back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Prangimi i fjalës së lirë – Opinon nga Behar Gjoka

Gazeta

Flatrimi i Librit
Flatrimi i Librit

Prangimi i fjalës së lirë

Opinon nga Behar Gjoka

Teksa dëgjon, sa të zhurmojnë veshët, politikanët dhe opinionistët e ndarë në krahët e politikës, e prek çdo ditë se fjala shqipe, fjala e lirë, tashmë është prangosur në kuvlitë e horrave që na vranë të sotmen. E horrave, që kanë zënë qiellin e së nesërmes me re dhe mjegullsirë. Mjerim i madh, mjerim i shumëfishuar, e shohim se si ulurasin, me pallavra dhe mashtrime, e nuk kemi kurajon as të fikim televizorin. Së paku ta na bien rehat veshët. Themi se gazetat e shtypura, blogjet online dhe rrjetet sociale, tallen e përjargen me gënjeshtra, më mërmërima trimërore dhe të menderosura, e përsëri i lexojmë. Të shpëtojmë sytë tanë, o njerëz të dashur, nga ndotja e fjalës. Qytetari shqiptar, i majtë dhe i djathtë, i malit dhe fushës, i kodrës dhe detit, vuan çdo ditë nga sundimi i horrave të politikës, që në emër të drejtësisë, instalon padrejtësinë, në emër të lirisë, vetëm sa sjellin terrin e skllavërisë, që në kohët moderne duket edhe më e përçudnuar. Fjala e lirë, përtej mureve shurdhanë të politikës, jo vetëm është prangosur, por mbi të gjitha është zhvlerësuar, ka humbur të drejtën e të ekzistuarit. Fjala e lirë, e kujtëdo, e politikanit, e qytetarit, e të punësuarit, e të papunit, e të nginjurit, e të pangrënit, gjendet në rriskun ekzistencial, të humbas kuptimin. Zeznaja e prangimit të fjalës së lirë, herët a vonë, me gjasë e vrasjes së saj të sigurt, lajmëtohet nga disa shenja që në mes tonë, ditën dhe natën, në dimër a verë, lulëzojnë me krenari. Kur vritet fjala, mendimi rrudhet vetiu, e qenia frigohet, e më tepër shuan fshehtas edhe pëshpërimat. Lëngata e prangimit të fjalës së lirë, shfaqet në dy pamje, absurde dhe kundërshtuese:
.
Behar Gjoka - autor i shkrimit
Behar Gjoka – autor i shkrimit
Së pari: Censura e pranishme, kur ligji e garanton. Fjalën e lirë, e vret censura e pushtetit, e politikës së të gjitha krahëve, e cila përmes propagandës zyrtare, imazhin e dobisë politike, të etheve pushtetmbajtëse dhe pushtetmarrëse, e zbukuron dhe e shet për realitetin e frikshëm. Mjerimi është ulur këmbëkryq. Mashtrimi spektakolar, paraqitet si vizion. Nuk ka zëdhënës apo zëmarrës, që të mbulojë me gjethe fiku, të vërtetat që ulërasin, të vërtetat e mjerimit dhe të humbjes së perspektivës. Djajtë dhe engjujt e politikës shqiptare, të këtyre njëzet e gjashtë viteve, hedhin vallen e fatkobit. Populli, krenar dhe më tepër i shqetësuar për unitetin e partisë, se sa për hallet e veta, pret të zbresë nga qielli liria, drejtësia, barazia dhe begatia. Prit të presim, se do bëhet vetë edhe demokracia, ashtu siç na ngjeshi kominoshet e kuqe komunizmi! Më tepër të shqetëson fakti, që fjala e lirë, gjendet e rrezikuar nga vetë media, institucioni i lirisë së shprehjes, në kuptimin e censurës mbi individë apo shkrime të caktuara, në kuptimin e vonesës së botimit apo publikimit, që të shpie te humbja e aktualitetit. Mbi të gjitha, të ndarjes së medias, me vijë demarkacioni, si në kohën e merhumit, në media pozitare dhe opozitare. Kjo ndarje, tepër ideologjike dhe asgjesuese, rivë muret në shoqërinë shqiptare, mure që shndërrohen në kështjella, për ta sulmuar dhe asgjesuar kundërshtarin, si armik.
Së dyti: Degjenerimi i fjalës, në shpifje dhe përbaltje, kur ligji e ndalon dhe ndëshkon. Fjalën e lirë, po ashtu dhe me ligsht, e dhunon dhe vret, heqja e doganës, ndaj shpifjes dhe përbaltjes. Shpesh e më shpesh, sa të duket e largët se kur nuk ka ngjarë, mungesa e shpifjes dhe baltosjes, në median e shkruar apo vizive, pa harruar përroin e shpëlarjes trunore, open online, shpifja fiton vëmendje dhe status. Humori popullor, shpif-shpif, se diçka mbetet, tanimë është shndërruar në ilaçin e shkatërrimit të tjetrit. Të vjen që ta besosh, se sa më e madhe të jetë shpifja, aq më e besueshme bëhesh, e ku e vërteta, nuk ka pikën e vlerës. Shpifja, duket si vello, përpara përbaltjes, e cila këtyre kohëve ka shtuar dozat dhe ngjyrat… Nga balta vijmë, drejtë baltës shkojmë, thotë populli. Po ende, përbaltjes, baltosjes me kuç e maç, që shpallet kulm i kulmeve, hit i hiteve, nuk i është gjetur veriga e mençurisë. E pikërisht, për ata që hedhin sa më shumë baltë, për specialistët e kovave të m…, dëgjon të thuhet se është i zoti, është analist dhe opinionist i mbaruar…
Me heshtjen tonë, me fjalën që vetëm sa mërmëritet, mos u habitni, kur një ditë televizionet të kthehen në sy magjik, për të parë, zbuluar dhe dhunuar jetën e tjetrit. Po kaq, media e shkruar, të kthehet në letër higjenike për të fshirë qurravitjet e të marrëve, që harrojnë se Fjala eshtra s’ka, po eshtra thyen…
Për ta mbyllur, makthin që buron nga prangimi i fjalës së lirë, si censurë apo degjenerim skajor, po sjellë në vëmendje një shprehje të Franc Kafkës, kur nënvizonte: Iluzioni i rremë i lirisë së arritur përmes mjetesh të jashtme është gabim, pështjellim, është shkretëtirë në të cilën nuk lulëzon asgjë tjetër përveç barërave të frikës dhe dëshpërimit…
.
Marrë nga muri i Fb i Behar Gjokës, 13 gusht 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.