back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Poeti arbëror Mikel Marullo Tarkaniota – nga Prof. Lutfi Alia

Gazeta

Sandro Boticelli  - Marullo Tarkaniota -koleksionin privat të Guardans – Cambò, Barcelona.
Sandro Boticelli – Marullo Tarkaniota -koleksionin privat të Guardans – Cambò, Barcelona.

Poeti arbëror Mikel Marullo Tarkaniota.

nga Lutfi Alia

Paolo Xhiovio (Giovio – Jovius), Ipeshkëv katolik, historian, mjek, biograf dhe muzeologu i famshëm italian, në veprën e botuar në vitin 1546: “Lëvdata për njerëzit e shquar, me portretet e vërteta …Elogia veris clarorum virorum imaginibus apposita. Quae in musaeo ioviano Comi spectantur. Addita in calce operis Adriani Pont. vita coloph, Venetiis apud Michelem Tramezinum. MDXLVI. Cum Privilegio summi Ponitificis, Caroli V Imperat. Regis Franciae. Illustrissimi Senatus Veneti, nec non Excellentissimorum Florentiae et Mantuae Ducum”, krahas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të cilit i dedikon një vepër historike më vehte, ndër figurat më të shquara të Italisë rradhit dhe tre arbërorët: filozofin Nicolò Leonicus Tomeus; humanistin Marini Becichemi Scodrensis dhe poetin Michele Marullo Tarchaniota.
Mikel Marullo Tarkaniota u lind në vitin 1453, në Kalabri, në familjen fisnike arvanitase e ardhur nga Akaia e Moresë. I ati Manilio Marullo ishte nga qyteti Dime dhe nëna Efrosina Tarkaniota, nga familja Tarkanio, që ishin zotërit e Moresë. Sipas historianit Giovanni Tarkaniota, pas pushtimit nga Perandoria Osmane e Moresë, zonja Efrosina shtatëzënë me Mikelin dhe me djalin Jani, emigroi në Kalabri bashkë me Melisa e Artës, gruaja e Leonardo Toka – dhespotit të Artës. Zbarkuan dhe u vendosën në Krotone. Pas lindjes të Mikelit arriti në Kalabri dhe i ati Manilio. Pak dihet për fëmijërinë.
Në arsimimin dhe edukimin e tij ndikuan kryesisht i ati dhe nëna e tij. Biografët e tij theksojnë se Mikeli studioi latinishten dhe greqishten në Venecia dhe filozofinë në Padova, por pa cituar burimet e këtyre të dhënave, por ka mundësi sepse atë kohë familja e tij ishte sistemuar në Ankona. Ky opinion hamendësohet me faktin se shumë epigrafe të Mikele Tarkaniota ndodhen në kishën e San Domeniko në Ankona, ku ishte varrosur gjyshi i tij. (Lucia Gualdo Rosa: Poeti latini del Quattrocento. Ricardo Ricciardi Milano – Napoli, Libreria AbeBooks. 2012)
Vitet e adoleshencës pa dyshim i kaloi në Napoli, ku ishte stabilizuar i ati Manilio, i cili ishte kthyer nga Raguza me nipin e Efrosinës, Paolo kushëri i Mikele (ishte i ati i Giovanni Tarkaniota autori i “Historie del mondo”). Mikeli djalosh, në Napoli mori një edukim të rafinuar humanistik në Akademinë Antoniana, me pas në Pontaniana, ku ndikim të madh ushtroi miqësia me Giovanni Pontano, humanist, poet dhe politikan i shquar i asaj kohe. Në ato vite e shtoi veprimtarinë poetike me epigrama. Në epigramat “Iliade” (II, 3, v. 68) i referohet qytetit Siena, sipas legjendave i themeluar nga fëmijët e Remo dhe Rea Silvia, duke e trajtuar Sienën si “vepër e Remo” (Epigrami III, v. 10), si shprehet dhe në De Lauddibus Senae (v. 2 dhe 24), por në fakt mendohet se Mikeli nuk ka studiuar në Universitetin e Sienës, por në San Giminiano, në akademine poetike, që Kortezi e kishin hapur në kështjellën Di Monti.
.
Portreti i Mikeles, vepër e Ridolfo del Ghirlandaio (1520)
Portreti i Mikeles, vepër e Ridolfo del Ghirlandaio (1520)
Mikel Marullo Tarkaniota është poet sa misterioz, po aq i fuqishëm dhe i rafinuar, por në veçanti u shqua si shkrimtar shijehollë dhe poet – filozof, i vlerësuar nga kritika italiane, si poeti neolatin më i madh i shekullit XV, i shquar me poezitë e mrekullueshme në latinishte, autori i lirikave plot me mallë për atdheun e humbur, autori i shumë epigrama dashurie, që konsiderohen nga më të bukurat e formuluara në periudhën e Rilindjes, ashtu dhe në thurjen hymneve të natyrës, të poezive filozofike platoniko-lukreciane, që shprehin dhe një botë shpirtërore të pasur dhe fetare të fuqishme. Përdori metrikë të ndryshme në Epigramata (botim i vitit 1497), ku trajton tema të ndryshme, nga të dashurisë në bashkëbisedimet intelektuale dhe mbi të gjitha në shprehjen e mallit për atdheun dhe popullin e tij të robëruar dhe për kaosin dhe katastrofat që krijoi pushtimi nga Perandoria turke i vendeve ballkanike. (G. Ferroni. Storia della litteratura italiana Einaudi, 1995, p. 396).
Në moshën 17 vjeç, Mikeli arriti një formim optimal kulturor, studioi kalsikët e letërsisë latine dhe shkruante poezi në gjuhën latine. Mikeli ishte shpirt-rrebel dhe aventuroz, me karakter të zjarrtë arvanitas, që e nxitën të hyjë në rradhët stratiote arbërore dhe të merrte pjesë në shumë beteja në Itali dhe në vendet e largëta të lindjes.
Në vitin 1470, u bë protagonist në aventurat e kohës, i mobilizuar në shërbim të fisnikëve të fuqishëm dhe të Republikës së Venedikut, mori pjesë në beteja të shumta në Europën qendrore dhe lindore, madje e quanin poeti-ushtar. Kur militoi në rradhët e stratiotëve arbërorë, mori pjesë dhe në luftimet kundër turqëve në Krime (Valeriano Pierio e Gaisser, Julia Hag. Pierio Valeriano on the ill fortune of learned men: a renessance humanist and his world. University of Michigan Press, 1999, p. 306), si dhe në shumë vende të tjera, që ai përmend në poemat, në poezitë dhe epigramet e shumta si betejat në trojet në veri të Detit të Zi (Scizia, malet Rifei, Bessi, Geti etj) si dhe në territoret për gjatë lumit Danub (Rumania, Moldavia, Bullgaria).
Dy portrete të Mikele Marullo Tarkaniota.
Portreti i parë vepër e Sandro Boticelli (në vitet 1491 – 1492), është në koleksionin privat të Guardans – Cambò, Barcelona.
Portreti i dytë, vepër e Ridolfo del Ghirlandaio (1520), në Collezioni Civiche di Como – Itali. Një kopje ndodhet në Uffizzi – Firenze.
Me këtë portret Tobias Stimmer realizoi xilografinë e vitit 1577.
.
Portreti i Aleksandra Skala, vepër e Botticellit
Portreti i Aleksandra Skala, vepër e Botticelli
Kur militonte në rradhët e stratiotëve arbërorë, mori pjesë dhe në luftimet kundër turqëve në Krime (Valeriano Pierio e Gaisser, Julia Hag. Pierio Valeriano on the ill fortune of learned men: a renessance humanist and his world. University of Michigan Press, 1999, p. 306), si dhe në shumë vende të tjera, që ai përmend në poemat, në poezitë dhe epigramet e shumta si betejat në trojet në veri të Detit të Zi (Scizia, malet Rifei, Bessi, Geti etj) si dhe në territoret për gjatë lumit Danub (Rumania, Moldavia, Bullgaria). Në vitet e aventurave si stratiot, i vdiqën nëna dhe i vëllai Jani, të cilëve iu dedikoi dy poema:
-Epigrama I 52, Epitaphium Euphrosynes Tarcchaniota matris – Epitaf nënës Efrosina Tarkaniota
– Epigrama I 22, De morte Iani fratris – vdekja e vëllait Jani.
Me emocionet dhe mallëngjimin e tij karakteristik, këto dy krijime poetike janë frymëzuar nga poema 101 e Katulo, të shoqëruara me një rikthim imagjinar ne vendet e largëta të origjinës arbërore të familjes.
Paolo Giovio, në veprën Elogia ilustris… afirmon se Mikele ishte mercenar në rradhët e stratiotit albanez Nikolla Rhallis, komandanti i kavalerisë veneciane. Mikeli, pasi u kthye në Venecia nga betejat në lindje, u dërgua me kavalerinë stratiote në ndihmë të mbretit Mattia Korvino, për të luftuar kundër dyndjeve turke në Hungari. Mikeli i dedikoi një epigram (IV, 22) mbretit Mattia me lëvdata si strateg ushtarak, si legjislator dhe për mikpritjen që iu rezervoi stratiotëve arbërorë. Pasi u kthye nga Hungaria, mori pjesë në mbrojtejn e Raguzës dhe Budva si shprehet në Epigramën IV. 17. Pasi u kthye në Itali me stratiotët e Venecias luftoi në Ferrara dhe në Pulja (Benedetto Croce, 1945, p. 273), madje dhe kundër turqëve në luftën e Peloponezit.
Pasi u kthye nga luftimet në lindje, shkoi në Firence për ngushëllim të vdekjes të Simonetta Cattaneo Vespucci, madje shkruajti një epitaf për Simonetta. Nga mezi i vitit 1476, u vendos në Napoli ku u përfshi në vrullin e jetës dhe të kulturës napolitane. Rivendosi raportet bashkë-punimi me humanistin Pontano dhe antarët e akademisë së tij. Kultura astrologjike napolitane, në veçanti vepra “Urania” e Pontano ushtruan ndikim në krijimin e veprës së tij “Hymni Naturales”, e cila u shtyp në Firence po në vitin 1497, e cila u mirëprit dhe u vlerësua si model i hymneve Orfeojane misterioze, ku Mikeli i këndon fuqisë hyjnore të natyrës, duke e cilësuar “feja naturale”, krijime të frymëzuara nga neo-platonizmi fiorentin dhe emetizmi oriental, por me ndjeshmëri materialiste e pagane, duke iu referuara veprës “De rerum natura” të Lukrecit.
Në veprat Hendecasyllaborum libri, I 26; De Marulli amoribus I 29; De Marulli munisculus, Pontano e prezanton si dashnor i zjarrtë, por epigramat dhe epitafet dedikuar shumë femrave, nuk do të thotë se ai kishte relacione dashurie, por shprehin ndjeshmërinë e tij në raportet e miqësisë dhe stimën për mikeshat, që bënin pjesë në shoqërinë e tij napolitane. Në këtë periudhë është në shoqëri me Antonello Petruçi dhe Antonello Sanseverino (Admirali i Mbretërise së Napolit), me Jakopo Appiani zoti i Piombino dhe familjen Akuaviva. Në vitet 1478 – 1480, mori pjesë në ofensivën e Napolit kundër Firences, ndërsa në shtator 1481, u bashkua me Akuaviva në luftën e aragonezëve për çlirimimin e Otrantos të pushtuar nga turqit. Edhe pse luftoi për aragonezët, ai nuk kaloi në shërbim të tyre, madje në poemën “De cardinalatu” shprehet me urrejtje për Ferdinandi I, i cili i dënoi me vdekje baronët kalabrezë, madje dyshohet se Mikele ishte pjestar i komplotit të baronëve.
Pas këtyre aventurave u vendos në Romë. Në vitin 1488, Mikeli i dërgon letër mikut fiorentin Giovanni Piko della Mirandola, ku i shpreh keqardhjen që nuk mund ta takojë, si dhe e informon se nuk e pëlqen jetën romane. Në këtë kohë krijon miqësi me vëllezërit Kortezi, me kardinalin Marko Barbo, me Giovanni dei Medici (i biri i Lorencos, i cili me pas u zgjodh Papa Leone X), me Fraçesketon (i biri i Papa Inoçenci VIII), me Alessandro Farnese (do të zgjidhet Papa Pali III) dhe me Kozimo Paci.
Në Romë qëndroi deri në vitin 1489. E kësaj kohe është dhe miqësia me perandorin Maksimiliano i Habsburgëve, të cilit i dedikon disa epigrama me lëvdata.
Më 3 gusht 1489, u vendos në Firence, i mirëpritur nga grupi i humanistëve, të mbledhur nga Lorenzo Mediçi, ku gjeti përkrahje dhe mbrojtjen e Bottiçelli-t (Alessandro Filipepi), djaloshit Mikelanxhelo Buonarroti, si dhe krijoi lidhje miqësie me Marsilio Fiçino dhe Anxhelo Ambroxhini – i quajturi Policiano. Mikpritjen dhe nderimin e familjes Mediçi e shpreh në hymnin e Hënës në veprën Hymni Naturales, III 2. V. 8.
I kësaj kohe është portreti i Mikelit i realizuar nga Botiçeli, aktualisht ndodhet në koleksionin privat Guardans – Cambò në Barcelona. Në bazë të këtij portreti, në vitin 1520, piktori Ridolfo del Ghirlandaio bëri një riprodhim, që ndodhet në muzeun e Komo, ndërsa në vitin 1568, piktori Kristofor dell’Altissimo, bëri një kopje të portretit të Mikel Marullo sipas atij të Ghiraldiao, që ndodhej në muzeun e Paolo Xhiovios.
Botimi i parë i Epigramata është pa datën e shtypjes, por mendohet se është realizuar pikërisht në periudhën kur ndodhej në Firencë (1489 – 1490), çka konfirmohet dhe me faktin se ia dedikon Lorencos.
Gjatë kohës që jetonte në Firence, u dashurua me vajzën e quajtur Kamila, të cilës i kushtoi poemën “Neaera – rinushja”, por mbeti vetëm një admirim dashuror.
Për karakterin e tij të zjarrtë dhe frymën kritike ndaj veprës Miscellanea të Policiano, botuar në vitin 1489, Mikeli i prishi raportet me Policianon, por shumë biografë thonë se baza e konfliktit ishte e bukura Aleksandra Skala, nxënësja e preferuar e Policianos.
Në vitin 1493, ushtria e Karlit VIII të Francës, marshoi drejt Napolit dhe premtimet e Karlit për organizimin e kryqëzatës kundër Perandorisë Osmane, e nxiti Mikelin të bashkohet me francezët, si dhe e informonte mbretin Ferdinand I ambasadori napolitan në Firence. Në këtë periudhë kompozoi poemën Institutiones principales në katër libra, dedikuar edukimit të djalit të mbretit Karlo. Kur pa se nuk u realizuan premtimet për kryqëzatën kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1496, Mikeli u rikthye në Firence. Shpesh frekuentonte Rafaelo Maffein, fisnikun e Volterras, miku i Bartolomeos, ku njohu të bukurën dhe të mençurën Aleksandra Skala.
.
Portreti i Mikele Marullo Tarkaniota e Cristofano dell'Altissimo: 1568
Portreti i Mikele Marullo Tarkaniota e Cristofano dell’Altissimo: 1568
Në vitin 1497, u martua më të bukurën Aleksandra Skala, e bija e sekretarit të Sinjorisë Fiorentine, humanistit dhe poetit Bartolomeo Skala. Aleksandrën e njohu Volterra, i lidhur me miqësi me familjen Skala. Dashuria e zjarrtë për të bukurën dhe poeten Aleksandra Skala e frymëzuan të shkruajë epigramat III e IV dhe në një nga strofat shprehet:
 
Bella e graziosa come sei, mia Scala,
sei veramente rara, ma non unica.
ma, poiché tu congiungi alla bellez
la castità e alla leggiadria il pudore,
ch’io muoia se non sei, mia Scala, unica.
Essendo infine amica delle Muse, non unica
mia Scala: sei una dea!
(përkthyer nga latinishtja Lucia Gualdo Rosa )
 
E bukur dhe hiroshe je Skala ime,
je më të vërtetë e rrallë, por jo e vetmja,
por sepse ti i bashkon bukurisë
dlirësinë dhe hijeshinë e ndrojtjes,
Se une vdes nëse nuk bëhesh e imja, o Skala e pashoqe,
Ti që je mike e muzave, jo e vetmja,
o Skala ime, ti je një hyjneshë.
 
P.s.-Portrete të Mikele Marullo Tarkaniota.
1.Portret i Mikeles vepër e Sandro Botticellit (në vitet 1491-1492), është në koleksionin privat të Guardans – Cambò, Barcelona.
2.Portreti i Mikeles, vepër e Ridolfo del Ghirlandaio (1520), në Collezioni Civiche di Como – Itali. Një kopje ndodhet në Uffizzi – Firenze. Me këtë portret Tobias Stimmer realizoi xilografinë e vitit 1577.
3.Portreti i Aleksandra Skala, vepër e Botticellit (1497)
4.Portreti i Mikele Marullo Tarkaniota e Cristofano dell’Altissimo: 1568
(Galleria degli Uffizi. Firenze) Riprodhim sipas portetit te realizaur nga Ridolfo del Ghirlandaio (1520).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.