
Poshtërimi i sulltan Mehmetit II Fatih përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë dhe Masakra e Çidhnës në Dibrën e Poshtme (Gusht 1466)
nga Paulin Z. Zefi
*Më 1 gusht të vitit 1466,1] pasi kishte pësuar humbje katastrofike përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke lënë nën muret e Kështjellës së Krujës dhe rrethinat e saj plot 30.000 2] – 35.000 ushtarë të vrarë,3] sulltan Mehmeti II Fatih vendosi të tërhiqet për në Stamboll i poshtëruar botërisht, duke lënë 80.000 ushtarë të zgjedhur nën komandën e renegatit arbër, Ballaban Pasha, për të vijuar rrethimin e Krujës me shpresën se garnizoni mbrojtës mund të dorëzohej nga uria.4] Pas largimit nga Kruja, Mehmeti II me masën kryesore të armatës perandorake, marshoi në drejtim të jugut dhe u ndal pranë rrënojave të qytetit të lashtë ilir, “Scampa” ose “Valmi”, i shkatërruar gjatë dyndjeve të popujve barbarë. Sipas lajmeve, të cilat qarkulluan fillimisht në qytetin e Venecias dhe që nga aty, në të gjitha kancelaritë europiane të kohës, duke nisur nga njoftimet e para të ambasadorit milanez, Gherardo de Collis (korrik 1466), flitej se: “Sulltan Mehmeti II Fatih, ishte larguar për mungesë të theksuar ushqimesh, sepse kishte mobilizuar një ushtri aq të madhe sa në Arbëri nuk gjendej as fije bari, edhe kanë ngrënë jo vetëm drithërat, hardhi dhe barëra të tjera të tokës, por deri edhe gjethet e pemëve, në mënyrë që i gjithë vendi, deri pak pranë qytetit të Shkodrës, atë vit nuk do të korrë drithë, as do të prodhojë verë dhe as ushqime të tjera.”5] Ndërsa, A. Gegaj, i cili bazohet kryesisht tek G. Biemmi, e përmbledh shumë shkurt, duke nënvizuar faktin se Kruja i qëndroi të gjitha sulmeve të trupave osmane, të cilët ushtria e paepur e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu i shfaroste sa herë sulmonin dhe shton se Mehmeti II, pasi e kuptoi që s’kishte asnjë shpresë, as nga tradhtia, as nga forca e hapur dhe duke iu trembur famës që kishte fituar, vendosi të largohet nga Kruja.6] A. Cutolo, duke vlerësuar qëndresën titanike të popullit arbër dhe duke analizuar situatën kritike në të cilën ndodhej Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në vitin 1466, konkludon me shumë të drejtë, se: “Pak më shumë se 14.000 burrave u pati rënë të përballonin goditjen e njërës prej ushtrive më të mëdha që kishte pushtuar ndonjëherë atë tokë, ndërsa Europa ende nuk arrinte ta kuptonte se ai garnizon heroik mbronte edhe Krishtërimin nga Islami”7] Mbi shkaqet e largimit të sulltan Mehmetit II Fatih nga Kruja, flet edhe kronisti bizantin Kritobuli, i cili duke qenë i pranishëm gjatë zhvillimit të këtyre ngjarjeve, mundohet ta justifikojë këtë disfatë të turpshme, duke shkruar se: “Atje tek Ilirët ekzistonte një kështjellë e mbrojtur mirë dhe shumë e fuqishme, e quajtur Krujë. Kjo bile ishte si akropol dhe mburojë e gjithë vendit. Këtë, babai i sulltanit (Murati II), kishte tentuar dhe më parë (që ta merrte) me shumë mënyra: me topa, me makina gurëhedhëse dhe me rrethim të gjatë, por nuk mundi ta pushtonte, aq ishte e fortifikuar. Pra, kur arriti këtu sulltani (Mehmeti II), duke parë se ishte e fortifikuar dhe e mbrojtur dhe nuk kishte mundësi të pushtohej me lehtësi, nuk mendoi se duhej të operonte tërësisht kundër kësaj (kështjelle) dhe të mundohej, të vuante dhe të harxhonte kohë duke qëndruar aty afër me ushtrinë dhe, duke bërë një rrethim të gjatë, të humbiste kot trupa dhe të holla. Kishte mundësi me një mënyrë tjetër ta shtinte në dorë qytetin dhe vendin, pa mundim dhe pa rrezik.”8] Edhe në malësitë e Veriut të Arbërisë, njësoj si në Krujë, osmanët dështuan në përpjekjet e tyre përballë Lekës III Dukagjinit, i cili duke bashkëpunuar ngushtë me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe nipin e tij, Ivan Cernojeviç, princ i Zetës së Sipërme (Mali i Zi), shpëtuan qytetet e rëndësishme të Arbërisë Veriperëndimore të kontrolluar nga Republika Veneciane, si: Shkodra, Lezha, Danja, Drishti dhe Ulqini. Ndaj, si shpagim për dështimin e kësaj fushate ushtarake, sulltan Mehmeti II Fatih, u hakmor, duke urdhëruar masakra të tmerrshme mbi popullsinë civile, spastrim etnik, shfarosje masive, djegie dhe shkatërrime që nuk ishin parë dhe dëgjuar asnjëherë më parë në Kontinentin Europian, madje as në kohën e dyndjeve barbare! Ata që i shpëtuan vdekjes nga sulmet e ushtarëve turq, përjetuan një fat akoma më të kobshëm, sepse u kapën robër dhe u shitën si skllevër nëpër tregjet e improvizuara apo pranë qendrave të banuara ku kalonin rrugë të rëndësishme tregtare. Masakrat dhe barbarizmat që udhëhoqi sulltan Mehmeti II Fatih në Arbëri ishin një gjenocid i pastër me përmasa të tmerrshme mbi një popull të pafajshëm, i cili sipas kronistëve osmanë të kohës, duhej shkulur nga rrënjët për t’u zhdukur nga faqja e dheut për të vetmen arsye se ata dëshironin të jetonin të lirë në trojet e veta shekullore. Për ta vërtetuar se ajo çfarë ndodhi në Arbëri gjatë vitit 1466 ishte me të vërtetë një gjenocid i pastër, ky fakt i pakontestueshëm konfirmohet nga vetë kronistët osmanë, të cilët shuajnë çdo përpjekje për ta parë këtë çështje në një optikë tjetër. Këvami shkruan se: “Bejlerëve të aftë ai (sulltani) iu dha një sasi ushtarësh e i shpërndau në çdo anë. Ata depërtuan, luftuan dhe gjuajtën disa mijëra të pafe (Arbër), i kapën dhe i prunë përpara sulltanit të botës. Padishahu i botës, disave prej tyre ua preu kokat, ndërsa disa të tjerë i çau në dysh. Të gjithë të tjerët, urdhëroi dhe i shkuan në shpatë para tij.”9] Kronisti osman, Idris Bitlisi, paraqet një tablo edhe më të përgjakshme, sepse thotë se: “Shumica e krerëve krenarë, kryelartë e mizorë të këtij populli keqbërës u lidhën me prangat dhe zinxhirët e humbjes së rëndë dhe në duart e fitimtarëve ranë kaq varganë hyrish e djemsh fytyrëhënë me gërsheta të thurura si zinxhirë dhe me flokë kaçurrela. Preja e kafshëve që përdoren për të hipur dhe e bagëtive, që përbëjnë pasurinë e zakonshme të këtyre të pafeve të mallkuar e që ranë në dorë të fitimtarëve, nga që ishte e shumtë, nuk qe e mundur të llogaritej. Meqë ishte një ushtri e madhe robërish, të tërë vetijëndritur që kishin bukurinë e Jusufit (figurë biblike; Jozefi i bukur i Egjiptit, djali i preferuar i Jakobit dhe një ndër paraardhësit e 12 fiseve të Izraelit – P. Z.) dhe që u shtinin zilinë zanave, zakonisht këta u nxorën herë mbas here në ankand për 4.000 derhem ari (secili). Por meqë numërohej një fat i madh të blije të këtilla krijesa të këndëshme, çmimi i çdonjërit prej sish në tregun e ankandit arriti në 20-30.000 derhemë ari. Bile nuk mbeti njeri pa e kthyer kokën që t’i blinte, përveç ashikëve veteranë e të falimentuar, që ishin adhurues të bukurisë së faqehënave. Sa për të pafetë kokëfortë dhe vramuzë që ishin të kaluar nga mosha dhe që kishin pamjen e djallit, shumë nga këta iu ekspozuan shpatës së hakmarrjes së luftëtarëve duke u vrarë herë mbas here nga 3.000, 4.000 e deri në 7.000 prej sish. Duke marrë pjesë në gostinë (me temën): “Vrajini krejt të pafetë!”, mijëra militantë e luftëtarë u ngopën, duke derdhur gjakun e mijëra e mijëra robërish që u bënë prè e shpatave të tyre gjakpikuese. Mbas kësaj beteje që u fitua nga myslimanët ashtu siç kishin dëshiruar ata dhe mbasi u nënshtrua populli i atij vendi, për të vendosur rendin në një vend të këtillë plot paudhësish e trazirash dhe për qeverisjen e këtij vendi plot me rreziqe, sulltani urdhëroi ngritjen e një fortese të fortë, më të fortë nga të gjitha fortesat që ishin në botë.”10] Ndërsa, vetë kronisti personal i Mehmetit II, Tursun Beu, i cili ishte i pranishëm gjatë zhvillimit të këtyre masakrave mbi popullsinë civile, duke mbajtur shënimet përkatëse, shkruan me shumë entuziazëm se: “Atëherë u dha urdhëri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin përpara Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, fap-fap, i ekzekutonin. I bënë kështu ata njerëz që aq të etur e të dëshiruar qenë pas vdekjes, të shijonin verën e rrënimit që derdhej prej shpatës së shndritshme. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në 3.000, 4.000, 7.000 nga të pafetë. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. Prej gjakut të derdhur, rrafshina të gjera tani ngjasonin si Amudarja që rridhte.”11] Mbi brutalitetin e ushtrive osmane në vitin 1466 flitet edhe në historiografinë moderne turke, ku thuhet se popullatat lokale që fshiheshin nëpër male, ndiqeshin dhe masakroheshin pa mëshirë; gra e fëmijë merreshin peng, ndërkohë që Arbëria përjetoi një plaçkitje të pabesueshme.12] Plaçka ishte aq e madhe sa shumë prej kafshëve shtëpiake të kapura, vriteshin në mënyrë që të mos u liheshin armiqve.13] Edhe kafshët e egra në male vuajtën prej kësaj dhune kaq të madhe.14] Përveç këtij gjenocidi dhe shkatërrimi masiv të vendit, i cili preku të gjithë popullsinë autoktone në shumë vendbanime të Arbërise së Mesme dhe Veriore, pasojat më të rënda në kohë afatgjatë do t’i shkaktonte rindërtimi kështjellës së lashtë të Valmit, projekt i cili u realizua për të mbështetur veprimtarinë luftarake të trupave të Ballaban Pashës, furnizimin e tyre me mjete lufte, produkte ushqimore dhe materiale të ndryshme. Kjo kështjellë e fuqishme, që u ndërtua në qendër të Arbërisë, do të funksiononte si kundërpeshë e Krujës dhe si pikëmbështetje e rëndësishme për forcat ushtarake osmane që vepronin në këto treva.15] Në fund të muajit gusht të vitit 1466, sulltan Mehmeti II Fatih vendosi të kthehet në Stamboll dhe armata perandorake osmane marshoi drejt Lindjes. Gjatë rrugës së kthimit ai kaloi nëpër trevën e Dibrës16] dhe vendosi të kryejë një fushatë agresive, duke plaçkitur e masakruar popullin dibran.17] I zemëruar nga rrethimi i dështuar i Krujës, Mehmedi II, urdhëroi ushtrinë e tij në tërheqje të shkatërronte gjithçka në rrugën e saj dhe Lugina e lumit Drin i Zi, një nga zonat më të populluara nëpër të cilat po kthehej ushtria osmane, pësoi një katastrofë të tmerrshme.18] Gjithçka u shkatërrua mizorisht me hekur dhe zjarr…19] Kësaj batërdie nuk i shpëtuan edhe shumë banorë, të cilët ishin strehuar nëpër rajonet e thella malore, që në fillim të fushatës perandorake osmane dhe po qëndronin aty nën mbrojtjen e çetave malore arbëre. Një numër shumë i madh familjesh ishin strehuar sidomos në luginën e Çidhnës, ku mund të hyje vetëm nëpërmjet disa grykave aq të ngushta sa mjaftonte vetëm një trupë e vogël ushtarësh për të mbajtur larg me lehtësi çdo mori armiqsh.20] Pikërisht në Kështjellën e Çidhnës dhe rreth saj ishin vendosur banorët e fshatrave të Dibrës së Poshtme.21] Për fatin e tyre të keq, gjatë zhvillimit të këtij inkursioni të madh osman në trevën e Dibrës, dy renegatë arbër,22] që kishin dezertuar nga ushtria e tyre, shkuan pranë Mehmetit II Fatih dhe e njoftuan për këtë vend strehimi, hyrjet e të cilit për nga natyra ishin të vështira për t’u aksesuar.23] Dezertorët, që i njihnin shumë mirë shtigjet e këtij vendi, u vetofruan pranë sulltanit me një propozim makabër dhe monarku gjakatar turk e pranoi me shumë kënaqësi ofertën e tradhtarëve, duke iu premtuar atyre shpërblime të majme.24] Pa humbur kohë, Mehmeti II Fatih vendosi të niset menjëherë për të sulmuar kështjellën e Çidhnës, e cila mundonte vazhdimisht prapavijën e ushtrisë së tij.25] Ai mori me vete luftëtarët më të fuqishëm dhe të nesërmen në mëngjes u nis drejt Çidhnës, duke përshkuar një distancë prej 12 miljesh (19.3 km – P.Z.) nëpër shtigje malore shumë të vështira dhe pasi udhëtuan për 5 orë, arritën në destinacion.26] Të dhënat burimore mbi itinerarin e ndjekur nga forcat e armatës perandorake osmane, që rrethuan kështjellën dhe luginën e Çidhnës mungojnë, por duke u mbështetur në karakterin e terrenit, mund të thuhet se lëvizja e tyre është bërë, duke shfrytëzuar luginat dhe grykat malore pranë Çidhnës, ku mund të depërtohet nëpërmjet pesë shtigjeve: 1) Nga Veriu: Lanë Lurë – Xhaxhisht – Kështjella e Çidhnës, 2) nga Veriperëndimi: Borie – Lurë – Arth – Gurë-Lurë – Kështjella e Çidhnës, 3) nga Jugperëndimi: rrjedha e sipërme e lumit të Setës – Gurë-Lurë – Kështjella e Çidhnës, 4) nga Jugu: Sinë e Epërme – Kështjella e Çidhnës dhe 5) nga Lindja: Çidhna e Poshtme – Gryka e Setës – Kështjella e Çidhnës. Mund të supozohet se ushtria osmane duhet të jetë ndarë në disa pjesë dhe kolonat e saj kanë marshuar nëpër disa nga shtigjet kryesore, duke e rrethuar kështjellën e Çidhnës dhe vendstrehimet pranë saj nga të gjitha anët. Vetë Mehmeti II Fatih, me masën kryesore të ushtrisë, ku mbizotëronin luftëtarët e korpusit të jeniçerëve, ka përshkuar rrugën e njohur dhe të përdorur historikisht, e cila lidhte qytetin e fortifikuar të Stellushit në Mat, me kështjellën e Çidhnës. Në këtë mënyrë, ai iu doli mbrojtësve të Çidhnës në prapashpinë.27] Fillimisht turqit sulmuan çetat malore, që ruani Çidhnën, duke vrarë disa prej luftëtarëve arbër dhe të tjerët që i mbijetuan goditjeve të armikut, u detyruan të tërhiqen.28] Pas kësaj, rruga ishte krejtësisht e hapur dhe e sigurt për forcat armike, të cilët e rrethuan Çidhnën nga të katër anët. Për pushtimin e Çidhnës Mehmeti II Fatih, kishte marrë me vete edhe mjete të artilerisë. Në anën juglindore të kështjellës ngrihet shpati shkëmbor i Pllajut, i cili ndodhet në një lartësi dominuese mbi këtë kështjellë dhe aty është një rrafshinë e vogël, që sot njihet si “Rrafshja e Topit”29] Vendi në fjalë është në jug të kështjellës së Çidhnës dhe ndodhet në një largësi rreth 400-500 m në vijë ajrore prej saj [30]. Pikërisht në këtë vend thuhet se turqit vendosën topin31] me të cilin goditën dhe dëmtuan muret e kështjellës.32] Shkaku kryesor për rënien e Çidhnës u bë një tradhtar vendas, prej fisit të Marçenëve, që besohet t’u ketë thënë turqve se sekretin e kështjellës e dinte ai: “Po e vutë topin aty, n’atë vend, kalanë e keni marrë!” 33] Po ashtu, Mehmeti II Fatih dërgoi pranë të rrethuarve dy renegatët arbër, që ndodheshin me trupat e tij, për t’i bindur banorët që të dorëzoheshin.34] Këta dy burra mjeranë35], tradhtarë të atdheut të vet dhe të shitur te armiku (traitres à leur patrie et vendus à l’ennemi), u paraqitën te portat e Çidhnës, duke u shtirur se janë larguar nga Kruja për të ardhur dhe për të njoftuar bashkatdhetarët e tyre për gjendjen e mjerueshme të këtij qyteti dhe të gjithë Arbërisë.36] Ata kërkuan të flasin me banorët kryesorë të Çidhnës37] dhe gjatë takimit që zhvilluan me ta, i bënë të kuptojnë se Kruja, e rraskapitur dhe e asfiksuar nga gjatësia e rrethimit që po përjetonte, duke e parë veten pa shpresë lehtësimi, ishte gati t’i dorëzohej Ballaban Pashës, i cili vazhdoi ta sulmonte me një ushtri të madhe; se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke mos guxuar më të dilte para turqve për shkak të epërsisë së madhe të forcave të tyre, ishte tërhequr fshehurazi dhe e kishte braktisur Arbërinë; se sulltan Mehmeti II, duke qenë i sigurt për rënien e Krujës, udhëtoi nëpër Arbëri me një pjesë të mirë të trupave të tij dhe se nuk kishte as kështjella dhe as vende të rëndësishme, që refuzuan t’i hapin dyert për të; se dorëzimi ishte e vetmja rrugë që mund të ndiqej në rrethana kaq të trishtueshme dhe se ishte më mirë t’i nënshtroheshin zgjedhës së fitimtarit në kushte të tolerueshme, sesa të ekspozoheshin ndaj masakrës, zjarrit dhe gjithë tmerreve të një fitoreje të përgjakshme.38] Propozimi i Mehmeti II Fatih ishte se nëse pranonin të dorëzoheshin, ai nuk do t’i trazonte.39] Ai premtoi se do t’u linte atyre pronën e pasurinë, duke iu garantuar paprekshmërinë dhe lirinë e plotë të besimit dhe gjithçka që dy tradhtarët arbër i shtuan fjalimit të tyre, dukej aq e mundshme dhe aq e besueshme për banorët e Çidhnës.40] Në fund ata ritheksuan se meqenëse të gjitha qytetet dhe kështjellat e tjera janë dorëzuar: “A nuk është më mirë të negociosh, pasi ka ende kohë dhe të marrësh kushte të tolerueshme?” 41] Të gjendur në një situatë pa rrugëdalje dhe me shpresën se mund t’u shpëtonin jetën mijëra civilëve, që ishin strehuar poshtë në luginën e lumit Seta, luftëtarët e garnizonit mbrojtës u detyruan të pranojnë kushtet e kapitullimit. Ata iu dorëzuan sulltan Mehmetit II Fatih me mirëbesim42] dhe hapën njërën nga portat e qytetit.43] Mirëpo, kur arriti që t’i shtinte në dorë këta njerëz të pafajshëm, të cilët ishin strehuar në këtë vend të sigurt, që nuk rezultoi si i tillë, ai dha urdhër që ata të masakroheshin barbarisht, duke mos treguar mëshirë për asnjërin prej tyre.44] Ata u shkuan në shpatë,45] në kundërshtim me fjalën e dhënë me betim46] dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e kapitullimit.47] Dhimitër Frangu thotë se: “…gjatë rrugës së kthimit (për në Stamboll – P. Z.), ndodhi që, në sajë të një tradhtari maskara e kusar, besëthyes e të poshtër, Sulltani të pushtonte një kështjellë të madhe të Skënderbeut, të quajtur Çidhna (una gran fortezza del Prencipe Scanderbeg, chiamata Chidna), ku ndodheshin 8.000 ushtarë trima, pa numëruar fëmijët e gratë dhe njerëzit e tjerë të paaftë për të mbajtur armët, të cilëve u dha një vdekje të llahtarshme.”48] Po ashtu, edhe M.Barleti pohon se: 49] Të njëjtin njoftim e ndeshim edhe te R. Knolles,50] P. Giovio,51], B. Bindoni,52] F. Sansovino,53] C. Campana,54] G.C.Saraceni [55], L. de Meneses [56], J. N. Duponcet,57] J. v. Hammer-Purgstall,58], C. Paganel,59] C. C. Moore,60] dhe F.Babinger.61] Ndërsa G. Biemmi thotë se në Çidhën (Chidna) u masakruan 30.000 burra, gra e fëmijë, midis të cilëve 8.000 luftëtarë,62] njoftim që e ndeshim edhe te J. Pisko,63] E. Barbarich,64] A. Gegaj65] dhe G. L. Kurbatov.66] Të njëjtin njoftim, ku thuhet se: “Sulltani, pa marrë parasysh gjininë dhe moshën e banorëve në qytetin e Çidhnës (Chidnæ oppido), rreth 30.000 u therën (incola omnes fere triginta mille fuerint obtruncati)”, e ndeshim edhe në kryeveprën monumentale “Illyricum Sacrum.”67] G.Pallotta,68] C. Simoni,69] F. S. Noli70] dhe G. Francione71] shkruajnë se bëhet fjalë për 28.000 njerëz: 8.000 burra dhe 20.000 pleq, gra e fëmijë. Kurse, Abas Ermenji, flet për 20.000 burra, gra, pleq e fëmijë.72] Në anën tjetër, në historiografinë e sotme shqiptare ndeshim se janë vrarë më se 10.000 pleq, gra e fëmijë.73] Ndërsa studiuesit vendas nga Çidhna, flasin për 32.000 të vrarë: 8.000 burra dhe 24.000 gra, pleq e fëmijë, që ishin mbledhur nga fushat rreth e rotull për t’u strehuar dhe për t’i shpëtuar batërdisë turke.74]. Banorët e sotëm të Çidhnës e ruajnë ende kujtimin e hidhur të kësaj tragjedie, kur sulltan Mehmeti II Fatih, meqenëse nuk mundi ta pushtojë kështjellën e Kryeheroit me forcën e armëve, e shtiu në dorë me anën e një tradhtari, i cili tregoi rrugën e fshehtë, që vinte në prapashpinë nga ana e Stellushit.75] Edhe historianët perëndimorë nënvizojnë faktin se sulltani nuk do të kishte mundur ta pushtojë dot Çidhnën përveç se me tradhti.76] Në këtë vend, ai bëri një kasaphanë të tmerrshme, si hakmarrje për dështimin e fushatës së tij në Arbëri. Kjo tragjedi shkaktoi pikëllimin e thellë, por edhe dobësimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili asnjë herë më parë nuk kishte pësuar një humbje kaq të madhe.77] Përveç të moshuarve, grave dhe fëmijëve, vdekja e 8.000 burrave të aftë për luftë, që ishin të gjithë njerëz të zgjedhur, mbi të cilët ai mund të mbështetej fuqimisht në çdo rast lufte, ishte një humbje shumë e rëndë për të.78] Kurse civilët që u masakruan ishin kryesisht familjarët e oficerëve dhe ushtarëve të tij, por disa prej tyre ishin edhe njerëz të tij të afërm.79] Pra, i vetmi faj i pleqve, i grave dhe i fëmijëve, që u masakruan pa mëshirë në Çidhën, ishte lidhja e gjakut me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe se djemtë e burrat e tyre luftonin përkrah Prijësit të tyre.80] Krahas hakmarrjes, ky veprim luftarak kishte si qëllim të dobësonte bazat kryesore mbështetëse të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe të terrorizonte popullsinë arbëre. Pasi arriti këtë sukses, i cili pjesërisht i shpëtoi fytyrën, por edhe hodhi disa themele për fushatën e vitit të ardhshëm, Mehmeti II Fatih vendosi të kthehet në Stamboll.81] Mirëpo, ai nuk deshi të hidhej përtej kufirit pa trofe lufte.82] Prandaj, një trofe i tmerrshëm kokash i të krishterëve të vrarë në këtë vend, i parapriu kthimit të Mehmetit II Fatih në Stamboll, sepse në këtë mënyrë, xhelati u mundua t’i japë vetes pamjen e një fituesi.83] Pas largimit të tij nga Çidhna, një pjesë e rëndësishme e Principatës së Kastriotëve tani kishte mbetur pothuajse krejt pa njerëz.84] Shtëpi të tëra u shuan dhe Çidhnën së bashku me të gjithë Dibrën, i mbuloi zia.85] Ky ishte një gjenocid i pastër, që dëshmon urrejtjen patologjike të Fatihut ndaj Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe popullit të tij! Për Dibrën e Poshtme përmasat e kësaj katastrofe demografike ishin si një goditje kataklizmike dhe kjo pasqyrohet shumë qartë në regjistrat e hollësishëm osmanë të vitit 1467, ku nga 59 fshatra gjithsej, pas masakrës së Çidhnës, 45 prej tyre rezultojnë të kenë vetëm nga 2-10 shtëpi.86] Ndërsa vetë fshatrat: Çidhna e Epërme dhe Çidhna e Poshtme, janë të regjistruar respektivisht me nga 16 dhe 8 shtëpi, pra 24 shtëpi gjithsej.87] Për intensitetin e lartë të banimit në periudhën paraturke, dëshmon edhe vetë ekzistenca në hapësirën e fshatit Çidhën e rrënojave të 3 kishave katolike.88] Po ashtu, si dëshmi e përmasave të kësaj tragjedie shërbejnë edhe gojëdhënat, legjendat dhe këngët e ruajtura brez pas brezi nga banorët vendas,89] por sidomos tre toponime që gjenden në Çidhën. Ata janë: “Varret e të Vrarëve”, ku thuhet se janë varrosur viktimat në moshë të rritur, një varr tjetër masiv i quajtur “Varret e Cullve”, në të cilin janë varrosur fëmijët dhe aty pranë gjendet “Lugu i Vajit”, ku thuhet se çdo të dielë, në këtë vend, mblidheshin të mbijetuarit e masakrës së Çidhnës, të cilët vajtonin në mënyrë kolektive të afërmit e tyre, që ishin masakruar nga turqit.90] Pasi çfryu tërbimin e tij në Çidhën, Mehmeti II Fatih, me një melankoli të madhe, vijoi rrugën e kthimit për në Stamboll91] dhe njësoj siç veproi në Çidhën, ai shkatërroi të gjithë fshatrat, që ndodheshin përgjat rrugës së tij të kthimit.92] Ushtria e tij u largua nga vendi, duke lënë pas gërmadha, tym nga zjarret dhe grumbuj kufomash.93] Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hakmor mbi forcat armike gjatë tërheqjes së tyre, duke vrarë një numër të konsiderueshëm, por megjithatë ai nuk mund ta lante humbjen e kaq shumë njerëzve besnikë.94] Ajo që ndodhi në Çidhën ishte një tragjedi që preku zemrat e pjesës më të madhe të luftëtarëve arbër. Po ashtu, Masakra e Çidhnës cilësohet si goditja më e rëndë shpirtërore për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe një ndër shkaqet, që më vonë do të ndikojë ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.95] Në vitin pasardhës, 1467, sulltan Mehmeti II Fatih u rikthye përsëri në Arbëri, por u përball edhe një herë me poshtërim dhe humbje të mëdha përballë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. I detyruar të tërhiqej me turp drejt Stambollit, ai hoqi dorë nga çdo përpjekje e mëtejshme për ta sulmuar Krujën dhe Arbërinë, për aq kohë sa të jetonte kundërshtari i tij i pamposhtur.

Bibliografia:
1.J. Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 102; G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 141; A.Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, f. 71.
2.A. Galanti, L’Albania: Notizie geografiche, etnografiche e storiche, f. 153.
3.S.Gopčević, Geschichte von Montenegro und Albanien, (Mit fünf Stammtafeln und drei Karten), f. 100.
4.G. B. De Burgo, Viaggio di cinque anni in Asia, Africa, & Europa, Parte seconda, Milano: Nelle stampe dell’Agnelli, 1686, f. 41; G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: 1829, f. 159; J. P. Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 288; W.Deans, History of the Ottoman Empire: From the Earliest Period to the Present Time, London & Edingurgh: A. Fullarton & Co., 1854, f. 40; Ch. Dezobry & Th.Bachelet, Dictionnaire général de biographie et d’histoire, de mythologie, de géographie ancienne et moderne, Quatrième édition revue (Deuxième partie), Paris: Anciene Maison Dezobry, Madeleine, 1866, f. 2416; Zh. K. Faveirial, Historia (më e vjetër) e Shqipërisë, f. 284; L. Pastor, The history of the Popes, from the close of the Middle Ages (Drawn from the Secret Archives of the Vatican and other original sources), Volume IV, Second Edition, London: Kegan Paul, Trench, Trübner. & Co., L.D., Paternoster House, Charing Cross Road, 1900, f. 87; W. J. Armstrong, Scanderbeg: Prince of Albania, f. 63-64; G.Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 141; С. Димитров, Георги Кастриоти-Скендербег и неговата освободителна борба, në: Георги Кастриоти Скендербег 1468 – 1968, Поредица “Балкан” Nº 2, София: Издателство на Българската академия на науките (Институт за балканистика), 1970 / Georges Kastriote Scanderbeg 1468-1968, Série „Balkans” • No. 2, Sofia: Éditions de L’Académie Bulgare des Sciences (Institut d’Études Balkaniques), 1970, f. 28.
5.L. Tacchella, Giorgio Castriota Skanderbeg e i Romani Pontefici nel Sec. XV – Paolo Angeli Arcivescovo di Durazzo e Ambasciatore di Skanderbeg a Venezia nel 1467 – Il Regno di Bosnia nel Sec. XV, f. 103; Shih edhe A.Plasari, Skënderbeu – Një histori politike, f. 684.
6.A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 143.
7.A. Cutolo, Scanderbeg, f. 203.
8.K. Bozhori & F. Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, Shek. X-XV, f. 348.
9.S. Pulaha, Lufta shqiptaro-turke 1370-1530, Burime osmane, f. 117.
10.Ibidem, f. 153-154.
11.Tursun Beu, Kronikat, f. 150.
12.B. Bilmez, Skënderbeu në historiografinë turke: Sprovë për një vlerësim kritik, në: “Përpjekja (Revistë kulturore)”, Viti XIX, nr. 28-29, Skënderbeu i kërkimit shkencor, Tiranë: 2012, f. 265.
13.Ibidem, f. 265.
14.Ibidem, f. 265.
15.K. Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jeta dhe vepra (1405-1468), f. 431.
16.K. Frashëri, Historia e Dibrës: Që nga lashtësia deri në mars 1939, f. 122-123; H. A.Koçeku & Z. Gjoni, Çidhna, f. 19.
17- R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 85-86.
18.Г. Л. Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 96.
19.D. Farlatus & J. Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 426.
20.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.
21.R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 86.
22.A. Cutolo, Scanderbeg, f. 205; J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 341-342; C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 353; G. Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 182; F. S. Noli, Vepra IV, f. 583; H. Koltraka, Kastriotët e Kidnit Skënderbegas, f. 126.
23.J. Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 102.
24.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.
25.V. Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77.
26.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.
27.I. Cani, Rrënjët historike të Kastriotëve në Çidhën: Origjina fisnore e Kastriotëve (Studim historik e sociologjik), Fisi ndër më të lashtët në Dibër, Vëllimi II: “Dje, Sot, Nesër”, f. 150.
28.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.
29.H. Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 29.
30.H. Përnezha & R. Bitri, Toponimia e Çidhnës (Me 110 ilustrime fitografike dhe me një fjalës të leksikut të rrallë), f. 88.
31.H. Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 29-30.
32.H. Përnezha & R.Bitri, Toponimia e Çidhnës (Me 110 ilustrime fitografike dhe me një fjalës të leksikut të rrallë), f. 88.
33.H. Ndreu, Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore, f. 30.
34.J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 341-342; C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 353.
35.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 353.
36.J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.
37.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
38.J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.
39.P. Giovio, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 121.
40.J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.
41.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
42.F. Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 367.
43.J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342; C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
44.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
45.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
46.J. P. Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 289.
47.E. Upham, History of the Ottoman Empire: From Its Establishment, Till the Year 1828, In two volumes: Vol. I, Edinburgh: Constable and Company, 1829, f. 211.
48.D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 188.
49.M. Barleti, Historia e Skënderbeut, f. 474.
50.R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 400.
51.P. Giovio, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 121.
52.B. Bindoni, Skanderbeg, Princi i Epirit, f. 133.
53.F. Sansovino, Historia Universale dell’origine, et imperio de’Turchi, f. 273.
54.C. Campana, Compendio historico, delle guerre ultimamente successe tra Christiani, & Turchi, & tra Turchi, & Persiani, Nel quale particolarmente si descrivono quelle fatte in Ungheria, & in Transilvania, fino al presente Anno MDXCVIl, In Vinegia: Presso Altobello Salicato, & Giacomo Vincenti, compagni. MDXCVIl (1597), f. 295.
55.G. C. Saraceni, I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nationi del mondo, da che prima han cominciato a guerreggiare sino ad hora, Parte seconda/Volume II, In Venetia, Appresso Damian Zenaro, M.D.C. (1600), f. 465.
56.L. de Meneses, Exemplar de virtudes morales en la vida de Jorge Castrioto, llamado Scanderbeg, Principe de los Epirotas, y Albaneses, Offrecido a la ilustre juventud portuguesa, Lisboa: En la officina de Miguel Deslandes, Año 1688, f. 250.
57.J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d’Albanie, f. 342.
58.G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: 1829, f. 159.
59.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
60.C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 353.
61.F. Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 367.
62.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 454.
63.J. Pisko, Skanderbeg: Historische Studie, f. 102.
64.E. Barbarich, Albania (Monografia antropogeografica), f. 189.
65.A. Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XV–e siècle, f. 143, Shënimi nr. 1.
66.Г. Л. Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 96.
67.D. Farlatus & J. Coletus, Illyricum Sacrum, Tomus septimus, Ecclesia Diocletana, Antibarensis, Dyrrachiensis, et Sirmiensis, cum earum suffraganeis, Venetiis: Apud Sebastianum Coleti, Superiorum permissu ac privilegio, MDCCCXVII (1817), f. 426.
68.G. Pallotta, Storia di Scanderbeg, Principe degli Albanesi, f. 141.
69.C. Simoni, Skënderbeu, Heroi i Shqipërisë, f. 124.
70.F. S. Noli, Vepra IV, f. 190-583.
71.G. Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 182.
72.A. Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë, Botimi i dytë, Tiranë: 1996, f. 83.
73.A. Buda, Skënderbeu Gjergj Kastrioti, në: Fjalori Enciklopedik Shqiptar 3. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë: 2009, f. 2352; J.Drançolli, Skënderbeu Gjergj Kastrioti (1405-1468), në: Fjalori Enciklopedik i Kosovës, II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Prishtinë: 2018, f. 1508; F.Daci, Të gjitha rrugët të çojnë në Dibër – Turqia vulos: Skënderbeu lindi në Sinë të Dibrës, f. 78.
74.H. Koltraka, Kastriotët e Kidnit Skënderbegas, f. 126.
75.I. Cani, Rrënjët historike të Kastriotëve në Çidhën: Origjina fisnore e Kastriotëve (Studim historik e sociologjik), Fisi ndër më të lashtët në Dibër, Vëllimi II: “Dje, Sot, Nesër”, f. 150.
76.V. Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77; O. J. Schmitt, Skënderbeu, f. 376; G. Francione, Scanderbeg, un eroe moderno: (multimedial hero), f. 182.
77.R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 400.
78.G. C. Saraceni, I fatti d’arme famosi successi tra tutte le nationi del mondo, da che prima han cominciato a guerreggiare sino ad hora, Parte seconda/Volume II, In Venetia, Appresso Damian Zenaro, M.D.C. (1600), f. 465.
79.O. J. Schmitt, Skënderbeu, f. 376.
80.B. S. Këbej, Origjina dibrane e Skënderbeut, f. 55.
81.V. Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77.
82.J. P. Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 289.
83.C. Paganel, Histoire de Scanderbeg: ou turks et chrétiens au XVe siècle, f. 354.
84.J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f. 289.
85.H. A. Koçeku & Z. Gjoni, Çidhna, f. 20.
86.Më gjerësisht, shih: Vilajeti i Dibrës së Poshtme, në: Defteri i hollësishëm për zonat e Dibrës i vitit 1467 (përg. e red. Eduart Caka; përkth. Vexhi Buharaja; rec. Edmond Malaj, Ardian Muhaj), Akademia e Studimeve Albanologjike/Instituti i Historisë, Tiranë, 2019, f. 63-116.
87.Ibidem, f. 72-73.
88.A. Bunguri, Të dhëna arkeologjike nga Çidhna e Poshtme (Dibër), në: “Candavia”, 3, 2011, 197-219.
89.Xh. Martini, Optika e Schmitt-it për Skënderbeun (Kritikë), f. 18.
90.H. Përnezha, Krahina e Çidhnës (Histori dhe etnokulturë), f. 29.
91.R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f. 400.
92.V. Talarico, Vita di Scanderbeg, f. 77.
93.Г. Л. Курбатов, Скандербег, народный герой Албаний: популярный очерк, f. 96.
94.O. J. Schmitt, Skënderbeu, f. 376.
95.B. S. Këbej, Origjina dibrane e Skënderbeut, f. 56.
nga Paulin Zefi.
Luzern, Zvicër, 26.08.2025.
Gentian Halilaj
Zoti Paulin. Një pyetje kam. A kishte mundësi teknike dhe fizike që Kështjella e Çidhnës (nëse ka qenë e tillë) të ketë patur kapacitet për të strehuar dhe ushqyer 8000-30.000 njerëz ndërkohë që kështjella më e madhe që (ne dimë nga historia) zotëronte Skënderbeu ishte ajo e Krujës (ndjesë nëse gaboj) mbante një garnizon prej 1500-2000 luftëtarë gjatë periudhës së rrethimit? Si ka mundësi që 8000 luftëtarë arbër të cilët kishin epërsi morale dhe psikologjike ndaj armikut nga fitoret e 23 viteve rresht, pa përmendur këtu epërsinë taktike dhe njohjen e terrenit të masakrohen nga osmanët?! Si ka mundësi që janë 8000 luftëtarë të papërdorur kur ne e dimë se Skënderbeu përdorte maksimumin e forcave të tij prej 12.000-15.000 luftëtarë gjatë fushatave të mëdha të osmanëve?! Si ka mundësi që Çidhna nuk u njoftua nga Stelushi me sinjale (zjarr/tym) për afrimin e një ushtrie osmane, kur ne e dimë se sistemin e lajmërimit të hershëm dhe ndërlidhjes ushtria arbëre e kishte në nivel të lartë gatishmërie 24/7/365? Si ka mundësi që garnizoni i Stelushit nuk e goditi në shpinë ushtrinë osmane që rrethonte Çidhnën për t’i ardhur në ndihmë kësaj të fundit? Si ka mundësi që nuk rrethoi Stelushin që ka qenë qytet më i madh dhe me më shumë banorë se Çidhna dhe që ndodhej më para në rrugëkalim se kjo e fundit. Si ka mundësi që Mehmeti II të tregonte papjekuri taktike dhe ta vendoste ushtrinë e tij mes dy (zjarreve) kështjellave si Stelushi dhe Çidhna?! Janë disa gjëra që mendoj se kanë nevojë për disa përgjigje.
Paulin Zefi – Përshëndetje Gentian!
Pavarësisht se është totalisht e pamundur që gjithë këtyre pyetjeve t’u jap përgjigje të plotë dhe shterruese në një koment këtu në fcb, po mundohem të jem sa më sintetik dhe konçiz.
1)Në kështjellën e Çidhnës ka qëndruar vetëm një pjesë e trupave mbrojtëse, sepse masa kryesore e 8.000 trupave ushtarake kanë qenë të organizuar në detashmente të veçanta në mbrojtje të popullsisë civile (mbi 20.000), që siç e kam theksuar në studim, ndodheshin poshtë në luginën e lumit Seta. Nëse e ke parasysh pozicionin gjeografik të kësaj zone, e ke shumë më të lehtë për ta kuptuar.
2)8.000 ushtarët arbër kishin epërsi morale, por përballë një sulmi masiv dhe tinzar të armatës perandorake osmane me në krye korpusin e jeniçerëve dhe sidomos tradhtisë nga luftëtarët vendas dhe strategjisë së keqinformimit, rezultati dihet…!
3) Në rastet kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm gjatë fushatave të mëdha osmane të udhëhequra në vitet 1448 e 1450 nga vetë Murati II dhe në vitet 1466 e 1467 nga vetë Mehmeti II, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ka mobilizuar 12.000-15.000 (siç thua ti), por 18.000 deri në 20.000 burra dhe në raste të veçanta, numri total shkonte nga 30.000 deri në 35.000 veta. Pas Malit të Tumenishtit (sot, Mali i Skënderbeut), Çidhna së bashku me Lurën dhe Malësitë e Martaneshit, Çermenikës dhe Gollobordës kanë qenë bazat kryesore mbështetëse malore për grumbullimin e forcave ushtarake arbëre.
4) Stellushi, mor Gentian, ka qenë pushtuar gjatë muajit korrik gjatë një fushate agresive të udhëhequr nga vetë Mehmeti II në trevën e Matit. Bashkë me të, ai ka pushtuar edhe kështjellën tjetër atërore të Kryeheroit në Mat, Petralbën ose Gurin e Bardhë, të cilën turqit e pagëzuan me emrin “Bila Kamin.” Pra, si mund t’i vinte në ndihmë Stellushi Çidhnës?! Asokohe, Stellushi i pushtuar iu ka shërbyer më së miri forcave turke për t’u dalë çidhnakëve mbas shpinës. Stellushi, Petralba dhe Çidhna kanë qëndruar nën pushtimin osman deri në fund të muajit prill të vitit pasardhës, 1467. Vetë kështjella e Çidhnës (Kidna) në Dibër, është çliruar e fundit prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më 30 prill 1467. Gjatë luftimeve për çlirimin e kësaj kështjelle u vranë të 2.000 ushtarët e korpusit të jeniçerëve, që ndodheshin brenda mureve të saj. Të njëjtin fat e pësuan të gjithë ushtarët e garnizoneve osmane të mbetura në Arbëri, që u kapën nga luftëtarët arbër, sepse ata u masakruan pa mëshirë. OK!
Unë kurrë nuk ja lejoj vetes të flas apo të shkruaj sipas dëshirës, por vetëm me gjuhën e burimeve të shkruara. Pra, të gjitha përgjigjet e pyetjeve që më drejtove i ke të përmbledhura më sipër në mënyrën më të qartë të mundëshme. Tek unë, kurrë nuk ka për të mbetur pyetje pa përgjigje dhe të argumentuar shkencërisht. Jam 100% i sigurt për çdo gjë që them apo shkruaj dhe prandaj do të vijoj të jem gjithmonë plotësisht i gatshëm për t’i trajtuar deri në fund të gjitha çëshjet që lidhen me jetën dhe veprën e Kryeheroit. Jo për gjë, por i kam kushtuar jetën disiplinës shkencore të historisë dhe nuk njoh rivalë në lidhje me studimin e jetës dhe veprës së Kryeheroit. Mirëpo, herët e tjera kur të më drejtohesh me pyetje, ti duhet të jesh sadopak i informuar mbi dinamikën e zhvillimit të ngjarjeve si në kohë dhe në hapësirë, gjithmonë duke u mbështetur në burime të besueshme dhe duke përdorur logjikën historike. Faleminderit!
Engjell Buxhaku
Në Çidhnë kishin mbetur pak luftëtarë si roje, shumica ishin gra, pleq dhe fëmijë, burrat të aftë për luftë ishin në Krujë… Sulltani sulmoi Çidhnën për ta goditur Kastriotin aty ku djeg më shumë, te njerëzit e gjakut, pasi aty kishin rrënjët Kastriotët… Masakra e Çidhnës – masakra ndaj dibranëve-arbërve, duhet të gdhëndet në trurin e çdo shqiptari dhe të trashëgohet brez pas brezi, për t’ju treguar pasardhesve se kush ishin turqit!
Paulin Zefi – Përshëndetje i nderuar Engjëll!
Asokohe, Çidhna ka qenë baza e dytë më kryesore mbështetëse malore për Kryeheroin (pas Tumenishtit), sepse gjatë fushatës së madhe sulltanore të vitit 1466, pas Petrelës, kishin rënë edhe Stellushi dhe Petralba. Po ashtu, gjatë verës së vitit 1466, Çidhna ka qenë kështjella e tretë më e rëndësishme e Kryeheroit pas Krujës dhe Rodonit. Të gjithë burimet dhe autorët e kohës, por edhe më të vonë, qëndrojnë në të njëjtën gjatësi vale: “Në kështjellën e Çidhnës dhe në zonat malore aty pranë ishin dislokuar 8.000 ushtarë arbër”, të cilët duket qartë se përbënin forcat rezervë të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Po ashtu, ata kishin për detyrë të mbronin popullsinë civile të Dibrës së Poshtme, që ishte strehuar kryesisht në luginën e lumit Seta. Pas rënies së Sfetigradit (1448) dhe dorëzimit me tradhëti të Modricës (1456), Çidhna në vitin 1466, shërbente si kryekështjella e Dibrës. Siç e kam përmendur në studim, një pjesë e konsiderueshme e banorëve të masakruar kishin lidhje gjaku me Kryeheroin, sepse jemi në Çidhën, zotërimin më të hershëm të Kastriotëve. Natyrisht që përbindëshi, Mehmeti II, duhet të ketë festuar me kënaqësi të shfrenuar kur tradhtarët i kanë ofruar propozimin makabër. Mund të imagjinohet fare lehtë edhe ngazëllimi i tij shtazarak kur i ka prerë në Besë dhe ka dhënë urdhër për t’i masakruar të gjithë pa mëshirë, sepse bëhej fjalë pikërisht për të afërmit e armikut të tij më të tmerrshëm. Siç thua ti dhe pajtohem plotësisht: “Masakra e Çidhnës ndaj dibranëve-arbërve, duhet të gdhendet në trurin e çdo shqiptari dhe të trashëgohet brez pas brezi me qëllim për tju treguar pasardhësve se kush ishin turqit.” Po ashtu, jam i mendimit se në Çidhën duhet ndërtuar një “Monument sa më i madh përkujtimor”, ku çdo vit në fund të muajit gusht të vijnë për homazhe njerëz nga Dibra dhe nga të gjithë trojet shqiptare.
Të përshëndes!