back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Polemika e famshme midis Mit’hat Aranitit e Mati Logorecit (1934)

Gazeta

Mit'hat Araniti 1938
Mit’hat Araniti 1938

Medet hallit! Rrem Vogli pri Rashbulle (1934)

Po botojmë nji letër të hapët q’i drejton prof. Mati Logorecit, nji katunar nga Rrashbulla dhe e botojmë me të gjitha ato qi quajmë neve defekte orthografie. Çështjen e ka shtruar fare bukur ky katunar spiritoz dhe besojmë se këndonjësit që janë pak a shumë familjarë me dialektin e Tiranës do t’a këndojnë duke qeshur dhe duke menduar seriozisht mbi problemin që prek me ironi thumbonjëse ky djal i panjohur i popullit.
Shpresojmë që i admirueshmi prof. Logoreci do të marrë mundimin t’i përgjigjet në ndonjë mënyrë këtij zëri të pashkolluem që del nga mesi i popullit, gjuhën e të cilit z. Profesori shpesh herë e kemi dëgjuar ta thotë e adhuron pa masë.

Më fal, zoti M.L, se po të bezdis. Zoti ta ruajtë zabitnamèn, kom ardhë me t’bo i lutje. Ù ta morish vesh zotnija jote, jom i katunar pri Rrashbulle ene kom ra m’hall. Po zotnija jote t’ma bojsh hallall se ù nuk di ne me fol mirë si tina, po dù me t’thon kom bo çmos qi t’merrmi vesh. Ù o vlla, kur kom qen i vogël m’çoj tata n’mejtept, ne shkova për katër kylasa rresht, ne masanaj nuk shkova mò. Zotnija jote le për t’pyt pse! A mò ajo o puna jeme, ne s’boj tenezul me ia thonë kujt. Effenem si qem t’u thon shkova n’mejtept ne mesanaj nuk shkova mò. N’katun tem kur jom kthy, gjith shokët mar fillun me m’thon efeni, pse me ishe bò, si thu zotnia jote, i shkolluem ne dijsha me knu. Ene u mò, masi dijshe me knu, nishti vonë fillova me ble gazetën “Illyria”. Mir, ke për t’thon zotnia jote, po’ me mu çke? Nelò me pra i her, avash avash. Effenem, fillova me knu, ne… veselom! Artikt e t’rive s’un mujshe me i knù. Pse si t’thosh mò par, u nuk jom i gjezdis ne disa fjal t’mdhoja ktu m’Rrashbull nuk i përdorna, dù me thon nuk na bojnë lazëm. Kur vite puna aty, shkojshe ke i shoq i jem qi kish qen m’shkoll m’Itale ne m’kallzojte. Ato qi ishin shqip i knojshe vet ne, effenem, m’pëlqej fort, a mò, sa me thon kundraxhiu i Vlonës, qi pat shkrue i artik: “Shkruni shqip or zotni!”
Ene mo thash, demede nishti nuk kon për t’shkrujt gjith ato fjal t’huja qi s’po merret vesh gjo!
Zotnija jote nishti ke për t’pyt se ku e kòm hallin qi po t’bi m’qaf. Or zotni, me ta thon shkurt, un sun mora vesh gjo n’artikun tat qi kishe shkru m’Ylliria “Makresë Shije”. Me thon pra, fjal t’huja s’kishte shum. Po mu për zotin, po t’boj bè, m’ra taboni i kresë kur po e kënojshe. Këno e këno e sa mò fell shkojshe, mò pak merrshe vesh. Kur mrrina ke funi, mu turbullu menja kresë fare, mu bo bozë.
A mo, thash me vete, nishti boni mukajet menjes e vixhutit, ne shkova ke Sula. E gjeç tamom me gazet m’dor.  “Ço kjo pun kshu mer vlla – i thosh – ù s’un jom tu mor vesh gjò ktu, knoje i her tina, se ke qen m’Itale, ne je i shkollum. Sula m’tha se ne ai kishte mor vesh pak fort. Po funi i funit m’dha kuptimin. Ene m’tha se, s’maj men mir për Zotin, m’tha demede t’pëlqeka bukuria; ene kte e maj mir, i paske bò rezil t’rijt qi s’dijn me shkru, ene u paske thon: m’shifni mu si di me bo fjal t’reja, qi t’ka lezet shpirti, si me thon fjala “art” rrjedh, pardom, riedhton, pri fjalës hartim. Ene kjo m’pëlqej fort, se dù me thon, ene ù, kòm bò art kur kòm qen n’mejtep, pse kom bò hartim me z.Beqiri, ene si the zotnija jote qi art riedhton prej hartimit, ene kom bo pra ne art ne jom hartist, pardon, hartimist mò i mòdh, bile se artisti qi lun m’tajatrat n’kinamatagraf (ma ka msu Sula), Çarloti, po fjalt e qera tujat sun i mora vesh… Qesh tu t’rrejt për zotin, m’ka pëlqy ne fjala qetër, du me thon fjala huq. Allah bir s’ka fjal mo t’bukur. Pse s’i bohet huq ene tu lujt xingash, disa her bohet huq ene tu shkrujtë disa artika…
Po me gjith qefin e ktyne fjalve t’bukra menova: “Taksirat i mòdh, si me na bò hallin fjalve qera. Njyr nishti na ishte bo menja dhallë me fjalt e huja qi shkrujshin t’rijt, nishti n’u bo mo keq, se s’po morim vesh ene fjalt shqip.
Thosh demede, masi, bò dobare t’gjitha, ne kshu s’kishim me pas lazëm për fjal t’huja filazafike, stori elektuale, ene vallahi s’di si u thon qerave.. Se për sa ma merr kaptina mu, për zotin, ò kot me ra m’shkërbardesi e me qen menaeshter magnore e me trillu sa t’dush, kur mo n’fun t’boj lazëm ene zotnisë sate fjalt e huja ne t’bastardume; se zotnija jote knej i shan t’rijt pse shkrujn fjal t’huja, knej maton i shkru vetë e nuk i kshillo se cilat fjal t’huja duhet t’i shkrujn, ne cilat jo.
Medet halli!
Me shkru fjal t’huja s’i merr vesh poplli. Me trillu fjal t’reja shqipe, s’un i merr vesh as poplli as elektuali. Si i bohet halli?
Nishti mo, o trilloni i gjuh krejt t’re, ne na po shkojmë të gjithë prap m’shkoll, ose msoni ju gjuhën tonë, qi jina mo shum, ene jina poplli, e shkruni si flasim nò, qi t’mirrna vesh se për zotin, po vazhdoj kshtu si è kini zon, po ja fus ene u m’tym ne po trilloj i libër me fjal t’reja, qi rritet lomshi e t’bohet mol!
Illyria, 16, 24 qershor 1934.

Mati Logoreci (1867-1941)
Mati Logoreci (1867-1941)

Çashtje gjuhe… Mati Logoreci (1934)

Përgjigje zotit Rrem Vogli

I dashtun rrashbullas shtirak katundar i kërlinjtë!
Nuk di se për çka të përgjigjem për sa ankoni për artikujt të mi e veçanërisht mbi at të titulluem “Makresë shijeje”. Nuk asht faji em qi s’po dije me tu përgjigjun, asht yti, pse nuk je kujdesue kurr për gjuhë, për zhvillim e bukuri të saj; jo vetëm ti, jo sall ti, por përgjithësisht krejt shokët e tu. Jam ma se i harrët se ti do të kishe pëlqye ma mirë me të pasë thirrë rrashbullas finto e katundar falso, me fjalë të hueja, jo me ato të bukura e të pastra të shqypes, për të cilat ti me shokë të tu as e çan kryet aspak.
Lexom e kullom se ç’due me të tregue për at artikull: “Makresë shijeje”; qi ty e shumkujt ua ka turbullue menden. Mbas pak ditësh qi u botue, u ndesha me nji zotni me shkollë të lartë e qi për ma tepër na lavdërohet se e shtjerrton e e studjon gjuhën amtare e qi ktu ndër ne nxen nji vend të naltë në matarim të shtetit. E mirë, më ndali në rrugë për të më kërkuemun se ç’dote me thanë ajo fjala makresë; edhe vetë ia zhvillova e ia shpalosa, tue iu përgjegju se me makrue, d.mth. Me qelbun, me prishun, me çartun,, me pugamun, me flliqun e me ndymun. Mbas ksi zhvillimi ra në kujtim; filloi me u mendue e muer me e lodhun mennden e “po, po” m’u përgjigj, edhe atje ndër ne (në Lunxhëri të Gjirokastrës) makër i thomi atij jargu që baktis i varet përmbrapa para se me e zdolqun, para se me pjellun…”
Atbotë vetë gjithë i gëzueshem ia prita: “E si pra, Zotnija juej mos me u kujtuemun, ju qi interesoheni për gjuhë amtare se ç’don me thanë makresë? A s’ju ka vojyun mendja se prej emnit makër ka mundun me rrjedhun verbi me makrue, e prej ksi emni, makresë, sikurse prej verbit me ndigjue ndigjesë? Ungji kryet e me knaqë tème m’a ktheu. “Paskeni arsye!”
Tani, lum Rrashbullasi i shtrum e lum katundari i kërlinjtë (mò’ Zot finto e falso) ç’faj kam vetë që ti e shoket e tu nuk i dinë këto fjalë të gjuhës amtare!? T’a kishem titullue artikullin me fjalë të huej depravacion shijeje, ti nuk do të kishe ba zà, nuk do të kishe ndie kurrnji qepim të vrazhdë në veshë të tu, pse ty e shum kujt ju asht makrue shija e bukuris, ju asht makrue ndiesimi i esthetis; flitni e shkrueni për harte (mo’Zot, art, qi nuk don me thàn asgja) e nuk kujtoheni se juve ju asht topitun e për ma tepër makrue ndiesit e zemrës.
E ktù, po ‘paraqitet rasa për me folë mà ràndë; neve na asht makrue për ma zi edhe ideja e vështrimi i së mirës, moralit, pa të cilin s’mund të qindrojë kurrnji popull. Në këto dit asht botue në Korçë, nji roman, “Fatbardhi”, e shitet gjithkund lirisht në shtet tonë? Në kët roman përmnblidhet flligshtija ma e qelbun e mà e grymët, që nji gojë e pugamè mund të shtyptojë, e askush deri më sot nuk ka çelun gojën kundra ksi shkandulli të pashëmbëllt! E ky roman sot kapërcen lirisht më dorë të rijvet e të rejavet!
Tani të bredhim të makresa e shijes: të kisha përdorë fjalë të hueja, ti nuk do kish bzàmun, por do kishe ngarendë vrik ke miku yt, ke Suloja, e t’i kishe zhvillue bukur mirë e do t’i kishe knaqë pa të vojtun aspak mendja, se na me kso fjalësh t’hueja vend e pa vend, mbehì e pa mbehì, jemi tue e bastardhue gjuhën amtare. Po djalosh, po të thrras djalosh, qyshse lexon Illyrin, shultinoren e të rivet, pse pleqtë nuk e shikojnë me sy; po pra, me bastardhue, me trillue, me hartue, etj., etj, nuk janë neologjizma, sikur beson ti, po fjalë të popullit, i përdor Shkodra.
Gabova qi përmenda Shkodrën! Po pse kam dròe mos t’jesh edhe ti i pagamun e i parmun nga ajo smune e zezë qi unë dikur e kam pas thirrë me nji neologjizëm trevmeni për regionalizëm si thohet italisht e qi ty Suloja ka me ta zvillue. Po mjerisht, kjo smune ka marrë hapët e sidomos kundra Shkodret. Për me ta mbushun menden dëgjo se ç’po të tregoj. Po fltsha dikur me nji zotni bukur të shkolluem e të kulturuem t’anës së Jugut përmbi gjuhë të Shkodrës, e po kraheshem me i kalzue e i kalzatue se ay qytet me hajtha të veta ka ruejtun shum elemente sidomos morfologore pa i prishun. A e beson se ç’mu përgjegj? Po, ajo gjuhë priftërinjsh!”, tue i shqiptue këto fjalë e me të përbuzun e me neveri. Nji tjetër; nji shkrimtar i fortë i gjuhës amtare ishte shtrëngue me deomos të përdori verbin me hartue, si e thotë vetëm Shkodra. E mirë, nga smuna e trevmenisë e shtrëmnou, e sendërgjou verbin me hartisë, qi nuk e thotë askush në Shqypni! Kta ma çon menden ke ajo fjalë e vjetër që flitet gjerthi në Shqypni, sikur me dashtë të na shfaqi natyrën e keqe, pse fjalët e vjetra janë plot filozofi, e zbullojnë natyrën e shpirtin e popullit qi flet.
Për inat të s’eme re – Shtifsha t’em bir n’dhe!
A doni të tjera plergesa të ksajë trevmenie? Të gjithë ju shkrimtarët e ri shkrueni rast me gjith se e dini qi nuk asht shqip, por arabisht, e trajtën e pistër shqip rase nuk doni me e dijtë, asht fjalë Shkodre!
E pra s’ka fjalë ma e bukur e rregullisht trajtue prej vetë popullit. Italisht, për kët fjalë kemi caso, qi rrjedhton nga verbi cadere, gjermanisht fall, nga verbi fallen, kështu edhe shqip nga verbi me ra ka dalë emni rasë, sikur pre verbit me vra ka rrjedhtue emni vrasë-a, etj.etje.
Prej se nuk e due fjalën rast, mos të besoj kush se jam antisemit, apo nji anti-tjetër; jo, pse, unë fjalën arabishte kòm e kam pranue e ja ruej trajtën grafore sikurse shifet e sikur e shqypton krejt Shqypnija, prej Shkumbinit e deri në viset ma veriake të Shqypnisë ethnore, e nuk e përçundnoj, si disa të tjerë komb.
Shqypnija gjendet në anën mà të randësishme të Ballkanis, e në shteg marrdhanesh me popuj të tjerë shumë ma të fortë për numër e për kulturë, e pra me frygë të madhe për në mos dalçim të shkombtarizohemi, e për t’i vumun nji pritë të fortë këtij rreziku, na duhet të marrim për shembull, fanatizmin e Gjermanisë së Hitjerit për skotë e na për gjuhë pse ndryshej, po të vijojshim si ia kemi fillue, tue përdorun vend e pa vend, rasë e pa rasë fjalë të hueja, dikur kemi për të sajue, nji gjuhë tjetër neolatine, e atbotë lamtumirë kmbsi shqiptare. Mos t’jemi makrue ndoshta aq sa mos me ndie dashtuni për kom e atdhe?
Ndër kto dit shtypi italian ka qitë kushtrimin se kantoni i Zvicrës, Ticini, me popullsi të pistër italiane po gjermanizohet për shkaqe ekonomore, pse ay kanton ka tokë të dobta, e nuk mundet me i ushqye banorët e vet, qi po shtrëngohen me u andejtue vendit të vet  eme marrë rrugat e mërgimit për të jetue, e po shesin pasunitë e patundshme, që po ia blejnë Gjermanët, ma të fortë me mjete kultutre dhe me mjete punësimi. Mirë se Ticinasit e mjerë po hikun prej vendesh të veta prej ujè, po nà? Na do t’humbim prej se nuk e duem gjuhën e jonë, gjuhën që asht pragu ma i parë i komsisë, do me thanë se edhe dashtunija për komb e për atdhè na qenka makrue.
E tashti ti, o Rashbullas spjekarak e katundar i kërlinjtë, ti qi s’mi kupton fjalët e pistra të gjuhës shqype, çka do të më thuejsh? A të kam faj vetë? Po si me e shpalue kët çashtje kaq të ndërlikueme? Edh ti ke arsye me shitë, e nuk mundem të kallzoj rrugë tjetër, veçse lutju Z, K. Gurakuqi, qi të esi sa ma shumë fjalë të rralla, në rubrikën e fjaluerit, ose ma mirë siellju Ministrisë s’Arsimit, qi të kujdesohet për pëpilim të njaj fjalori, së paku të njaj fjalori të vogël, sa për skaje ma të rralla, qi me pak mund e kohë kishte për tu përpilue, sa për mbehi e shkollave të mesme.
Tashti edhe nja dy fjalë, drejtpërsëdrejti; lum Rremë Vogli, shporru kërlijsish e se tallmesh ndër ata, qi përpiqen për lulëzimi e blerim të gjuhës amtare dhe për në qoftë se gabojnë e marrin në thue…
Mati Logoreci
Illyria nr.17; 15 korrik 1934

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Pas shumë vjetësh, vjet pata rastin të kthehem në Shqipëri. Nuk do ndalem në fjalorin e huazuar të të ashtuquajturve gazetarë në të gjitha mediat, që për të dëgjuar lajmet në të gjitha kanalet TV m’u desh të përdor fjalor shqip – shumë gjuhë të botës… Ajo që më habiti ishte se asnjë person, si nëpër zyra e dikastere po edhe nëpër dyqane të ndryshme, kishin harruar fjalët “mirëmëngjes”, “mirëmbrëma”, “mirëdita” etj., dhe i kishin zëvëndesuar me një fjalë të vetme: “përshëndetje!”. Në fillim mendova se ndoshta ata më njihnin dhe unë për shkak të kohës së gjatë të shkëputjes nuk arrija t’i kujtoja fytyrat e tyre… Fatkeqsisht dyshimi im ishte me vend, sepse më në fund vendosa dhe e pyeta dikë: A njihemi? – i them – Jo më përgjigjet. Po atëhere pse më thua “përshëndetje” sikur të njihemi prej vitesh?
    – Për respekt, – me thotë – Atëhere, – i them – Mirëmëgjes zotëri, a nuk do të ishte më mirë?!?

  2. Polemika midis Mit’hat Aranitit (alias Rrem Vogli) dhe Mati Logorecit, asht ndër ma të famshmet polemika intelektuale, ku krahas dy dialekteve (të Shqipnisë se Mesme) të përfaqsuem nga katunari Rrem Vogli, dhe gegnishtes përfaqsue nga intelektuali Mati Logoreci, asht polemika e dy gjeneratave, e dy mendsive në përdorimin e fjalëve të hueja apo atynë lokale, e dy stileve të humorit, e dy përfaquesve: Jugut dhe Veriut… Nji polemikë shembullore, ku secili prej autorve përpiqet në mënyrën e vet ma dinjitoze dhe të edukueme me e tërheqë të drejtën nga vetja… Mos të harrojmë se asht fjala për nji polemikë që i përket vitit 1934, pra, mendojeni sot e gjithë ditën, nuk gjindet nji polemikë e këtij niveli dhe e ksaj cilësie në kulturën dhe letrat shqipe…!!! e në veçanti për çeshtje gjuhësie, aq të domosdoshme për kohën e sotme, kur pjesa ma e madhe e shqiptarëve, shpërnda gjithkah, kanë para duerve gjithsesi o nji ekran celulari, o ma s’pakut nji kompiuter…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.