Poeti – Kujtime për Lasgushin… – nga Mitro Çela

Gazeta

Lasgush Poradeci dhe qeni i tij Cuci
Lasgush Poradeci dhe qeni i tij Cuci

Poeti – Kujtime për Lasgushin…
nga Mitro Çela

Në vitin 1987 punoja në gazetën “Bashkimi”.
Teodor Keko punonte në gazetën “Drita”.
Të dy me shërbim në Pogradec. Secili për hesap të vet.
Në mbrëmje, zumë një tavolinë në lulishten e hotel Turizmit të vjetër.
Me një gotë birrë përpara, në gjysëm errësirë, shijonim melodinë e dallgëve të liqenit…
Para nesh u shfaq një burrë i vjetër.
Me një shkop në dorë.
Nëpër këmbë i vërdallisej një kone…
Kur u afru tek tavolina jonë, u dëgjua një zile…
Plaku futi dorën në xhep. Nxorri një sahat tavoline. Pa orën duke thënë:
“Pusho, moj e flamosur?!”
“Ç’është mo kjo fantazmë, – pëshpëriti Dori, – duke zgurdulluar sytë…
Pastaj thirri: O Zot! Na mbiu fati mbi tavolinë! Ky është Lasgushi…?!
(Lidhja e shkrimtarëve i kishte falur një sahat tavoline. Poeti e mbante në xhep.)
I bëmë vend në tavolinë.
Na pa vëngër.
Nuk na njohu.
Lëshoj vetëm një psherëtimë: “Këta të Komitetit Ekzekutiv, duhen vrarë me bukë në gojë!…
Më sjellin vërdallë…
Nuk ma marrin vajzën në punë…
E kam mësuese dhe më duhet ta kem në Pogradec…”
U ngrit duke mërmëritur…
I zgjatëm dorën. Na mbeti kobure!
Lasgushi u largua.
Pa na dhënë dorën.
Pa na përshëndetur…
E përpiu errësira, nën melodinë e valëve të liqenit…
-Si fantazmë erdhi, si fantazmë u largua, tha Dori, duke hapur bllokun e shënimeve.
-Të të tregoj një perlë… – më thotë Dori. –
Ma ka treguar Ismail Kadare.
Në vitin 1946, ministër i Arsimit ishte Sejfulla Malshova.
Edhe ky poet.
Edhe ky i ditur e me shumë gjuhë si Lasgushi.
Ministri i Arsimit, diku kishte bërë humor me poetin nga Pogradeci.
Lasgushi e mori për tallje.
Vjen në Tiranë, dhe kërkon Sejfullanë. I futet në zyrë.
I hedh mbi tavolinë një dorashke.
Dhe i thotë:
-Të ftoj në duel?!
Si në mesjetë!
Si kalorsit…
Vetëm një poet i madhërishëm, që jeton me kokën mbi re, mund të bëjë proçka të tilla në socializëm?!
Shënim: Këtë fakt e ka botuar edhe Ismail Kadarja në essenë për Migjenin.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit