpërsi, disa krijojnë butësi, disa japin ritëm të shpejtë, disa japin qetësi, disa krijojnë mall, disa krijojnë këngëzim.
Në gegnishten e kësaj poeteje, tingujt shpesh janë të butë, të rrumbullakët, melodikë:
“m’kndon/“ninulla”/“t’ambla”/ “m’mbështjell”/ “lulash”/“bijë”
Bashkëtingëlloret e buta bazale dhe ato likuide m, l, n, j, ll, nj nuk godasin veshin; ato rrëshqasin butë. Dhe kjo krijon emocionalitetin e poezisë. Ato krijojnë butësi, përkundje, lëkundje melodike.
Ndërsa kur ka shumë bashkëtingëllore k, t, p, g të forta, ritmi bëhet më i ashpër, më dramatik.
Le të analizojmë jo vetëm kuptimin e fjalës, por dhe “temperaturën tingullore” të fjalës.
“Prehnit m’kndon ninulla t’ambla”
Ky varg është pothuaj muzikor sepse përsëritet “n”, përsëritet “l”, kemi zanore të hapura/a, /o,/ u/ ndaj duket sikur vargu lëkundet si ninullë. Pra tingulli imiton kuptimin dhe forma fonetike pasqyron emocionin.
Në vargun: “M’ngjit krahë qiejsh, si shqiponja”
këtu ritmi ndryshon, tingujt bëhen më vertikalë. Kemi ngritje/, hapje/, qiell/ e shqiponjë.
Ka më shumë ajër në varg,
ka më shumë hapësirë.
ka më shumë lartësi.
Pra relievi i vendit ndikon në ritmin e poezisë. Ky është një shembull i së ashtuquajturës prangosje fonetike, ku struktura bashkëtingëllore e dendësuar e vargut materializon akustikisht ashpërsinë e relievit.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me gjeopoetikën. Nësee do përdornim termat poezi Alpine, poezi Urbane/, do vëmë re se në Poezinë Alpine ritmi shpesh bëhet më i ngritur, më i thyer, më vertikal, më i frymëmarrshëm.
Ndërsa në poezinë Urbane ritmi bëhet më nervoz, më i ngjeshur (Migjeni)
Në poezinë e Mulgecit lexuesi ndjen relievin në frymëmarrjen e vargut.
“Rrugve t’jetes pehamash t’forta” Vetë fjala/pehamash/ a një rëndesë tingullore.
Lexuesit i duket sikur ecën në terren të vështirë.
Pra tingulli krijon peisazh dhe nuk është vetëm kuptimi i fjalës që përshkruan, por
edhe tingujt tingëllojnë, ushtojnë si mali. Bashkëtingëlloret e forta: k/, g/, p/ rr/ shp/ shk/ krr krijojnë ngjitje, përplasje, terren të ashpër si tek fjalët shpat/ krrokamë/ bjeshkë/ përhama kanë rezistencë akustike.
Zanoret e hapura a/e/o krijojnë frymëmarrje, butësi, zgjerim, ngrohtësi.
Fjalët nana/prehri/ votra e zbusin ritmin.
Muzikaliteti i gegnishtes tek Mulgeci është mbartës i ngarkesës emocionale
Në poezinë e saj, ritmi nuk është vetëm strukturë metrike; ai bëhet lëvizje emocionale e kujtesës.
Poetët shpesh përdorin lartësinë, qiellin, shqiponjën, shpatin, borën, malin; sepse relievi hyn në nënvetëdijen poetike.
Tek Martin Camaj, mali shpesh bëhet heshtje metafizike. Tek Gjergj Fishta, mali bëhet heroizëm. Tek kjo poete mali bëhet përqafim emocional. Ky është dallimi. Pra, i njëjti reliev, por emocione të ndryshme poetike. Dhe këtu hyn edhe muzikaliteti, sepse gegnishtja ka shumë/zanore të gjata/ tinguj nazalë/  rrjedhshmëri orale/intonacion këngëzues.
Prandaj shumë poezi në gegnishte duken sikur këndohen, jo vetëm lexohen. Dhe kjo është arsyeja pse poezia e Mulgecit duket intime. Sepse tingulli krijon afërsi emocionale. Kjo mund ta quhet “lirizëm fonetik”,ose “muzikalitet emocional i gegnishtes”.
Poezia e Mulgecit nuk është metrikisht e rregullt sipas skemës klasike sillabike, por ka një izometri relative.
Vend ma i bukuri, njaj vendi jem (afërsisht 10–11 rrokje)
rrethuem bjeshkësh, bash si n’prralla (10 rrokje)
Si vel t’bardh borën mbi kry (8 rrokje)
M’fekton shpirtit si hyjni (8 rrokje)
Pra kemi alternime: 8-rrokësh, 10-rrokësh, 11-rrokësh. Poezia nuk ndjek skemë strikte popullore, por është një varg i lirë me kujtesë metrike tradicionale.
Vargu i Asjas lëviz në një hapësirë ndërmjet izometrisë tradicionale dhe lirisë moderne ritmike.
Poezia mbështetet fort në ritmikën e këngës popullore të veriut si dhe ndërthuret me modernitetin. Nuk kemi poezi folklorike të pastër, kemi internalizim lirik modern.
“Kurrë prej zemres nuk t’kam hjekë”
Ky është un-i personal modern.
Në poezinë popullore tradicionale dominon kolektivja kurse te poezia e Mulgecit kemi subjektivizim intim çka e vendos poezinë mes traditës orale dhe lirikës moderne.
Asja Mulgeci përdor një gegnishte të estetizuar, ku lokalja ngrihet në funksion poetik.
Nga pikëpamja fonemike e metrike, poezia ndërton një varg të lirë me kujtesë të fortë të traditës veriore. Alternimi i konsonantizmit të ashpër me rezonancën nazale e likuide krijon një muzikë poetike ku relievi dhe emocioni bëhen një. Kjo poezi mbështetet në strukturat e oralitetit verior, por i transformon ato përmes një lirizmi modern intim, duke krijuar një shqipe veriore letrare me identitet të dallueshëm estetik.

Vend ma i bukuri, Tropoja jeme – Asja Mulgeci

Vend ma i bukuri, njaj vendi jem
rrethuem bjeshkësh, bash si n’prralla
Si vel t’bardh borën mbi kry
M’fekton shpirtit si hyjni

Mallesh n’trok sa herë turrem
M’pret gazmendun me dashuni

Ngado shkoj e ngado vij, saher kthehem
si zogjt n’shtegtim

Prehnit m’kndon ninulla t’ambla
M’mbështjell lulash se m’ka bijë

Kurrë prej zemres nuk t’kam hjekë
N’shpirt për ty m’rrin malli i ndezun
Rrugve t’jetës pehamash t’forta,
M’ngjit krahë qiejsh, si shqiponja

Vend ma i bukuri, Tropoja jeme
Aq krenare rranzë njatij shpati
Ku shtrin dorën tan madhështi,
Heroi ynë, bacë Bajrami

Trimëni dhe bujari, brezash t‘tanë trashëguam
Besa e dhanë peshon sa toka
T’falem n’gjunj vendlindja jeme
M’rrin n’drit synit, n‘çdo rrahje zemre!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.