back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Portreti me një sy! nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine - Lushnje 2008
Dine Dine – Lushnje 2008

Portreti me një sy!

nga Dine Dine

Është një rastësi e çuditshme që, sa herë na mungonin materiale në ndërtim, në fermë do të planifikoheshin o kanale kullues, o vaditës!! Meqë, siç e dimë të gjithë, në shoqërinë socialiste s’kishte të papunë, edhe ne të ndërtimit… të nesërmen, vazhdonim punën në fermë!!
Kisha një javë që gërmoja e sistemoja metrokube të tëra dheu për të përfunduar një kanal kullues, “vepër e Partisë” kur atë të shtunë fundjave, sapo hyra në sektor, pa mbrritur ende në shtëpi, më njoftojnë se më priste përgjegjsi dhe agronomi në zyrë!!! Ndoshta nga që ndjehesha i rraskapitur, u lumturova shumë, kur më thanë se duhej t’i rinovonim të gjitha parrullat në sektor dhe te stallat e lopëve… se mbas dy javësh do të vinte një ekip nga Komiteti Ekzekutiv për inspektim.
Kishin dërguar edhe ca fletë formati me nja 130 parulla të shtypura. “Sigurisht kur t’i mbaroj parrullat… edhe kanali do të ketë përfunduar! – mendova. Ky fakt më gëzonte më shumë se gjithçka tjetër. Meqë muret ku do shkruheshin parrullat si ato në sektor, edhe ato të stallave të lopëve, ishin laskaruar si t’i kish ngrënë qeni, u propozova si fillim që në gjithë sipërfaqet e mureve të bëja patinime në formë simetrike, që parrullat t’i shkruaja edhe me dorë të lirë, gjë që do të na shkurtonte mjaft kohë. Ata u panë në sy, dhe me një buzëqeshje të lehtë e disi dyshuese, sikur deshën të më thonin se “…po na hap shumë punë”, gjë që s’e kishim fort për zemër. Nuk i lashë ta shprehnin, po ju premtova se për dy ditë rresht do punoja pa orar dhe do t’i përfundoja në kohë rekord…
Duket se u bindën… sepse, mbasi u panë edhe një herë tjetër sy më sy, u pëlqeu ideja ime dhe zelli për të bërë sa më shumë punë, dhe të dy njëzëri u përgjigjen: “Jemi dakord, Dine. Kemi besim se do të bësh më të mirën, vazhdo punën!”.
Edhe pse të nesërmen qe e dielë, pra ditë pushimi, u zgjova herët, kërkova një qerre, e mbusha me nja tetë thasë çimento dhe u nisa për te stallat, pasi atje ishte edhe puna më e madhe. E përzieva çimenton me pak rërë, që mos të plaste, i futa edhe brumë gëlqereje (te stallat kishte me shumicë mbasi përdorej për lyerje dhe dizinfektim), në mënyrë që llaçi të mos më thahej shpejt, gjë që ma lehtësonte punën shumë. Që të isha i fjalës me përgjegjsin dhe agronomin, punova at ditë deri vonë dhe pothuaj i mbarova të gjitha patinimet. Pa perënduar dielli, kaluan të dy, dhe me sa vura re ishin mjaft të kënaqur, se më dhuruan një “Bravo, e të lumtë” në duet dhe u larguan të lumturuar.
Të nesërmen në drekë gjithçka ishte gati për të filluar. Thashë me vete, “Pasditen po e bëj pushim”, pastaj ndrrova mendje, se duhej të jepja përshtypjen se vërtet po bëja të pamundurën!! Të gjitha patinimeve u kalova tërthor me bojra të hapura, rozë, të verdhë, bojëqielli, etj,… që të nesërmen të filloja nga shkrimet. Në fakt, kjo ishte punë më e lehtë. Çdo patinim mund të më hante jo më shumë se dhjetë sekonda. Për ata të sektorit, që s’kishin asnjë lloj ideje për kësi punësh, u dukej diçka e sofistikuar, që veç piktorët dinë ta “kullandrisin”… shkurt për një javë e gjysëm, gjitha parrullat pothuaj kishin mbaruar. Diku me gërma të prera, (që m’i kish sjellë Lazri, vjehrri i ardhshëm, që kish punuar për mjaft kohe në sektorin e dizenjos), e diku me shkrim të lirë dore, sektori e në veçanti stallat e lopëve “morën një ndriçim të veçantë!”.
Gjitha parrullat që kish seleksionuar përgjegjsi me dorën e vet, ishin gati. Kryetari i Këshillit popullor Baki S. dhe kryeveterineri më gjetën përballë zyrave të stallave kur erdhën të më përgëzonin. Në anë të dy zyrave të tyre, dy patinime ishin ende të pashkruara. Njëra që dukej si një kornizë forografie nja 70×60 cm dhe tjera katërkëndshe ku mund të shkruhej një parrullë e gjatë. U kërkova mendimin e tyre, pasi kisha vendosur, në njerën të stampoja portretin e sh. Enver dhe në tjetrën të shkruaja parrullën: “Rroftë K.Q. I P.P.SH. me shokun Enver Hoxha në Krye”. E miratuan të dy me kënaqësi… U kërkova 5 minuta leje sa të  shkoja në shtëpi e të merrja portretin.
Megjithëse me dyshime e frikë, përsëri kisha bindjen se do të delte diçka e bukur dhe do pëlqehej nga të gjithë. Atë portret ma kish dhënë Lek Previzi, piktor i njohur, që thuhej se qe pëlqyer edhe nga vetë Udhëheqësi, mbasi në mes të qytetit të Lushnjes, qe ky portret i tij i punuar nga Leka. Atij i la përshtypje dhe u interesua veçanërisht. Kur i thanë emrin, ai i kënaqur tha: “Pikërisht për piktorë të tillë kemi nevoje ne!!”.
Kur ma pruri portretin Leka më tha: “Ky është  më i miri që kam, është bërë me prozeksion, por duhet të kesh kujdes kur ta stamposh, sepse këtu tek syri i majtë është grisur pak e duhet mbajtur me kujdes. As tani që po i hedh në letër këto rreshta, s’e kam idenë se ç’kuptim kishte ajo shprehja “është bërë me prozeksion!!”, po për mos t’u dukur i paditur në sy të Lekës, as që u interesova fare për kuptimin.
Sidoqofte, u ktheva me portretin në dorë, ku më prisnin kryeveterineri dhe brigadier Bakiu që mbulonte edhe detyrën e Kryetarit të Këshillit.
Të dy burrat, në të dy anët, kishin hipur secili nga një karrige dhe po ma mbanin me shumë kujdes portretin, ndërsa unë punoja. Si e mbaruam stampimin, e hoqëm me kujdes formatin… dhe gjëja e parë që bëmë u larguam pak dhe po e sodisnim. Vura re me kujdes se bash në syrin e majtë kishte atë difektin e vogël. “Shumë i vogël”, u përpoqa ta bind veten, pasi diçka e trishtë me goditi m’u në zemër. S’duhej të ishe piktor, që ta kuptoje se portretit i mungonte diçka. Pasi i falenderova të dy burrat, ua shpreha shqetësimin. Ata ngulën këmbë se portreti ishte i mrekullueshëm dhe s’më lejuan ta fshija. I shqetësuar sigurisht, vendosa ta le portretin në atë gjendje, pasi të dy burrat më dhanë fjalën, fjalë burri, siç më thanë: se ata do të ishin përgjegjës sikur dikush të ankohej… Më përgëzuan dhe, pasi më siguruan përfundimisht, më thanë të shkoj në shtëpi dhe të fle rehat se asgjë e keqe s’do të ndodhte. E hetova edhe një herë portretin nga të gjitha anët, s’spata  asnjë dyshim se diçka vërtet nuk shkonte. Bile më dukej sikur nga lartësia e murit po më kërcënonte me atë syrin që ia kisha skalitur si të vëngërt: “Hajt, hajt pa do ta shohësh…!!” – sikur më thoshte. Për një çast u bëra aq nervoz, sa i futa një të sharë “me rroc e me koc”, dhe më erdhi aq keq për veten, që na kish hyrë frika në palcë.
Sapo hyra në shtëpi nëna, mbasi i shpjegova gjithçka, më bëri një kafe të mirë për të më qetësuar.
Ishte ora 12 e natës… kur më trokiti dera disi me forcë. E hapa përgjumshëm… Ishte veterineri, me fytyrën e zbehtë, ndoshta nga pagjumësia mendova, ndërsa me sy të zgurdulluar më tha me të shpejtë: “Dine, merr furçe dhe bojë e shko fshije portretin e Të Madhit! Ta zhdukësh menjëherë pa e zgjatur, sepse s’i dihet. Të mos lesh asnjë gjurmë…! Operativi na ka bërë rezil si mua edhe Bakiun. Kemi mbi gjashtë orë në zyrë duke dhënë llogari tamam si të pandehur. Po t’i mos u mërzit fare. Ne i qëndruam besnik fjalës që të dhamë dhe kjo ishte edhe arsyeja që na torturoi aq gjatë… T’ia sh… nënën!
Por çfarë iu tha praktikisht? – e pyeta në nxitim e sipër. “Lëre mos më pyet, se jam bërë helm… Kur të qetësohet puna do të bisedojmë… Tani ik e fshije sa më parë, që të paktën mos të ketë dëshmitarë tjetër!” Dhe bëri një lëvizje me koke, sikur desh t’i thoshte operativit, që të mos mërzitej se në këtë botë lahen të gjitha…

Dine Dine, Ahmet Kolgjini dhe Sokol Mirakames shokëve te kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)
Dine Dine, Ahmet Kolgjini dhe Sokol Mirakames shokëve te kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)

Shkova dhe e fshiva portretin me boje zmalto të kuqe, pasi thahej shumë shpejt… Prita nja 10-15 minuta që të sigurohesha si ishte mpiksur si duhej që të shkruaja, një parrullë tjetër sipër. Ndërsa pija një cigare, herë i drejtoja sytë portretit që s’egzistonte më herë flisja me vete: “Ta fshiva surratin mor maskara! Të ishte nxirë si bythë fëltereje! Ashtu siç e ke edhe shpirtin, sterrë! Tani të vura përsipër edhe zmalto të kuqe. Të skuqa fare! Të bëra gjak! Ashtu siç ti ke qejf… se tërë jetën veç me gjak je ushqyer! Qen e bir qeni… maskara… i poshtër… ndyrësirë… gjakatar! Shyqyr që jemi të varfër e s’kemi as brekë në bythë! Edhe varfëria ka të mirat e veta se, ndryshe, po të ishim një çikë të pasur, që mos e dhëntë zoti, Partia do t’i kish blerë një aparat që ta fotografonte surratin tënd të shëmtuar me një sy, e operativi, ai përbindshi, do ta përdorte si dëshmi kurdo që t’i nevojitej. Kushedi sa do të të vrasë ndërgjegja që të shkoi huq! S’ka për të të zënë gjumi! Hajde po deshe nesër, që herët në mëngjes, që të hetosh diçka… Të siguroj se nuk do pikasësh asgjë, veçse njolla gjaku mbi surratin e tij të urryer. E lyeva me të kuq që i shëmbëllente  gjakut, që t’i kujtoja krimet. Shkruaje incidentin… dhe fute në ato dosjet e tua të fshehta e të pista, se me siguri dihet që do ta përdoresh ndonjëherë. Kështu e lehtëson edhe ndërgjegjen. Fle edhe më rehat…!!
Duke llomotitur me vete, që të shfryeja sadopak kish kaluar një orë. Pa e zgjatur nxora nga trasta gërmat e gatshme dhe stamposa vetëm tre prej tyre… me gërma të mëdha: PPSH, dhe u nisa për në shtëpi me shpresë të merrja një sy gjumë.
Në dy javët që pasuan, nuk qarkulloi asnjë thashethem. Unë, të them të drejtën rrija si ndër gjemba, në pritje se kur po t’i delte tymi!! Në të tretën javë më thërrasin të shkruaja qendrën e emulacionit tek stallat… Papritur shoh veterinerin të më buzëqeshë e të ma bëjë me dorë që t’i afrohem… Kish një fytyrë si të vrarë, bile nuk qeshte pothuaj kurrë. Dukej i ashpër si natyrë, aspak komunikues, po për çudi me ne “të deklasuarit” sillej disi më ndryshe, kishte një lloj respekti, që s’ishte e vështirë ta kuptoje. S’dinim pothuaj asgjë për të. Dinim vetëm që e kishin transferuar nga Rrapza, ku edhe jetonte me familjen, në Gjazë mbi dy vjet të shkuara. Flitej si nën zë se ishte edhe qejfli femrash…
U futa në zyrën e tij që të më jepte rezultatet e mjelseve për t’i vendosur në tabelën e emulacionit. Sapo u mbyll dera, menjëherë ndjeva aromën e rakisë, ndaj edhe m’u duk pak si në qejf.
Sapo u ula më tha: “Dëgjo Dine, tri herë i kam shpëtuar burgut. Jo burgut politik ore, po atij ordiner. Tri herë jam ngatërruar me njerëz, dhe të trija herët jam rrahur me ta. Tani, po të tregoj arsyet që më shtynë të rrihem… e di, do thuash se qenkam zënë për mustaqet e Çelos. Ashtu është, vërtet. Po herën e tretë  e rraha aq keq sa, të më besosh, s’do kishte gjykatës që të më nxirrte nga halli. Ai që më ka dalë gjithmonë krah, me tha troç: “Abedin, nuk kam ç’të bëj më! I ke kaluar të gjithë kufijtë. Edhe këtë rradhë ia hodhe paq me një transferim. Herë tjetër, po ta përsëris, gjej vrimë ku të futesh…! Ti s’mendon për gruan tënde dhe fëmijët, se në fakt janë ata që paguajnë, e si mund të mendosh për të tjerët që s’i ke gjë hiç!” Edhe këta të sërën time, kam ca që do desha t’i rrihja përditë me shuplaka, sepse më provokojnë or e çast maskarenjtë. Janë shumë shpirtligj, janë shpirtligj të lindur. Përditë i them vetes: Durim, durim, durim!! Gëlltis gjithçka, vetëm e vetëm për të mbijetuar, sepse kam familje. Fëmijët s’duan t’ia dijnë: Duan bukë, baba…
T’i thashë të gjitha këto, sepse atë ditë që na thirri operativi e humba durimin… Qeni i biri qenit, na provokonte për çdo minutë. Bëmë çmos ta bindnim se s’ishte faji yt, po as hante pyka. “A e kuptoni – na thoshte – se po mbroni një armik! Kaq naivë jeni treguar, sa duket se ai jua ka hedhur trutë e gomarit, aq sa të besoni se nuk e ka bërë me qëllim?!”
Shoku operativ, – i thashë një here si me të nxehur – jemi jo një po dy dëshmitarë, dy burra që pohojmë të njejtat gjera… Jo për t’i dalë zot atij “armikut”, siç thua ti, por për ta thënë të vërtetën ashtu siç ndodhi. Ai për pak sa nuk e shleu, por ishim unë dhe Bakiu s’e lamë… Ai portreti na u duk i shkëlqyer! Veçanërisht unë, – vazhdova me një ton paksa të vrazhdë – ngula këmbë si mushka, sepse ai portet i shokut Enver m’u duk i bukur, si mua edhe Bakiut… Bakiu veç pohonte me kokë.
“A e dini ju shokë se çdo të thotë ta nxjerrësh me një sy portretin e udhëheqësit më të madh të botës…?!” Edhe pse kishte pirë ca, Abedini duke kujtuar ato çaste aq të vështira për karakterin e tij, duket se i hipi tensioni, sa aty për aty u ngrit më këmbë e m’u drejtua me gisht: “Isha gati ta mbërtheja për mesi, ta ngrija përpjetë, e ta përplasja pas murit me sa fuqi kisha. Vetëm kështu nuk do t’i binte ndërmend të na provokonte edhe një herë të dytë, po ç’ti bëj… Hë më thuaj, fëmijët s’duan të dinë…
-Po sikur t’i fusja ca shuplaka surratit – shtova si me shaka – nuk do të ishte më mirë? Do t’i skuqeshin ato faqet e enjtura nga dhjami dhe pas nja dhjetë minutash do t’i vinte çehrja në vend, kështu që s’do t’i lije as shenjë.
-Ke të drejtë, – tha ai – por këto veprime bëhen kur je vetëm për vetëm e me askënd tjetër brenda, e jo nga një njeri si puna ime që është djegur disa herë… dhe jo ndaj një njeriu si ai, sepse është nga ata që e bëjnë qimen tra. Edhe pse të dy u treguam të kujdesshëm të mos binim prè e provokimeve të tij, ai përsëri bënte sikur mbante ca shënime që të na frikësonte. Ti s’e di se sa i poshtër është ai. Është prej atyre që hedh gurin e fsheh dorën. Kur të kemi ndonjë rast tjetër do të të tregoj diçka prej tij. Këtë rradhë, ndoshta e mbylli, se nuk pati aspak mbështetje nga ne të dy, por duhet ta dish, se atij aty i punon mendja përditë, ndoshta s’e zë as gjumi se i iku nga dora një zog i majmë…
U ndamë me Abedinin duke i premtuar njëri tjetrit se ç’folëm brenda zyrës nuk do delte jashtë saj, sepse siç vërejti edhe ai – gjë që edhe unë e dija shumë mirë – “Informatorët vigjëlonin kudo!”

Festim komunist
Festim komunist

Pa bërë akoma pesë hapa më thirri përsëri: “E di pse të ktheva – më tha me njëfarë dashamirësie – sepse jam i sigurt që nuk e njeh aq sa duhet… Natën, kur s’e zë gjumi, me siguri pse s’ka mundur të bëjë ndonjë të keqe gjatë ditës. I tillë është ai. Prandaj të thirra, që të mos biesh viktimë e provokimeve të tij të ndyra. Sepse ju, – ti e di më mirë se unë – jeni tabele qitjeje për ta. Kjo është  jeta e tij, dhe me këtë punë ai jeton mirë!! Sa më shumë të këqia të bëjë, aq më shumë do lavdërohet. “Je vigjilent, – do t’i thonë, – ke bërë punë të shkëlqyer, meriton edhe fletë lavdërimi…
Abedini me ofroj një cigare. Ishte aq i tensionuar sa kish harruar të tymoste. Ndërsa mua, gjatë kohës që bisedonim, më ngacmonte mendimi se isha treguar disi naiv, sidomos me ngacmonte ajo shprehja: “Sikur t’i fusja ca shuplaka surratit…!” Sikur t’i binte në vesh, s’do linte gurë pa luajtur, për t’u hakmarrë!
Në çast e largova më të keqen nga mendja. Po të qe shkruar që të bëhej hataja, le të bëhej. Po që edhe unë e njihja mirë operativin duhej t’ia tregoja veterinerit.
-Dëgjo Abedin – i thashë, – sa për dijeni: “Kushëriri im, Sazani një herë, duke luajtur futboll dëmtoi gjurin. Doktoresha në Ngurrëz e rekomandoi tek një specialist në Lushnje, sepse gjuri kish nisur t’i mblidhte ujë. Mezi e lëvizte këmbën. Shkon takon operativin, ja tregon edhe gjurin e enjtur e të nxirë. I kërkoi leje. Ai i hodhi një vështrim përçmues sikur desh ta hante me sy. Leje kërkon ti!?! Për çfarë? – Jam i sëmurë, shoku Kosta. – Se mos je vrarë duke bërë punën tonë! Për qejf je vrarë. Kush të detyroi të luaje? Ah, po të ishe vrarë duke bërë ndonjë heroizëm në punë, do të ishte më ndryshe… S’ka leje! Ti mund të thyesh edhe kokën duke dëfryer. Mos është problemi jonë?! S’ka leje!! dhe u ndanë në drejtime të kundërta… njëri duke lënguar, sa me zor mbrriti në shtëpi, dhe tjetri i lumtur që mundi të hakmerrej, sapo iu dha rasti…
Edhe unë vetë kam pasë një rast të ngjashëm. Pasi vendosi të më japë leje, nxorri një copë letër dhe shkroi: “I jepen 2 orë leje. Të shkojë e të kthehet! Të mos kalojë nga sheshi kryesor i qytetit, por të kalojë nga rruga e  postës dhe të paraqitet në Degën e P.B. sapo të mbrrijë. Të firmosë lejen e mjekut. Të paraqitet në Gjazë në orën aq e kaq…
-Shoku Kosta, – i them – po dy orë duhen të arrish nga Gjaza në Lushnje, pastaj ku i dihet sa zgjat vizita te mjeku. Është e pamundur! Pastaj kur të kthehem përsëri duhet të shkoj në Degë. Si i bëhet?! “As dua t’ia di!! Ky s’është problem im është yti! Po të pëlqeu shko, po s’të pëlqeu rri…!”
U bëra tym! I thashë: “Më mirë po kthehem në shtëpi…! dhe u nisa. Kur ai më thirri: Kthehu, kthehu! Ja po të jap edhe një orë tjetër…”.
I graha biçikletës me sa fuqi kisha. Kur mbrrita në Lushnje dhe po kaloja në rrugën e postës, për çudinë time, ai qe ulur te shkallët e postës përjashta… çuditërisht qe operativi. S’po u besoja syve. Në çast qëndrova, dhe po e shihja nëse ishte vërtet ai!!!
Ma bëri me shenjë që të vazhdoja.
Për fat, atë ditë mbarova punë shpejt. Pasi firmosa lejen, u nisa me shpresën që të mos vonohesha shumë. Kisha edhe gjysëm ore kohë. Tek nxitoja, pranë kthesës së Savrës, një si hije ma ngre dorën të ndaloja. Frenova menjëherë. Ç’të shoh!! Ishte përsëri Kosta! “Sa e ke orën?” – më pyet – Pesë pa njëzet i them. “Arrin dot për njëzet minuta?” – vazhdoi pyetjen – Do të bëj çmos! – i them. “Aaa, do të  bësh çmos eee?! Po nuk keni faj ju, fajin e kemi ne që ju japim leje. Shko, shko, dhe do ta shohësh lejen herë tjetër!
S’kaloi shumë, dhe dikush më solli një ftesë për dasëm në Gradishtë.
Martohej djali i një mikut tonë. Ndër të tjera, me shumë takt më shkruanin që po të kisha mundësi, të merrja edhe fizarmonikën me vete. Edhe pse e dija që s’do të më jepte leje, pa e zgjatë u nisa të takoj operativin. Ishte ulur mu pranë qendrës së emulacionit. Tashmë qe zakoni i tij, të ulej gjithmonë diku, që në çdo rast mos t’i shpëtonte asnjë lëvizje e “armikut të klasës”!!
Ia bëra kërkesën. Më hodhi një vështrim tërë ironi sikur të më thoshte: “Ti më duket se je çmendur!” Nuk di sa minuta ndenjti pa folur. Dikur u shpreh: “Domethënë ti na dashke leje për qejf!”  Jo – i thashë qetsisht – është thjesht një detyrim familjar. Po më dhatë leje, duhet të shkoj, po s’më dhatë asgjë…!! dhe bëra një lëvizje sikur e dija “Jo-në” e tij dhe isha gati të ikja. Kur ai m’u kthye: “Po të jap dy orë leje. Të shkosh dhe të kthehesh…”
-Shoku Kosta, – i thashë jo pa mllef – për dy orë edhe sikur të fluturoj s’kthehem dot. Pastaj, të them të drejtën, nuk kam ndonjë dëshirë të madhe që të shkoj patjetër. Ta thashë që në fillim. Është thjesht një detyrim moral. Na kanë ardhur për çdo rast, dhe duhet t’ua kthej vizitën sipas zakonit. Në këtë rast më duhet t’iu them të gjithëve, se operativi, s’më dha leje dhe jam i justifikuar. S’ka pse të më vrasë ndergjegja…
Si duket shprehjen “…do t’iu them të gjithëve…” nuk e dëshironte. Duke tundur kokën m’u kthye përsëri: “Ti je hëm qeros, hëm fodull. Po të lejoj të shkosh sonte e të kthehesh sonte, se helbete si ahengxhi, u duhesh që t’i dëfresh pak miqtë!” – fjalë që i shqiptoi me një ironi që dukej sheshit…
-E di, shoku Kosta, – i thashë me një vendosmëri të shtirur, – të them të drejtën më  iku gjithë dëshira për të shkuar… E lemë fare, dhe bëra të ikja. Pa bërë pesë hapa më tha: “Ik tani, dhe të kthehesh nesër në pesë të mëngjesit… Po të pëlqeu… po s’të pëlqeu, asgjë!”.
Pa e zgjatur, dhe pa e falenderuar, mora letrën dhe u nisa… për t’u kthyer të nesërmen në pesë të mëngjesit… edhe pse ishte e djelë…edhe pse ai me siguri s’do të vinte.
Kosta S., ishte ndoshta i vetmi operativ, që shpesh i tejkalonte kompetencat e veta…

Gjithmonë kam menduar se disa ngjarje, sidomos ajo e portretit me një sy të diktatorit Hoxha, janë diku në dosjet e fshehta të Sigurimit të Shtetit…

Abedin, e di që të mërzita. Ndoshta nuk është gjë me mend që gjeta rastin të shfrej në praninë tëndë, por, po qe se dëshiron po të tregoj edhe një episod tjetër, të këtij operativi. Është i paprecedent! Ai më bëri shenjë me gjithë qejf do më dëgjonte dhe pasi ndezëm edhe nga një cigare, unë vazhdova.
Kjo histori ka ndodhur në Savër, shumë vite më parë.
Fran Tinaj ishte një malësor diku thellë nga Vermoshi. Kish rrëmbyer një malazeze dhe kishte tre djem, në mos gaboj edhe nji vajzë të vogël. Ishte, jo ndoshta, po i vetmi i internuar që guxonte të bënte humor me operativin. I prirur për t’u përplasë me ta… Shpesh vinte edhe me vonesë në apel.
Po të tregoj nja 2-3 raste: E pyet operativi: “Përse u vonove, ti Fran?” – Pasha Zotin mor burrë, pata nji mik në shpi e s’mujta me e lanë vetëm! – “E kush na qenka ky mik, pa na e thuaj Fran, ta dimë të gjithë!” -Pasha zotin mor burrë, pata mysafir Nikoll Mërrnaçajn!
Nikoll Mërrnaçaj ishte nji tjetër i persekutuar, nga zona e Franit po që i kishin shtëpitë afër dhe rrinin gjithë kohës bashkë…
Një herë tjetër në sheshin ku bëhej apeli Frani sheh një gomar nga të karbunarasve, hyp sipër dhe po afrohet… Kur iu thirr emri, Frani iu përgjigj nga maja e gomarit! Natyrisht, vetëm ai mund ta bënte një gjë të tillë… Veç operativi e dinte, se si mund t’i gëlltiste këto gjëra.
Te qoshja ku bëhej apeli, ishte edhe furra e bukës. Aty, kohët e fundit, kishin strehuar një grup ahengxhinjsh, gabelë. Bash në kohën kur po bëhej apeli, disi i ndrojtur, nji arixhi gjithë përultësi po priste të mbaronte apeli. Franit që s’i rrihej pa u gërricë, i drejtohet ahengxhiut gjoja sikur po e respektonte: “Hajt, kalo jevk, kalo, kalo jevko se kena respekt për ty… hajt jevk… kalo. Ma bafsh gjumin e amël jevkooo…!!!
Ndërsa të gjithë qeshnin, shihnin edhe kokën e operativ Kostës, që tundej kërcënueshëm sikur do të thoshte: “Hajt se rregulloj unë ty… po të mbushet kupa…!”
Po rasti fatal u paraqit një herë tjetër. Atë ditë, dy vetë nuk ishin paraqitur në apel. Fisnik S. nga Kukësi edhe Frani. Opertaiv Kosta po priste para klubit, që ishte vendi i tij i preferuar, ku edhe vëzhgonte… po edhe pinte ndonjë gotë qyl. Sa u afrua Fisniku, Kosta po ia bërë dysh, i këput një shqelm në kockën e gjurit dhe i jep një të shtyrë të fortë… Fisniku, edhe pse trup sportiv rrëzohet përtokë. Frani që ishte pak më mbrapa e pa gjithë skenën ndërsa afrohej i qetë. Kapiten Kosta po i afrohej gjithë tërbim… por Frani ia preu hovin. “Ndalu kapiteno, – iu kërcënua – e mos të rrejë mendja se më prekë me dorë, nuk jam Fisniku unë! Pasha njat Zot, bahet nami! O unë, o ti gjallë n’kët fushë! Mos guxo ta hedhish edhe nji hap ma shumë… Kaq di unë!
Kosta iu hakërrye dhe u kthye me bisht ndër shalë. Hyri në klub të hidhte ndonjë gotë raki, e ta mblidhte veten, por Franit s’do t’ia harronte kurrë. Frani si guximtar që ishte, shkoi në Degë… e tregoi kërcënimin e Kapiten Kostës dhe e mbylli bisedën me fjalinë që iu bë edhe rrënimi i jetës së tij. “Nëse Kosta S. nuk ju kthehet në Degë, dijeni se e kam heq qafe…!” Kaq u desh… U mobilizua gjithë shteti, shkuan deri në Vermosh, gjetën e shpikën dëshmitarë dhe më së fundi e dënuan me 22 vjet burg… që i bëri ditë e më ditë…

Fran Tinaj mes djemve të kampit Savër -1989
Fran Tinaj mbas 22 viteve burg

(Kur mbas dhjetë vjetësh e takova Franin në Spaç, nuk më njohu… e kishte humbë krejt. Tek pinim kafe herë mbas here, një ditë më thotë: “Fort burrë i poshtër paska kenë ai njeri. Mirë mu, po me katër fëmijtë e mi e gruan ç’pati, i poshtri!”)

-E di që të mërzita e të tregova, jam gati të bëj edhe një séancë  tjetër… – i thashë si me shaka.
“Këto që më tregove besoj se janë të mjaftueshme që t’i marr me mend të tjerat… – tha me njëfarë trishtimi – Janë mjaft, bile tepër. Sidomos kjo e fundit!”
U ndamë me Abedinin duke i premtuar njeri tjetrit edhe një herë se për çka biseduam duhet ta qepnim… Kur hapi derën, ai vuri dy gishtat mbi buzë, e duke buzëqeshur më tha: “Ja unë e kyça dhe çelsin po ta jap ty!”.
Duke përsëritur edhe unë të njëjtin xhest u ndamë, duke e bërë mik atë njeri që në fakt e njihja fare pak, ose aspak. Sidoqë të ndodhte nuk do të çuditesha. Pas ndarjes nuk e vrava më mendjen. Ne tashmë, i kishim hypur atij kali.
Mars 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.