back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Porta e Lartë s’ka fare gisht në Lidhjen Shqiptare – nga Sami Frashëri – (pjesë nga artikujt në gazetën Terxhuman-i Shark)

Gazeta

Sami Frashëri (1850-1904)
Sami Frashëri (1850-1904)

Porta e Lartë s’ka fare gisht në Lidhjen Shqiptare

nga Sami Frashëri

(pjesë nga artikujt në gazetën Terxhuman-i Shark)

“Në një telegram që i është dërguar nga Beogradi gazetës “Tajms”, pretendohet se Porta e Lartë është duke nxitur shqiptarët që të ngrihen kundër fqinjëve të tyre dhe atyre po u shpërndan armë e municione.
Mirëpo, Porta e Lartë nuk ka fare gisht në Lidhjen Shqiptare, bile është informuar shumë vonë për ekzistimin e kësaj Lidhjeje. Lidhja Shqiptare mbështetet në opinionin publik [shqiptar] dhe në qëllimin e lartë patriotik, që të mos lejojë të bien në duar të të tjerëve ato toka që janë pjesë [përbërëse] e Shqipërisë dhe që banohen nga shqiptarë. Prandaj, Porta e Lartë nuk mund t’i ndalojë asnjëherë këta [shqiptarë] që të marrin pjesë në këtë Lidhje… (Terxhuman-i Shark, viti I, nr. 107, 2 (14) gusht 1878, f. 2.)

“Grekët nuk e dinë çdo të thotë liri kombëtare dhe fetare. Ata mendojnë se pos greqizmit nuk ka kombësi tjetër dhe pos ortodoksizmit nuk ka besim tjetër. Dhe ata që nuk i përkasin kombit e besimit të tyre, nuk i numërojnë njerëz…” (Terxhuman-i Shark, Viti I, 98, 24 korrik (5 gusht) 1878, 2.)

Kufijtë e tokave Shqiptare me Serbinë dhe Malin e Zi
“Lajmi se Malit të Zi do t’i jepen toka nga veriu e nga verilindja dhe se nuk do t’i jepet Podgorica…” (pjesë)

“Por më i rëndësishmi nga lajmet e fundit që janë kumtuar me telegrame, është njoftimi se përfaqësuesit e Serbisë kanë mbetur të kënaqur nga përgjigja që kanë marrë nga Kongresi. Ne e dimë se çfarë pretendojnë serbët. Për t’i bërë ata që të kënaqen, duhet t’u jepen të gjitha ato që kërkojnë, ose edhe më shumë. A thua ka marrë vendim njëherë e mirë Kongresi lidhur me një gjë të tillë? A i ka dhënë fund kësaj pune? Serbia, përveç pavarësisë, kërkon edhe vendin që i thonë “Serbi e Vjetër”. Mirëpo, pjesa më e madhe e Serbisë së Vjetër”, domethënë anët perëndimore e jugore, janë Shqipëri, dhe sllavët këtu përbëjnë pakicën. Malet e Kurshumlisë që shtrihen deri në kufi, janë të banuara vetëm me shqiptarë myslimanë. Këta shqiptarë kanë hyrë që të gjithë në Lidhjen që përfshin mbarë Shqipërinë. Prandaj këto vise Serbia nuk mund t’i marrë vetëm me vendim të Kongresit. Edhe në qoftë se ajo do të arrinte t’i merrte, mendojmë se do të ishte e detyruar t’i merrte vetëm me luftë.
Lajmi se Malit të Zi do t’i jepen toka nga veriu e nga verilindja dhe se nuk do t’i jepet Podgorica, që ndodhet në anën jugore dhe disa vise të tjera që janë pika kyç, sado që është një lajm që do të pëlqehet, (megjithatë) dorëzimi i Tivarit e vë Shkodrën përballë rrezikut.” (Terxhuman-i Shark, viti I, 87, 23. 6. (5. 7.) 1878, f. I.)

Sami Frashëri (1850-1904)
Sami Frashëri (1850-1904)

Midis krerëve shqiptarë në Kuvendin në Prizren [1878] ka edhe të krishterë bile edhe nga Mirdita
[Gazeta] “Courrier d’Orient”, këtë Kuvend që u mblodh nga besnikëria dhe dashuria për atdheun, po e paraqet si një mbledhje që mbështetet në fanatizmin fetar. Që miqve të saj bullgarë dhe mbrojtësve të tyre t’u bëjë një shërbim të paharrueshëm, njofton se krerët shqiptarë kanë ndërmend të kundërshtojnë vendimin e Kongresit, i cili do t’u jepte liri e barazi të krishterëve.
Sikur ta kishte ditur “Courrier d’Orient” se midis krerëve shqiptarë që janë mbledhur e po mbajnë Kuvendin në Prizren, ka edhe të krishterë, bile edhe nga Mirëdita kanë shkuar përfaqësues, sigurisht në gazetën e vet nuk do të kishte botuar këto shpifje të vrazhda, të cilat i ka shkruar e dërguar një fanatik bullgar…” Terxhuman-i Shark, viti I, nr. 81, 17 (29) qershor 1878, f. 3.
Përktheu. A. Hamiti

Marre nga muri i fb i Agim Morinës

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.