back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Poezia e kultivuar në trojet e Ilirëve – nga Moikom Zeqo

Gazeta

Librat e Lashtësisë
Librat e Lashtësisë

Poezia e kultivuar në trojet e Ilirëve

nga Moikom Zeqo

Herodoti thekson se pellazgët, të cilët ishin parahelenikë e kishin një gjuhë “barbare”, nderonin tempullin e Zeusit pellazgjik në Dodonë. Homeri te eposi i “Iliadës” (kënga XVI, vargjet 234-235) këndon pikërisht për Zeusin e Dodonës pellazgjike. Dihet se orakujt në Dodonë shqiptoheshin në formë poetike, në vargje. Gjuha patjetër ka qenë e lidhur me ilirishten, por kjo trashëgimi e stërmotshme poetike e orakujve dodonas nuk është ruajtur.
Siç shprehet arkeologu S. Dekaris, që ka studiuar Dodonën, “rituali në orakullin e Dodonës nuk ka asnjë paralele me ritualin e religjionit grek”. Kjo tregon një veçanësi dhe origjinalitet të karakterit etnik e kulturor.
Dijetari i shekullit II të erës sonë, Pauzania, dëshmon për një epigramë prej tri vargjesh kushtuar Kleostenit nga Epidamni ilir, i cili ishte shpallur kampion olimpik në Olimpiadën e 66 (viti 516 para erës sonë), për një mbishkrim prej katër vargjesh në një monument të bërë nga banorët e Apollonisë së Ilirisë (monumenti qe vendosur në Olimp të Greqisë) të shekullit V para erës sonë, si dhe për dy mbishkrime të tjera poetike që lidhen me emrin e Pirros së Epirit (318-272 para erës sonë).
Poezia tek ilirët e vjetër natyrisht ka qenë me karakter ritual, në funksion të ritit pagan. Dijetari anglez N. G. L. Hamond, duke studiuar poemat homerike dhe ritin ilir të varrimit, kërkon të shpjegojë origjinën e epikës së lashtë. Hamondi vë në dukje se “varrimi me tuma ka qenë i përbashkët si për pre-ilirët dhe për pre-grekët.
Do të vemë në dukje këtu një pikë interesante. Varrimi me tuma ka pushuar në Greqinë mikene, madje dhe në Kalafoni përpara vitit 1400 para erës sonë. Megjithatë, kur Akili nderon Patroklin në “Iliadë”, ai përdor metodën e varrimit me tuma që në atë kohë përdorej vetëm në Shqipëri.
Me sa duket këtu Homeri na zbulon origjinë e praktikës heroike dhe, ka të ngjarë shumë, origjinën e epikës gojore. Data dramatike e poemës, “Iliadës”, ka qenë 200 vjet mbas mbarimit të varrimit me tuma në Greqinë mikene dhe vetë Homeri ka jetuar 600 ose 700 vjet mbas kësaj kohe. Po ai ka shkuar me përpikmëri drejt veriperëndimit për origjinën e Akilit, për varrimin me tuma dhe për praktikat heroike. Mbasi Shqipëria ka qenë dhe është atdheu i heronjve”. (Shih kumtesën e Hamondit te “Kuvendit I i studimeve ilire”, vëllimi I, faqe 160-161).
Kohët e fundit kemi mundur të gjejmë fakte e dëshmi të reja të poezisë së kultivuar në viset ilire. Në librin “Romische villen in Panonien” (“Qytetet romake në Pannoni”) botuar nga B. Thomas, faqe 271-273, botohet teksti i një kushtimi poetik në latinisht për një ilir të ditur me emrin Valer Dalmati. Ky kushtim është incizuar me skalitje mbi një pllakë bronzi 565 mm e 350 mm e përbëhet nga 8 distiktë të rregullt e ritmikë, në hekzametër.
Këtë mbishkrim poetik me rëndësi e ka botuar Teodor Momseni, i cili tërheq vëmendjen kur thotë se i përket si kohë fundit të shekullit IV e fillimit të shekullit V të erës sonë. pllaka prej bakri ka qenë e dispozuar për t’u vendosur në një bust të Valer Dalmatit, brenda në atriumin e vilës së tij në Panoni (në Hungarinë e sotme), midis qyteteve Mursa e Sopiane. Momseni thekson se Valer Dalmati qe nga fisi ilire i panonëve.
Një dijetar tjetër, Alfeldi (“Untergang der Romer herrschaft in Pannonien”, Berlin-Laipzig, 1926) mendon se poezia e kushtuar Valer Dalmatit i takon viteve 387-394, pra shekullit IV të erës sonë. Kjo poezi, sipas stilit panegjerik të kohës, i është kushtuar Valer Dalmatit nga banorët e provincës së Logdunencis (Lionit, në Francë), për të mirat që u ka bërë ky i fundit. Ja poezia në fjalë e përkthyer:
Fryma e drejtësisë e futur në ligjet e respektimi i tyre për Valer Dalmatin që vetë ligj e parim i diktuar nga besimi i drejtë.
.
Moikom Zeqo
Moikom Zeqo
Ai zotëronte dymbëdhjetë shkrimet e që thelluar në detyrat e pretorit
si dhe në vendimet e të diturve të shenjtë.
Ky ishte interpretues dhe zbatues i ligjeve,
i njihte mirë dhe i zbatonte po aq mirë.
Për meritat e shumta o qeveritar shumë i drejtë Valer,
për të mirat e pafund të është ngritur kjo përmendore,
të cilën e vendosëm duke dëshmuar dëshirat e të gjithëve,
shëmbëlltyrë që e dërgojmë deri larg në atdheun tënd panon.
Që këtej respektojmë ofiqin suprem të prefekturës
e të ndjekim ty gjithë gëzim e kënaqësi me këtë ogur.
Secili që do të dijë se me ç’dashuri je largësuar
le ta ketë këtë dëshmi nga epitafi i këtij monumenti,
që i ngriti Valereit provinca e Lionit,
që ia kushtoi mbrojtësit të vet me mirënjohje.
 
Nga ky tekst mësojmë se Valer Dalmati ka pasur edhe kulturë juridike e se ka bërë dymbëdhjetë shkrime (ligje). Pra kushtimi poetik dhe ngritja e monumentit s’ka qenë e rastësishme për këtë figurë të botës ilire.
Monumente mbivarrorë me mbishkrime poetike janë gjetur edhe në Durrës, Apolloni, Ballsh e gjetkë.
Kështu, Prashniker, në librin “Muzakhia und Malakastra”, Wien, 1920, në faqen 194, figura 110, na jep tekstin e një mbishkrimi poetik prej 5 vargjesh kushtuar një figure të shekullit VI të erës sonë me emër Viktorian, i cili ka bërë ndërtime në Ballsh të Shqipërisë e ka qenë njeri i afërt i perandorit Justinian të Bizantit (ky perandor ka qenë me origjinë ilire). Në mbishkrim thuhet:
 
Nuk do të lihet në rrugët e harresës
emri i shkëlqyer i Justinianit
edhe kur koha e gjatë dhe
e panumërueshmja duke u moshuar
do të mbulojë dhimbjet e Viktorit
e të sjelljeve të tij të ndritura.
 
Në fakt, me emrin e Viktorinit lidhen jo një, por tri mbishkrime poetike që janë bërë të njohura nga arkeologët. Viktorini ka pasur një funksion të lartë që lidhej me ndërtimet e kohës, të cilat nën sundimin e Justinianit kanë qenë të shumta.
Prashnikeri përmend edhe një poezi tjetër në latinisht prej 14 vargjesh në një monument të një Robert i Monte Fortit, vdekur më 20 shtator 1108 në Shqipëri, i cili ka qenë kalorës kryqtar i ardhur nga Anglia. Fakti i kësaj poezie në latinisht në një mjedis mesjetar shqiptar flet për atë se në vendin tonë në shekullin XII poezitë në vargje latine njiheshin e lexoheshin, natyrisht nga një pakicë, kryesisht klerikë të kulturuar të kohës.
Karl Paçi në librin “Das sandschak Berat in Albanien”, Wien 1904, faqe 50 na jep dhe dy vargje të skalitura në një monument brenda manastirit të Zvërnecit në Vlorë. Vargjet janë:
 
Këtu shtrihet Kantos Karanxhas, burrë mjekrosh
me prejardhje (rrënjë) fisnike, llastar fisnik.
 
Nuk mund të themi gjë të saktë për njeriun të cilit i kushtohet ky distikt. Vëmë në dukje se Ana Komnena përmend një dukë me emrin Argyr Karanxha, i cili në shekullin XI qe dërguar nga Konstandinopoja në qytetin e rëndësishëm të Durrësit, ku u shqua dhe mbeti në të. Mendojmë se Kantos Karanxha do të ketë lidhje fisnore me personin e mësipërm që na kumton Ana Komnena.
Tani disa përfundime: Siç e pamë, gjatë shekujve në vendin tonë ka dëshmi që vërtetojnë se poezia ka qenë e kultivuar e pa dyshim që kjo poezi ka pasur edhe një farë publiku të vetin të kohës. Është e vërtetë që këto poezi apo epigrame të karakterit kushtimor ose funerar kanë qenë bërë në gjuhë të huaja kulture si greqishtja e latinishtja – dukuri kjo e vërtetuar edhe te popuj të tjerë të Evropës, të cilët i kanë përdorur këto gjuhë thjesht si gjuhë kulture e që nuk mohon aspak karakterin e tyre etnik e të kulturës së tyre kombëtare – e se për ne ka rëndësi që poezia e kultivuar lidhet, me ndonjë përjashtim, me mjedisin e figurat ilire e shqiptare, se ata s’kanë munguar ta shpallin me krenari e tendencë identitetin e tyre, si p.sh., poeti ilir Medaur Lucen Tarkuat Basianal.
Nga ana tjetër, këto dëshmi poetike kanë edhe vlerë historike e dëshmojnë për lidhjet me kulturat e popujve fqinjë e për njohjen e këtyre kulturave nga të parët tanë, të cilët ditën të krijonin e të bënin që të mbijetonte kultura iliro-shqiptare në shekuj.
Marrë nga Muri i fb i Moikom Zeqos 29 mars 2018

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.