back to top
3.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Poeti Ervin Hatibi në gjimnazin jopublik “I. Ngjeqari” – Berat Javën e kaluar gjimnazi jopublik – Dy kumtesa nga Laura Qendro dhe Sibora Muçaj

Gazeta

Ervin Hatibi
Ervin Hatibi
Poeti Ervin Hatibi në gjimnazin jopublik “I. Ngjeqari” Berat
Dy kumtesa nga Laura Qendro dhe Sibora Muçaj

Javën e kaluar gjimnazi jopublik “Irfan Ngjeqari”
zhvilloi takimin letrar me temë “Përditë shoh qiellin”
Me tekstet poetike të Ervin Hatibit

Gjimnazistët u shprehën se për ne nuk është vetëm tetori muaji i letërsisë, por çdo orë mësimi që ne zhvillojmë në lëndën e letërsisë. Kumtesat e përgatitura nga gjimnazistët për tekstet poetike të Ervin Hatibit ishin befasi e bukur për pjesëmarrësit. Poezia e Ervin Hatibit shkaktoi habi estetike te dëgjuesit. Më poshtë po sjellim kumtesën e maturantes Laura Qendro.

Gjimnazistë të shkollës jopublike "Irfan Ngjeqari"
Gjimnazistë të shkollës jopublike “Irfan Ngjeqari”
Poezia “Fëmijëria” e Ervin Hatibit, si ftesë për kthim te pafajësia
Laura Qendro – Maturante e gjimnazit jopublik “Irfan Ngjeqari” në Berat
Poezia “Fëmijëria” është një rrëfim nostalgjik që evokon përjetimet dhe aventurat e pafajshme të një djaloshi në kërkim të heronjve dhe ëndrrave të tij. Autori përdor një gjuhë të mbushur me imazhe magjike, duke e përshkruar fëmijërinë si një botë të përtejme, ku imagjinata dhe realiteti përzihen në harmoni të plotë. Interpretimi i vargjeve:

“Ç’është ky kalorës që fluturon?/ Ç’janë këto xixa patkonjsh si rrufe?”

Ky varg hap poezinë me një pyetje plot mister. Kalorësi që fluturon dhe patkonjtë që shkëlqejnë si rrufe janë simbole të ëndrrës për aventura dhe guxim. Është një hyrje në botën e fantazisë së një fëmije, një botë ku gjithçka është e mundur dhe çdo udhëtim është një përvojë e re.

“Jam unë, një djalosh,/ Kam netë që udhëtoj”

Vargjet sjellin djaloshin si një udhëtar të pafund në universin e fëmijërisë, ku udhëtimet janë netët e gjata të imagjinatës. Fëmija është autor i aventurave të tij, duke eksploruar gjithçka që mendja mund të përfytyrojë. Netët shndërrohen në hapësira, ku ai lundron me dëshirën për të zbuluar më shumë.

“Po largohem, po iki,/ Mamuzet tërë gjak i kam”

Ndjenja e largimit përfaqëson zhvendosjen nga pafajësia drejt një realiteti më të pjekur. Mamuzet e përgjakura tregojnë për betejat e vogla që çdo fëmijë përballet gjatë rritjes, duke përfshirë përplasjen me realitetin dhe humbjen e qetësisë së fëmijërisë.

“Më ndjekin, Oh, janë shumë.”

Fëmija ndiqet nga figura mitike dhe heronj të imagjinatës, si Muji, Robin Hudi, Tom Sojeri, Timuri, Ali Baba. Këto janë personazhe të guximshëm, që e frymëzojnë atë dhe e nxisin për të ndjekur ëndrrat e veta. Ata janë të përhershëm në botën e fëmijërisë dhe e mbushin atë me kurajo e shpresë.

“Ali Baba dhe dielli me sy e gojë,/ Që mbrëmjeve vizatoja.”

Ky varg shpreh se edhe dielli bëhet një shok imagjinar për fëmijën, duke i dhënë një sy dhe një gojë. Vizatimi është mënyra përmes së cilës ai ruan këto kujtime e ëndrra. Dielli, me fuqinë e tij të ngrohtësisë dhe dritës, simbolizon të mirën që fëmija sheh në çdo cep të botës së tij të vogël.

“Më ndjekin topi dhe zogjtë,/ Oh, kush s’më ndjeka,”

Edhe lodrat e përditshme, si topi dhe zogjtë, bëhen pjesë e kësaj ndjekjeje të përhershme, duke simbolizuar ndjesinë e lirisë dhe lehtësisë që fëmijëria mbart. Kjo është një botë ku çdo element, sado i vogël, ka një rol në krijimin e kujtimeve të çmuara.

“Qenka e vështirë, mjaft e vështirë o miq,/ T’u largoke nga fëmijëria.”

Vargjet përmbyllëse janë plot ndjesi dhe reflektim. Ndërsa fëmija fillon të rritet, ai kupton që është shumë e vështirë të lësh pas fëmijërinë – këtë botë të bukur me heronj dhe imagjinatë. Poeti na kujton se fëmijëria është një periudhë që mbetet gjithmonë brenda nesh, e paprekshme dhe e veçantë, një oaz kujtimesh që do ta ndjekë përjetësisht shpirtin.
Interpretimi i përgjithshëm: “Fëmijëria” është një homazh për vitet e para të jetës, ku çdo ditë është një aventurë e re, çdo lojë një betejë heroike dhe çdo natë një ftesë për të ëndërruar pa kufij. Poeti përshkruan bukurinë dhe ndërlikimet e kësaj periudhe, duke na kujtuar se ndarja nga fëmijëria është si të humbasësh një pjesë të shpirtit. Kjo poezi është një ftesë për të rikujtuar pafajësinë dhe thjeshtësinë që fëmijëria na jep dhe për të mbajtur gjallë atë ndjesi edhe në përballjet e jetës së rritur.

Poeti Ervin Hatibi
Poeti Ervin Hatibi
Ervin Hatibi, Poezia e humbjes
nga Sibora Muçaj – maturante e gjimnazit jopublik “Irfan Ngjeqari” në Berat
Poezia “E humbjes” nga Ervin Hatibi është poezia e mishërimit të dhimbjes që sjell humbja, përzier me dëshirën e pashmangshme për të ndjerë dashuri. Me një gjuhë të fortë simbolike dhe emocione që theksohen here pas here, poeti trajton me delikatesë të papërballueshmen dhimbjen që lë pas humbja.
Vargu hyrës “Ti asnjëherë s’e kupton çfarë humb,” vendos në mënyrë të vetëdijshme një mur emocional mes unit poetik dhe të dashurës se tij, që duket e pavetëdijshme për ndikimin e madh që ka tek uni poetik. Kjo mungesë e vetdijes së saj e thellon ende më shumë dhimbjen e unit poetik dhe mbjell te ai pemën e vetmisë. Uni poetik ndihet i vetëm përballë kësaj ndjenje që shkakton një zbrazëti shpirtërore të papërshkrueshme.
Në poezi vërehet përdorimi i figurave letrare që sjellin imazhin e një natyrë lozonjare dhe të lirë. E dashura e unit poetik vizatohet si dikush që endet lehtë nëpër botën e saj, e paafektuar nga ndarjet e humbjet.
Në vargje uni poetik shpreh tronditjen e tij, teksa situata e krijuar i duket e pakuptimtë.
Kur thotë “Unë mbi prush thyej shkarrpa/ si idiot i fryj hirit,” uni poetik i jep vetes rolin e dikujt, që i përkushtohet dhimbjes së tij me mish e shpirt, që përpiqet ta kthejë atë në diçka të prekshme. Duke i fryrë hirit, ai kërkon të ndezë një zjarr të ri, një rikthim apo një ngrohtësi që duket e pamundur të rikthehet.
Ervin Hatibi - Përditë shoh qiellin
Ervin Hatibi – Përditë shoh qiellin
Ky zjarr përfaqëson një përpjekje për shërim dhe pastrim, një ritual katarsisi të largimit të kujtimeve përmes sakrificës. Ai i djeg sendet që i përkasin dashurisë së kaluar – “lule, shami, vjersha,” madje edhe rrobat, duke mbetur “lakuriq, i varfër, dhe i zhveshur.” Ky është momenti më i brishtë i poezisë, ku uni poetik pranon humbjen e gjithçkaje që e ka mbajtur të ngrohte shpirtërisht deri në ato çaste.
Uni poetik ka dhënë gjithçka, por ende ndien të ftohtin e humbjes. Ky imazh pasqyron gjendjen e tij shpirtërore: të zbrazët dhe të pambrojtur, në kërkim të një botëkuptimi të ri pas humbjes.
Edhe pse i pashpresë, këmbëngulja për të dashur, nuk shuhet.
Në vargun e fundit, poeti thotë: “Por unë dua të të dua me çdo kusht.” Pavarësisht dhimbjes, pavarësisht pamundësisë për t’u ngrohur nga zjarri që tashmë ka djegur gjithçka, poeti vazhdon të kërkojë të dojë.
Ky është kulmi emocional i poezisë, që tregon për një dashuri të thellë, një nevojë e dëshirë të pandalshme për t’u lidhur shpirtërisht me dikë, edhe kur vetëdija se ndjenja të tilla të shkatërrojnë nuk mungon.
“Poezia e Humbjes” është një poezi që i kushtohet ndjenjës së pashpresë të humbjes, dëshirës për të dashur dhe luftës për të rindërtuar veten.
Ervin Hatibi përdor pa kompleksitet simbole të thjeshta, por të fuqishme e të afta për të pasqyruar botën e tij të brendshme dhe dhimbjen që nuk mund ta ndajë me askënd. Pavarësisht humbjes, ai ruan brenda tij një ndjenjë të pamposhtur dashurie – një ndjenjë që e mban gjallë, edhe pse kjo ndjenjë është vet burimi i vuajtjes së tij.

Marre nga Muri i FB Yzedin Hima, 4 nentor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.